Botuar në Revistën Klan, dt 28 Prill 2012
Superlativa, sipas fjalorëve nënkupton diçka të rendit më të sipërm, të cilësisë më të lartë apo të shkallës më të epërme të mundshme; diçka që i tejkalon e që është superiore ndaj gjithçkaje tjetër.
Ata që jetojnë në Shqipëri., do të binin besoj dakord që vendi jonë nuk ka asnjë fushë për superlativa. Nëse flitet për arsim, për ushqim, për argëtim, për shërbim, për program televiziv apo për ngjarje sportive, për politikë apo VIP, ne nuk kemi asgjë që me dorë në zemër ta meritonte superlativën. Madje, edhe e keqja jonë nuk është dot sipërore: korrupsioni i sotëm nuk është në shkallën më të lartë, sepse, nesër, po në Shqipëri, dikush do realizojë një akt korruptiv edhe më të frikshëm. Ne nuk jemi vendi më i varfër në botë, sepse na e kalon Sudani, as vendi me mafian më të fortë, sepse na vë poshtë Rusia a Kina.
Megjithatë, ne jetojmë mes një smogu superlativash. Ne kemi superligë futbolli kur Spanja ka thjesht një La Liga, kemi supermarkete me përmasa 2x3 metra katrorë, kemi autostrada e superstrada ku lopët kanë po aq akses sa dumdumët, kemi miliarderë që nuk u paguajnë dot rrogat punonjësve, kemi diva arti pa kinema dhe kemi hit-e muzikore në një vend që nuk ka asnjë institucion që të çertifikojë shitjet muzikore, ne kemi ‘lavazho’ specialë ku e vetmja gjë speciale përveç zorrës së ujit, është shqipja e mbrapshtë e tabelave.
Të jetuarit mes këtyre superlativave duket si një ekzotizëm shqiptar, por është një ekzotizëm me efekte të mëdha në xhepin, psikën dhe krejt ekzistencën tonë. Superlativat janë tashmë pjesë e një realiteti-makiazh, që të tërë kemi rënë dakord të shtiremi njëkohësisht sikur e besojmë. Qëllimi kryesor është ta bëjmë publikun të besojë se po jeton një super-eksperiencë.
Më e mira, i vetmi, askush tjetër...
Kjo është forma e parë e superlativës, ajo që tenton të të bindë me anë të termave se një produkt është absolut në treg. Përdoret në reklamimin e drejtëpërdrejtë ose dhe okult. E përdorin kompanitë e mëdha për markën, për produkte të veçanta, për programe televizive, për shërbime.
E vërteta është që Shqipëria nuk i ka kushtet për të vlerësuar cilësinë specifike të një produkti. Psh., nëse një TV shpall që filan aprogram apo film është më i ndjekuri, pyetja lind, kush i bëri matjet e audiencës? Me ç’të drejtë, publiku (dhe sponsorët përkatës) keqinformohen? Kush duhet ta mbrojë publikun (meqë sponsorit i bie taksirati të mbrohet vetë)? Nëse një produkt konsumi shpallet si “më i miri”, cili institucion e ka deklaruar? Çfarë analizash teknike a sondazhesh të besueshme ka bërë ky institucion? Nëse mua më thonë që kjo palë llastiqesh për zogj janë më të mirat, ose, që kanë interesat më të ulëta, kush del garant për këtë produkt?
Produktet tona artistike apo të konsumit mbajnë logo të paverifikueshme, ato përshkruhen me epitete të gënjeshtërta. Mekanizmat kontrollues mungojnë. Shteti shqiptar, mund t’i ketë mekanizmat, por... shteti shqiptar është vetë një subjekt që na gënjen me logon: “balta jonë është më e ëmbël se mjalta”
Analfabetët tanë me logo europiane, amerikane, etj
Sistemi arsimor shqiptar prodhon analfabetë pa fund që nuk dinë të shkruajnë shqipen, por ama i kanë rreshtuar masterat si kanaçet në vitrinë që duhet t’i rrëzosh me top. Tirana ka 3-4 herë më shumë universitete private sesa Stambolli, duke patur nja 20 herë më pak banorë. Për ta joshur blerësin e etur për diplomë përdoren një sërë titujsh që në të vërtetë nuk thonë asgjë, “europian”, “amerikan”, “ndërkombëtar”... kur në të vërtetë, asnjë proces i mësimdhënies nuk e justifikon atë. Në rrugët e Tiranës gjen pa fund fletushka që reklamojnë “qendra europiane” për studimin e asaj e kësaj, që në thelb janë vetëm disa kurse private e me cilësi të dyshimtë i një gjuhe, kursi kompjuteri, etj.
Këtu, përsëri do duhej ndërhyrja e një institucioni i cii të vërë rregull (nënkupto: gjoba) për të tërë këto emërtime që më e pakta, keq-orientojnë blerësin e këtyre produkteve. Dhe përsëri, do të vijmë në konkluzionin që verifikuesi do të jetë vetë shteti shqiptar, i cili, është vetë shembulli negativ në këtë pikë, p.sh.,: targat e shtetit shqiptar janë një kopje e pavërtetë e atyre evropiane. Ne bredhim me targa blu, ndërkohë që makinat tona, jo rrallë nuk kalojnë dot kufirin për shkak se janë regjistruar të vjedhura në territorin real të targave blu.
Lavazho-t e trurit tonë
Metoda e të gënjyerit për standardin e produktit ka zbritur deri në nivele artizanale. Lavazhet speciale, dyqanet e bukës speciale, rrojtore speciale... dhe pyetja e parë që i vjen ndër mend një të huaji është, “çfarë ka speciale këtu”? Briskun? Diplomën? Zorrën e ujit? Cila pjesë e shërbimit apo teknologjisë bën ndryshimin real nga një dyqan tjetër? Dyqan ‘këpucë mode’? Po të tjerat? Mos shesin këpucë demode? Ti ecën në mes të baltës së periferisë, dhe një dyqan mban tabelën “Chloe”, markë e shtrenjtë dhe specifike, e pamundur të ketë gjetur atë rrënzë për të reklamuar produktet e veta shik. Dhe në fakt, në Chloe-n e periferisë tonë, ka vetëm mallra të dorës së tretë, që nuk kanë asnjë lidhje me markën e tabelës. Në fakt, gënjeshtrat e mëdha lindin dhe ushqehen mu aty, tek periferitë.
Periferia jonë superlative
Targeti i vërtetë i tërë kësaj gënjeshtre të kthyer në sistem, është pikërisht njeriu i periferisë. Ai njeri që ka nja 22 vjet, ose dhe më parë, në kohën e Enverit, që ëndërronte të ishte pjesë e asaj bote ku ka vërtet një superligë, ku ka vërtet supermarkata, ku ka vërtet Chloe (dhe para për të blerë mallrat e shtrenjta aty), ku ka vërtet bukë speciale...
Mbi këtë dëshirë bazike të njeriut tonë të periferisë, është ngritur edhe ëndrra jonë evropiane.
Ata që kanë para, edukimin euro-amerikan e marrin në Universitetet reale të Europës e Amerikës, universitete që mbajnë emra të thjeshtë, që nuk u referohen gënjeshtrave. Universiteti Politeknik i Zyrihut nuk ka pse të gënjejë zyrikezët që është“Universiteti europian i Zyrichut”, sepse, ai ËSHTË realisht europian. Ka shumë shqiptarë (jo të periferisë) që nuk kanë nevojë të gënjehet. Ata e gjejnë vetë shkollimin e tyre, jashtë. Gënjeshtra, është për të varfërit brenda.
Lavazhet – kjo fjalë e shëmtuar e vjedhur nga italishtja, që tenton ta shesë procesin e shplarjes së makinës me zorrë për më europian, ka zbythur fjalën shqipe “autolarje”. Në Europë, lavazhet janë thjesht lavazhe.
Mëkati fillestar
Të gjesh kush e nisi i pari këtë lojë, është si të kërkosh mëkatin fillestar. Dikush, ai që menjëherë pas rënies së komunizmit, zbuloi instinktin e marketingut, vendosi t’i vërë kafenesë së lodhur një emër të huaj. Ose, filloi të shiste mallra të skaduara me emra joshës. Kjo lojë u përhap aq shumë, sa tani shqipja ka humbur kuptimin. Kur të thonë që një produkt është më i miri, epiteti “më i miri” nuk të thotë asgjë. Ai që vërtet ka një produkt më të mirë se të tjerët, nuk ka asnjë formë për ta marketizuar siç duhet atë: ka inflacion superlativash. Për rrjedhojë, asnjë superlativë nuk është më e tillë. Supermarkatat, ne e dimë që janë dyqane të zakonshme lagjeje. Kaq.
Poshtëlativa
Dhe meqë shqipen mund ta abuzojmë kaq kollaj, unë shpika fjalën poshtëlativë si antonim të superlativës. Ne jetojmë mes poshtëlativash. Shqipja ka pasuri ende të pashfrytëzuar poshtëlativash, si: inferiore, e ulët, e skaduar, e rreme, e vogël, e parehatshme, e sajuar, e llahtarshme, e rrezikshme, rrangallë, e lodhur, futja kot, sa me la gojën... E vetmja superlativë që më bën të buzëqesh në Tiranë, është “Floktari i Hollivudit”... Jetojmë vërtet në Tiranë, por bëjmë sikur se jemi në Hollivud.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment