botuar te Shekulli, e diel, 5 shkurt 2012
Unë kam një problem me statistikat. Koncepti më çnjerëzor për mua është ai i PBB, Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bashkë me të dhe defiçiti buxhetor. Jam ndjerë kështu ndaj shifrave sa herë zhvillimin e Shqipërisë së statistikave e krahasoja me Shqipërinë time, atë të përditshmen, të njerëzve, të halleve e lumturisë së tyre. Shqipëria ime me Shqipërinë e shifrave nuk kanë shumë lidhje. Sa më shumë përparon Shqipëria e shifrave, aq më e vetmuar shoqëria shqiptare; sa më i lartë Prodhimi i Brendshëm Bruto, aq më të panjerëzishëm e të ligj njerëzit; sa më stabël inflacioni, aq më shumë dhunë ndaj njëri-tjetrit, deri në asgjësim.
Ajo që unë besoj është se shifrat e zhvillimit, nuk tregojnë të vërtetën për njeriun. Mënyra si e masim zhvillimin është pjesë e një sistemi të kalbur ekonomik e shoqëror, që e tregoi veten vitet e fundit.
Këtu është çasti që komentuesit nervozë, fillojnë e përmendin vendet që kanë parë, “shko në filan shtet/qytet e shih ç’bëhet” “mos kujto se ky problem është vetëm te ne”, etj.
Sigurisht. Në asgjë që shkruaj nuk kam besuar që është problem vetëm i berndshëm. Shoqëria njerëzore kalon sfida të ngjashme në të tërë planetin. Sistemi, ai që propagandohet si më i suksesëshmi, është jo-funksional gjithandej. Ndryshimi është që këtu tek ne, sistemi nuk pikon depresion. Pikon gjak.
Kombi i palumtur
E tërë dita jonë shkon mes pyetjesh që na brejnë.
A thua do na vonojnë rrogat? A më dalin 10 mijë lek për sonte? A do gjej parkim? A do ma thyejnë xhamin? A do mi vjedhin tasat e rrotave? Kushedi sa na kanë ardhur dritat? Ku ta vëmë një fëmijë të dytë? Kush do ma marrë vajzën nga shkolla? Çfarë dhurate ti bëj mësueses së djalit? Ku ti gjej një mik profesorit? A thua e ha lekun? Të ketë luajtur prapë bixhoz? Ku ti gjej paratë për borxhin? Si s’kam një femër beqare te puna? Do na e ndërrojnë shefin, se sapo e rregullova muhabetin? Sa ditë pushim mund të bëj me kaq kursime?
Këto pyetje, janë njëkohësisht dhe përgjigje. Përgjigjet e një kombi të palumtur.
Shqetësimi im është se, nëse në teori ne i gëzojmë të drejtat bazë njerëzore, pse, jemi përherë e më të frustruar? Nëse vendi ecën përpara, qoftë dhe me milimetra, pse jemi të palumtur? Nëse gëzojmë fjalën e lirë, garancinë e strehimit e ushqimit, pse jemi përherë e më të pasigurt?
Kam gjetur një merak të ngjashëm në punët e Martha Nussbaum, filozofes amerikane. Idetë e saj, janë ndoshta një pikënisje e re për një kohë të re. Idetë e saj kanë mbi 10 vite në qarkullim. Por, ndoshta, tani koha për to ka ardhur.
Kapacitetet tona
Zhvillimi, nuk mund të jetë thjesht PBB-ja. PBB-ja çuditërisht rritet së bashku me përqindjen e vetëvrasjeve. Një popull i zhvilluar, është një popull i cili i përdor në mënyrën më të mirë kapacitetet e veta. Shihni pak përreth, sa nga njerëzit që ju njihni bëjnë atë që kanë vërtet qejf të bëjnë?
Ne nuk i shfrytëzojmë kapacitetet tona, sepse askush nuk na e ka mësuar që mirëqenia, është E DREJTA jonë. Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik nëqoftë se njeriu nuk ka mirëqenie, le të jetë si e sa të dojë inflacioni.
Martha Nussbaum, ka përpunuar një listë të kapaciteteve të njeriut. Plotësimi i tyre, është në fakt një program ekonomik zhvillimi.
10 kapacitetet e njeriut
Më duket me vlerë ti rendis të dhjetë kapacitetet që përcaktojnë mirëqenien e njeriut. Kështu, mund të kuptoj më mirë, pse nuk ka mirëqenie në këtë vend.
1. Jeta. Sipas filozofes, është shumë e rëndësishme që njeriu të jetojë një jetë të plotë, deri në fund të jetëgjatësisë normale. Njeriu, ka të drejtë të mos vdesë para kohe.
2. Shëndeti i trupit. Njeriu ka të drejtë të ketë shëndet të mirë, shëndet riprodhues, të ushqehet ashtu siç duhet, të ketë strehë të përshtatshme.
3. Integriteti i trupit. Njeriu duhet të jetë në gjendje të lëvizë i lirë nga një vend në tjetrin; të jetë i mbrojtur nga dhuna, sulmet, përdhunimet; të ketë shanse për të marrë e dhënë kënaqësi seksuale dhe të ketë mundësi zgjedhje riprodhuese.
4. Shqisat, imagjinata, mendimi. Kushdo duhet të jetë i aftë të përdorë shqisat e veta; të imagjinojë, të mendojë e të arsyetojë. Për këtë i duhet arsimimi i përshtatshëm. Të ketë eksperiencat që zgjedh vetë; të përdorë mendjen i mbrojtur nga liria e të shprehurit, të jetë i lirë të gjykojë për fenë dhe votën e vet; të marrë eksperienca që i falin kënaqësi.
5. Emocionet. Njeriu ka të drejtë të lidhet me njerëzit e me sendet jashtë vetes; të dashurojë e të qajë për mungesën e atyre që do, të përjetojë mallin, mirënjohjen dhe deri inatin e justifikuar; njeriu ka të drejtë që emocionet e veta të mos i shkaktohen nga frika e ankthi prej dikujt a diçkaje.
6. Arsyeja praktike. Njeriu ka të drejtë të jetë i aftë të formojë idetë e veta mbi të mirën e të keqen dhe të reflektojë mbi planifikimin e jetës së tij. Njeriu ka të drejtën e lirisë së ndërgjegjes.
7. Bashkimi. Njeriu ka të drejtë të jetojë për dhe me të tjerët; të shqetësohet për qeniet e tjera njerëzore, të ndërlidhet me ta në forma të ndryshme ndërveprimi social; të preket nga hallet e të tjerëve: të jetë i aftë për drejtësi dhe miqësi; të trajtohet si i barabartë e i njëvlershëm me këdo qenie njerëzore mbi tokë.
8. Qeniet e tjera. Kushdo ka të drejtë të jetojë për dhe në bashkëjetesë me kafshët, bimët, dhe botën natyrore.
9. Loja. Njeriu ka të drejtë të qeshë, të luajë, të gëzojë aktivitete rekreative.
10. Kontroll mbi mjedisin e vet.(A)Politik: të marrë pjesë në mënyrë efektive në zgjedhjet politike që drejtojnë jetën e tij; pjesëmarrje e lirë, liri shprehjeje, liri krijimi partish. (B)Material: të ketë të drejtën të zotërojë pronë; të drejtën të gjejë punë, i barabartë me të tjerët.
Këto kapacitete shkojnë përtej të drejtave bazë të njeriut. Ato janë një program ekonomik, që askush nuk ka ndër mend ta vërë në praktikë. Shqipëria ime është vendi ku thuajse askush nuk i praktikon kapacitetet e tij. Madje, një pjesë prej nesh nuk gëzojnë asnjërën nga ato liri thelbësore. Prandaj jemi një komb i palumtur.
Politika e kapaciteteve
10 kapacitetet e Martha Nussbaum, janë më shumë sesa tekste librash e intervistash. Ato janë një program politik dhe ekonomik për vitet që vijnë. Ato janë një përkufizim i lirisë.
Liria jonë substanciale sipas Amartya Sen, është përmirësimi i jetës që bëjmë dhe lirisë që gëzojmë. Jetët tona duhet të jenë më të pasura, dhe ne duhet të jemi njerëz më të plotë nga ana sociale.
Qëllimi i shumë njerëzve sot është të heqin një person ose grup politik nga pushteti. Kur, duhej të ishte lufta për të sjellë në pushtet një lidership i cili vjen mbi këtë program: ti garantojë çdo shqiptari se do të kujdeset për kapacitetet e lirisë së secilit.
Liderët nuk mund të jenë më njerëz që gënjëjnë. Liderët, do duhej të ishin njerëz që e dinë se çfarë i nevojitet njeriut dhe na thërrasin ta ndërtojmë së bashku botën.
Politika duhet të vijë e frymëzuar. 10 kapacitetet e filozofes Nussbaum, duhet të jenë baza mbi të cilat të ngrihet shteti e politikat shtetërore. 10 kapacitetet i duhen mësuar fëmijëve në shkollë e në familje, për t'i bërë gati për të jetuar në një kohë të re.
Një kohë e re për politikën, për arsimimin dhe për jetën është pas murit. Ne mund të ngelemi të fundit. Por, ajo do të vijë për të gjithë herët a vonë.
Jeta, si film ku nuk luajmë ne
Në të tërë filmat amerikanë, flas për filmat komercialë me happy end, njerëzit bëjnë punë interesante, të këndëshme. Ne i mbajmë kanalet te filmat e gëzueshëm e me happy end. Në nëndërgjegjen tonë, të gjithë do donim të ishim ata personazhet e filmit, me një punë që ta bënim me qejf, do donim të takonim njerëz interesantë, të binim në dashuri me persona të veçantë, të flasim idenë tonë mbi botën. Të udhëtonim. Të ishim të lirë, e të lumtur.
Shihni pak rrotull.
Filmi ynë, nuk është nga ata me happy end.
Pak kush nga ata që njoh bën atë punë që ka qejf, voton atë që vlen, dashuron atë që e plotëson, konkuron i lirë për projekte, jeton aty ku ndjehet më mirë. Askush nuk thotë të vërtetën apo atë që beson.
Në Shqipëri ka akoma shumë njerëz që nuk kanë parë akoma as Tiranën. Ka njerëz të frustruar që nuk e dinë ç’është dashuria, veç kur e marrin me dhunë. Ka njerëz që nuk dinë të qeshin veç të kërcënojnë. Ka njerëz që nuk dinë të lexojnë por kanë marrë mastera e phd. Në Tiranë qentë rrugaçë i vrasin, breshkat i kontrabandojnë. Protestuesit, i pushkatojnë. Votën e blejnë. Fëmijët nuk luajnë dot në rrugë. Romët i djegin. Shqipëria, si pronë e paluajtëshme i përket shumë pak njerëzve.
Në Shqipëri ka njerëz që nuk kanë asgjë për të humbur, veç prangave.
Koha e re
Jemi në agimet e një kohe të re. Edhe pse, qielli përmbi ne është kryesisht i zi. Por ky nuk është Matrix dhe nuk na drejtojnë makinat.
Njeriu ka të drejtën të mos vdesë para kohe, të jetojë në shëndet, të lëvizë e lirë të riprodhohet, të marrë edukimin e duhur e të shprehë kreativitetin e vet, të ketë lidhje afektive, të ketë konceptin e vet kritik mbi botën, të jetojë në raport me të tjerët e në harmoni me qeniet e tjera, të luajë, të qeshë e të jetë kreativ, të ketë zgjedhje politike e të zotërojë prona.
Ky është ligji i ri njerëzor dhe flamuri i ri i pranverave të reja arabe.
Zhvillimi, vjen pavarësisht se shumë njerëz ishin kundër makinave me avull apo kundër kompjuterëve.
Qielli ynë është akoma i zi. Por, nuk ka mijëra rrugë për zhvillimin. Ka vetëm një. Dhe, qoftë dhe me milimetra, ne, nuk mund të shkojmë dot në rrugë tjetër.
10 kapacitetet, janë dimensioni i ri i lirisë.
Dhe - më duket se e ka thënë Gorki - lirinë nuk e meritojnë ata që nuk janë gati çdo ditë të dalin në rrugë e të luftojnë për të.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment