Sunday, August 29, 2010

NËNË TEREZA DHE DJ TIESTO

Botuar te Shekulli, më 29 gusht 2010

Mbushja e Tiranës me postera, banderola e me flamuj bardh e blu, më bëri të mendoj: “qenka festë e PD-së”. Mirë bluja, po kjo e bardha ç’do? E bardha, shenja e dorëzimit, nuk bën pjesë në arsenalin e flamujve të PD!
Pastaj, u desh një beze e madhe me fytyrën e Nënë Terezës dhe me emrin e kryeministrit poshtë që të kuptoja që është ditëlindja e Nënë Terezës. Mundësuar nga... nën kujdesin e veçantë të...
Në këtë vend, as ditëlindja e Nënë Terezës nuk vjen dot po nuk deshi Kryeministri!

Mirëpo, duke parë tërë këto shpenzime, madje, këtë histeri të përvitshme, u riktheva te pyetja bazë: pse?!
Pse, festohet ditëlindja e shenjtores si të ishte promovimi i një DJ që vjen për koncert në verë?

Nënë Tereza vetë, jo që nuk e festonte, po as e përmendte ditëlindjen e vet. Atëherë pse ajo, shembulli i përvujtnisë, përulësisë dhe modestisë, përkujtohet si të ishte një rockstar me bujë, me flamuj e me postera? Dhe për se? Për ditëlindje??!!
Pse nuk organizojnë edhe Rally, ose maratonë rinore, ose qofte e birrë nga liqeni me rastin e ditëlindjes së Nënë Terezës? Ose ndeshje vaterpoloje apo minikampionat beach volley...? Ose kampionat noti, që të mund ta fitojë Kryeministri?

Unë besoj, se Nënë Tereza vetë nuk do e kish kërkuar e as pranuar kurrë një Vit të Sajin. Ajo do kish kërkuar fonde. Jo për flamujt absurdë bardh-e-blu, po për spitale e për bukë. Jo për vete, po për të sëmurët, jetimët e të varfrit. Jo postera, por ponstan për gjithë ne që vuajmë nga dhimbja e kokës në këtë vend.

NJERIU MË VETE E ME TJERË

Para dy-tre vjetësh, lumturimi i nënë Terezës u festua me një megaposter që mbulonte krejt fasadën e Universitetit të Tiranës. Hera e fundit që kisha parë një poster aq të madh mbi UT ka qenë fotoja e Enver Hoxhës.
Stendat e reklamave të ndriçuara ishin mbushur me postera të shenjtores. Siç ishin këtë verë posterat e DJ Sandy Riverës.
Sot, shtyllat e Kryeqytetit janë mbushur me banderola me citate. Dikur, kështu varnin citatet e Enverit e të Maos.

“E djeshmja iku. E nesërmja s’ka mbërritur. Të sotmen e kemi këtu. Fillojmë të jetojmë”. Duhet të jenë lodhur shumë të gërmojnë në Internet për të nxjerrë ca fraza si kjo, që nuk thonë asgjë!
Me gjithë respektin, po Nënë Tereza ka qenë thjesht një humaniste, jo një filozofe. Fraza si kjo më sipër, jo vetëm që nuk thonë asgjë, por më duket shumë infantile që ti publikosh nëpër shtylla.
Më kujtojnë librin e kuq të Maos. “Lindja është e kuqe” Çfarë perle, ë? Dukej sikur jepte leksione si të jetosh. Ose, më kujtoi atë mjeshtrin e madh të citateve që thoshte “patatja është edhe bukë, edhe gjellë.”
Ata që merren me organizimin e “festave” të Nënë Terezës, s’kanë kuptuar akoma që Nënë Tereza u bë ajo figurë që u bë, prej veprimit, jo prej citateve.

NJI FYELL NDËR MALE

Problemet me kultin e Nënë Terezës vijnë nga aq-di-aq-bën i atyre që janë sipër, por dhe nga mentaliteti i neve që jemi poshtë lidhur me figurat. Nga Bajraktarët, tek Zogu e Enveri, ne nuk kemi pasur mundësi të prekim e të prekemi nga njerëz që kanë modestinë si virtyt kryesor. Ne na bëjnë përshtypje vetëm ato figura që propagandohen me bujë e me pohë.

Ne dimë vetëm një mënyrë për të nderuar figurat tona. O t’u ngremë këngë të tipit “Enver Hoxha o Tungjatjeta” o tu ngremë buste, o banderola. Ne, kemi harruar formën më të thjeshtë të respektit, heshtjen. Ne kujtojmë që ngremë lart Nënë Terezën, kur e trajtojmë si Enverin.

Duhet të pushojmë së trajtuari Nënë Terezën edhe si Lady Dianën. Këto figura nuk kanë asgjë të përbashkët. Një princeshë e trishtuar, sepse kishte një burrë impotent, nuk mund të jetë njësoj në perceptimin tonë si një grua e virgjër që përqafonte njerëz të sëmurë me malarje.

DJELLA

Nga ana tjetër, Nënë Tereza po konsiderohet si P.R. qeveritar për të ndrequr imazhin ndërkombëtarisht të leckosur të Shqipërisë. Duam të fshihemi pas figurës së pastër të humanistes, si Odiseu që fshihej nënë delet për të dalë nga shpella e Qikllopit.

Pa folur për faktin që po krijohet ideja sikur nënë Tereza është investim personal i Kryeministrit, heroinë e personalizuar. Se për ndryshe, ç’do emri i tij në posterat e këngëtares... pardon, shenjtores?

Posterat e nënë Terezës, nuk i lenë gjë mangut posterave të DJ-ve që erdhën gjatë verës në Tiranë.
Pas gjithë kësaj histerie, na duhet ta përsërisim pyetjen, po të ishte Nënë Tereza gjallë, si do ndjehej para gjithë kësaj? Ç’do thoshte kur të kalonte poshtë posterave të vet? A mos vallë do kërkonte që paratë të shkonin te spitali që ajo donte të ndërtonte, e që nuk po bëhet në Tiranë? A mos do kërkonte që paratë të shkonin tek ata njerëz që varin veten përditë se nuk ushqejnë fëmijët me bukë?

DRANJA. MADRIGALE.

Në pamundësi për të ndërtuar figura bashkëkohore kombëtare që të mund ti qendrojnë kohës, ne jemi kapur të dëshpëruar pas nënë Terezës.
Figurat tona janë të përkohëshme. Noli na doli hajdut i Konares e shtetrrënues, Zogu, ishte për 50 vjet hajdut e tradhëtar, Enveri këto 20 vjet diktator e vrasës... S’merret më vesh, në tornadon e madhe të baltës që vjen vërdallë atdheut, se kush e meritonte baltën e kush jo.
Po je i këtij vendi, balta do të të përfshijë, çfarë do që të bësh e të thuash.
Prandaj mbërthehemi me dëshpërim pas figurave që na duken të pakontestueshme.
E megjithatë, ky vend, ka pasur njerëz të denjë për respekt e adhurim mbarëkombëtar. Vetëm se ata nuk bërtasin. Dhe nuk kanë fituar Nobel.

LIRIKA MES DY MOTEVE

Para shumë javësh te Shekulli kam lexuar një shkrim të Elsa Demos “Nuk ka vend për Martin Camajn”. Shkrimin e përshkuante trishtimi pse ky shtet nuk arrin të bëjë asgjë për një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë, Martin Camajn, makar as ti caktojë një vit përkujtimor. Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Kulturës ishte përgjigjur, “ky është viti i nënë Terezës e Vaçe Zelës e nuk ndryshohet më”.

Nuk dua të rimarr shkrimin, as të ringre tematikën, sepse Camaj mbetet i madh pa pasur nevojën që për të të kujdeset Ministria e Kulturës.
Por shqetësimi më lindi kur lexova komentet në blog.
Është e drejta e gjithësecilit të mos lexojë poezi. Por kjo u heq të drejtën të gjykojnë poetët apo dhe figurat. Ata që kanë lexuar vetëm një libër në jetën e tyre, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procesin e ngritje së kulteve.
Injorantët kibernetikë, që, të fshehur pas anonimitetit të web-it marrin përsipër të shajnë çdo gjë, duhet të mësojnë të heshtin e të dëgjojnë.

Në një popull që nuk lexon, propaganda mbin si lulëkuqe mbi mure.
Dhe ajo që po u servirin tani atyre është figura e nënë Terezës, që po ua shesin si të ishte një rockstar. Nënë Tereza është figurë e madhe e botës, por ne kemi nevojë për figurat tona.
E di që shumë vetë mund të preken në sedër e në nder nga kjo Tartë, por, po të shohin ftohtë do të kuptojnë që dikush po ngre një kult të panevojshëm të Nënë Terezës, dhe jo për hir të humanizmit të saj, por për tu fshehur pas bustit të pranuar ndërkombëtarisht.

Shenjtorja e lindur në Shkup, që jetoi e punoi në Kalkuta 50 vjet, që nuk fliste shqip, duhet t’ia lërë vëmendjen poetit që lindi në Dukagjin, që ngriti katedrën e gjuhës shqipe në universitetin e Mynihut, e që ka shkruar (për mua) vargjet më të bukura që shqipja do mund të prodhojë për dhejtëra vjet.
Nënë Tereza nuk ka nevojë për një vit special, për një aeroport, për një shesh në qendër, për një spital, e për kushedi sesa konferenca në emër të saj, që të jetë figurë shqiptare.
Pyetja e thatë e brutale, pyetje që ther mu në kockë, është kjo: Çfarë ka bërë ajo për këtë vend? Ajo ka bërë shumë, por ka bërë për Indinë. Për Libanin. Ka bërë për tërë botën. Po çfarë ka bërë ajo për ne?

Ky vend, i tharë nga injoranca e brutaliteti, ka nevojë për poetë. Ka nevojë për pak poezi.
Kur të ulen valët/fryma jonë do të matet/me gjansinë e detit: atëherë/do të pushojmë/te kambët e bjeshkve të bardha.

KANDILI ARGJANDIT

Jam i bindur, që vetë Nënë Tereza do kish dashur që ky të ishte viti i Martin Camajt.
Ajo do e kish kuptuar që ky vend ka më tepër nevojë për figura të vetat, që i kanë dhënë Shqipërisë, e jo të importojë figura të përbotshme që i kanë dhënë gjithë botës.

Ajo do e kish kuptuar që njerëzit që nuk nderojnë poetin e vet, nuk kanë për ta ndërtuar kurrë spitalin e saj.

Por, pavarësisht se ç’do donte ajo, ditëlindja e Camajt nuk vjen, po nuk deshi Kryeministri.

Sunday, August 22, 2010

HIMARA, NJË PËRRALLË DIMRI

Botuar te Shekulli, dt 22/08/2010

Në fakt, Gjermania, është një përrallë dimri! Himara, na doli një përrallë vere. Tamam mu në mes të vapës, ndërsa njeriu ka qejf të debatojë e të zihet për çështje të nudizmit apo të gazetave rozë, ndodh që Himara zë vendin e Seldit.

Kur u ndez debati i Himarës, gjëja e parë që bëra ishte ekzaminimi i kujtesës. Si jam ndjerë herën e fundit që kam qenë në Himarë? Bosh. Unë s’kam qenë kurrë në Himarë! Nuk kam qenë, për arsye që lidhen me këtë krimin “etnik”.

Pjesa që luajti politika në çështjen e krimit në Himarë, është analizuar fort në media, prandaj s’do doja të përsërisja ato që janë thënë. Po ashtu dhe pjesa se, pse një krim që në Laç quhet “vrasje për motive të dobëta”, në Himarë u dashka quajtur “krim etnik”.

E rëndësishme, është, pse unë, apo njerëz si unë, vetëm kalojnë përmes, po nuk ndalojnë kurrë në Himarë?

GJUHA VRET MË SHUMË SE PLUMBI

Të thuash që ajo vrasja ishte krim etnik, është fyerje për krimet etnike të bëra në Ballkan këto 100 vjet. Që nga Srebrenica e deri në Kosovë, me “krim etnik” përkufizohet një dramë e madhe njerëzore, jo një krim banal në plazh.

Krimi në Himarë, edhe ishte, edhe nuk ishte krim etnik.
Nuk ishte, sepse pa qenë nevoja të jesh ekspert, mund të gjykosh që konflikti ka pasur në thelb mëri biznesi. Mëri biznesi, përzierë me xhelozira bregdetare. Çunat e pasur të Vlorës, dhe çunat e pasur të Himarës.
Fraza “do të të vras o grek xxxx” nuk e bën këtë krim etnik, sepse, i bie që po i the dikujt “do të të vras o jevg xxxx” (ndjesë romëve për fjalorin) na qenka krim racor, dhe po i the dikujt “do të të vras o malok xxxx” (ndjesë vetes sime për prejardhjen) i bie të jetë krim gjeografik, dhe po i the dikujt “do të të vras o homo xxxx” (ndjesë shumë muzikantëve) i bie të jetë krim anti-artistik.
Fjalët “grek xxxx”, në një vend ku epitetet janë pjesë thelbësore e komunikimit të acaruar, nuk përkufizojnë dot natyrën e krimit. Po sikur vrasësi të kish thënë “do të të vras o majmun xxxx”? Sikur... do kish mbetur Omonia pa justifikuar pensionet greke.

Megjithatë, dua të ngulmoj, që në një rrafsh tjetër, ai edhe ishte krim etnik. Jo KY krim saktësisht. Por mënyra sesi shumë prej nesh e shohin Himarën, është krim etnik.
Kur kryen një vrasje, ke bërë krim me veprim. Kur e mendon një vrasje, ke bërë krim me ndërgjegje. Ka rëndësi jo vetëm çfarë bëjmë po edhe çfarë mendojmë. Çfarë mendoni ju për Himarën?
Nëse ti vret dikë, je vrasës para ligjit. Po nëse të shkon mendja të “vrasësh” dikë? Po “të vrasësh” një gjuhë? Atëherë je vrasës brenda vetes tënde.
Në ndërgjegje, ne, jemi vrasës ndaj Himarës.

Vrasës, sepse ne na shqetëson shumë greqishtja e tyre. Duam patjetër të dëgjojmë që ata janë shqiptarë, në një tokë shqiptare. Epo, ata janë në tokën e tyre, dhe nuk duan të jenë shqiptarë. Çfarë duhet të bëjmë? T’i bëjmë me zor të thonë që janë shqiptarë?
Pastaj, kemi dhe ata që vijnë nga Italia e flasin gjysma italisht e gjysma katunarçe në Shëngjin. Si t’ua bëjmë këtyre? Po ata që vijnë nga Anglia të martuar me vajza flokëverdha që s’dinë asnjë fjalë shqip? Po sikur fëmijët e tyre të vijnë dikur e të na e shpallin Malësinë e Madhe pjesë të Britanisë së Madhe?
Këta, le të bëjnë ç’të duan. Inatin e kemi me grekët. Dhe, meqë në Shqipëri grekë s’ka, e kemi inatin me greqishten!

SWASTIKA

A është greqishtja për ne, sikurse swastika është për hebrenjtë? Kam frikë se po.
Swastika apo kryqi i thyer, është një simbol i vjetër e i pafajshëm që vjen që nga indianët e lashtë më tej, pjesë e budizmit e hinduizmit, i përdorur nga keltët e deri te grekët e vjetër. Swastika mishëronte balancën e të kundërtave, harmoninë universale dhe ishte dhe mbrojtëse ndaj të keqes. Por, në Gjermani është e ndaluar me ligj, madje, në krejt kulturën perëndimore, kryqi i thyer asociohet me nazizmin.

Po ashtu, greqishtja është gjuha që solli Biblën dhe Homerin, një gjuhë e pasur dhe e veçantë, një nga pasuritë etnolinguistike botërore. Por ja që në Shqipëri greqishtja lidhet me shtetin grek dhe me trajtimin çnjerëzor të emigrantëve tanë, të ligjshëm e të paligjshëm, me grisjen e pasaportave shqiptare në doganën greke, me racizmin e tipit “alvanos xxxx” e me plot episode të tjera ku shteti i madh, dhunon në të tëra format të voglin. A nuk është dhune politike dhe ndërhyrja e Athinës në çështjen në fjalë?
A nuk është stresuese që të duhet përkthyes për të blerë kikirikë në dyqanet e Himarës?

ÇAJLLD HAROLDI

Të binjtë e Himarës që s’falin as mikun
Si mundet të lënë të gjalle armikun?
Si s’markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj më të bukur se zemrat armike ?

Pyetja çfarë janë Himariotët, grekë a shqiptarë, në realitet nuk bën shumë sens. Pavarësisht se çfarë mund të argumentojnë historianët, ata, nuk duan të jenë shqiptarë. Por, a mund të jenë grekë? A mjafton gjuha greke për t’i dhënë një identitet grek “Të binjve të Himarës”?
Sigurisht që jo. Gjuha është vinovili që ngjit copërat kombëtare, por “ngjitja” varet dhe nga copërat. Vinovili nuk i ngjit dot xhamin me hekurin. As gjuha e përbashkët, nuk mund të ngjisë dy etnitete që janë zhvilluar prej shekujsh krejt të pavarura. Të jesh një komb, do më shumë sesa gjuhën. Do kanale të holla e të shumta ndjeshmërie e komunikimi bashkombëtar të ndërsjellë. Përndryshe i binte që Austria, Gjermania dhe gjysma e Zvicrës të jenë një komb. Australia dhe Skocia. Brazili e Portugalia.

Nuk e di pse, po kjo puna e minoritetit grek në Himarë, më kujton serbët e Kosovës. Në Kosovë i quanin serbë, dhe shpesh bëheshin objekt urrejtjeje. Në Beograd i përbuznin si fshatarë e të pagdhendur, madje dhe i urrenin. Asnjë prej tyre nuk mundi të integrohej si serb në Serbi. Dhe zgjedhja e tyre, ishte më e keqja e mundshme. Vendosën të rrinë në Kosovë me shqiptarët, nën mbrojtjen e KFORit, por duke ua përplasur sa herë të mundnin shqiptarëve faktin që ishin serbë, e duke pasur suport politik Beogradin.
Pa pasur aspak ngarkesën e mërisë etnike që kishin serbët e kosovarët, një version shumë i butë i asaj historie më ngjan disi në Himarë.

Një mik përkthyes me origjinë nga bregu po më thoshte që dygjuhësia s’ka qenë kurrë problem për asnjë nga fshatrat e tjera që kanë pasur të bëjnë me Himarën a Dhërmiun. Pse duhet të jetë problem për dikë nga Fieri apo Fushë Arrësi?

Himariotët nuk janë as grekë e as shqiptarë. Sikurse janë edhe grekë edhe shqiptarë. Dmth, janë një entitet më vete, që ka elementë të të dyja kombësive.

...Gjithë djemtë e malsisë i therret anembanë
Himarjotet, Ilirët, Suljotët zeshkanë...

Ja e vërteta, e paska shkruar vetë Bajroni! Himariotët janë malësorë!

ANDRE GIDE PROMOVON TURIZMIN

Dhe, i vetmi që na shpëton në këtë rast është Andre Zhid. Ishte si një bombë, citimi i shkrimtarit Nobelist dhe Gej (dmth më parë ka qenë gej, pastaj u bë nobelist) në një mbledhje qeverie. Aq më tepër një qeveri ku gjysmat e më shumë s’i dinë as emrin, jo më ti kenë lexuar veprën.
Zhidi paskësh shkruar që “shqiptarët kishin ushqime të shijshme e meshkuj të bukur”. Dhe Gidi na paskësh qenë gej, tha Kryeministri. Kjo është një ide mjaft novative për zhvillimin e turizmit. “Don’t make war, make... turists!”
Kryeministri ka një mënyrë të stërholluar për të përcjellë mesazhe. Ky, ishte një mesazh i tipit, boll u morët me politikë fantazmë, merruni me gej. Dmth, kjo është puna juaj në verë, botoni muhabete gejsh.

E VËRTETA GRI

Ekonomia, dhe jo “ushqimet e burrat e bukur” është lubrifikanti i vetëm. Himariotët kanë nevojë për një Thatcher, jo për një Bollano. Ata, s’e kanë kuptuar akoma që e vetmja para që mund të lëvizë aty, do jetë para shqiptare. Grekët nuk do lenë kurrë Kalkidhikinë për të prishur para në Potam.

Plazhet tona frekuentohen tashmë vetëm nga emigrantë që dalin në “vox pop”-e televizive duke u ankuar për greqishten e Himarës. Vetë ne, “shqiptarët”, po ikim ku të mundim, por jo në Himarë. As në Dhërmi. As në Sarandë.

Dhe, arsyeja e vërtetë pse nuk ndaloj kurrë në Himarë, është se aty nuk kënaqem! Se aty ka vetëm patatina për argëtim dhe të duhet dhe përkthyes për t’i blerë.
Turizmi me “ushqime të shijshme” i Zhidit janë meny të vobekta që kushtojnë shumë shtrenjtë.

Dhe nuk është çështje numrash (3 milion e gjysëm turistë sipas kryeministrit) por çështja sesa do harxhojnë ata në Himarë. Në Himarë, Dhërmi e Jal, nuk ke ku ti harxhosh lekët. Në bregdetin tonë, vendasit përpiqen të të zhvasin te fjetja dhe tek ushqimi, sepse nuk janë në gjendje të t’i marrin lekët ndryshe.
Janë malësorë. Nuk janë hotelierë.
Ngjyra e së vërtetës është gri, ka thënë Andre Zhid. Thuajani kryeministrit.

Monday, August 16, 2010

Fama dhe të Famshmit

Botuar te Shekulli, dt 15 gusht 2010


DOMINO DANCING
“Në të ardhmen, çdo njeri do të jetë i famshëm për 15 minuta”. Kështu ka thënë Andi Warhol në vitin e largët 1968.
Dhe ja ku jemi në të ardhmen, gati 40 vjet më pas: unë, ti dhe mamaja e Seldit. Nga ne të tre, e vetmja që e justifikon thënien e viteve 60, është mamaja e Seldit, e cila ditët e fundit ka më shumë hapësirë mediatike se letra e Hillary Clinton për zv/Kryeministrin Meta. Çfarë shkruante Clinton? Kush e mori vesh! Por, ama, mamaja e Seldit tha që “Seldi nuk është gej...” Mos!! Nuk është? Po nga e di ajo? Se, i vetmi që duket se e di tamam është Klodi, që tha, “vijani veshin Domenikës se nuk flet kot”... Po mamaja... Cila mama? Ajo, mamaja e Seldit. Si e ka emrin?
Po ç’nevojë ka për emrin. Ajo është mamaja e një fëmiu të famshëm. Pardon. Mamaja e një celebrity-je.


JESUS CHRIST SUPERSTAR

“Who The F. Is Alice”, këndojnë Smokie. Mund ta këndosh pa frikë për 90 përqind të personave që marrin “të drejtën” e famës në Shqipëri.
Në fakt, duhet bërë një dallim mes të qenit i famshëm dhe të qenit “Celebrity”.
I famshëm quhet Ajnshtajni. “Celebrity” janë ata që bëhen të famshëm pa bërë asgjë, vetëm se dalin në gazetë ose lajme, po të mos llogarisim psh, që dikush bëhet i famshëm sepse rri 3 muaj i mbyllur në një shtëpi duke futur gishtat në hundë.
Kurrë si këto 100 vitet e fundit, s’ka qenë kaq kollaj të bëhesh Celebrity pa bërë asgjë vetë.
Paris Hilton është e famshme se është e bija e një miliarderi. Kim Kardashian është e famshme se bëri një video porno me një repist. Nicole Richie, sepse është e bija e një këngëtari. Kemi vrasës që janë bërë të famshëm (celebrity) sepse vranë 15 gra apo sepse vranë Xhon Lenon; hajdutë, sepse vodhën shumë banka; Arnoldin, sepse kishte shumë muskuj. Lady D. u bë e famshme sepse kishte një burrë të mërzitshëm. Dhe të pasur. Dhe princ. Vetë Warhol u bë i famshëm se printoi Marilyn Monronë me ngjyra.

Njerëzit e famshëm kanë ekzistuar gjithmonë. Ata kanë shërbyer si modele për t’u admiruar apo dhe për tu ndjekur. A nuk është Jezu Krishti një nga më të famshmit të kohës së vet që ka inspiruar miliona njerëz?
Por, të arrije famën, ka dashur gjithmonë përpjekje. Që nga Edgar Allan Poe e te Vincent Van Ghog, gjejmë shembuj të pafundëm gjenish, poetësh, piktorësh, apo dhe shkencëtarësh që u bënë të njohur vetëm pas vdekjes.
Ndërkohë që sot, kemi 21 vjeçarë që brenda 15 minutash, sapo hyjnë në portën e BB bëhen të famshëm.
Jo më kot, disa analistë e kanë përmbysur shprehjen e Warhol-it. Me kohërat që kanë ardhur, do jetë çudi nëse dikush do bëhet anonim brenda 15 minutash.

Dostojevskij, tek Vëllezërit Karamazov, thotë pak a shumë kështu: “lëre një njeri të lirë, e nuk do të kërkojë asgjë më shumë se një person për të adhuruar”. A vlejnë Celebritetet tona për tu adhuruar? Përgjigjia është aty, te faqet e para të gazetave: “Domi thotë që Seldi është gej”.

WHO WANTS TO LIVE FOREVER
Vetëm 10 agjentë të medias po të punojnë me zell mund t’i bëjnë gjëra të tmerrshme shpirtit njerëzor - thotë Cecil B. DeMille në filmin Sunset Boulevard (1950).
Fabrikimi i famës ka krijuar një industri të tërë mbështetëse. Revista të tëra, emisione TV, Oprah dhe Arian Çani, faqe fansash, blogje e FaceBook, gjithçka në shërbim të një industrie që kërkon të fabrikojë celebritete.
Shumë nga ne i dinë këto gjëra. Ne e dimë që mass-media na manipulon. Që duan të na shesin produkte. Duan të na shesin makina, veshje, politikanë, xhel flokësh, njerëz të famshëm, programe televizive. Që për të na bërë të blejmë e lexojmë një libër, shpikin që komuniteti mysliman u ngrit kundër; që për të na bërë të ndjekim një show, sajuan që një qytet protestonte kundër; që për të na bërë të votojmë dikë, ngrenë megakoncerte me minikëngëtarë; që për të na bërë të shohim një film, aktorja lidhet me aktorin kryesor. Riki Martin, i rënë nga maja e fikut, vendosi të dalë e të thotë jam gej. Me shpresën se gejlliku do e rikthejë në vëmendjen e publikut. Gej edhe ky tjetri. Gej edhe ai matanë. Po sa shumë që u bënë? Rëndësi ka të na tërheqin vëmendjen!
Ne i pranojmë këto, sepse, duam të argëtohemi.
Ne e pranojmë kultin e këtyre njerëzve të famshëm, sepse, na krijon një ndjenjë intimiteti, siç thotë Richard Schickel. Duke hyrë në banjën ku Kate Moss thithte drogë, ne ndjehemi pjesë e intimitetit të saj pa qenë nevoja të ekspozohemi për vete.

Në librin e tij Intimate Strangers: The Culture of Celebrity in America, kritiku i filmit Richard Schickel ngre si problemin më të madh të obsesionit tonë pas Celebriteteve, faktin se pushteti i personalitetit është bërë më i fortë se pushteti i ideve.
Dhe një ditë, ti lexon në gazetë se gjysma e kandidatëve në BB, që për nga niveli i ideve e i kulturës nuk e kalojnë atë të faturinos së autobusave të unazës, kandidon në zgjedhje!
Dhe e ardhmja s’duket aspak e ndritur. S’dp jetë e largët koha, kur njerëzit që u bënë të famshëm se flinin, hanin e laheshin në pishinë në një shtëpi të famshme të jenë bërë këshilltarë, kryetarë bashkie, deputetë e ministra.


LIVE FAST, DIE PRETTY

In some ways you are just like all your friends, but on stage you are a star,” këndon Miley Cyrus në këngën e hapjes së Hannah Montanna, filmi që ngre kultin e famës mes adoleshentëve të mbarë botës. “Në ca drejtime ti je si gjithë miqtë e tu, por në skenë ti je një yll”. Ky nuk është i vetmi produkt që promovon te mendjet e njoma se sa mirë është të jesh i famshëm/celebrity. Gjëja që nuk shpjegojnë këto produkte për fëmijët, është se për të fituar famë, duhet më parë të arrish diçka.

Në kohën e sotme, fëmijët të ushqyer me modele të paqendrueshëm televizivë mendojnë se e meritojnë të tërë të jenë të famshëm e të pasur. Fëmijët tanë po bëhen narcizistë.
Në prill të 2009, një studim në Angli tregoi që fëmijët ishin të prirur të imitonin sjelljet e personave të famshëm, përfshirë edhe skandalet seksuale të tyre.

Sipas një studimi tjetër britanik, fëmijët e sotëm duan të bëhen futbollistë, këngëtarë ose modele. Ndërsa para 25 vitesh donin të bëheshin mjekë, mësues, biznesmenë. Fëmijët tanë janë të zgjuar. Duan të arrijnë gjithçka shumë shpejt, e pa mundime. Të tëra kategoritë më sipër, futbollisti, modelja apo këngëtari, garantojnë famë të shpejtë. Po kush do ua thotë fëmijëve, që modelet dhe futbollistët, sikurse dhe këngëtaret shalëgjata e mbyllin karrierën 31 vjeç?
Askush. Të paktën, jo Hannah Montanna.


WAKE ME UP BEFORE YOU GO-GO

Çështja nëse Seldi është apo jo gej, referuar nga Domenika, e hedhur poshtë nga Sinani, por e suportuar nga Klodi, ka qenë në krye të gazetave.
Më e rëndësishme se njohja e Kosovës. Më e rëndësishme se ambasadori i ri amerikan. Më e rëndësishme se 4 miliard dollarë naftë. Më e rëndësishme se borxhi i jashtëm. Më e rëndësishme se sistemi i pensioneve, piramida që do na zërë të tërëve brenda.

Si një njeri që nuk e sheh Big Brother (thjesht sepse komshinjtë e pallatit tim janë më interesantë se konkurentët aty) jam shumë pak i informuar e aq më pak i interesuar për të ditur se çfarë ndodh me konkurentët kur janë brenda, apo dhe kur dalin jashtë.
Por, arrij ta kuptoj si ndjehet mamaja e atij djalit të akuzuar si gej.
Ishte në qiellin e 7-të, dhe e sheh veten në tokë. Nga dafinat se djali e bëri të ndihej krenare, gjë për të cilën shumë nëna ia kanë zili, ajo befas sheh që toka e famës është jostabël.
Dikush duhej ta kishte paralajmëruar.
Chuck Pahlaniuk e ka thënë më mirë se kushdo, publiku kërkon të ushqehet me dramë e spektakël. Ai krijon idhuj nga celebritetet si të ishin zota mbi tokë, pastaj, pasi krijon këtë imazh, pushtohet nga dëshira ti përmbysë, ti dhunojë, ti shohë të poshtëruar.
Kjo është kostoja e të qenit celebrity, e të marrit famë pa bërë asgjë. Me gjithë këta gej që ka ky vend, Seldin, duan njerëzit të marrin nëpër gojë.
Kështu që, në vend që të përpiqen të hedhin poshtë është apo jo gej ai djalë, duhet të mendojnë çfarë skandali tjetër do u duhet të bëjnë për të mbetur akoma në vemendjen e njerëzve si celebrity.

I WANT TO BREAK FREE
Çfarë duhet për t’i shpëtuar histerisë së kultit të Celebriteteve falsë? Thjesht. Fike televizorin. Mos e bli gazetën. Pusho së foluri për ta. Dhe ata vdesin.

Sunday, August 8, 2010

3 MILION ADAMË DHE 1 EVË

botuar te Shekulli, dt. 08.08.2010

3 MILION ADAMË DHE 1 EVË
Besoj, e morët vesh. Dy femra, DJ-e, japin performancë nudo në një plazh në bregdet.
Këto DJ-e topless, më rikujtuan historinë e varfër të nudizmit shqiptar. Para nja dy vjetësh në lajme u shpall me të madhe rasti i një të huaje që tentoi të bënte plazh topless në bregdet. Më pat ardhur për të qarë e për të qeshur kur pashë pamjet ku policë të veshur me këpucë me qafa e çorape najloni morën tërë rërën në këmbë që ti thoshin asaj të vishej. Madje, ia thonin pa e parë në sy.
Në Shqipërinë me aspirata evropiane, nudizmi të le pa familje. Më thoni një mama me 3 fëmijë që do “guxonte” të dilte topless. Ose më thoni, kush do donte ta kishte nuse për të birin një vajzë që bën plazh topless në Dhërmi?

Pyetja më e drejtë është, pse ne, një popull që na konsiderojnë si furnizuesin me tutorë e prostituta të Evropës, në fakt kemi një alergji agresive ndaj shfaqjes së një trupi nudo?
Saktësisht bëhet fjalë për një trup femre. Se çuditërisht nuk na shqetësojnë burrat që nxjerrin hallatet për të kryer nevojat personale mu në mes të bulevardit, te muret e Muzeut Kombëtar, poshtë urës së Lanës apo pas Pallatit të Kulturës. Madje, në historinë e varfër të nudizmit shqiptar, një Kryetar Bashkie u votua masivisht pas daljes në dritë të fotove të epokës kur ai jetonte në paqe me natyrën.
Atëherë pse, nudizmi, te femra na shqetëson? Pse ne ndjehemi të sulmuar personalisht (femra e meshkuj) nga Eva, ndërsa nuk na bën përshtypje Adami?

KULTI I BUKURISË SË FEMRËS
Kam frikë se kjo vjen nga marrëdhënia e komplikuar që kemi me bukurinë e femrës.
Ne kemi kaluar nga femra e mbuluar nga koka te këmbët e kohës së Zogut, në femrën leshatore si burrë të kohës së xhaxhit Enver e cila i hiqte vetullat vetëm pas martese, tek këngëtaret gjysëm lakuriqe që u hedhim para në skenë në “koncerte” me playback në diasporë sot.
Bukuria është relative, por shpesh kulti që kemi apo i ngremë i asaj pasqyron botëkuptimin tonë kulturor. Qasjen ndaj së bukurës e ngatërrojmë me instiktin kafshëror për çiftim... “Po të pashë pa rroba, ta hypa!”
Në tërë këtë konfuzion e testosteron, ne na ka ikur pa kuptuar që lakuriqësia nuk ka të bëjë me seksin. Lakuriqësia nuk është pornografi. Grekët e vjetër besonin se trupi ishte pasqyra e hyjnores.
Edhe Eva me Adamin, jetonin në paqe të lumtur e të lakuriqtë. Ishin të pafajshëm. Vetëm pasi hëngrën frutin e ndaluar, panë njëri-tjetrin e u erdhi turp. Një fëmijë i vogël që pllaquritet lakuriq në plazh vetëm të gëzon syrin dhe nuk të shqetëson. Vetë nudistët, pretendojnë që dalja nudo është kthim në pafajësi, kthim në origjinë. Në fund të fundit, lindim të tërë lakuriq! Me përjashtim të politikanëve tanë, që kanë lindur me këmishë.
Kompleksi ndaj lakuriqësisë, pra, është brenda mendjes sonë, jo tek ai që zhvishet. Kompleksi dhe turpi i pakuptimtë që ndjejmë para një trupi të zhveshur, vjen sepse kështu na kanë rritur, sepse kështu na kanë edukuar të mendojmë, sepse akoma ka femra nga 40 vjeç të cilave u vjen turp të shohin trupin e vet në pasqyrë, sepse mes nesh ka akoma burra me 5 fëmijë që nuk e kanë parë kurrë as gruan e vet të zhveshur në dritë. Sepse, ka akoma te ne gra që pranojnë më mirë të vdesin gjatë lindjes në shtëpi sesa të pranojnë të ndihmohen në maternitet nga gjinekologu!

NUDIZMI, EMANCIPIM APO SHFAQJE E HUAJ?
Tek ne jetojnë, çuditërisht të dyja. Ne jemi plot me kontradikta të përbindshme. Jemi të parët që legalizojmë martesat gej, por kodi penal ka hapësira për ta dënuar daljen topless. Duam të integrohemi në Evropë, por e duam Evropën të jetë si Lezha, pa gej, pa nudizëm, pa klube striptize.
Ne, realisht vdesim për nudizëm... por boll mos jetë i pragut tonë, se na çnderon!! Vdesim të shohim atë që ka dalë, pastaj jemi të parët ta ndëshkojmë.
Ne përdorim “nderin” si kriter vlerësimi, po vetëm në dollapin e rrobave. Aty na ka mbetur, meqë gjetkë zor ta gjejmë! Ne ngrihemi kundër 2 performueseve topless, ndërsa burrat që tradhëtojnë gratë nuk na bëjnë përshtypje. Jemi, ndoshta jo për fajin tonë, një shoqëri e kompleksuar.

MESHKUJ TË KOMPLEKSUAR DHE FEMRA TË KOMPLEKSUARA
Kam njohur personalisht meshkuj që eksitoheshin edhe nga një skulpturë guri me forma të spikatura femërore. E kishin të pamundur ta vlerësonin një trup thjesht si bukuri artistike. “Mëkati”, qendron jo te guri, por në mendjen e tyre.
Nga ana tjetër, në atë Clubin veror me DJ-e femra topless, nuk bëhet fjalë për manifestim të bukurisë. Bëhet fjalë për biznes të zgjuar. Për të mbuluar pamundësinë për të ofruar argëtim të vërtetë, ofrohet diçka që shqiptarët e dekodifikojnë mbrapsht si erotizëm. Ky kod nuk qendron tek DJ-et, por tek mendja e meshkujve që frekuentojnë club-et. Vë bast që pakkush prej tyre e ka pasur mendjen te muzika që ato luajnë.
Në reklama shfaqjesh “live”, më fort reklamohet “shoqëruar nga 4 balerina braziliane” sesa vetë këngëtari. Ato 4 balerinat, as nuk dinë të kërcejnë. Thjesht, spërdridhen gjysëm nudo.
Krijuesit e reklamës së birrës me Çiljetën, kanë kapur thelbin e mentalitetit mashkullor shqiptar. Një femër me gjoks të spikatur, që bën sikur zhvishet. Kaq. Kaq duhet për të bërë sytë të lëshojnë xixa. Ky është çelësi në mendjen e burrit shqiptar të kompleksuar.

Kemi dhe një kategori të gjerë grash të kompleksuara. Gra që e ndajnë botën femërore në “ne” dhe “ato”. Gra, që kujtojnë se burrit të tyre do ia prishë mendjen një femër 2 km larg topless në plazh. Ato nuk duan të kuptojnë që këtë lloj burri nuk do munden kurrë ta ruajnë. Ai nuk ka nevojë të shohë një femër të zhveshur që të tundohet. Ai do zhvishte edhe monumentin e Nënë Shqipëri-së, po ti jepeshin mjetet dhe koha e duhur. Këta burra, duan që gruan ta kenë modeli “ne” dhe dashnoren modeli “ato”.

NUDIZMI DHE FËMIJËT
Burra të kompleksuar dhe gra të kompleksuara. Por ka dhe më keq. Fëmijët tanë po rriten akoma më të kompleksuar. Adoleshentët tanë kthejnë kokën tërë turp kur në TV dikush puthet. Ndërkohë që shohin tërë ditën telenovelat me “histori jete” nga më perverset. Dikush duhet tu thotë babave e mamave, që psikologjinë e fëmijës e dëmtojnë më shumë telenovelat se një imazh nudo në një film.
Dikush duhet tu thotë mamave e babave që vajzat më të painformuara e të ndrydhura janë kontigjenti më i mundshëm për prostitucion, dhe djemtë që 18 vjeç kanë turp kur dikush puthet në TV janë kategoria më e mundshme për të vrarë gratë kur të rriten.
Jo më kot, shoqëritë me standartin më të lartë të jetesës janë ato më pak të kompleksuarat ndaj çështjeve të femrës, seksit, gejve, nudizmit. Suedia e para, Sudani i fundit.

“MARSEJEZA”
Dalja e një femre topless në plazh, nuk ka të bëjë me seksin. Ka të bëjë me të ndjerin mirë me bukurinë trupore të njeriut. Dikush ndjehet mirë me trupin e vet. Kaq.
Personalisht, mua më shqetësojnë më shumë pamja e burrave me barkun te goja, kofshët me celulit, mishrat e varur nga kequshqimi e mbiushqimi, sesa femrat topless. Barkderrat, ndoshta, janë ata që duhen ndaluar të dalin në plazh të zhveshur!

GJENEZA 2:25
Në Bibël thuhet: “Dhe ata ishin të dy lakuriq, burri dhe gruaja e vet, dhe nuk ndjenin turp.”
Barcan shkruan “Të jesh lakuriq është të jesh vetvetja… pa maskë." (Barcan, R 2004, Nudity: A Cultural Anatomy). Ndërsa Bergeri thotë se, lakuriqësia është mbi të gjitha, një gjendje e të qenit pa rroba; megjithatë të jesh pa rroba është e njëvlershme me lakuriqësi vetëm për ata që zgjedhin ta shohin si të tillë. (Berger, J 1972, Ways of Seeing)

Për shumë njerëz, lakuriqësia është e mrekullueshme! Përveçse kur je duke pjekur mish në zgarë...

Monday, August 2, 2010

FTV dhe Njeriu i Neandertalit

Botuar te Shekulli, më 1 gusht 2010

Fashion TV dhe njeriu i Neandertalit

Në vitin 1997, në Francë themelohej Fashion TV, televizioni më i madh i modës që njohim ne, këtej, në periferinë e botës.
Në të njëjtin vit që u themeluar FTV ne ishim të zënë duke u kthyer te shpellat, për të vërtetuar para botës teorinë e evolucionit të Darvinit.
Kanë kaluar 13 vjet. Ne po përpiqemi të harrojmë 97-ën tonë, ndërsa FTV e kujtoi me pompozitet 13 vjetorin e vet.
Pas 13 vjetësh, Perëndimi na ka imponuar ne të shohim FTV, ndërsa ne nuk arritëm ta bindnim Perëndimin të rrëmbente kallashët. Pra, perëndimi, e ka fituar luftën.

Nuk e di a ka një vend në botë ku në lokale të mbahet kaq shumë ekrani i zënë me FTV. Në palestër, në bar, në club, madje dhe në byrektore do të shohësh FTV. Dhe ti që mendoje se ai kanal është armiku i ushqimit.
“Ky kanali të hiqka oreksin” i thashë shitësit të byrekëve. Ai ktheu kokën nga ekrani i FTV dhe me gojën hapur u fiksua duke parë sfilatën aq sa harroi të më merrte dhe kusurin.

Altamoda në Koplik

Pasioni i shqiptarëve për FTV është versioni modern i pasionit të hershëm për Electric Blue, apo i pasionit pak më të vonshëm i baballarëve të marrosur pas Ambra Angiolinit.
Midnight Hot, është një program erotik i FTV që tek ne i bie të transmetohet në mes të ditës, në vende më se publike, dhe askush nuk duket i shqetësuar.

Shqiptarët, që vrasin vajzat pse kthehen vonë natën nuk kanë asnjë kundërshtim që të shohin femra të zhveshura non-stop, në prani të tërë familjes, duke ngrënë akullore. FTV çan malet. FTV mbërrin edhe atje ku nuk ka mbërritur akoma dushi me korrent.

FTV, në të vërtetë është një ekran pornografik. Soft-porn nuk ka asgjë më pak sesa ajo që shfaqet non-stop FTV. I vetmi ndryshim është që për pornon ka një kod në platfromën satelitore, ndërsa FTV është e lirë. FTV e shohin edhe adoleshentet 12 vjeçare dhe fëmijët 5 vjeçarë.
Dhe pastaj habitemi pse minorenet tona sajohen si prosituta që në 10 paradite, me veshje që në perëndim do ishin të sikletshme dhe të shtunën mbrëma. Dhe pastaj qeshim, kur shohim në Pukë një grua të re të veshur me fustan mbrëmjeje atllasi të kuq në 1 të drekës.
Janë vajzat tona, që imitojnë FTV me bekimin tonë.

Ndërsa në shtëpitë tona uji vjen me orar, paratë nuk dalin në fund të muajit, dhëndri i ardhur nga Belgjika nuk e dimë kurrë se ku do na e çojë gocën. Po ne nuk e kemi mendjen. Jemi shumë të zënë duke parë TV. Dike parë MODË në TV.

F*** TV

Në Fashion TV mund të shohësh vazhdimisht imazhe nga anija ku zhvillohen Party-t luksoze të MishelAdamsit. Ajo që bie në sy në imazhe është një numër i pafund femrash që zhvillojnë festa non-stop, dhe ti pyet veten, po ku janë meshkujt? Ç’janë këto festa ku ka vetëm modele?
Në fakt, aty nuk ka meshkuj. Ka vetëm blerës. Partyt e FTV janë marka e një prostitucioni të legalizuar si “festa mode”. Aty nuk ka modele, por vetëm prostituta high class.

FTV është ndaluar në disa vende, herë pas here, për përmbajtje të papërshtatshme për mosha të caktuara në orë të caktuara. Në perëndim përgjithësisht e injorojnë. Në lindjen e varfër, e adhurojnë. Herë pas here, e knaë ndaluar në vende të caktuara për pamje lakuriqësie në orë të papërshtatshme, për thyerje të kodeve të etikës e të kulturës së popujve të ndryshëm, etj.

FTV është një kanal që në Angli kishte 0.0 share të audiencës (të dhënat e 2008), në Amerikën e Veriut nuk ka arritur akoma të bëhet pjesë e platformave kabllore serioze, por që ka një shtrirje të gjerë e shikueshmëri në vendet më të varfëra të globit: në Amerikën Latine (ku përdhunimi i femrave është një nga fenomenet më të shpeshta sociale), në Indi (ku femrat vriten me gurë, pse dashurojnë një djalë të një kaste tjetër), në Indonezi (ku ekziston akoma Policia e Moralit), në Ballkan (ku.... - këtu vini vetë ç’të doni).
Në Zyrat e UNHCR, ditët e para pas cunamit të Indonezisë televizori rrinte tërë ditën te FTV, më tregonte një miku im, vullnetar i organizatave ndërkombëtare. Ndërsa jashtë kalbeshin pirgjet e kufomave, e vetmja mënyrë për të hequr mendjen ishte kanali me femra të zhveshura që ekspozohen tërë kohën.
Por, e vërteta është që FTV u ofron shoqërive të pazhvilluara një imazh të rrejshëm për botën e për femrën.

Në fakt, lufta mes civilizimeve nuk zhvillohet në Irak apo Afganistan. Lufta e vërtetë është mes FTV dhe shoqërive të pazhvilluara, dhe këtë luftë kanali pornografik i modës po e fiton.

First we take Manhattan, than we take Berlin

Një nga të paktat gjëra që gjuha ime më bën krenar, është që nuk ka një fjalë për “pasarelë”. As për “sfilatë”. Shqipja nuk e ka pasur kurrë të nevojshme, sepse kultura e FTV është thellësisht jo shqiptare, sikurse, është thellësisht jo njerëzore.
Femrat anoreksike, anijet ku zhvillohen party-t e prostitucionit, haute couture-a, nuk kanë asgjë për të ofruar për ne. Përveçse të joshin vajzat tona të vogla, drejt një bote ku bëhet pazari i gjësë së gjallë. Zinxhirë prej floriri ty kanë për të ofruar..., etj.

Tirana Fashion Week

Nuk dua të gjykoj modën, sepse nuk kam asgjë më shumë për të thënë se sa Oscar Wilde, “Moda duhet të jetë një gjë shumë e shëmtuar, përderisa detyrohemi ta ndërrojmë kaq shpesh.”
Ajo çfarë më shqetëson është kompleksi i majmunit brenda nesh. Mënyra sesi ne, edhe sot, pas 13 vitesh i vërtetojmë botës teorinë e evolucionit të Darvinit.
Shoqëria jonë, nga më të kompleksuarat e më inferioret në dizajn, tekstile e shërbime, tenton të shesë tangërllëk në modë. Në rrugë, në Bllok, në plazh por dhe në TV. Ne kemi “stilistë” pa fund. Ne kemi “Tirana Fashion Week” që janë diçka e tipit TVSH-ja në 91-shin: një këngë, një valle, një sfilatë.
Ne nuk kemi industri mode, nuk kemi elitë që sheh një sfilatë (edhe këtë fjalë, shqipja e injoron) dhe vendos të blejë një fustan ekstra të shtrenjtë. Ama, 9 në 10 adoleshente ëndërron të bëhet topmodele (jo modele e thjeshtë, po top-), ndërsa çdo person që mendon se ka gusto për të zgjedhur pllakat e banjës, e quan veten stilist.
Ideja e “Tirana Fashion Week” është një absurditet që mbijeton vetëm falë një publiciteti fals. Moda në Tiranë as ekziston as ka për të ekzistuar. Industria që e mbështet modën nuk ekziston as ka për të ekzistuar. “Stilistët” që të ndikojnë në shijet e veshjet e sezonit që vjen, nuk ekzistojnë e as kanë për të ekzistuar.
Vetë FTV nuk është një kanal mode për ne, por thjesht një kanal femrash të zhveshura.
E vetmja pasarelë e vërtetë mode janë rrobat Te Çamët. Pardon! Made In Çamët.