Sunday, November 6, 2011

7 mëkatet e Halloween-it

botuar te Shekulli, e dielë, 6 nëntor

Fakti që Halloween – festa e të vdekurve – u festua në Tiranë 2 ditë para krejt botës që e ka shpikur e festuar prej shekujsh kaloi si një gjë normale. Mua, nuk më duket as gjë normale e as për tu kaluar. Në koren e këtij fakti në dukje qesharak – tërë bota feston më 31, ne e festojmë kur të na vijë, më saktë, kurdo që të bjerë e shtunë, qoftë më 29 apo me dt 1 – shpërfaqen problemet tona kombëtare.


Keeper of the 7 keys I

Çfarë është një halloweeen shqiptar?
Për aq sa kam mundur të konstatoj në këto vite, është një pasqyrë e shëmtuar ku kultura jonë popullore – thelbësisht televizive – shkërben modelet botërorë.
Pasi kemi parë shumë filma me halloween, e çka është për të qeshur shumica kanë qenë filma komikë – kemi vendosur të festojmë edhe ne.
Njësoj siç adoleshentët tanë me një zell prej majmuni kopjojnë festën “The Prom” amerikane, popullsia metropolitane që do të argëtohet kopjon “Scary Movie”, veçse, seriozisht.

Nga halloweeen-i i vërtetë ne humbasim gjithçka.
Ajo festë që në botë është skalitur si ndërthurje e besimit me traditat e vjetra, e ku ka plot elementë argëtimi që e bëjnë të veçantë – kostume, ‘trick or treat’, përrallat e horrorit, rrengjet, vizitat në vende të magjepsura, etj. - tek ne është përkthyer si: eja veshim ca maska seksi e të bëhemi tapë në bare e pabe.
Edhe këtë vit, halloween u festua në Tiranë 2 ditë para pjesës tjetër të botës.

Nuk na ra shumë në sy, se ne këtë marrëdhënie kemi me perëndimin në të tëra fushat: ata thonë duhet bërë kështu, ne bëjmë ashtu si na leverdis ne. Prandaj në sytë e perëndimit jemi akoma majmunë me bisht.


Master of the rings

Arsyeja pse ne nuk e festojmë më dt 31 Tetor, siç festohet prej shekujsh është arsye në thelb, ekonomike. Kapitalistët e rinj e të shkathët shqiptarë, kanë kuptuar që për të nxjerrë makismumin nga një festë, është mirë të ndodhë të shtunën. Nga ana tjetër, ata janë të ndërgjegjshëm që festaxhinjve metropolitanë mund tu shesësh çdo gjë, mjafton ti bësh të ndjehen që po ‘gëzojnë’. Konsumatorët prej kohësh pranojnë të pinë pije të dyshimta, të dëgjojnë muzikë të dyshimtë, veç për tu dukur se po bëjnë qejf. Atëherë, pse të mos u japësh edhe festa në data të dyshimta?

Sigurisht, jo të gjithë. Disa biznese pritën datën 31 Tetor për të organizuar një festë, e ca të tjerë, më të zgjuar, e nisën festën me 29 (të shtunën) për ta përfunduar më 31.
Por në thelb biznesi shqiptar (në një pjesë të konsiderueshme) është ngritur mbi disa principe të dyshimta, por të suksesëshme: anashkalimi i vlerave morale e kulturore – askush nuk të ndëshkon, dhe mbi të gjitha, abuzimi mbi lakminë dhe mendjelehtësinë e konsumatorit. Unë nuk do habitesha nëse edhe festën e Flamurit apo Krishtlindjen ta sillnin nja 2 ditë para, në rast nevoje.
Ky lloj biznesi që nuk përfill realitetet historike, morale e kulturore, nuk na jep shumë shpresë për të ardhmen. Lehtësia për të ndryshuar datat e festave në varësi të fitimit, në koncept, më bën të besoj se nesër mund të ndryshojnë dhe kufinjtë pa qeder, nëse do fitojnë ca më shumë. Në fakt, kjo po ndodh realisht. Që nga plehrat e jashtme e deri tek ujërat e jugut u kaluan si pa të keq, përderisa ka njerëz që kanë biznese aty.

Edhe Yakuza japoneze apo mafia ruse ka shtylla nacionalizmi. Tek ne biznesmenët-nacionalistë mungojnë. Por kjo është një temë tjetër.

Lehtësia me të cilën ndryshohet në pak vjet një datë e sanksionuar nga bota që e feston prej shekujsh, tregon që biznesi ynë operon në klimën e mos-ndëshkimit.
Kush mund ta ndëshkojë, shteti? Ky shtet?? Apo konsumatori? Cili konsumator? Ata që bridhnin me maska të mjera në datë 29, të lumtur që do ‘festonin’?

Biznesi sillet kështu kur ka përballë vetëm kunguj halloweeen-i: konsumatorë pa tru.


Rabbit Don't Come Easy

Në një vend ku ndodh Gërdeci e prapë, zyrtarisht asgjë nuk ka ngjarë, s’mund të jetë data e Halloweeen-it krimi më i madh. Por, nëse biznesin do ta justifikoja deri diku, asgjë nuk mund të justifikojë kungujt.

Kungujt e Halloweenit janë pjesa e festës që më shijon shumë. Kunguj bosh – të zgavruar, por që për një natë, të trembin.

Më shqetëson shumë lehtësia me të cilën ne e lemë veten të gënjehemi. Të gjithë jemi të informuar që data e saktë është 31-shi, por, sa shumë vrapuan për të festuar më 29. Më shqetëson fakti që nga këta, që nuk pyetën se sa qesharakë duken me maska në datë 29, ne presim ndryshime. Këta, na u dashka të jenë “të indinjuarit”. Këta, do kuptokan të vërtetën sociale e do mbushin sheshet për të bërtitur. Këta, do e bëjnë këtë vend një vend më të jetueshëm.

Në fakt, këta janë e kundërta. Këta, kushdo mund ti nxjerrë në shesh me një datë false a me një maskë. Janë gati të vrapojnë kudo ku u premtohet pak argëtim i vobektë e i lirë.


Better Than Raw

Nga qyteti Studenti më 29 zbrisnin konviktorët, ata që e dinë më mirë se ne se ç’ndodh në provinca. Ata që duhej të zbusin arrogancën e Tiranës me butësinë e vuajtjes së periferive. Ata që mund të organizohen në protesta, si në ‘90-n.
Vrapuan për tu ndjerë si gjithë të tjerët.

Pjesë e trishtimit është dhe fakti që shumica e atyre që rendën të festojnë, ka shumë mundësi që të mos ia kenë idenë se çfarë është halloween-i. E as kanë vrapuar për ta gërmuar në Wikipedia.
Po të kishin këtë lloj kurioziteti për të vërtetën, ky vend nuk do të ishte kështu. Shqipëria, nuk do të qeverisej kështu siç qeveriset.

The dark ride

Problemi i madh që kemi si komb është marrëdhënia me të vërtetën.
Në datë 29 tetor ishte kaq e lehtë të gjeje një festë të rreme, në një datë të rreme, për një traditë të rreme, me gëzim të rremë, me maska borxh. Askush nuk u ndje keq nga ata që festuan.

Shohim përditë në TV njerëz që gënjejnë pa cipë, për gjëra që i kemi parë të tërë ashiqare e ca i kanë provuar në kurriz, e askush nuk ndjehet keq. As ata që dalin, as ne që konsumojmë TV.
Ne jemi masa e kungujve që nuk ka më ndjeshmëri ndaj së vërtetës. Jetojmë një gënjeshtër të madhe, për të cilën s’na e ndjen më. Prandaj, se 29, se 31, ç’rëndësi ka?


The Time of the Oath

Në zemër e në shpirt/vërtet e urrej ta paguaj këtë haraç/duhej të isha i fortë, i ri dhe qëndrestar/por e vetmja gjë që ndjej është dhimbja.
Në një përkthim të lirë, kështu do të mund të sillej një strofë nga “A tale that wasn’t right” e grupit gjerman të rrokut Helloween. Titulli (“7 sinners”) dhe mestitujt, janë albume të këtij grupi që si simbol ka kungujt e halloweenit.

Kam vetëm një shpresë të vogël, që njerëzit që nuk pranojnë të jenë masë kungujsh të mos ikin jashtë e as të konformohen, e që bashkë me ta të mos zhduken të vërtetat tona sociale. Kemi arritur në një pikë të vështirë si komb. Po luftojmë për të ruajtur të vërtetën. Jo për barazi, as për drejtësi, as për njerëzillëk. Jo. Po përpiqemi vetëm që e vërteta të mos vdesë nën ngërdheshjet televizive e turmat e kungujve.

Prandaj, pavarësisht se halloween-i është në thelb festë e huaj e pa pikë lidhje me ne, për mua, 29 apo 31 ka shumë rëndësi. Shumë. Vërtet shumë. Një betejë e vockël, për të vërtetën.
29 a 31, është kufiri ku ne kuptojmë sa kunguj të zgavruar ka në qarkullim e sa jo.

No comments:

Post a Comment