botuar te Shekulli, e dielë, 15 janar
Pak ditë më parë tek respublica.al një djalë me emrin Orgest, i shkolluar dhe banues në Amerikë, bëri publike një letër që ia kishte dërguar kryetarit të opozitës, z. Edi Rama. Thelbi i letrës ishte oferta e Orgestit për të vënë në dispozicion dijet e aftësitë personale të tij (dhe të tjerëve si ai) në zhvillimin e Shqipërisë, në ngritjen e shoqërisë shqiptare në standarte më të larta dhe në dhënien fund të tranzicionit.
Letra e Orgestit është sa e sinqertë, aq edhe naive.
Letra e tij na sjell në dritë një mospërputhje të fortë mes realitetit konkret shqiptar dhe atij ideo-emocional të shumë prej njerëzve tanë jashtë shtetit, që pavarësisht se janë në Amerikë, Suedi a Zelandë, sytë i mbajnë nga Shqipëria.
Meqënëse Rama nuk ka patur kohë ose mundësi ti përgjigjet, po përpiqem ti kthej unë një përgjigje.
Ata që erdhën njëherë
Orgesti ndoshta nuk e ka ndjerë atje ku është, por, ne kemi pasur e vazhdojmë të kemi ardhje djemsh e vajzash të arsimuar në Perëndim. Ardhjet shpeshtohen me raste zgjedhjesh, kur shpresat a shanset për të përmbysur një grup qeverisës e për ta zëvendësuar me të rinj, është e madhe.
Jo për cinizëm, po për lehtësi termash e më tepër me një dashamirësi të butë, po i quaj ‘patriotët’.
Një grup i tillë i madh është dhe ai që unë kam votuar plot shpresë në 2005-n, e që më zhgënjeu personalisht shumë. Nga ai grup plot energji e ide, disa ikën, u spostuan ose u eleminuan me ligjin e më servilit, ndërsa të tjerët u futën në sistem.
Jo rrallë, lexojmë në media të përfliten për korrupsion emra patriotësh, nga ata të shkolluarit jashtë, nga ata që u kthyen për të kontribuar për vendin e tyre. Me sa duket, shkolla, dijet, standartet që sillnin nga jashtë nuk i rezistojnë dot korrozionit të sistemit. “Këtu te ne, siç më thoshte një mik, kushdo blihet. Madje, nuk shtrohet më as pyetja ‘për sa?’.” Sot, edhe ata vetë besoj e kanë harruar se çfarë kanë qenë. Sot, ata e kanë harruar që dikur shkruanin letra si të Orgestit.
Ne vazhdojmë të kemi ardhje patriotësh. Rrugët para tyre, njësoj si në 2005-n, njësoj si në 98-n a 2000-n, janë dy. Ose të ingranohen në sistemin e korruptuar, ose të kthehen andej nga ishin.
Çfarë duhet të bëjnë për të hyrë në sistem
Për tu ingranuar në sistem, kushti është një: bëhu pjesë e sistemit.
Sistemi manaxherial që ne kemi ngritur është një sistem neo-kooperativist. Në zyrat e shtetit punon vetëm një, dhe paguhen 8. Profesionistët heshtin para arrogancës së atyre që drejtojnë çdo zyrë, të futur në punë me partishmëri, me miqësi ose me forcën e parasë.
E jo vetëm shteti, por dhe shumë sipërmarrje private funksionojnë me metodat e manaxhimit komunist. Drejtimi me familjarë të paaftë ose me miq e shokë, ka bërë që siç më tregonte një mik, çdo ndërmarrje private me mbi 10 vetë, kthehet në kooperativë.
“Brigadieri i di të tëra. Brigadieri, është i biri/miku i filanit. Brigadieri, ka shumë frikë nga ata që dinë më shumë. Brigadieri të bën gjëmën, të heq ditën e punës! Duhet fjetur me Brigadierin. Sa shtëpi të bukur kishte Brigadieri!”
E pra, patriotët do të duhet të vijnë e të konkurojnë në këtë sistem vlerash!
Diplomat e tyre të perëndimit do ti vënë përballë kartonave tona të bakallit, shkollimin e tyre rigoroz përballë rrjetës sonë rigoroze të miqve, integritetin e tyre përballë shkeljes me këmbë e lënies pa rrogë.
Ata që nuk pranojnë ta shesin integritetin e të konformohen në sistem, ikin mbrapsht. Të tjerët janë akoma këtu, në sistem, madje në majat më të larta. Vetëm se nuk mund ti quaj më ‘patriotë’. Janë shndërruar në tjetër gjë.
Tek ne uji është më i ndotur afër burimit.
Partizanë, në vend të patriotëve
Edhe në i thirrshin për të drejtuar këtë vend, i thërrasin për ti shërbyer kauzës së Partisë, jo vendit. Dhe partitë tona dihen, NJËRI i di të gjitha, të tjerët duhet të rrinë në rresht e të bërtasin “urra” ose “para partizanë”.
Prandaj nuk i thërret njeri. Vendet e luftës, janë zënë. Rreshtat janë plot me partizanë. Kujt i duhet një partizan me shkollë? Për më tepër, një partizan me ndjeshmëri perëndimore!
Në këtë pikë, patriotët pyesin veten, pse nuk po i thërret njeri? Pse këtu ka kaq shumë nevojë për specialistë e manaxherë të aftë e me vizione, dhe vazhdojnë të punësojnë njerëz me diploma false?
A mos nuk duhet të presin nga të tjerët?
Do më pëlqente të besoja, se ata duhet ti dalin vetë zot vetes. Të vijnë këtu e ta gjejnë vendin e tyre! Të bëjnë diçka. Diksuhh do u sugjeronte të futen në degët lokale të ndonjë partie e të luftojë sistemin që aty.
Në fakt, patriotët nuk duan të vijnë të luftojnë. Lufta, na përket neve këtu. Ata, duan vetëm të punojnë, të ndërtojnë. Por tranzicioni ynë është luftë, ndaj nuk mbaron dot me njerëz që ndërtojnë. Tranzicioni ynë mbahet gjallë përmes luftës. Luftë për ekzistencë, luftë për territor, luftë për pasuritë e nëntokës e mbitokës, luftë për të shtënë në dorë gjithçka trashëguam, luftë për të zënë një vend pune e më pas për ta mbajtur, luftë për vota, luftë për të mos dorëzuar pushtetin, luftë për të mos hyrë në burg.
Pra, vend për ndërtues nuk ka.
Para partazanë!
A na duhen vërtet këta njerëz?
"Sistemi nuk i krijon njerëzit, nuk i krijon as aftësitë dhe tiparet e tyre. Sistemi vetëm i shfrytëzon dhe i favorizon ato aftësi, ndjenja dhe interesa, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e tij. Secili tipar tjetër, shikuar nga pozita dhe nevojat e tij, është i tepërt dhe i dëmshëm” i referohet Karel Kosikut, në një shkrim të vetin Ibrahim Berisha.
E thënë me fjalët e Artan Lames, sistemi u thotë këtyre të rinjve “Ikni se na prishni punë”.
Unë do doja të thoja që ata nuk janë kompatibël, dmth të përputhshëm, me sistemin. Nëse njerëz të aftë e profesionalë, të ndershëm e me integritet, do të ingranoheshin në sistem, ata do e prishnin sistemin. Druri i drejtë, e prish stivën e drurëve të shtrembër.
Prandaj as Rama nuk mund ti kthejë përgjigje Orgestit. Nuk ka çfarë ti thotë. Ai e di që sistemi nuk e pranon gjakun e ri. Sistemi ynë pranon vetëm një lloj grupi gjaku, atë të korruptueshmin. E kotë ti sjellim këtu kur nuk i përdorim dot. Do ishte gjak i shkuar dëm.
Nuk kemi pra, ç’tu ofrojmë patriotëve, ata NUK janë të përputhshëm me sistemin. Dhe, ndoshta më mirë. Do të ishte një ftesë për në ferr.
‘Duku një herë nesër!’
Mund të duket sikur po u them patriotëve të presin sa të ‘vdesë’ sistemi, e pastaj të shohim. T’i mbajmë përkohësisht me shpresën tipike shqiptare “duku i’herë nesër”.
Në fakt, ky sistem, sado i dobët e i paqendrueshëm, nuk bie vetë.
Duke gjykuar sesi demokracia tek ne ka marrë forma tribale e bajrakësh, kam frikë se rruga më e afërt e zgjidhjes do të ishte ajo përmes atij që një historian yni e quan “sovran i ndriçuar”.
Gjithçka fillon duke ringritur një sistem konkurrence, që fillon që tek diplomat, vendet e punës, e përfundon te konkurrenca e ndershme ekonomike. Këtë mund ta bëjë një njeri me vizion, frymëzues e me aftësi manaxheriale në gjendje ta transformojë sistemin nga lart-poshtë.
Kur ta gjejmë një njeri që të përcjellë këtë standard nga maja e Piramidës së pushtetit tonë, do t’ju njoftojmë. Por, siç duken bathët duke vëzhguar projektet politike, stafet njerëzore, apo frymën e lidershipit vendas, e mira do të qe të mos rrinit me veshin te dera.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment