Thursday, June 5, 2014

Gërmat me të vogla

botuar në rubrikën Kozmikomiket të Revistës Klan, dt 30 Maj 2014




Ndodh pak a shumë kështu: Ty të duhen ca para (shpesh edhe që nuk të duhen, por ti nuk i qëndron presionit: bli shtëpinë e ëndrrave, shko për pushime e paguaj vitin që vjen, bli makinën që ke ëndërruar), gjithçka rrotull teje ta bën shumë të lehtë, reklamat televizive, bli me këste pa e ndjerë, bli sot e paguaj më vonë, te tavolina e agjentit bankar të presin me buzëqeshje, në nja dy vende të qerasin dhe me kafe, të duket sikur problemi je vetëm ti, se nuk i plotëson të tëra kushtet, të shohin me një shikim dashamirës, hajt, se do mundohemi të të kualifikojmë, dhe kur të thonë që do të t'i japin paratë, ato që mbase as nuk të duhen, të duket sikur po të bëjnë një favor, pastaj vijnë pirgjet e letrave, ja dhe pak dhe mbaruam, ti me dikë tjetër (një shok që të do të mirën) uleni e firmosni pirgje pa fund, diçka brenda teje ka një sëkëlldi të lehtë, mund të jesh mbushur dhe me djersë, mund ta kesh për herë të parë dhe ndjehesh si në në provim që nuk e di se si do dalë, sikur të mund t'i shihje një herë para se t'i firmosje, por në këtë rrugë kanë kaluar të gjithë, letrat duhet të jenë standart, përderisa firmosin të tjerët, pastaj është dhe çështja e sigurisë që fal sistemi, ti ke besim te Bankat, te shteti, te sistemi, me siguri ka institucione, ka njerëz, ka ingranazhe të dizenjuara për të të mbrojtur nga abuzimi, a nuk thamë se në këtë rrugë kalojnë të gjithë, kanë firmosur dhe të tjerë, agjenti para teje buzëqesh dhe rrezaton mirësi e mbështetje, a nuk e thonë dhe reklamat që banka të do të mirën, që është partneri yt i besuar, që kujdeset për ty, që ndërton të ardhmen tënde me ty, firmat hidhen, paratë do të kalojnë në një llogari të hapur enkas për ty, ajo gjëja që të gjithë thonë se është ëndrra jote (a ke pasur vërtet këtë ëndërr, kalamajtë ëndërrojnë t'u blejnë kuaj dhe jo shtëpi, por, këtë ëndërr kanë dhe të tjerët, këtë ëndërr duhet të kesh të thonë reklamat, filmat, gossipet) do të bëhet e jotja, për të kuptuar që ndoshta ti nuk doje atë dhe ajo nuk të duhej ty, letra që ke në dorë thotë se këstet do të vinë duke u ulur, vetëm në fillim pak shtrëngim (ndoshta s'do bësh pushime të tjera më, se çdo lek do shkojë për ta shlyer) pastaj do nisin të zvogëlohen, ti fillon me një këst 48 mijë lekë, të reja, që të duken sa më pak, dhe pas 10 vitesh, ti sheh që ajo që duhej të ishte reduktuar në 230 mijë lek (të vjetra, të vjetra, edhe pse në letra kanë një zero mangut) vazhdon të jetë 480 mijë (të vjetra, se kështu rëndon më shumë barra) dhe ti nuk e kupton sesi, por nuk merr dot frymë, gjithçka fiton shkon në një gropë të zezë, fillojnë telefonatat, zëri nuk është më as dashamirës as qetësues, ajo që duhet të të falte besim është bërë makthi yt, banka të ka në shënjestër, nxjerr dhëmbët, dërgon njerëz, të bezdis në familje, prindërit janë bërë me zemër, nuk ikën dot as jashtë sepse ke një zinxhir pas këmbe, po ike do të vijnë ca njerëz të të marrin ç'ke, shpesh përmbaruesit vijnë dhe me dhunë, me të fortë, janë njerëz të punësuar nga Banka, banka që të plotësonte ëndrrat, dhe ti nuk e di se pse vazhdon të jetë barra kaq e rëndë, agjenti yt nuk është më aty, ose nuk është më ai i pari, ti gjen një mik e një shok që punon në bankë, dikë që të mund të kesh besim, e pyet se si është e mundur, pse po vazhdon të paguash kaq shumë, letra thotë që këstet do duhej të ishin minimale pas kaq vitesh, dhe ai të sheh me trishtim dhe të thotë se do duhej të kishe lexuar gërmat me të vogla në fund të faqeve që ke firmosur, të kujtohen tani ato fletë që firmosje, djersitja, dhe kupton ç'ka ndodhur.

E vërteta e fjalisë më sipër

Kjo ishte një fjali shumë e gjatë. Nëse keni mbërritur deri këtu, do të thotë se e keni lexuar. Do kishit bërë mirë të lexonit edhe ato fjalitë me të vogla me të cilat bankat ju kanë blerë lirinë. Ato fjalitë më sipër nxjerrin zhveshur shumë fajtorë. Njerëz që ti i paguan e i voton të të mbrojnë por që të kanë lënë në mëshirë të fatit. Madje, në mëshirë të fatalitetit. Në momentin që ke hedhur atë firmën nuk ka më fat, ka vetëm sistem të vajosur mirë. E përkthyer në Shifra sipas BB, nëse ti blen 1 shtëpi me kredi, në 20 vjet Bankës ia kthen si të kishe blerë 2. Dhe, kjo ndodh vetëm te ne.

Fajtorët

Ekzekutivi, mund të ndërmerrte hapa për ta mbrojtur konsumatorin. Mund të ketë institucione kontrolli e monitorimi, ndoca zyra ku në bordero ca njerëz firmosin për të marrë rrogën çdo muaj që të të mbrojnë ty. Ato lloj institucionesh që duhet të kishin vënë alarmin që me gërma të vogla dëmtohet konsumatori, sesi atij i lidhen duart me kontrata abuzive, me kushte shumë më të rënda financiare se çdo vend tjetër në Evropë. (sipas BB: Shqipëria, interesat më të larta të kredive në Evropë, lajm i 14 prillit 2014).
Por unë nuk kam dëgjuar gjë për to, sepse me siguri flenë. Gjithmonë do të kenë një justifikim për mos-zgjimin nga gjumi, por e vërteta është që ato flenë mes rehatisë e frikës. Rehatisë që mos të bezdisen nga puna (ndoshta edhe me ndonjë zarf në xhep) dhe frikës se mos shkelin në kallo aty ku nuk duhet.
Banka e Shqipërisë, që është akoma banka e vetme e jotja, banka ku ti (në teori) je akoma “pronar” nuk bën asgjë për të të mbrojtur. Asnjë inisiativë, asnjë ngritje problemi, asnjë shqetësim. Banka e Shqipërisë s'ka pse të trazojë ujërat, fundja, fati i një individi për ta është një statistikë. Banka e Shqipërisë është banka jote, por në mënyrë paradoksale, ti si viktimë e gërmave me të vogla nuk ke pasur shans të pish një kafe a të hash një drekë me Drejtorin e Bankës. Drejtori i një Banke private, e ka këtë luks, në fakt. Ja pra, je ti kundër bankës private. Por, tek Drejtori i Bankës tënde ka më shumë akses armiku yt. Ndaj ti paguan haraç, si një bujrob te Banka private. Banka e Shqipërisë është shndërruar në një konvaleshencë të familjarëve e fëmijëve të politikanëve, nëse po prisni që këta të fundit të bëjnë diçka për ju. Ata vetë marrin kredi të buta, dhe nuk e ndjejnë peshën e paragrafëve me gërma të vogla. Ajo peshë është e tëra mbi ju.

Jo vetëm Bankat

Marifeti me gërma të vogla nuk është thjesht çështje bankash, thjesht te Banka ti e ndjen më fort. Është çështje monopolesh të kompanive të mëdha. Me gërma të vogla t'i thurrin kontratat të gjitha kompanitë, që nga ato celularet, telefoniket, CEZ, ujësjellësi, etj. Madje, nëse te banka ti mund të mos firmosësh, aty do firmosësh me patjetër, pasi të kanë lënë fare vetëm në mëshirë të peshkut të madh që ushqehet vetëm me më të vegjël. Ti s'mund të rrish pa drita. As pa ujë. As pa telefon. As pa internet. Ti, do firmosh, patjetër. Si peshk.


B- si Bujrobëria

Kriza ekonomike botërore që po bën 5 vjet ishte në fakt e shkaktuar nga Bankat. Mungesa e monitorimit, abuzimi financiar, dhe grykësia e tyre shkaktuan depresionin më të madh modern. Kjo do të thotë që Banka nuk është miku yt. Është armiku yt.
Më kujtohet kur punoja në radio dhe lexova një lajm që nuk i pëlqente një aksh Banke. Hakmarrja e bankës ishte e menjëhershme dhe e pamëshirshme. Tërhoqën sponsorizimet nga Radio, madje, u angazhuan që të më eleminonin personalisht. Dikush në krye të saj vendosi që unë të mos punoja më askund. Thjesht, sepse kisha lexuar një lajm. Për shumë vite, emri im nuk dilte në titrat e emisioneve TV ku punoja, nga frika e hakmarrjes së bankës ndaj atij mediumi.
Është vetëm një bankë, por sillet si të ishte një skllavopronar. Ky pushtet, që në rastin e përgjithshëm shfaqet përmes abuzimit me gërmat e vogla i ka shtrirë tentakulat në të gjithë strukturat vendim-marrëse në vend. E keni pyetur veten pse partitë politike janë gati të dalin në protesta për një avion që thjesht trafikon, por jo për kontratat abuzive që shkatërrojnë jetën e dhjetëra-mijërave? Sepse janë palë. Dhe këtu, kthehemi te pika e njohur. Kush do bëjë për ne, çfarë?

Si përherë...

... më vjen për të qeshur sa herë dëgjoj për “sindikata” madje dhe “të pavarura”. Po të ishin tuajat nuk do dilnin në protestë sa herë ka kokolepsje politike, por do dilnin sa herë ju abuzoheni. E vërteta është që askush nuk do dalë në protestë as për mua, e as për ju. Por që të vijmë te ai mjet presioni popullor ka shumë nevojë që të dalim nga foshnjëria qytetare. Pra, të mos sillemi si fëmijë qaramanë që qajnë vend e pa vend, me kryeneçësi e papërgjegjshmëri, dhe sidomos “për inat”.
Ka shumë nevojë që mos harxhojmë kohë dhe energji me pseudo-kauza, që nga meraku për paradat gej e deri te protestat anti-greke. Nuk janë as grekët, as gejtë armiku. I veshur me kollare dhe në zyra të ngrohta, armiku është ai që të dhunon me gërma të vogla. Para se ta falni a ta shisni atë votë të shkretë, bëni mirë t'i bëni një pyetje atij që vjen t'ua marrë a t'ua blejë. Pyeteni për kontratat, dhe si do ju mbrojë. Dhe bëjeni të firmosë me ju një kontratë qytetare. Madje, me GËRMA KAPITALE.

No comments:

Post a Comment