Monday, January 21, 2013

100 dalmatët dhe kauza e qenit

Asgjë nuk mund të justifikojë mungesën e integritetit tek njerëz publikë. Dëmi i këtyre njerëzve që rreshtohen si pa gjë të keq me kauzën e Partisë, e jo të njeriut, është i pallogaritshëm. Ata kanë zhvleftësuar çfarëdolloj kauze.

botuar te Revista Klan, e shtunë 19 janar 2013



Cassius Marcellus Coolidge - Qentë që luajnë Poker





A e keni pyetur veten ndonjëherë se pse Shqipëria nuk funksionon? Unë po. Thuajse në çdo shkrim timin, përpiqem të gjej përgjigjen e kësaj pyetjeje, pse ky vend është kaq jo-funksional dhe kaq anti-europian në vlera. Dhe mu teksa po përpëlitemi të ‘hyjmë’ në Europë.
Kam frikë se integrimi nuk është veçse një miks dëshire të pandërgjegjshme për të mos u ndjerë si dele e zezë dhe nevoje për të gjetur një tajë që të na ushqejë. Shqipëria, përkundrejt optimizmit dehës të disa pak vetëve që nuk u duket “edhe aq keq”, përmbledh një tufë vesesh e anti-vlerash, që të gjithë i dimë. Jo për t’u zgjatur, por sa për formalitet integrues, mund t’i përmbledhim me 2 rreshta: “hajdutëri në nivel individual e shtetëror, dhunim i vazhdueshëm të pambrojturve, dhunim jashtë çdo principi e ligji i punëtorëve, dhunë ndaj femrës e fëmijëve, aborte selektive, mjerim i pafund që çon në vetëvrasje, mungesë shprese, përvetësim e zhveshje prone, shkatërrim trashëgimish kulturore e vlerash urbanistike, abuzim sistematik i posteve shtetërore, vjedhje zgjedhjesh, drejtësi e përlyer deri në sqetulla me krimin”; dhe jemi të tërë njësoj. Korruptohu, ose vdis.
Tani që rikujtuam pak ku jetojmë, dua të hedh sytë tek një vend shumë më i madh se ne, të cilin, nuk e di pse jemi të prirur ta shohim nga lart poshtë, sikur të ishim më lart në trungun e civilizimit sesa ata: India. Vendi ku, të tërë shqiptarët që kanë qenë, më këshillojnë të mos vete. India, ky vend i varfër, analfabet e i pistë. Vendi ku mund të marrësh kushedi ç’sëmundje. E kemi parë dhe në TV. Slumdog Millionaire.

Kauza njerëzore
Në Indi ka shumë ditë që nuk pushojnë protestat për një vajzë të përdhunuar. 1 (një) vajzë e përdhunuar, në një popullsi një miliardëshe. Njerëz të zakonshëm që kanë vendosur të dalin për një kauzë. Në Indinë e mjerimit. Duke parë Indinë, mendoj për kauzat e pafundme që ne mund të kishim. Fëmijë të përdhunuar. Baballarë që vrasin vajzat. Xhaxhallarë që i përdhunojnë. Pleq që u presin kokën. Gra që hidhen nga ballkonet prej mjerimit. Fëmijë që vetëvaren në mes të fshatit. Prindër të vrarë në mes të bulevardit. Fëmijë që punojnë në fabrika vdekjesh. Minatorët që vdesin si minj në minierat e krimit, nga një në muaj. Kauza ka plot. Po aq sa India e analfabetizmit.
Kauzat tona mund të jenë njerëzore, por, banorët e këtij vendi nuk janë më njerëzorë. Shqiptarët - ata që banojnë, jo ata që lëshojnë kushtrimin nga fundi i botës, në blogje e rrjete sociale – gjtihnjë e më tepër po humbasin identitetin njerëzor. Po kthehemi në qenie, që vetëm lehim. Të vijmë te kauza e madhe e 100 intelektualëve.

100 dalmatët
Lista e 100 intelektualëve vjen pikërisht në këtë çast, që unë rri e shoh protestat indiane kundër një fenomeni kriminal shoqëror. Habia fillestare është që paskemi 100 intelektualë! Në mungesë të prodhimit të produkteve intelektuale të mirëfillta, jemi të detyruar ta plotësojmë pikturën me thuajse “intelektualë”. Çdo grup njerëzish me shkollë të lartë, i quajmë intelektualë. Edhe pse emërtimi “intelektual” meritohet më shumë me integritet e qëndrim sesa me doktoraturat e mbrojtura kushedi se si. Në këto rrethana, jam i sigurt që makina shtetërore mund të nxjerrë edhe 1 mijë intelektualë për firmë.
Habia e dytë, është sesi u rreshtuan kaq shpejt, të 100-të. Në një protestë të para disa muajve, me rastin e prerjes së kokës së një vajze (i quajmë ‘raste’ si të bëhej fjalë për raste për fejesë), mezi u mblodhën nja 30 gra, shumica punonjëse fondacionesh e OJF-sh. Asnjë nga 100 firmëtarët kundër opozitë, nuk i pashë në atë shesh. Kauza njerëzore, nuk mundi të nxjerrë as 10 intelektualë në shesh.
Sa për faktin që intelektualët rreshtohen kundër opozitës, kjo është vetëm për të qeshur, e jo për të qarë. Edhe 100 dalmatët e filmit do të kishin qenë më të pabindur e rebelë. Por, 100 dalmatët të paktën janë racë e pastër.

100 koka të prera
Shoh vazhdimisht njerëz me shkollë të lartë, quajini po deshët dhe intelektualë, njerëz që edhe i kam xhan ose simpati personale, të rreshtohen për kauzat më të mbrapshta. Jam përpjekur t’i justifikoj. Jopleqëria, jo halli, jo se janë emocionalë nga e kaluara. Në fakt, nuk ka asnjë lloj justifikimi për ta. Asgjë nuk mund të justifikojë mungesën e integritetit tek njerëz publikë. Dëmi i këtyre njerëzve që rreshtohen si pa gjë të keq me kauzën e Partisë, e jo të njeriut, është i pallogaritshëm. Ata kanë zhvleftësuar çfarëdolloj kauze. Edhe kauzën e asaj vajzës me kokë të prerë. Edhe atë të atyre vajzave të vogla të përdhunuara nga i afërmi. Dhe këtu vimë fare afër njërës prej përgjigjeve të mundshme, se çfarë ka që nuk shkon me këtë vend.

0 kauza të mëdha...
Në këtë vend nuk ka më kauza. Ato janë shkatërruar një pas një, duke përdorur 100 dalmatët. Ose, 50 mijë skifterët e mitingjeve.
Kauzat kërkojnë një sinergji pozitive, e cila të mundet të imponohet, duke treguar se ka një grup njerëzish që vërtet u bëhet vonë për atë kauzë. Por, për fatin tonë të keq, për çfarëdo vektori pozitiv ndaj një kauze, makina e parasë ose pushtetit, shpesh partiake, mund të prodhojë një anti-vektor.
Po të dojë, shteti mund të nxjerrë 300 intelektualë që janë pro prerjes së kokës së femrave. Nëse një grup proteston për të drejtat e ish-të përndjekurve, pushteti mund të nxjerrë 5 herë më shumë ish-të përndjekur që protestojnë kundër tyre. Paskemi shumë njerëz që janë gati t’i shërbejnë çdo lloj anti-kauze, pa e menduar gjatë. Disa nga injoranca, disa nga mllefi, disa sepse paguhen, disa sepse shpërblehen, disa sepse nuk dinë të thonë ‘jo’.
Askush nuk del seriozisht në shesh për një kauzë, sepse e kanë të qartë që sheshi nuk është zgjidhja për kauzat e vërteta. Sheshi, është vendi ku kanë leje të harbojnë 100 dalmatët. Ndaj, kauzat e vërteta kanë vdekur.

...dhe 1 kauzë e vogël. Kauza e qenit.
Po ç’ndodh atëherë, nëse në këtë vend nuk ka asnjë kauzë që të motivojë ndjeshmëri qytetare, nevojë për ndryshim? Ndodh gjirizi ku jetojmë. Pa kauza, nuk ka qytetarë. Pa qytetarë, ka vetëm dalmatë. Por, nëse asnjë kauzë nuk funksionon, nëse ka një tentativë për të qenë të tërë qen salloni, kush do të ngrihet për atë kauzën e vogël të atij qenit që është poshtë, te këmbët, i nëpërkëmbur dhe i dhunuar? Të atij që ka realisht nevojë të mbrohet nga shoqëria e shteti? Kush do të ngrihet për qenin e vogël?
Shenja që rendi po kthehet dhe mafia po fshihet, do të jetë kur askush nuk do guxojë dot të parkojë kundërtabelë, sipas qejfit. Shenja që qytetaria po kthehet, do të jetë, kur një kauzë e vogël, sado e vogël, të merret seriozisht dhe të mbledhë me mijëra në shesh. Jo thjesht kauzë votash. Nëse mbrojmë kokën e prerë të një vajze, ose jetën e një minatori, askush nuk do guxojë të luajë me votat. Vetëdija qytetare fillon me 1 kauzë të vogël. Me kauzën e qenit.

I huaji
Mos ju ka bezdisur gjë krahasimi i shqiptarëve me qentë? Do isha i lumtur që ta bënit kauzë tuajën, e të dilni në shesh. Do isha i lumtur, po ta shihja atë shesh plot. Sidomos me dalmatë.

No comments:

Post a Comment