Wednesday, March 6, 2013

Fundi i hiper-individëve dhe elitave

botuar në Revistën KLAN, të shtunën, 2 mars 2013

Giovanni Segantini - Nënat e Këqia
..................................
Ka ndodhur një gjë shumë e rëndësishme. Në Itali një “palaço” ka fituar zgjedhjet, ndërsa një tjetër palaço ka fituar më shumë sesa mund të pritej. Italia, është modelimi ynë, dashje-pa dashje. Ne kemi marrë nga Italia fjalorin e futbollit e të makinerive, modelin e mafias dhe të biznesit, modelin e modës dhe të gatimit. “Nga ana kulturore, jeni protektorat i Italisë” më thoshte gfjysëm me ironi Drejtoresha e kulturës në Ambasadën spanjolle. Më kujtohet që Nano vdiste të ishte një mini-Berluskon.
Pra, zgjedhjet italiane kanë rëndësi. Politika shqiptare është një kopje e shëmtuar e asaj italiane. Nuk dua të merrem me pikët e Berluskonit, sepse nuk është vështirë të gjesh një në atë vend mund të gjesh atë që votojnë të magnetizuar (si lepujt nga dritat e makinës) nga ekstravaganca dhe arroganca e parasë. Më intereson palaçoja tjetër, Grillo, i cili refuzon të intervistohet nga SKY, sepse ai i thotë “Jo” politikës së salloneve televizivë.

Individët, dhe sheshet
Politika, për Grillon, bëhet vetëm në sheshe, duke u folur direkt njerëzve. Shqipëria është vendi ku politika ekziston vetëm në sallonet televizive. Askush nuk shkon për të folur me popullin. Madje, edhe mitingjet e politikanëve në sheshe nuk kanë vlerë për t’u folur njerëzve, por kanë rëndësi për atë “sesi do duken në TV”. Ndaj importojnë mitingashë me autobuza, ndaj nuk lejojnë kamerat e pavarura por i montojnë vetë filmimet që të duken sa më shumë e sa më bukur, dhe ua postojnë televizioneve. Sheshet tona, ndryshe nga sheshet e Grillos janë palaçollëqet e vërteta. Ky nuk është thjesht manipulim i së vërtetës. Kjo është shenja e qartë sesa u bëhen vonë për ata që i votojnë. Ata janë delet që dalin në TV që partia të duket e fortë e me mbështetje.
Por, partia, nuk ekziston më!

Individët dhe partitë
Pak-kush e ka mbërthyer më shkurt e më saktë përfaqësimin politik shqiptar se Pëllumb Kulla, që shkruante se Parlamenti ynë duhe të jetë me 2 njerëz e jo me 140. Në fakt, janë vetëm dy njerëz që diktojnë lojën. Koalicionet zgjedhore tonat janë formula punësimi, jo sinergji (individësh, se larg qoftë idesh). Partia, gradualisht po zhduket.
Partia, ka një funksion shumë delikat. Partia është plot me njerëz që e mendojnë si ty. Partia është vendi ku individi shuhet në një trup më të madh. Partia është lëngu që duhet të prodhojë individët e qeverisjes. Partia shtë vendi ku ti rend për t’u qarë për padrejtësitë. Dhe partia reagon, sepse parti është zëri i individëve që nuk duan të jenë individë të përveçëm, por pjesë të një vullneti më të madh.
Partitë shqiptare janë uzurpuar nga parallinjtë. Partia është mjeti për të krijuar rehatira dhe për të të ecur biznesi. Ne e kemi shndërruar Partinë si vendin ku shkohet për të gjetur punë, e jo për të gjetur mbështetje për të drejtën. Partitë janë shndërruar në kafene farefisesh. Partitë aktivizohen kur vijnë zgjedhjet dhe janë ose trupa që ruan votën, ose ajo që e vjedh atë.

Hiper-individët
Teknologjia moderne, blogjet, rrjetet sociale, interneti e televizioni kanë ndihmuar që individët të mund të imponohen në publik dh enë zgjedhje edhe pa nevojën e partive reale. Politika shqiptare (si edhe ajo italiane) është plot me individë me një parti fiktive nga pas. Këta individë e ngrenë kredon e vet politike duke përdorur kryesisht sallonet televizive. Por, një njeri që del në televizor, jo me doemos përfaqëson ata që e shohin.
Jetojmë në kohën e hiper-individëve. Njerëzve që përfaqësojnë shumë pak e kanë në dorë shumë gjëra. Sistemi i tyre politik nuk na le shumë të zgjedhim. Shanset për mua ose për ty, që të përpiqen të përfaqësojnë dikë janë 0.
Kasta që na drejton e ka uzurpuar pushtetin politik, e bashkë me të edhe atë financiar. Nëse lideri i kastës dëshiron të na e përmirësojë ca jetën, do na duket se po na bën nder. Nëse na e nxin jetën, themi se s’kemi ç’i bëjmë.
Politika e salloneve televizive ka krijuar kastën e politikanëve, gazetarëve, bankierëve, pasnikëve, njerëzve me ‘lidhje’ e ‘njohje’.

Hiper-individët kanë marrë pushtetin
Mundësia e hiper-individëve që të implementojnë ndryshime në jetën e mini-individëve (pa e ngatërruar me Nanon që donte të ishte një mini-Berluskon) është e kufizuar. Energjia që harxhojnë për tu plasuar në piramidë, sa më lart, jo me doemos përkthhet në energji për të ndryshuar e përsosur sistemin për mirë. Hiper-individët mbeten individë, por të lidhur mirë, brenda sistemit. Kjo nuk i bën ata më të aftë se të tjerët, thjesht i bën më të pamundur për tu hequr që andej. Sistemi riqarkullon të njëjtin ajër të qelbur.
Në shërbim të lojës është media dhe gazetarët, pushteti realisht i 4-t, por për veten e vet.
Në këtë situatë, palaçoja, zbret në shesh.

Rikthimi te sheshi
Partia e vjetër, është shembur. Ajo është vegla e hiper-individëve. Por, në kohërat e teknologjisë moderne, ndoshta nuk ka më nevojë për partitë. “MoVimento 5 Stelle është një lëvizje ‘pa’ - shkruan Grillo – Pa kontribute publike. Pa zyra. Pa struktura. Pa gazeta. Pa televizione. Pa kandidatë të paragjykuar. Pa kandidatë që kanë qenë më parë në Parlament... Pa kompromise!”
Dhe zbret në piacë.
Nuk është kollaj të kthehesh te sheshi e të flasësh me njerëzit. Do guxim, dhe kohë. Grillo ka nja 10 vjet që e bën. Më parë shkrimtar satirik, pastaj komik-agjitator që bridhte si Kasandër nëpër salla të vogla duke u folur njerëzve për politikë, dhe tani Cunami-Tour. Është punë jo vetëm e lodhshme, por kërkon njerëz idealistë dhe pa kompromise. Grillo parashikonte rënien e Enronit kur as vetë punonjësit e vet nuk e dinin. Po ashtu për zhytjen e Parmalat.
Indignatos dhe Occupy Wall Street janë po ashtu lëvizje sheshesh. Por, ndryshe nga ato Grillo e solli sheshin në parlament. Indignatos dhe Occupy mbetën jashtë sistemit, duke u reduktuar thjesht e vetëm në lëvizje proteste.
Një tribun i popullit duhet të provohet në shesh, jo në sallone televizive. Sikurse, po ai shesh mund ta hedhë poshtë. Në sheshet e Italisë, Grillo ka premtuar t’i flakë politikanët e korruptuar nga jeta publike.
Përtej cinizmit të shumë vetëve, Grillo ka premtuar gjëra të thjeshta: “uji t’i kthehet publikut, edukimi të jetë publik, shëndeti të jetë publik”.

Shqipëria nuk mund të ketë një Grillo
Siç shkruan Massimo Gramellini tek La Stampa, “Në këto zgjedhje, Grillo është fituesi i vetëm”. Por, kjo është pak të thuhet. Rezultati i zgjedhjeve italiane është gati-gati një kryengritje ndaj “elitës”, ndaj kastës së politikanëve, bankierëve, gazetarëve pasanikë. Prandaj vota për të, për partinë që nuk është parti, ka një domethënie të madhe.
Zgjedhjet mud ti fitojnë milionat e pasanikëve të partisë, ose taboret e azapëve të partisë. Por, sistemin nuk mund ta ndryshojnë hiper-individët që kanë shaluar një parti apo një koalicion. Por, vetëm të mandatuarit direkt në sheshe.
Shanset që Shqipëria të ketë Grillon e vet janë të vogla. Që të jesh Grillo do thotë të mos dalësh në televizor. Do të thotë të flasësh me njerëzit për vite e vite me radhë. Do të thotë, të mos kesh bërë e të mos bësh kompromise. Edhe vende te tjera nuk e kanë akoma një Grillo. Por, Rilindja e vërtetë ka ardhur një herë nga Italia. Mund të vijë prapë.

No comments:

Post a Comment