Monday, February 4, 2013

Deformimi i mendjes dhe i shtetit

botuar te Revista Klan, 2 shkurt 2013









Balerina në kokën e vdekjes
Salvador Dali
1932






Ka një deformim të shtetit, që ka sjellë deformimin e shoqërisë dhe mendjeve të individëve. Në mënyrë folklorike, kjo më kujton një tufë drunjsh të shtrembër, që as në zjarr nuk i hedh dot, as stivë bën dot, e as show nuk bën dot duke i thyer një e nga një. Deformimi i shtetit, mund të jetë diçka që ndreqet. Deformimi i mendjeve më duket më problematik.

Kur fundi na shpjegon tërë filmin

Diku kam pasë lexuar që pasi u mposht me votë, Milosheviçi, atëherë President i Jugosllavisë së mbetur, kur i dorëzoi detyrën Koshtunicës, si gjënë më të rëndësishme i tregoi vendet ku duheshin bërë punime në godinën e Presidencës. Si me thënë, “ai muri aty duhet shembur”, “atje tej duhet ngritur një kolibe për veglat”, e gjëra të ngjashme. Millosheviçi pati një humbje që s’e imagjinonte kurrë, pasi kishte perfeksionuar në maksimum sistemin e manipulimit të votës. Si mund ta hidhnin me votë? (opozita e mbështetur fuqimisht nga amerikanët, thuhej) Por, mua më intereson më shumë pikërisht ai momenti i dorëzimit të postit. Besoj se krejt sistemi i centralizuar që kish ngritur iu shkërmoq në sy, dhe sistemi i tij autoritar nuk e kishte parashikuar këtë moment, ndërrimin e pushtetit, duke e lënë të mpirë.
Ndaj në atë mëngjes, duket sikur kapaciteti i tij mendor ishte reduktuar, sikur u gjet befas në një planet tjetër, veglat e administrimit pushtetit nuk i përgjigjeshin, dhe e vetmja gjë për të cilat mund të fliste ishin veglat e bahçes pas Presidencës. Ta shohësh burrin më të fuqishëm të shtetit të katandisur ashtu, duhet të jetë një dramë e vërtetë për ata që e mbajtën në kurriz 20 vjet dhe bënë disa luftëra ballkanike për të. Por, më shumë se degradimi deri dhe mendor i një njeriu, ai ishte degradimi i trishtueshëm i shtetit.

Shteti, i deformuar për t’u shërbyer disave

Në këto kohë që po vriten komisarë policie në mes të ditës dhe grave u këpusin gishtin për t’u grabitur unazën, një mikut tim i ka ndodhur një histori për të qarë e për të qeshur. E kanë thirrur në polici dhe një nga njerëzit më të fuqishëm të policisë së këtij vendi e ka këshilluar “të mos shkruajë më te Facebook-u i filan këngëtari, përndryshe... ” Pa qenë nevoja të zgjatemi në detaje, filan këngëtar na qenkësh acaruar se i kanë sharë këngën në wall, ia ka “qarë” hallin një mikut të vet që është figurë shumë e njohur televizive, ky, ia ka kërkuar si favor këtij burrit të rëndësishëm në polici, dhe ja ku u bë qarku: shteti shpëtoi një këngëtar nga mërzia e komenteve në FB. Ndërkohë që drama e krimit ka shkatërruar jetët e sa e sa njërëzve, ata lart fare, bëjnë qoka Facebook-u. Duket si një histori nga të shumtat, por, është episod që shpjegon shumë qartë deformimin e funksionit të shtetit. Jo thjesht se ky shtet, vihet në lëvizje vetëm me mekanizma jashtë-ligjorë, por edhe se krijon një rrjetë të ngushtë individësh që janë të ndërlidhur me ndere e favore të vogla e të mëdha. Këta individë, e kthejnë gradualisht shtetin në një makinë dhune që mbron vetëm një grusht njerëzit brenda shportës/rrjetës. Favori do të rikthehet herët a vonë në krah të kundërt. Pra, burri i policisë do të mund të mbrohet publikisht në rast se i rrezikohet karriera, pavarësisht se ç’ka bërë, nga një TV e fuqishme, ose mund të ndërhyhet dhe më lart për të. Këngëtari do shkojë të argëtojë falas individët e shportës.
Ana tragjike e kësaj ngjarjeje është, kur djali “që nuk duhet të guxojë të shkruajë te wall-i” i filanit, ka njohje të vetat personale, i përket një rrjete tjetër të fuqishme, dhe le të themi që karikon një burrë tjetër të rëndësishëm në policinë e shtetit për të marrë hak për të. Dhe ja ku u kthye shteti në një luftë gangsterësh.

Qytetari Havel

Rrugës për në Rumani për të marrë një dekoratë, Vacllav Havel i thotë gazetarit në avion: “Kushdo që viziton atë vend, merrka të njëjtën dekoratë si unë”. Duke marrë dekoratën, presidenti, shkrimtari dhe ish-disident i Çekisë, u flet rumunëve për ëndrrat e thyera të çekëve. Havel, u kishte bërë çekëve një premtim: “E vërteta dhe dashuria do të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Njerëzit e duan atë që u ke premtuar sa më shpejt. Frymëzimi është si drogë, të ngre lart e të rrëzon poshtë kur mbaron efekti. Para një jave, presidenti i ri i Çekisë, ish kryeministri i para 20 viteve dhe kundërshtar i Havelit, tha pas njoftimit të lajmit të fitores së tij se “E vërteta dhe dashuria triumfuan mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Kanë kaluar 20 vjet që nga ai premtim. A thua njerëzve në Pragë u kujtohet më? A thua, pas 20 vjetësh, ajo që kërkojnë është ende “e vërteta dhe dashuria”. Deformimi i një populli lexohet tek ajo që do. Unë nuk njoh asnjeri që do të donte që “E vërteta dhe dashuria të triumfojë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Unë njoh njerëz që duan lekë. Unë njoh njerëz që duan punë të mira ku të mos lodhen. Unë njoh njerëz që duan vetëm ta hedhin qelbësirën.

Miti i mitmarrjes

Po më tregonin historinë e një politikani që kërkonte një leje ndërtimi. Leja që kërkonte ishte brenda të tërë parametrave, dhe ai do ta merrte atë sepse asnjë procedurë shtetërore, sado të zgjatej, do mund ta pengonte. Megjithatë, ai kishte kërkuar t’u jepte “kafen” njerëzve që kishin në dorë procedurën. Si një njeri që e di si luhet loja dhe e respekton atë. Në këtë vend, tashmë dihet se ka një tarifë ekstra, një “kafe” rryshfeti, jo vetëm për diçka të paligjshme e që nuk të takon, madje edhe për atë që të takon ta marrësh në të drejtën tënde, të ligjit e madje dhe të Zotit. Ky mit flet për një pjesë tjetër të deformimit të shtetit. Për të marrë atë që të takon, edhe me ligj, ti je i detyruar tua “dish për nder” 2, 3, ose 4 ndërmjetësve.

Fillimi i dramës

Ky është një shkrim i deformuar, i copëtuar, në dukje pa një fill që i lidh. Nuk besoj se ka një formë më të mirë për ta dhënë copëtimin e strukturës shtetërore e shoqërore, dhe deformimin e mendjes së shtetasve që operojnë në këtë strukturë.
Demokracia, shkruan Havel në një dramë të vjetër, i lidh duart atij që beson tek ajo dhe i jep mundësinë të bëjë çdo gjë atij që nuk beson te ajo. Shihni demokracionë tonë dhe identifikoni brenda saj ata që besojnë e ata që nuk besojnë tek ajo. Mund të shquhen me sy të lirë edhe në këto mbrëmje shkurti.
Me Millosheviçin, nuk ikën njerëzit që drejtpërdrejt ose tërthorazi kishin marrë pjesë apo kishin përfituar nga instrumentat që ai ngriti për të drejtuar shtetin e pushtetin. Ata u adaptuan në sistemin e ri. Sistemi i ri nuk ka një Millosheviç, por ka një nomenklaturë financiare e politike që ai la. Gazetari, shefi i policisë dhe këngëtari i acaruar nga komentet në FB do të vazhdojnë të ndërtojnë e funksionojnë me të njëjtat rrjeta që e kanë kthyer shtetin në shërbim të një grupi të privilegjuarish. Ato rrjeta, mbajnë njëri-tjetrin. Vrasja e Xhinxhiçit në Serbi ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e atij që tenton të presë fijet.
Në neuronet tona janë shkruar ligjet e deformuara se njëri punon për të mbajtur 5 të tjerë.
E vërteta dhe dashuria nuk kanë më kuptim, jo vetëm për ata që premtojnë, por dhe për ata që duan të gënjehen. Çfarë mund të ndërtosh me një shoqëri që nuk ka më ambicje të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen? A mund të ngrihet një shoqëri solide me mendje të deformuara? Kjo, nuk ishte pyetje.

No comments:

Post a Comment