Thursday, January 5, 2017

Anti-njeriu i Vitit 2016

botuar te Dita, 5 Jan 2017

Nuk e di për ju, po për mua, zgjedhja e “anti-njeriut” (në kuptimin e moralit publik, si vlerë negative që injektohet në shoqëri) është e vështirë, sepse nuk di kë të zësh e kë të lësh më përpara. Në të kundërtën, zgjedhja e “njeriut të vitit” është akoma më e vështirë, sepse jetojmë në kohëra pa shembuj frymëzues, në kohëra pa heronj, ose më keq, me heronj të rremë të fabrikuar nga media dhe rrjete sociale.
Edhe këtë vit, Njeriu i vitit, rrjedh, nga Antinjeriu…

Anti-Njeriu i Vitit

Në boshtin e të keqes, që zë fill nga Rama, kalon përmes Metës e përfundon tek Berisha, teksa ndërmjet tyre e plotësojnë mozaikun me dhjetëra lakej respektivë, e ku secili e meriton të jetë një anti-njeri i shekullit, kam përzgjedhur si anti-njeriun e vitit dikë që bie më pak në sy, Kryetarin e Bashkisë Tiranë, E. Veliajn. Arsyeja pse e kam zgjedhur mbi të tjerët, është se ia ka arritur të bjerë më pak në sy.
Arsyeja? Kryetari i Bashkisë ka arritur të zhdukë çdo lajm “të keq” në mediat elektronike e të shkruara për punët e tij në Bashki.
Ai ka arritur të blejë pronarët e mediave të mëdha në vend, që kanë rastisur të jenë dhe biznesmenë që merren me ndërtime ose aktivitete të tjera që përfitojnë nga Bashkia, duke u dhënë copa nga qyteti.
Ai madje, mori dhe një tufë gazetarësh e u bëri xhiro në Milano me paratë e Bashkisë (lexo: me paratë e tua), duke e fshehur informacionin. Për fat, gazetaret nuk ndenjën dot pa postuar në faqet e tyre të FB e Insta, dhe lajmi doli. Përndryshe, ai lajm do ishte varrosur si shumë të tjerë. E. Veliaj ka ngritur një strukturë të tërë brenda Bashkisë që manipulon lajmet, që prodhon kaseta për televizionet dhe që zhduk ose deformon të vërtetën. Dokumentari i Publicus e tregoi shumë qartë këtë. Pra, me paratë tuaja ju paguani një staf të tërë që merret me mashtrimin tuaj dhe me dhunimin e medias së lirë – të detyrosh mediat të pasqyrojnë lajmin ashtu siç e do ti, nuk ka emrë tjetër. Lajme pafund, kronika e intervista prodhohen përditë për të krijuar mitin e rremë të njeriut që punon. Ju nuk keni mundësi të verifikoni asnjë nga ato lajme e asnjë nga ato gënjeshtra. Askush, nuk do ta bëjë këtë për ju!

Çështja Ardit Gjoklaj

Anti-njeriu i vitit arriti edhe të pushojë 2 gazetarë, Artan Ramën dhe Alida Totën nga Vizion Plus e A1 News TV, dhe të mbyllë çdo investigim mbi përfshirjen e Bashkisë në aferën e firmës që kryente punime riciklimi mbetjesh në Landfillin e Sharrës, ku për pasojë gjeti vdekjen një adoleshent që punonte në të zezë. Arroganca e Kryetarit ishte e turpshme: “gjejini faktet që gazetarët i kam pushuar unë”, sfidoi ai mediat. A thua se duhet me patjetër të shtiem në dorë whatsappet e Genc Dulakut – gjë e pamundur, ndaj E. Veliaj na sfidoi me arrogancë të gjejmë faktet – për të kuptuar ndikimin dhe përfshirjen e Kryetarit në këtë aferë. Keni dëgjuar më për atë çështje? Jo! Cili gazetar mund të guxojë dhe cila media do pranojë investigimet e reja?
I apasionuari pas romëve, po instalon kazanë të rinj plehrash jo-funksionalë mbi të cilët plehrat mblidhen kapicë, me një qëllim: që romët mos mund të riciklojnë, por të riciklojnë kompanitë kliente. Ai është i paaftë të gjejë një zgjidhje për ricikluesit individualë, përveçse t’i kërkojë shtetit t’i burgosë ata.
Biznesi i plehrave, raporton BIRN prodhon 30 milionë të ardhura në vit. Por ndryshe nga praktika e mëparshme, raporton BIRN, “me ardhjen në krye të bashkisë të E. Veliajt, ky institucion ka mbajtur një seri të gjatë tenderash për pastrimin e qytetit me procedurë prokurimi negocim pa shpallje paraprake”, në kundërshtim me ligjin, pra duke mos lejuar një “proces transparent dhe me konkurrencë, çfarë si rrjedhim ul kostot për taksapaguesit”. Ndaj, përfundojmë tek kompanitë si 3R që doli se të njëjtit njerëz kishin “ngrënë” me Bashën dhe po “hanë” dhe me E. Veliajn.

Yes-man-i

Stadiumi Qemal Stafa, një objekt historik me një emër të nderuar, nuk është më. Ai u shemb shpejt e shpejt, në mënyrë të paligjshme duke shkelur disa ligje, ndërsa ju ishit të zënë duke folur për Europianin. Kryetarin e Bashkisë nuk e pyeti askush. As nuk u ndje fare. Sepse, ai nuk është aty për të dhënë mendim e as për t’u pyetur. Ai është aty për të shërbyer klientëve të atij që e ka vënë në atë post. Ai është një “Yes man”. Dhe ky është problemi tjetër i madh. Ai është thjesht një mashë. Ai është aty për të zbatuar mega-shkatërrimin e qytetit në favor të një grupi ndërtuesish. I tërë plani për Qendrën e Tiranës, plan i Ramës në fakt, ishte vetëm për të ndërtuar me paratë tona një parking të madh të nëndheshëm. Kushedi kujt do i jepet me “konçesion”. Të gjitha procedurat, që nga parku, qendra e Tiranës, masterplani e më tej, janë kryer në kundërshtim me ligjet e transparencës dhe të informimit, pa debat të hapur, vendimet për to janë marrë para se të bëhen publike. Arsyeja është e thjeshtë, atyre nuk u duhet mendimi juaj.

Etëtjerat…

Shërbimi urban është po aq mizerje si më parë, pavarësisht çmimit të biletës. Që nga Shëngjergji e në Lanabregas, këtë vjeshtë në Bashkinë e Tiranës lulëzoi hashashi – Kryetari i Bashkisë thjesht nuk ka kontroll mbi territorin. Parkimet me para janë organizuar si në vitet 30 të shekullit të kaluar, me një faturino që të lëshon një copë letër pa vlerë në dorë. Tirana, funksionon vetëm në qendër, periferitë i ngjajnë Kabulit. Unaza e Vogël doli jofunksionale, trafiku vetëm është rënduar. Në muajin më të mirë për dyqanet, dhjetor, Bashkia vendosi riparim fasadash duke mbuluar me dhjetëra dyqane me skela e duke u shkatërruar klientelën e dhjetorit. Pa-aftësia dhe mungesa e vizionit të E. Veliajt nuk ka fund. Por, në lajme ju shihni një njeri llërë-përveshur e punëtor.

E vetmja gjë që di të bëjë ai është të shesë lajmet me imazhin për veten. Lajme, ku po ngrihet kulti i njeriut punëtor. Ju i quani lajme. Në fakt, janë propagandë. Ky kult i rremë e i fabrikuar, është një tjetër arsye pse në 2016-n ai është, për mua, simbol i të keqes publike. Anti-njeriu!

Njeriu i Vitit

Boshti i të keqes – Rama-Meta-Berisha, është përcaktuesi i zgjedhjes së Njeriut të Vitit. Zgjedhja, me detyrim do të jetë politike. Dua ta ndaj Njeriun e Vitit me DY persona (tre, më saktë): Gjergj Bojaxhi dhe Ben Blushi/Mimoza Hafizi. Pavarësisht rezervave personale apo CV-ve politike, këta njerëz kanë realizuar diçka të pamundur. Ata kanë ndërtuar 2 lëvizje kundër sistemit. Unë besoj se Ben Blushi ka qenë e vetmja opozitë në Parlament këtë vit (dhe nuk më intereson se çfarë mendimi keni për Benin si person). Unë besoj se Bojaxhiu ishte e vetmja alternativë ndaj anti-njeriut dhe është një alternativë serioze ndaj boshtit të së keqes (dhe nuk më intereson se çfarë mendimi keni për Gjergjin si person).
Ju do dëgjoni shumë helm mbi këta 2 njerëz. Ju do i gjykoni ata mbi bazë lajmesh që prodhohen në zyrat e Kryeministrisë, mbi bazë historish të vjetra apo perceptimesh personale. Nuk dua të spekuloj se sa të vërteta do jenë. Por, një gjë e di me siguri, që Blushi më zi është më civil se Rama më i bardhë, dhe se Bojaxhiu në momentin e tij më të keq qendron më lart se Rama në momentin e vet më të mirë. Këta njerëz, na japin një shpresë.
Ndoshta, boshti i së keqes mund të çahet. Ndoshta, boshti i së keqes do t’i thithë, ose njërin, ose të dy. Por, të paktën ka një shpresë. Një shpresë, e ndarë përgjysmë.

No comments:

Post a Comment