Wednesday, May 21, 2014

Trashëgimia, si barrë e si samar

botuar te rubrika Komikat Kozmike, Revista KLAN, 14 maj 2014

Çfarë ka trashëguar Rama nga i ati? Çfarë ka trashëguar Berisha nga Vuçidoli? Çfarë do trashëgojnë politikisht PD e PS nga këta të dy? Cilit prej tyre prindi i ka lënë një sahat dore? Dhe, a kanë prona? Trashëgimia – ajo çfarë i lëmë tjetrit/të tjerëve dhe ajo çfarë na kanë lënë, në rrafshin ekonomik, kulturor, social e politik, moral e juridik - pa dashjen tonë ka qenë fija e hollë e filigranit që ka përshkuar ekzistencën tonë traumatike post-komuniste. Nganjëherë nuk ka qenë filigran, por fije e hollë çeliku që pret mishin që e mban lidhur.

Trashëgimia politike

Ka akoma njerëz, sidomos nga të larguarit para 15 a më shumë vitesh që ruajnë koncepte të tipit “komunistët”, sikurse ka akoma që shkruajnë artikuj me terma të tipit: “punisto-marksist” apo “sllavo-komunist”. Marrëdhënia jonë me trashëgiminë ka diktuar dhe retorikën politike. Akoma sot, e djathta përdor termat “etërit komunistë” duke kaluar dhe në emra të përveçëm. Nga ana politike është armë që ka funksionuar. Ngjan absurde që një parti që doli nga rebelimi i atyre që ishin të lodhur me luftën e klasave të vazhdojë të mbajë në lojë këtë luftë, apo t’u përmendë biografitë kundërshtarëve.
Arsyeja pse ndodh është pragmatiste, Berisha ka parë që kjo funksionon. Ka akoma legjione të tëra votuesish mendja e të cilëve është kalçifikuar – dhe jo për faj të tyre – e që funksionojnë me 2-3 koncepte bazë politike, të mësuara në prag të viteve ’90. Këta njerëz, nuk janë armik. Janë për gjynah. Janë pjesë e shtresave të realitetit politik që mban të çimentuar këtë kastë politikanësh. Derisa të vdesin, argumentet e artikulimit “sllavo-punist” do të vazhdojnë të bëjnë blu ujin, si në pishinat ku egoistët bëjnë çiçin.
Vetë PS është e kompleksuar nga e shkuara e saj. Atë e votojnë ata që dikur votonin PPSh, dhe ka akoma në organikën e vet ish-anëtarë të Partisë së Punës. Aq e kompleksuar, sa i ka lënë LSI-së hapësirë të artikulojë më fort se ajo teza konservatore me partizanë, LANÇ, veteranë e Enver Hoxhë. Paradoksi lind kur nga të dyja partitë e majta, LSI është ajo që ka qenë e martuar politikisht me të djathtën. Por, PD-ja sheh punisto-enveristë vetëm në PS-në e moderuar. Teorikisht, ky qëndrim pragmatist por banalisht jo-koherent e i përciptë do duhej ta kish zbehur e zhdukur argumentin, por ja që jo. Ata që e mbajnë janë njerëzit.

Trashëgimia e njerëzve

Çudia e vërtetë është që të gjitha partitë kryesore të politikës kanë në përbërjen e tyre plot ish-anëtarë të PPSh. Madje, dhe votuesit, janë të ndarë. Funksionarë apo komunistë të thjeshtë të djeshëm, votojnë sot PS, PD, LSI.
Çfarë e bën një ish-komunist të PS-së të jetë më fajtor se një ish-komunist i PD-së? Cili prej tyre duhet të mbartë përgjegjësitë krimet e komunizmit? Dhe, cili, duhet të mbajë meritat për zhvillimet ekonomike e sociale (aq sa ka) të asaj epoke? Kjo pjesë, është ende e pazgjidhur, sepse të vetmit që do duhej ta kishin zgjidhur, nuk dinë, nuk duan, e nuk munden ta bëjnë: votuesit. Partitë tona kanë trashëguar të njëjtët votues. Të lindurit e pas ’90 vetëm tani së fundmi kanë nisur të votojnë. Por, dhe ata kanë marrë trashëgiminë e genit politik të prindërve.

Trashëgimia e grushtit

Shqiptarët po u lënë trashëgim fëmijëve traditën e tyre politike. Por, nëse e marrim të vërtetë përkufizimin e Lubonjës që “ne nuk kemi parti, por banda”, atëherë po u lëmë flamurin e një bande. Kam parë fëmijë të vegjël që ngrenë dy gishta, apo që mes dhëmbëve që u mungojnë bërtasin “beritha, beritha”. Sikurse, shoh fëmijë me grushtin përpjetë në varreza dëshmorësh të lënë në mëshirën e barërave të këqija. Kjo “traditë” edhe pse e justifikuar apo stimuluar fort prej disave, nuk bën gjë tjetër veçse krijon trupën e votuesve të papërgjegjshëm të së nesërmes. Është, njësoj me strategjitë e marketingut që përpunojnë të vegjlit – blerësit e nesërm. Keni dëgjuar miqtë tuaj të thonë sesi fëmija 4 vjeç vdes të rrijë para TV e të shohë reklamat? E pra, edhe agjensitë e marketingut e dinë. Pa ju pyetur juve, ata po pregatisin fyellin që do të tërheqë pas vetes 10 vjet më pas fëmijët tuaj. Me gjithë pasurinë që ju u keni lënë.

Morali i pronës

Katrahura më e madhe sociale dhe ekonomike në këtë vend ka lidhje po me pronat. Njerëz që kërkojnë pronat e gjyshërve e katragjyshërve me dokumente të turkut a të italianit. Pavarësisht se rendi ynë shoqëror e garanton shenjtërinë e pronës, lind pyetja: Sa të drejtë një burrë 40 vjeç mbi pronën e lënë nga një stërgjysh i panjohur 100 e ca vjet më parë? Si mund të justifikohet moralisht kjo trashëgimi? Sigurisht, jo përmes genit. Sepse, genet mund të mos i kneë fare të njëjtat. Ajo që i lidh është mbiemri, por, a mjafton që dikush të kërkojë lulishte, toka mbi të cilat janë ndërtuar shkolla e vepra të tjera publike, vetëm se ka mbiemrin e njëjtë me personin që zotëronte në një moment të largët në kohë të drejtën e pronësisë mbi to? Shoqëria njerëzore ka të drejtën e përdorimit të tokës, por është shumë cinike të besosh se njeriu zotëron vërtet tokë! Sigurisht, trashëgimia është dhe emocionale. Ora që babai mund t’i dhurojë të birit ka vlerë emocionale, por toka në një fshat që ti nuk e dije se ekzistonte, jo.
Diktatura e ndërpreu vijën e trashëgimisë së pronës, por fijet u rilidhën pas ’90-s dhe u rilidhën keq. U shfaqën njerëzit me dosje nën sqetull e me shpatulla të ngrohta. Vepra publike u rrënuan me qëllim të përfitimit të pronës nën të. Ajo që vërejmë sot janë njerëz të ngeshëm e dembelë që jetojnë me të ardhurat e qerave apo shitjes së pronave që kuptuan befas që i kishin.
Edhe prona intelektuale zgjat vetëm 100 vjet. 100 vjet pas vdekjes së autorit, ajo bëhet pronë publike dhe asnjë nga stërnipat nuk ka më të drejtë monetare mbi të. Trashëgimia intelektuale pra, ndërpritet. Trashëgimia e pronës ka nevojë për një shndërrim tërësor, por, për fat të keq, ne kemi trashëguar një qasje politike populiste por jo për popullin, demagoge por pa thelb. Ne jemi një vend që nuk lë dot trashëgimi.

Trashëgimia e genit

Po të hapësh gazeta të vjetra, të kohës së Zogut dhe më parë, do të shohësh që qasja e politikës ndaj problemeve nuk ka ndryshuar. Vetëm emrat janë modernizuar disi. Qëndrimi i gazetarëve apo intelektualëve është po i njëjti. Pra, paska një trashëgimi. Nuk do ta quaja trashëgimi kulturore, sepse nuk është kjo. Ne nuk kemi ruajtur dot as trashëgiminë muzikore të muzikës së lehtë. As dhe një lagje të vjetër, të paprekur. As dhe një kishë të lashtë të padhunuar. Ne i kthyem kështjellat në qebaptore, dogjëm libra në ’90 e në ’97, vetëm sepse e kishim mundësinë ta bënim, dhe vjedhim e deformojmë kulturën e të tjerëve, pa pushim. Nuk besoj as te krenaria kombëtare (si trashëgimi) veçse si demagogji liderësh ose si valvul shkarkimi e vegjëlisë. Por, ka diçka që padrejtësisht do ia vija “geneve”, sepse në të vërtetë nuk ka lidhje me genet e një njeriu. Ne ruajmë trashëgiminë e shqiptarëve të vjetër jo se flasim shqip si ata të para 100 vjetëve, as se kemi mbiemrat e çertifikatat tyre në dosje, as (larg qoftë) se ruajmë idealet e tyre. Ne kemi një gjë të përbashkët me ta: papërgjegjshmërinë ndaj së tërës. Dhe këtu nuk po flas për punëtorët e rilindjes apo për disa kokrra nga etërit e pavarësisë. Po flas për pjesën tjetër. Kjo është ajo që në anglisht do të quhej “legacy”. Problemi më madhor është që ne nuk ndërtojmë dot “legacy”, pra trashëgimi.

Trashëgimia e dorëheqjeve

Fakti që nuk ndërtojmë dot një linjë trashëgimie nga brezi në brez, nga një person te tjetri, ëshët lehtësues sa ç’është dhe i trishtë. Ja, të marrim dorëheqjen që i kërkohet Ramës për avionin. Jo se ka ndonjë gjë për të lavdëruar në sjelljen e Kryeministrit apo të Ministrisë përkatëse ndaj rastit. Por, është cinike që kërkon dorëheqje kryetari i opozitës, i cili vetë nuk e pa të arsyeshme as të dilte e të mbante një fjalë për 21 janarin. Nëse Ramën e lidhin me drogën, atë e lidhin me vrasjet. Kur për dorëheqjen përdoret termi “si institucion”, në të vërtet bëhet fjalë për një trashëgimi. Ka dhe cipë, ka dhe përgjegjshmëri ndaj së tërës, ka dhe një “legacy”, diçka që na lidh me një traditë sesi duhet të funksionojë të bërit politikë. Kjo, nuk ka ardhur kurrë te ne. Ne, paraardhësve politikë duam t’u marrim thjesht “pronën” politike, por, kjo nuk është trashëgimi mirëfilli.

No comments:

Post a Comment