Sunday, February 12, 2012

Tirana e ideve të vogla

Botuar te Shekulli, e dielë, 12 shkurt 2012


Duke lëvizur nëpër qytet, ndjesia është që nuk ke më çfarë ti bësh. Horrori ka ndodhur. Në këtë genocid urban King-kongut do ti merrej fryma, Al Kapone nuk do gjente dot ku e ka shtëpinë, Gaudi do të refuzonte të dilte nga shtëpia.

Megjithatë, Tirana mund të ishte një qytet më njerëzor. Unë e kuptoj që projektet e mëdha janë mundësira për të reklamuar më shumë punën, ndoshta dhe vjedhur më shumë, por, qyteti ndryshon jo me megaprojekte, me megandërtesa, me megatramvaje, por me ide më të vogla e më njerëzore.
Tirana nuk ka problem tramesh, por trafiku; nuk ka problem mungese super-kishash e super-xhamish, por probleme thatësire shpirtërore; nuk ka probleme lulishtesh, por probleme njerëzillëku.

Tirana, ka nevojë për idetë e vogla. Mjafton që të jenë njerëzore.

Nga Basora në Bathore

Në fillim duhet të ngremë zërin për tu treguar të pushtetëshmve që Tirana nuk fillon te Kulla e Sahatit e mbaron te Universiteti. Tirana, fillon te Banka e mbaron në Kombinat; nis te ish-Pastiçeri Flora e përfundon në Kodër-Kamzë; shtrihet nga Nëna Shqipëri e deri te ura e Peshkatarit; zë fill nga stadiumi Dinamo e mbaron ehuu.. në atë anë nuk i shihet as fundi.

Nuk është as Blloku e as qendra, por janë periferitë që e përbëjnë Tiranën. Politikat e Bashkisë duhet të fillojnë nga periferitë, ku ka akoma hapësira për të ndërtuar (civilizim, jo pallate), që ajo zonë të mos i ngjajë më Irakut të pushtuar.

Rivitalizmi i periferive, fillon që me ç’zanien e tokës. Mund ta kuptoj legalizimin e shtëpive abuzive, por nuk kam për ta kuptuar kurrë sesi mund të legalizohet toka e grabitur që rrethon shtëpinë. Ajo tokë duhet kthyer në pronë publike, duke zgjeruar rrugët aty ku ka vetëm shtigje dhie, duke shtuar trotuare aty ku ka vetëm baltë, duke mbjellë pemë aty ku ka goma të hedhura e duke vendosur stola aty ku rrisin pula.

Tiranës nuk i duhet një plan i ri për sheshin, por plane specifike urbanizimi për periferitë. Periferitë duhen lehtësuar nga betoni e muret abuzive. Në Periferi duhet çuar jeta.

Parlamenti i Bregut të Lumit

Koncepti i përqendrimit të ndërtesave, qoftë dhe atyre qeveritare në qendër, është gati-gati feudal. Shteti nuk mund të funksionojë si oborr Princi. Ne nuk mund të ndërtojmë një stadium të ri në Qendër, një Parlament të ri në Qendër, e çdo gjë në qendër, meqë dikush, dëshiron që të ndjehet madhështor mes veprave të veta teksa bën 100 metra në këmbë nga shtëpia në zyrë.

Parlamenti dhe Stadiumi duhen ndërtuar në periferi, për ti dhënë jetë zonave ku ka vetëm mure, avlli të paligjshme e kulla gjakmarrjeje.

Dhe jo vetëm mega ndërtesat, por dhe teatro të vegjël, studio arti apo ndërtesa cirku duhen ndërtuar e stimuluar në periferi, për të angazhuar artistë të papunë e për të mbushur me shpirt këto zona ku i vetmi argëtim është Van Dami në televizor e në rrugë.

Instalacionet e Alliasit

Përvoja botërore ka treguar që arti i zbut periferitë e degraduara.

Bashkia duhet të krijojë mekanizmat që piktorët e rinj e të etur për punë të mund të marrin studio falas në periferi. Ato vende ku i vetmi argëtim është loja me thika e me grushte, mund të zbuten më shpejt e më mirë përmes artit. 100 piktorë në Allias, nuk do ta bëjnë zonën më të pasur, por do të krijojnë klimë artistike, vatra kulture dhe zonë qarkullimi artistësh e idesh.

Tirana ka plot hapësira që mund tu jepeshin artistëve vizualë për ti përkthyer në ide artistike. Mijëra piktorët e papunë të Tiranës mund të konkurojnë me ide e projekte për të shndrruar mure të trishtë a masivë ndërtesash çnjerëzore në piktura murale e në vepra arti konceptuale, të cilat do ti bëjnë qytetarët të ndjehen më mirë e piktorët më të vlerësuar, e mbi të gjitha, të punësuar.
Pallatet nuk mund të lyhen nga Kryetari i Bashkisë me shigjeta të shtrembëta. Pallatet, duhen kthyer në koncepte arti nga artistët vizualë.

Sa herë të shfaqen në një zonë periferike shenja të degradimit, të dhunës e depresionit urban, bashkia duhet të ndërhyjë me armatën e piktorëve e artistëve vizualë. Në një Allias me instalacione, është më vështirë të vrasësh.

Muret e Babilonisë

Ne jetojmë mes muresh. Të tërë përpiqen ti kthejnë shtëpitë e tyre në kështjella të papushtueshme. Prandaj, ndërtojmë mure pas muresh, i ngremë dhe nga dy metra, u vëmë dhe xhama të thyer e tela me gjemba sipër. Kështu jemi bërë. Ne jetojmë si në rrethim në këtë qytet, e harrojmë se kështjellat vërtet nuk lënë të hyjë njeri, por janë dhe burgje për ata që janë brenda.

Muret tona e kanë historinë të largët, ndoshta 50 vjet. Dikur, muri të mbronte nga sytë spiunë. Bota nuk kishte pse të shihte antenën tënde, rrobat e tua në tel, çfarë flisje, e çfarë kishe në oborr e shtëpi. por, shumica e këtyre mureve janë ngritur mbi pronën publike.

Ka ardhur koha që këto mure të shemben. Mua do të më pëlqente që vendin e tyre ta zinin kangjella, dhe në vend të pulave të shihja lule, ose të paktën domate në oborret e rrethuara.

Ka ardhur koha që komunitetet të hapen. Asnjë copë trotuar apo lehe bari nuk i përket dikujt, por të gjithëve.

Ishujt, janë filozofia e atyre që mbijetojnë në majë të malit. Në qytet nuk mund të gëzohet në ishuj.

Kinemaja mes trash-kulturës

Në periferitë tona e vetmja jetë është ajo e bilardove. Tirana e para 90-s ka pasur 7-8 kinema nëpër lagje. Sot, kinemaja është bërë luks i qendrës. Në të kundërt, Bashkia duhet të iniciojë e favorizojë ri-hapjen e rrjetit të kinemave në periferi.

Ndërkohë që Bashkia duhet të mbështesë jo një, por dhe më shumë festivale e aktivitete filmi në Tiranë, për të thithur artistë, talente e vëmendje, duke zhvilluar konkurse të filmit të shkurtër e të gjatë, duke hapur inisiativa të tipit “Tirana I Love You”, duke e rikthyer Kinostudion në një zonë preferenciale filmi. (haha, këtë të fundit e thashë për humor. Kinostudio tashmë ka vdekur.)

Bashkia e ka për detyrë që të ndërtojë (ose të rikthejë në origjinë) një kinema bashkiake, ku të trasmetohen vetëm filma të rrallë e autor, filma jo komercialë e që nuk kanë ku të shihen tjetër, që të jetë pikë referimi kulture filmike dhe qendra që mbledh komunitetin jo dhe aq të vogël të të pasionuarve pas kinemasë. Java e filmit rus a çek, java e Fritz Langut, klasikët e kinemasë pa zë, kinemaja kubane, e shumë inisiativa të tjera, duhet të kenë “shtëpinë” e tyre në Tiranë.

Sheshet e gijotinave

Sheshet tona, janë vende ku dilet për të bërtitur se kush duhet të shkojë në litar. Sheshet, janë vendet që e kanë humbur demokracinë, në favor të çjerrjeve. Prandaj, unë do doja në çdo shesh një foltore, ku kushdo mund të hipë e tu flasë qytetarëve, njësoj si në demoset e lashta greke.

Sheshet, gjithnjë e më shumë u duhen shkëputur tymit e makinave dhe u duhen rikthyer njerëzve.

Parkimi i anijeve kozmike

Parkinget abuzive, gjithashtu duhen futur në sistem. Këto inisiativa të egra që kanë zënë hapësira mes pallateve duhen sistemuar në mënyrë urbane. Risistemimi i parkingjeve, duhet bërë paralelisht me një reformë të thellë transporti publik.

Tirana dikur bëhej për 15 minuta me biçikletë nga cepi në cep. Sot, në Tiranë çdo ditë kryhet një krim i madh. Për të ardhur nga Blloku deri në Laprakë mund të të duhet një orë. Pra, ti mund të humbasësh dy orë në ditë në Tiranë nëpër autobusa, njësoj sa po ti biesh Nju Jorkut cep më cep me metro.

Dita jonë nuk ka 60 orë. Ka vetëm 8 orë liri, pos 8 orëve burg pune e 8 orëve koma.
Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto orë të vrara çdo ditë nga jeta e mijëra njerëzve, orë kreative që nuk kthehen dot më pas. Makthi i transportit, nuk prek askënd nga njerëzit me pushtet. Ata vetë e hapin rrugën në trafik me sirena policie.

Music for the masses

Tirana është i vetmi metropol, që nuk ka një ndërtesë apostafat për koncerte. I vetmi vend, Pallati i Kongreseve, është një sallë që e vret muzikën, sepse është bërë për tu dëgjuar një zë, e jo një melodi.

Tirana ka nevojë urgjente për të krijuar një arenë koncertesh, dhe mbi të gjitha për të krijuar një zinxhir festivalesh që të promovojnë artistë e rinj e rrymat muzikore me publik të kufizuar.

Bashkisë nuk i kushton asgjë që të manaxhojë një studio muzikore ku çdi artist apo grup muzikor të mund ta bëjë albumin e vet falas, të distribuar me fondet e Bashkisë.

Panairi i kotësive urbane

Në vend që të thirret tërë periferia në qendër, duhet shkuar në kah të kundërt. Qendra duhet të bëjë vizita në periferi. Panairi i salçiçeve nuk mund të stabilizohet në qendër, por, mund të ishte një panair shëtitës nëpër zona të ndryshme të qytetit. Po kështu panairi i mjaltit, i rrobave të përdorura, i antikuarëve, etj., duhet të jetë një strukturë që lëviz një herë në dy javë në një lagje të re.

Tirana, një vend ku të jetohet e jo thjesht mbijetohet

Që të mbijetosh në Tiranë, duhet të kthesh vazhdimisht kokën majtas-djathtas për tu ruajtur nga King-kongu 4x4. Tirana është parajsa e Al Kaponeve të tranzicionit. Tirana nuk ka asnjë Gaudi.
Tirana mund të ishte një qytet më njerëzor.
Por, nëse për kreun e Bashkisë së Tiranës luftohet me mjete, artileri e financa të ngjashme me ato për pushtimin e Irakut, kushdo që do të vijë në pushtet do të largohet duke lënë pas rafineri në flakë e kamikazë.

Tirana, mund të bëhet edhe me ide të vogla. Por fatkeqësisht, kërkon burra të mëdhenj.

No comments:

Post a Comment