botuar te DITA, dt. 17 tetor 2014
Si të gjithë shqiptarët, edhe unë e kam një mendim se ç’duhet të bëjë Rama, të shkojë apo jo në Serbi. Por, para se t’i përgjigjemi kësaj, duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje tjetër: Çfarë duhet të bëjmë kur një dron me flamur serb të fluturojë mbi Elbasan?
Serbia e Madhe mbi Elbasan
Nuk bëhet fjalë për një flamur, siç i referohemi këto ditë, por për një hartë. Ç’do të bënim ne, nëse serbët do na punonin një rreng të tillë që na prek mu në sedrën nacionaliste? Fytyra e pistë e Serbisë që (ne të Shqipërisë) e pamë për herë të parë kaq afër, na tmerroi. Është fytyra e nacionalizmit. Ndeshja me Serbinë, do duhej të na shërbente si pasqyrë. A jemi në gjendje ne të bëhemi ashtu për nacionalizëm?? Përgjigja ime, është “po”. Po të lexosh blogjet, do shohësh të njëjtën sjellje të shqiptarëve ndaj serbëve. Arsyetimet se ata na e bënë të parët etj., janë vetëm justifikime provinciale. Tifozët e Tiranës duan t’ua bëjnë jetën “Aushvic” atyre të Partizanit. Pa folur për ngjarjet e Shkodrës. Mjafton të dëgjoj koret në stadium, dhe pjesa më e madhe janë të turpshme, të dhunshme, të pakëndueshme. Pra, ne dimë të jemi huliganë e racistë. Ne kemi djegur dhe flamuj, kemi sharë Greqi e Serbi me ç’na zë goja. Pra, jemi po aq “të pjekur” për një luftë nacionaliste. Ndoshta na mungon organizimi paramilitar serb, por, brenda nesh ne kemi të njëjtën gjuhë urrejtjeje. Ajo që Serbët na shfaqën ishte nacionalizmi, si gjuhë e horrave. Ja, pra, kjo qenka. Ka një arsye pse Tirana kozmopolitane ka qenë disi easy-going me serbët (por jo me grekët). Ne, nuk i kishim parë nga afër. Dhe ja ku i pamë.
Rama, serbët, dhe të tjerët
As Edi Rama, nuk besoj t’i kishte parë nga afër serbët, si të martën. Shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë i njohin shumë më mirë, por ne të Shqipërisë, edhe krimet e tyre i kemi parë vetëm në lajme. Dhe ja ku u pamë. Në këtë takim të nivelit të tretë me alienët e Ballkanit, besoj Rama dhe stafi i vet janë habitur. Ata po shkonin në Beograd për PR alla-Merkel. Por, ja ku u del që është një vizitë në mesjetë. Nën dritën e këtij realiteti të ri, a i vlen për PR Ramës kjo vizitë?
PR me serbët, për serbët
Si njeri dukshëm i investuar në PR dhe imazh, vizita në Beograd dukej që dukshëm do të rriste pikët e Ramës në perëndim. Pavarësisht kontestimit, unë besoj që një PR i mirë për një kryeministër shqiptar, edhe nëse është për arsye thjesht egoiste e investim personal, është një gjë e mirë për Shqipërinë. Shqipëria, diçka përfiton nga kjo. Ndoshta shumë, ndoshta pak, por diçka fiton.
Problemi me PR perëndimor të Ramës është fakti që sapo pamë se nuk ka funksionuar.
Serbët ia dolën të kthejnë BE-në, UEFA-n, FIFA-n, kundër nesh. Deri edhe Platini, “miku i madh i shqiptarëve”. Deri edhe disa nga mediat e mëdha të perëndimit. E vërteta e asaj që pamë në fushë nuk ka rëndësi. Serbët ia dolën ta sjellin si një provokim shqiptar.
Pata mundësi të konstatoja raportin e parë të Reuters, krejtësisht joprofesional dhe i njëanshëm. Raporti i kësaj kompanie të madhe ndërkombëtare lajmesh përmendte vetëm një flamur provokues dhe lojtarë shqiptarë që ndezën sherr për të. Asgjë tjetër, as për dhunën ndaj shqiptarëve, as për koret raciste, asgjë. Si Reuters, edhe shumë mediume të tjera, madje edhe gjermane (Ah.. Merkel…). Pra, gjithë investimi i këtyre kohëve i Ramës në PR perëndimor, nuk na dha asnjë produkt. Nëse kështu, a duhet vajtur në Beograd?
Në Beograd, por jo për ura
Unë nuk besoj që vajtja në Beograd do sjellë diçka pozitive mes dy vendeve, edhe sikur qeveria serbe të sillej krejt ndryshe nga ç’po sillet. Sepse, njerëzit, nga të dy anët e kufirit nuk janë gati për të hedhur ura. Por, unë mendoj që Rama duhet të shkojë në Beograd. Por jo për PR, e as për qejf të Merkelit. Rama duhet të evitojë të bëjë si Thaçi që lëshonte pe në negociatat me serbët për hatër të Ashtonit dhe për PR të vet. Rama, duhet të shkojë në Beograd për t’u kërkuar në sy që të na kërkojnë falje. Pavarësisht se gazetarët dhe zyrtarët në sallat e konferencave për shtyp do jenë të njëjtat hijena nacionaliste. Rama, duhet të shkojë për t’u treguar që jo ai, por NE, nuk kemi frikë që t’u shkojmë mu në zemër jo me një dron, por me të vërtetën.
Dhe, t’ na gëzojë më shumë se ajo lodër kalamajsh.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment