Tuesday, May 20, 2014

Fati shqiptar i arushit TED

botuar më 10 maj, 2014, në rubrikën Kozmikomiket të revistës KLAN


Po t’u thuash njerëzve “Ted”, kuptojnë gjëra të ndryshme. Ted, burri i Florianës. Ose Ted, arushi. Ose, Tedi Papavrami, për ata që pëlqejnë ta ngrenë stekën e imagjinatës. Ka dhe një TED tjetër që në Tiranë e njohin pak vetë. Më shumë se Tedi, është interesante arsyeja pse Tedin nuk e njohin. Për ta kuptuar më mirë pse unë po e trajtoj si problem, mjafton t’ju them se studentët në Perëndim, organizohen në mënyrë kolektive për të parë konferencën globale TED, me live streaming. Për ta ndjekur në sallë, pagesa në SHBA është 6 mijë dollarë, dhe për të blerë një biletë duhet të aplikosh me CV. Pjesëmarrja si dëgjues, le më mbajtja e një kumtese është një ngjarje e veçantë akademike.
Ndërsa te ne, 1 në 10 pedagogë e di se çfarë është TED, sipas një vëzhgimi personal, dhe pak, shumë pak studentë kanë interesin minimal për të ditur, për të ndjekur, apo larg qoftë për të dashuruar TED-in. Ted-i, ka fatin e keq që është dije, jo arush.

TED-i, jo arush

TED-i, i përmbledhur shkurt është një nismë jo-fitimprurëse, që ka si mision të shpërndajë ide të fuqishme. Nga të katër harqet e globit, njerëz të spikatur dhe që kanë bërë, studiuar, eksperimentuar apo zbuluar diçka që ia vlen t’u përcillet të tjerëve e bëjnë këtë në TED. Në sajtin e tyre, TED.com, mund të gjenden të gjitha këto ide në formën e kumtesave të shkurtra. Kumtesa e fundit, në momentin që po shkruaj këtë artikull ishte një kumtesë nga D. Epstein, nëse atletët janë bërë vërtet më të shpejtë, më të mirë, më të fortë se një shekull më parë? Nga autizmi te kompjuterët, nga thelbi i suksesit te dështimi e kreativiteti, nga adoleshentët transgjinorë tek pajisjet më të reja revolucionare, kushdo që ka një ide të re e novatore, e thotë në TED. Megjithatë, TED-i nuk ka arritur ta joshë dot studentin shqiptar. As pedagogun, as intelektualin, as gazetarin. Sepse nuk i duhet kujt.

Çakademikja

Standardi i shoqërisë sonë parathotë që rëndësi ka kë njeh, dhe jo se kush je. Këtë nuk e kemi shpikur ne, ndodh kudo në botë. Por, nëse jashtë “kë njeh” bën diferencimin, tek ne është kusht i vetëm i mjaftueshëm për të ecur përpara. Kjo mënyrë e ndërtimit të karrierave, ka bërë që energjitë e atyre që duhet të jetojnë duke vënë në punë trurin, të fokusohen në ndërtimin e rrjeteve, lidhjeve e njohjeve. Kjo i ka zbehur ambiciet profesionale. Në shumë fakultete pedagogët bëjnë kujdes të dëmtojnë me ose pa marifet studentët e shkëlqyer e kërkues, nga frika se pasi të kryejnë shkollën do të vijnë t’u zënë vendin. Shkolla jonë nuk përgatit mendje të hapura, por personalitete të nënshtruara.
Studentët, janë po aq të painteresuar për zhvillimin e vetvetes. Babai, joshja seksuale, paratë ose fati, duket se janë të vetmit aleatë që do t’i ndihmojnë në jetë. Po të dëgjosh bisedat në kafene të studentëve nuk kanë shumë ndryshim nga ato të klasës së 8. Maksimumi i stimulit intelektual është biseda për një film të parë në TV. Por, Shqipëria është vendi i njerëzve arrogantë që mendojnë se i dinë të gjitha. Është kthyer në anekdotë sjellja e studentëve të Akademisë së Artit, për shembull, që në vit të dytë, pyesin me ironi e shpërfillje: “E kush është ky Al Paçino?”.
Varfërimi i jetës akademike duket qartë në produktin shoqëror që marrim nga njerëzit e trurit: 0. Do isha kurioz të dija ku, kush e si, po aplikon ide të reja në një çfarëdo fushë të shoqërisë shqiptare. Çfarë novacioni po ndodh, dhe ku? Çfarë debatesh që do të revolucionarizojnë shoqërinë e mënyrën tonë të menduarit, e kush po i bën? Kjo ndodh në vende ku ka konkurencë idesh. Vetë TED është një platformë idesh novatore. Një platformë që është e lirë dhe e hapur, dhe mund të klikohet në çdo çast në internet. Por, ne kemi një problem të vogël me lirinë, dhe një të madh me hapjen.

As liri, as vdekje

Njeriu që më ka treguar i pari për TED vite më parë, është një miku im inxhinier. Ai nuk ka llogari në Facebook, por, është një mi i vjetër e i etur i rrjetit. Për paradoks, të tjerë të njohur, që kalojnë një sasi të pafundme kohe në rrjet, dhe e kalojnë kryesisht në Facebook. Ndonjëherë shkëputen, për të parë ndonjë teshë a gjësend për të blerë online, për t’u rikthyer përsëri në rrjetin e tyre social. Më kujtojnë atë personazhin e Pirandelos, që ndalej për të vrojtuar një gur të vockël në rrugë, dhe harronte udhëtimin.
Ata që kujtojnë që interneti është mjeti i lirisë, e kanë gabim. Interneti është thjesht material ndërtimi, beton siç do thoshte një kumtues në TED, me të cilin mund të ndërtohen ura ose mund të ndërtohen kulla pa dritare. Se çfarë bëjmë ne me betonin, mjafton ta shohësh. Rrjeti, është një mjet i fuqishëm drejt lirisë. Por, është një mjet për ata që e duan lirinë. Unë nuk shoh ndonjë ambicje të madh përreth, njerëzish që duan të ndryshojnë diçka. Të gjithë duan të ndryshojnë rrogën, shtëpinë, makinën, ndoshta dhe bashkëshortin a bashkëshorten, por, askush nuk do të ndryshojë mënyrën sesi e sheh jetën. Kam frikë, se asnjë nga ato të tjerat (me përjashtim të bashkëshortit/bashkëshortes) nuk shndërrohet dot, pa ndryshuar dot veten. Ne, e kemi harruar udhëtimin. Na intereson një makinë e mirë e parkuar jashtë; për të cilën, duhet një punë e mirë; për të cilën do më ndihmojë filani a fistëku. Ne jemi një shoqëri e mbyllur. Në një qarkore bosh objektesh e nevojash, pa ide.

Një shoqëri e hapur, vetëm për jashtë

Fëmija 14 vjeç ishte i entuziazmuar se së bashku me shokët e klasës kishin vendosur të dalin në ditën e Paradës gej, për t’i qëlluar me vezë. Përtej asaj që mendoj, që komuniteti gej lufton për fonde më shumë se për gjë tjetër, kjo sjellje më le një shije të keqe. 14 vjeç, njeriu në përgjithësi është i virgjër, dashuria është një hap më tej, ti je i varur ekonomikisht, lufta zhvillohet me prindin e me puçrrat, bota është një hapësirë e madhe e panjohur, vetja është qendra e re e ekzistencës dhe nuk mund të jesh shumë i angazhuar me konceptet e lirisë së tjetrit.
Unë nuk e përjashtoj mundësinë që 14 vjeçari në fjalë të shndërrohet pas 5 vitesh në një të ri të hapur ndaj ideve e diversitetit të botës. Por, më duket shumë e vështirë. Edhe po të dojë, nuk ka dritare për të. Ka vetëm Facebook dhe muret e një shoqërie të mbyllur. Ajo që shoh të ndodhë vazhdimisht që prej eksodeve, është që kush kërkon një botë të hapur, ikën jashtë dhe thith atje ajrin e lirisë dhe të shoqërisë së hapur. Jo më kot, ata që e duan dhe e ndjekin TED-in janë ose studentë të shkolluar jashtë, ose lundrues të vetmuar.

Ideja, virusi

Nuk ka virus më të rrezikshëm se një ide, thotë Mr. Smith. Citojmë filmat, në vend të filozofëve, me shpresën që të mund të gjejmë pika të përbashkëta. TED ka dhe bijat e veta, TEDEX-et, variantet e pavarura të konferencës globale TED, e që zhvillohen në qytete të ndryshme të botës. Në Tedex-in e Shqipërisë, bileta është 250 herë më e lirë, dhe shumica e të ftuarve, studentë e pedagogë, joshen me ftesa falas. Shumica e folësve në TED-x të Shqipërisë, janë njerëz të ardhur nga jashtë. Disa, shqiptarë në origjinë, janë realizuar në Perëndim dhe kanë arritje të admirueshme. Por, thuajse asgjë nuk vjen nga Shqipëria. Niveli ynë i ideve ka mbetur në nivel televiziv. Ne prodhojmë emocion, aq sa ç’shfaqim dhe në ekrane, por jo ide. Kemi përvoja dhe njerëz që kryejnë sakrifica e përshkojnë shtigje personale të vështira. Dhe sigurisht që të frymëzojnë. Por, jemi një shoqëri vetëm emocionale, e nuk prodhojmë dot ide. Idetë, që të qarkullojnë kanë nevojë për veshë të etur dhe mendje që duan të hapen.
Në mënyrën sesi e kuptoj unë, kjo do të ndodhë njëherësh, dhe do i qëllojë atij brezi që thyen ciklin e ambicieve të qarkut të mbyllur shkollë-mik-karrierë-mik-punë-mik-shtëpi-makinë-parkim-facebook. NDOSHTA në Ted-x të Shqipërisë, në ndonjë edicion, dikush do të na e thotë sesi mund të thyhet ky zinxhir. Dhe, ndoshta, do të ketë dhe të pranishëm në sallë me veshët ngrehur. Njerëz, që kanë kuptuar që nuk i dinë të gjitha.

No comments:

Post a Comment