botuar të dielën, 29 janar 2012 te Shekulli
Kur ka qenë hera e fundit që keni blerë një produkt duke gjykuar (kryesisht) mbi garancinë e tij? Kur ka qenë hera e fundit që jeni nisur për pushime të garantuar nga ata që kanë qenë më parë, dhe jeni kthyer të bindur që garancia e sugjeruesit ia vlente? Kur ka qenë hera e fundit që keni votuar realisht të bindur mbi garancitë e një programi të një kandidati?
Ka shumë mundësi që përgjigjia për këto e për shumë pyetje të ngjashme të jetë: “kurrë”.
Diçka na pengon për t’i bazuar zgjedhjet tona mbi garancitë mbi jetën, zhvillimin, pronën, pasurinë dhe integritetin. Gjëja më pa garanci në këtë vend është fjala e tjetrit.
Është një kohë e përkohshme. Kemi frigoriferë, por asgjë nuk rron deri nesër.
Vendi i garancisë “non grata”
Kam një makinë elektrike për mjekrën, të blerë në vitin 1999 pa asnjë lloj garancie. Burri që ma shiti në tregun elektrik mund dhe të më kish dhënë garanci, por, të dy ishin të qartë që e vetmja garanci reale ishte ajo e të peshuarit me sy. Unë peshova burrin që ma shiste, produktin, koston, dhe e bleva. Po të kthehesha të nesermen, burri mund të mos ishte më aty, mund të mos më mbante mend, mund të mos më përfillte. Ose, makina, mund të mos prishej. Në fakt kam bërë një blerje të mirë. Makina punon akoma.
Në këtë formë funksionojmë gjithmonë, prej sa mbaj mend.
Gjëja me garancinë më jetëgjatë në këtë vend është një dyshek. 10 vjet.
Televizorët shiten në dyqane prestigjioze me garanci 3 mujore; diplomat tona në vend të datës së skadencës kanë një “Ha-Ha-Ha” të sigluar poshtë; po hyre në derë të spitalit as Zoti nuk mban më garanci për ty; polici të sugjeron miqësisht që ta zgjidhësh ‘me njëri-tjetrin’ përplasjen e makinës sepse ai dhe ti, e dini që dëmin e asaj makine të siguruar nuk ke për ta marrë të plotë; ai që ta merr votën ta merr në formë tribale e jo mbi një program, nuk ka pse të të japë llogari për 4 vjet, e vetmja gjë që mund të të garantojë është që të marrë “lekët e veta” nga posti i ri; ballkoni yt me ‘pamje nga deti’ mund të ketë shumë shpejt një pamje nga banja e komshiut të pallatit të ri; krenaria e prindit nuk është më “fëmija im nuk pi duhan e alkool”, por “ishalla fëmija im nuk merr drogë”; gjysma e martesave zgjidhen brenda vitit; e vetmja gjë që ka garanci është kredia, edhe pse libori është i pabesë; miqtë të shesin, shefat të shesin, gratë të shesin, vartësit të shesin. Madje, edhe shokët e vëllazërisë kriminale kanë filluar të të shesin.
Unë besoj se kjo është pjesë e mbrapshtisë. Kjo është një kontratë sociale e përdhunuar mu në thelbin e vet: garancia e ekzistencës së individit këtu, në këtë vend, me këtë shtet.
Përtej një kontratë sociale
Më josh më shumë marrëdhënia jonë individuale e sociale me ‘garancinë’ sesa termi kontratë sociale. Ajo që unë po e quaj ‘garanci’ më shkon përtej një vullneti të përgjithshëm të popullit.
Ne kemi nevojë jo vetëm për garanci të mosprekjes së kushtetutës, garanci të zbatimit të ligjit, garanci të mbrojtjes së jetës e të territorit kombëtar.
Ne kemi nevojë dhe për garancira shumë të imta: kemi nevojë për garancinë që fëmijët të luajnë para pallatit pa u shtypur me makinë, pa u goditur e abuzuar; kemi nevojë që asfalti të ketë jetë të gjatë e mos të ketë nevojë për riparim pas 5 vitesh; kemi nevojë që të jemi kreativë e jo të rrasemi në administratë nga frika e papunësisë; kemi nevojë që të provojmë sa vlejmë në konkurrencë të drejtpërdrejtë, e jo të futemi në konkurse që i kanë fituar paraprakisht të tjerët.
Ne kemi nevojë për vizionarë e jo për burra shteti. Ne kemi nevojë për filozofë e jo për ambasadorë. Ne kemi nevojë për një shoqëri të hapur e jo për një shoqatë ministrash laca. Kemi nevojë që politikat shtetërore të zgjasin të paktën dy breza e jo vetëm 4 vjet.
Ne kemi nevojë për futjen e garancisë si koncept i kontratës sociale, i ligjshmërisë, por, më tepër si koncept shpirtëror e njerëzor në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Kemi nevojë që kur i themi “po” dikujt, ajo “po”-ja jonë të ketë vlerë.
Zëvendësimi i garancisë
Kur ka qenë hera e fundit që i keni besuar fjalës që ju ka dhënë dikush?
Jetojmë në një vend ku çdo gjë është e pasigurt, vendi i punës, diploma, miqtë, dashuria, qetësia, apartamenti, madje edhe jeta. Të pasigurta janë edhe allishverishet. Del dikush që ofron një pazar dhe më të ndyrë se i yti.
Integriteti personal ka kohë që nuk është më garanci në marrëdhënie personale, kontraktuale, politike e sociale.
I vetmi inxheksion që fusim në to është paraja. Me para, i bëjmë ‘upgrade’ të tëra këtyre garancive të përkohëshme e pa datë skadimi.
Paraja i mban njerëzit të lidhur ende rreth nesh.
Por, meqë paraja është gjithmonë relative – gjithmonë do të jetë dikush me më shumë lekë se sa ti, ose befas ti i humbet të gjitha – shpesh e vetmja garanci që mbetet është forca.
Prandaj dhuna zëvendëson marrëdhëniet ekonomike në vend të kontratave, marrjen e votave në vend të besimit, e shërben si garant në marrjen e respektit, të femrave, e të borxheve.
Rikthimi te garancia është i vështirë, gati i pamundur.
Rikthimi te garancitë do të thotë rikthim te integriteti i individëve që drejtojnë shtetin, median, kompanitë, paratë, institucionet e institutet, drejtësinë. Qesharake, apo jo? Është si të besosh përrallën e prostitutës që zgjedh që të bëhet nënë model, e hajdutit që vendos të jetojë me djersën e ballit, e vrasësit që dorëzohet vetë në burg dhe kërkon ti jepet dënim i përjetshëm. Madje, kam më shumë besim te prostituta e hajduti. Presioni shoqëror mund ta bëjë një prostitutë ta lërë atë mënyrë jetese. Ajo çfarë mungon sot është presioni shoqëror ndaj kalbëzimit të politikës e shoqërisë.
Nëse kjo është e pamundur, pse duhet që unë të kërkoj qiqra në hell?
Shteti i mosgrancive
Standarti i garancisë sonë kombëtare është akoma ai i Ali Pashës që, siç thuhet, kur berberi i vet i bëri një shaka të tipit “unë jam i vetmi që mund të ta vë briskun në qafë” Aliu e vrau më pas. “Përderisa e mendoi, s’kam garanci që nuk e bën”.
I rritur në një vend ku përgjithësisht ekziston diktatura e pakicës, qoftë në formë komuniste e qoftë në formë korporatash, unë do të isha i lumtur me një diktaturë të shumicës. Nëse shumica do vendoste që garancia në të tëra marrëdhëniet NUK NA DUHET, unë jam gati të bindem.
Por realiteti flet me gjuhë tjetër.
Vetë ata që e kanë instaluar, promovuar e ngritur në sistem shtetin e mosgarancive, janë ata që po përpëliten sot për pak garanci.
Ngjan se nuk janë dhe aq pak ata që kanë mbetur peng i mungesës së garancisë. E dinë që po të largohen nga politika mund ta hanë. Burgun, shpronësimin, linçimin publik e privat. E vetmja rrugë është që të rrinë këtu, të dënuar të jetojnë e punojnë mes llumit tonë. mund të kishin qenë në Bahamas duke jetuar mes rehatisë përjetë. Por s’munden. Nuk kanë garanci.
Ata që kanë vjedhur, plaçkitur e rrjepur pronën publike e private, shtetin e nënshtetin, sot, po përpëliten për të marrë një garanci të përjetëshme që pronat e pasuritë të mos u merren, që mos të përfundojnë burgjeve. Është një luftë e mundimshme, e përditshme, një dhunë që çon në një dhunë tjetër.
Sistemi që kanë ngritur, i ka marrë peng.
E vërteta nuk ka nevojë për garanci
Ajo që kam mundur të vë re është që garancitë kanë efekt domino, shembin njëra tjetrën. Vjen një çast kur dhe liria nuk është e garantuar. Ne, kemi arritur tashmë në atë pikë.
Duhet gjetur një pikë rifillimi. Dominoja e parë e sigurt që duhet ringritur në këmbë. Pataj, një nga një, të tjerat. Personalisht, mendoj që e para duhet të jetë e vërteta. Ne duhet të rikrijojmë garanci për të vërtetën. Unë besoj se sistemi i dhunës që zëvendëson atë të garancisë ngrihet gjërësisht mbi manipulimin e të vërtetës.
Shumë para, janë futur në sistem. Shumë media janë përfshirë. Shumë njerëz po kontribuojnë. Kohët orwelliane janë rikthyer. Asnjë garanci për liri nuk ka në një popull që gënjehet me raketake.
Kërkohet një popull që ushtron presion shoqëror mbi individët e institucionet.
Ku do ta gjejmë këtë popull? Po ja, në Kroaci. Ose mund ta sjellim me çmim më të lirë nga Nigeria.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment