Wednesday, March 27, 2013

Të kryesh marrëdhënie politike... me një 16 vjeçar!


.............................
Kam një problem me 16 vjeçarët: Ata kanë shumë probleme. Ardhja e tyre në votime do të thotë se jemi para zgjedhjes, “a do e linim të ardhmen tonë në duart e një 16 vjeçari, apo të 100 mijë të tillëve”? Mesa duket e paskemi luksin t’ua japim ose t’ua heqim atë që i bën qytetarë të mirëfilltë: Të drejtën e votës. Nuk u japim dot një shoqëri më të mirë, as një jetë me më pak stres, por mund t’u japim të drejtën të votojnë për kastën që do qeverisë. Atëherë, a duam ta lëmë (edhe) në duart e tyre të ardhmen e këtij vendi? Mbase po. Mbase jo. Problemi i parë i 16-vjeçarëve është që ne vetë u kemi ndaluar shumë gjëra. Edhe pse tani duam t’u lejojmë të drejtën për të votuar.

16 vjeçarëve u ndalohet

16 vjeçarëve u ndalohet aborti pa lejen e prindit. Atyre u ndalohet alkooli. Nuk e di mirë nëse u lejohet a jo t’i japin makinës, por di që u ndalohet të punojnë (me orar të plotë, të paktën). Shumica e 16 vjeçarëve shqiptarë jetojnë mes ndalimesh të pafundme, që nga orari i kthimit në shtëpi, deri tek shoqërimi me filanin a fistekun. 16 vjeçarët që njoh unë pijnë duhan fshehtas dhe mund të hanë dru. Ata që nuk i kanë këto ndalime, kryesisht për shkak prindërish të etiketuar si “liberalë”, shoqëria i quan “të dalë dore”. Qytetarë 16 vjeçarë, që nuk u besojmë dot as se mund të mbajnë alkoolin, ama duam t’u besojmë qeverisjen e këtij vendi. Më shumë se po ua besojmë, duam t’i detyrojmë të votojnë. Ata nuk kanë kërkuar gjë. Me siguri nuk ua ndjen shumë. Fundja, ata jetojnë jetën që prindërit e tyre, shkolla e shoqëria i detyron të bëjnë. 16 vjeçarët jetojnë mes detyrimesh të panumërta.

16 vjeçarët detyrohen

16 vjeçarët, ata që vijnë nga familje të mira, nuk kanë kohë të marrin frymë. Familja i ka futur në kurse, noti, pianoje, tenisi, matematike, spanjishteje, anglishteje apo gjermanishteje. Ndoshta ata nuk do donin të bënin kaq shumë kurse. Ndoshta do të donin thjesht të shihnin televizor, të rrinin poshtë te lagjia ose të masturbonin pa pushim. Po nuk kanë kohë. Ata po i detyrojnë të përgatiten për jetën. I kanë futur në kudhër e po i skalitin. Po i skalitin keq. Të tjerët e kanë vëmendjen më të pakët, por jo ndalimet. Liria e tyre nuk është e tyrja, por është neglizhencë prindërore. 16 vjeçarët janë të paaftë të bëjnë shumë gjëra, njësoj si pleqtë. Por ndryshe nga pleqtë, që kanë bërë ciklin e tyre, ata as e kanë nisur.

Gjërat që nuk bëjnë 16 vjeçarët

16 vjeçarët nuk punojnë. Zhvillimi biologjik dhe sistemi arsimor nuk u japin atyre mundësinë të dalin në jetë më parë se 18 vjeç (në rastet më të mira). Dhe 16 vjeçarët që nxjerrin vetë bukën e gojës janë “për të ardhur gjynah”.Pavarësia e vërtetë e tyre fillon 30 vjeç! 16 vjeçarët nuk shohin lajme. I vetmi informacion që kanë për botën janë llogjet politike të prindërve. Gramafonët e çjerrë të adultëve, s’bëjnë gjë tjetër, veçse gërvishin pllakën e tyre të bardhë. Do isha kurioz për të parë trendin e votuesve 16 vjeç. Diçka më thotë që ata do votojnë kopje si prindërit e tyre.

Gjërat që bëjnë 16 vjeçarët

Më kujtohet vetja ime kur kam qenë 16 vjeç, dhe nuk e njoh shumë atë person. Ndoshta as nuk e dua shumë atë person. Njoh shumë 16 vjeçarë, edhe kam punuar me ta. Janë të lezetshëm, janë të zgjuar, janë hazërxhevap, ulërasin me të madhe, janë budallenj e të papërgjegjshëm. Janë shpesh të ligj me njëri-tjetrin dhe me botën. 16 vjeçarët marrin makinat e prindërve dhe vijnë rrotull për orë të tëra. Ata nuk kanë bërë asgjë për ta merituar atë makinë. Po shokëve e shoqeve të tyre nuk u intereson. Rëndësi ka xhiroja, dhe “të duken”. 16 vjeçarët kanë ngritur standardet e veta për të përkufizuar kastat e tyre sociale. Kastat! Të tyret! Celulari i lirë, je zgjebs. Kurse me iPhone5, je më popullori në klasë. 16 vjeçarët nuk mësojnë. Mëson babi për ta. 16 vjeçarët tanë janë qenie të varura, jo vetëm financiarisht, por mbi të gjitha intelektualisht.

Edhe Jane Austen ka qenë dikur 16 vjeç

Krimi më i madh që është bërë ndaj 16 vjeçarëve, është sistemi arsimor. Sistemi ynë arsimor dekurajon çfarëdolloj talenti a pavarësi të mendimit. Mësues herë mediokër, herë të lodhur, herë me halle e herë përtacë, të paguar keq, të trajtuar keq, janë gardianët e shpirtrave të tyre. Krimi tjetër është familja. Shumica e familjeve, me moton famëkeqe: “T’u japim fëmijëve atë që nuk e kemi pasur ne” po krijojnë shushunja të vogla, të llastuara e pa vlera. Në shtëpitë e shumë prej tyre ulëret injoranca dhe ata nuk njohin thirrje tjetër. Edhe Jane Austen ka qenë 16 vjeç. Por, mundësitë e rebelimit në kohën e iPhone-it e të Facebook-ut janë shumë më të vogla. Askush nuk mund të jetë më një Jane Austen 16 vjeç. Ka shumë porno online. Dhe ka shumë “like” në qarkullim.

Sweet sixteen

Sipas meje, të jesh 16 vjeç do të thotë të mos e dish se kush je. Do të thotë të bërtasësh me të madhe, të provokosh, të urresh prindërit. Kam frikë, se kaq nuk mjafton që edhe të mund të votosh. And I’d do anything, for my sweet sixteen. 16 vjeç, pakkush e di se çfarë do të bëhet në jetë. Deri njëzet e ca vjeç, do të vendosin prindërit. Për mua, 16 vjeçarët janë të pafajshëm. Ata kanë akoma të padjegur kartën e fëmijërisë prej nga vijnë. Janë akoma në kërkim të një gjëje për të bërë në jetë. Nuk është faji i tyre që pasqyra që kanë përpara: prindërit, shkolla, politika, shoqëria shqiptare, është aq e plasaritur, aq e ndryshkur, sa fytyra e tyre u del e deformuar. Ne ua kemi lënë atyre barrën të ndërtojnë vetveten krejt vetëm, pa ndihmë dhe me hamendje. Ata po rriten në xhungël, duke kujtuar se janë më të mirë se majmunët. Ajo çfarë do të bëhen, varet vetëm prej atyre vetë e prej askujt tjetër. Ata duhet ta ndërtojnë vetveten si të ishin Jane Austen.

Asgjë e re nga fronti i perëndimit

Nëse një adult/e hyn në marrëdhënie seksuale me një 16 vjeçar/e, konsiderohet krim. Po nëse një adult hyn në marrëdhënie politike me 16 vjeçarët? Po nëse ky adult 67 vjeç i josh ata e i bën të bëjnë atë që do ai (politikisht)? Në këtë vend, ka shumë adultë, po shumë fare, që nuk janë më të pjekur se 16 vjeçarët në zgjedhjet e tyre politike apo në formimin e tyresi qytetarë. Ndaj, 16 vjeçarët nuk ka pse të mos votojnë. Fati im e i shumë të tjerëve varet nga dhjetëra faktorë, që mund ta manipulojnë verdiktin qytetar drejt honesh të panjohura. Fati im e i juaji varet nga ca thasë me miell ose nga ca fletë votimi të fotografuara me celular. Ndaj, vota e një 16 vjeçari nuk mund ta bëjë më të mjerë se ç’është të ardhmen politike të këtij vendi.
Krimi i vërtetë ndaj 16 vjeçarëve është që t’i çosh në votime, pa i stërvitur më parë si qytetarë. Është si t’i çosh në luftë për të mbrojtur atdheun, kur nuk kanë parë kurrë pushkë me sy. Ata do përpiqen të bëjnë aq sa dinë. Por lufta krijon mostra, dhe votimet do të krijojnë falanga vocërrakësh që në vend të masturbimit njerëzor do t’i detyrojmë me zor të kalojnë në masturbimin socio-politik. Po t’i kishim rritur ashtu siç duhet, nuk do të na e kishin falur kurrë.

2 comments:

  1. edhe 18 vjecaret jane po keshtu sic ke pershkruar 16 vjecaret , ketu te ne mosha e votimeve duhet rritur jo ta ulesh !

    ReplyDelete
  2. nuk eshte krim qe nje adult/e te hyje ne nje marredhenie seksuale me nje 16 vjecar/e, me pak se 14 po.

    ReplyDelete