Monday, November 21, 2011

Bestseller dhe pleskavica

botuar te Shekulli, e diel, 20 nëntor 2011

Nga panairi i librit i fillimit të Nëntorit dola me pak mbresa, me pak libra dhe me shumë pikëpyetje.

Në oborr të panairit, një çadër prej nga thërriste tymi i qofteve. Çadra kishte dhe emërtimin e vet, për mua të pakuptueshëm, në cirilikë. Arrita të deshifroj “Beograd”.
I vetmi vend ku mund të haje diçka të shpejtë në Panairin e Librit shqip ishte pikërisht një çadër me pleskavica e birrë serbe. Me qeset e librave në dorë, shqiptarët drejtoheshin të hipnotizuar nga avujt e mishit të pjekur.
Prit, prit. Një çadër serbe në mes të Tiranës?!

Shqipëria dhe pleskavicat

Një çadër pleskavicash serbe, mu në mes të Tiranës.
Ekzistenca e kësaj çadre ka tre elementë thelbësorë. Ata që e sollën, ata që shitën pleskavica, dhe ata që i hanë.

Ata që e sollën dhe pleskavicat

Arsyeja e atyre që i sollën është gati e pakuptueshme. Mund të jetë thjesht biznes. Mund të jetë komoditet. Mund të jetë rutinë. Mund të jetë për ti bërë nder dikujt. Ose, dikush e ka menduar si trend pikant. Mund të jetë dhe dikush që i ha kaq shumë pleskavicat vetë, sa ishte gati që për hobin e vet ti sillte medoemos këtu. Siç sjell Realin një fans i Realit. Në këtë rast, lus zotin që herën tjetër dikush të ketë si hobi mbrëmjet japoneze të çajit, që, për hir të së vërtetës do më shkonin më shumë me librin sesa qoftet.

Por, gjasat janë që arsyeja e ardhjes së tyre këtu të jetë fare banale, aq e rëndomtë saqë s'arrin të na e kapë mendja. Dhe, në këtë katrahurë, jo se ka shumë rëndësi.

Ata që shitën pleskavica dhe pleskavicat

Ata që na i shitën janë për tu parë me dhimbsuri.
Vetëm kur mendoj mundin që u është dashur të paketojnë, të udhëtojnë, të çpaketojnë, të shesin qofte në këmbë në një vend të largët e armiqësor, do të thotë që biznesi në atdhe duhet të jetë në halle të mëdha. Imagjino garën që duhet të kenë bërë, se mos ua zinte sheshin ndonjë çadër kërnackash. Aq më tepër, kur Korça është më afër se Beogradi.

Dua ta përjashtoj dhe opsionin që morën këtë rrugë të gjatë me vullnetin e udhëtarit që i pëlqen të eksplorojë vende të reja.

Por, ndjehej që kishin kursyer - tek kualifikimi i stafit. Asnjë nuk fliste shqip e vështirë të gjeje një gjuhë që të merreshe vesh, përveç shenjave.
Kjo nuk i pengoi shqiptarët të dënden në pleskavica e birrë serbe.

Ata që hëngrën pleskavica dhe pleskavicat

Ndryshe nga ç’mund të mendohet kur lexon blogjet shqiptare dhe grupet e fejsbukut, një çadër serbe në mes të Tiranës nuk bën thuajse fare përshtypje. Nuk do të ndodhte e njëjta gjë me një çadër me qofte e birra Tirana në mes të Beogradit. Unë kam miq, që nuk guxonin të flisnin shqip në baret e Beogradit, ngaqë nuk u shërbenin ose i shikonin me urrejtje.

A jemi ne më të mirë se serbët kur vjen puna te nacionalizmi apo tek ndjenjat kombëtare?

Në marrëdhënien tonë me të huajt, shtresat e kompleksitetit janë si ato të qepës.
Historikisht, ne inatin e kemi pasur me të sojit tonë më shumë se me të huajin. Pa dashur të hap tema historike, por, në shumë raste, që nga Skënderbeu e deri te Lufta nacional-çlirimtare, shqiptarët më shumë bënin luftë kundër shqiptarëve se kundër pushtuesve.

Marrëdhënia e imponuar e kohës së Enverit karshi të huajve, na ka kompleksuar jo pak. Tërë këta breza që qeverisin sot, që kanë paratë sot, e drejtojnë sot, janë rritur e edukuar nën hijen e këtij kompleksi. Prandaj deti mund të shitet aq lehtë. Prandaj, plehrat mund të hyjnë kaq lehtë. Ne kemi raporte të denatyruara karshi njëri-tjetrit e të huajve, karshi tokës e parasë e të huajve, karshi besës e ksenofilisë.

Prandaj, gjithë ata që hëngrën një pleskavicë të vërtetë, janë po të njëjtët nacionalistë virtualë që bërtasin për djegie flamujsh në internet.
Sepse, ne jemi popull i dyzuar: mes asaj që duam të dukemi e asaj që jemi.

Shqipëria që duket, Shqipëria që është... dhe (pa dyshiiiim) pleskavicat!

Edhe Shqipëria e përfaqësuar në “Opinion” nuk ka lidhje me Shqipërinë e vërtetë. aty thuhen ato që duhen thënë. Jashtë emisionit, bëhen ato që duhen bërë.
Sepse, ka kohë që ne kemi 2 standarte, atë që flasim (për hir të të folurës) dhe atë që bëjmë. Madje, më shumë se standarte janë dimensione të jetuari: ne jetojmë mes të dukurit e realitetit biologjik, mes asaj që ekziston vërtet e asaj që ne duam të ekzistojë.

'Nacionalizmi është streha e fundit e horrave'. Kam mundur të vë re që ky postulat filozofik u djeg shumë vetëve, atyre që në thellësi e ndjejnë veten nacionalistë. Tjetër punë se ‘nacionalistët’ në votime votojnë personat dhe partitë që haptas kryejnë veprime anti-nacionaliste. Sepse, në ditën e “sovranitetit” e hedhin votën në mënyrë aspak nacionaliste. Prandaj dhe kjo elitë që drejton nuk është më e ndershme e nacionaliste se ajo masë “sovrane” që e voton.

Nacionalizmi ynë, është vetëm virtual dhe rrallëherë konkret. Në Maqedoni për të disatën herë mund të na fyejnë himnin e flamurin, por, kjo duket sikur nuk ka të bëjë me shtetin shqiptar.

Unë e mendoj si Lubonja, që 'nacionalizmi është streha e fundit e horrave'. Kjo nënkupton që nacionalizmi të zhduket si retorikë për të mbuluar batakçillëqet, e të aplikohet si politikë barazie ekonomike.

Nacionalizmi i vërtetë, është një shtet që minimalisht kërkon të jetë i barabartë me fqinjët. Që ndërton marrëdhënie dinjitoze ekonomike e kulturore edhe me ‘armiqtë’ tradicionalë. Një shtet që nuk ia grisin pasaportat në kufi, që nuk ia djegin flamurin, që nuk ia përdhosin gjuhën, që nuk është i detyruar të lobojë me copa atdheu, jo se e kanë frikë, por se është një shtet që imponon respekt. Një shtet, që nuk kushton 1 euro.
Për fat të keq, ky shtet pasqyron ata që shoqëria dhe ekonomia jonë është: në dukje e hapur, në realitet, e zbërthyer!

Shqipëria “e hapur” dhe pleskavicat

Nëse ky është modeli i hapjes ndaj investitorëve, kam përshtypjen që nuk do të shkojmë shumë larg.

Ndoshta, ngaqë zhvillimin nuk e pres prej qofteve. Nga ana tjetër, struktura jonë ekonomike akoma nuk është përsosur në pikën që të mund të nxjerrë fitim nga çdo qofte e shitur. Nuk besoj se jemi në gjendje të monitorojnë numrin e qofteve të shitura. Në faturat tona tatimore, akoma nuk ka hyrë koncepti i tatimit për kokë qofteje. Për të mos thënë që në çadrën e pleskavicave serbe, askush nuk më dha një faturë tatimore shqiptare.
Kam frikë se shteti ynë ka një evasion fiskal nga mostatimi i atyre pleskavicave, çka mund të dëmtojë stabilitetin tonë ekonomik përballë reçesionit.

Përsa i përket shkëmbimit kulturor e kulinar, do preferoja një marrëveshje bilaterale ku për çdo tezgë pleskavicash të çojmë një kërnackash në Beograd. Për çdo 2 balerina serbe këtej, të kemi një koncert të motrave Ismajli andej, për çdo tallava që u vjedhim serbëve të lejojmë vjedhjen e një hip-hopi, etj.
Egalité!

Qofte – Pleskavica 0-1

Edhe pse mjekët nuk e këshillojnë, unë nuk jam kundër të lexuarit duke ngrënë. E as që të hahet në oborr të panairit të librit.
Do më dukej e pranueshme që tradita shqiptare – 'Tymi' me qofte zgare e birrë të hapur shqiptare të shoqëronte panairin. Aq më tepër që ne historikisht qoftet i kemi mbështjellë me fletë librash të pavlerë. Pra, kemi dëshmuar që jemi një popull që librin edhe kur nuk e lexojmë, edhe kur nuk vlen, nuk e hedhim.
Por ja që në përplasjen e ekonomisë politike mes qoftes e pleskavicës, u shënua një fitore në fushë kundërshtare për pleskavicën.

Kadareja dhe Pleskavicat

Ishte vështirë të shmangie turmat e gjera të njerëzve që rendnin të kërkonin tezgën e librit mbi tradhëtitë e Kadaresë. Ata që nuk e kanë lexuar ndonjëherë Kadarenë, vrapuan për të mësuar për dashnoret e tij. Ndoshta, kjo përcaktoi dhe çmimin “autorja e vitit” për zonjën Kadare.
E përderisa libri doli vetëm pak ditë para, heroizmi i jurisë që gjeti kohë që ta lexonte në orët e fundit para fillimit të panairit, duhet vlerësuar. Aq më tepër, kur i përfytyroj duke lexuar çdo titull të ri në stenda me vetëmohim.
Personalisht, do e kisha motivuar më tepër çmimin si ‘autorja më e mirë e vitit që vjen’. Ose, ‘autorja e Vitit të Ri’.

Por, kjo ka pak rëndësi. Çmimet, etiketat, epitetet, vlerat, për ne nuk thonë më gjë.
Ato kanë vlerë sa një pleskavicë. E cila, shkon shumë e shoqëruar me fletë qepe.

No comments:

Post a Comment