Thursday, December 1, 2011

Qerosi dhe Katallani

Botuar te Shekulli, të dielën, 27 nëntor 2011

Dyshja e Qerosit dhe Katallanit më shumë sesa një përrallë gjumi për fëmijët është një nga dëshmitë e psikës sonë kombëtare. E ndërsa dyshoj që askush nuk u tregon më fëmijëve të tilla përralla, versionet moderne të Qerosit e Katallanit vënë në gjumë tërë ditën popullin televiziv. Përralla vjen në variacione të shumta, Katallan apo Kuçedër, por thelbi mbetet përherë i njëjti.

Drejt guvës së gjarpërit*

Në të gjitha versionet e kësaj përralle Katallani është i keqi, ai që i pret ujin fshatit, merr vajzat, apo bën një të ligë që prek tërë komunitetin. Nga ana tjetër, fshati/populli/komuniteti i është nënshtruar tërësisht vullnetit të Katallanit, dhe vetëm e urren në heshtje, i pafuqishëm. Panorama deri këtu ju duket familjare, besoj. Shumë familjare. Në të tëra nivelet e shoqërisë kemi pafund katallanë të niveleve të ndryshme, që nga pronarët e firmave, te feudalët e bashkive e komunave, drejtorët e drejtorive, ministrat e kryeministrat.
Por, në ndryshim nga realiteti ynë, në përrallë hyn në lojë Qerosi. I zgjuar, i shkathët, përfaqësues i vuajtjes popullore, ai ia gjen anën përherë të ligës dhe e vret Katallanin duke e shpëtuar fshatin/popullin/komunitetin/shoqërinë. Po të ketë vajzë në përrallë, normal që Qerosi e merr atë për vete. Cut. Këtu pritet filmi.
Askush nuk e thotë çfarë ndodh më vonë me personazhet. E, kam idenë që pakkujt i intereson. Dëgjuesit e përrallës kanë vetëm një merak, të marrin vesh a do e vrasë Qerosi Katallanin.

Demonë dhe ëngjëj

Realiteti ynë socio-politik është thjeshtuar shumë, si kjo përrallë. Gjithçka e ndajmë në I mirë/i keq, ai që na bllokon ujin/ai që na e çbllokon ujin, ai që na vret/ai që vret atë që na vret, ëngjëj/demonë. Që këtej është kollaj që, ashtu si në rastin e përrallës, e keqja të personifikohet me 1 njeri të vetëm, me një individ. Kjo e bën më të thjeshtë koncentrimin e urrejtjes në fshatin tonë të madh.

Për shembull, nuk mund të rri pa vënë re një demonizim të Kryeministrit. Kjo ndjesi përftohet duke parë komentet në blogje, duke dëgjuar deklaratat publike të politikanëve, duke lexuar analizat e kundërshtarëve të tij. Kjo ka bërë që rreth figurës së Kryeministrit të ngrihet miti i një demoni, gjithsesi i gjithëpushtetshëm, mbi të cilin duhen zbrazur tërë mëritë, urrejtja, sepse ai personifikon të keqen maksimale.

Që në këtë rresht, e di sesi po u erren sytë shumë vetëve që s’besoj se do e çojnë dot deri në fund Tartën, por dhe po e lexuan nuk do lexojnë më me mendje por me sy, për të zbrazur mllefin te komentet në fund.
Pikërisht kjo, është simptomë e qartë e problemit për të cilin dua të flas. Demonizimi i një personi, nuk e zgjidh problemin.

Demonët

Unë nuk dua ta shfajësoj Kryeministrin nga përgjegjësitë e veta. Ai ka rol qendror në gjithçka ndodh në këtë vend. Aq më tepër që unë nuk e harroj Gërdecin.
Por demonizimi i tij nuk zgjidh asgjë, përkundrazi.

Demonizimi, sjell krijimin e një kategorie që sheh vetëm bardh e zi. Një kategori që më tremb se e shoh që sa vjen e rritet dhe që ka prirjen ta reduktojë realitetin te përralla Qeros/Katallan. Dhe fundi i pritshëm për ta është që Qerosi duhet ta vrasë Katallanin. Kësaj kategorie të tjerat u duken dokrra. Ata përdhosin këdo tjetër që nuk është kundër armikut të tyre. Kjo kategori njerëzish është baza mbi të cilën mbështeten katallanët e së ardhmes.

Tek Austin Powers, Mini-Me më duket barabar i lig e problematik sa dhe “E Keqja e Madhe”, Dr. Evil.
Prandaj mendoj se demonizimi i një personi i lë të kalojnë pa lagur ata që e mbajnë këtë individ në pushtet, ata që i shërbejnë, ata që e votojnë. Nëse Katallani bie merr përsipër dhe mëkatet e tyre.
Demonizimi, na bën të merremi me individin e jo me sistemin që e mban në këmbë. Kuçedrën e mban në këmbë rrethi i mini-Kuçedrave, mentaliteti kuçedëror i shoqërisë dhe individëve, dhe mbi të gjitha, zgjidhjet alla-kuçedërishte.

Demonizimi, po krijon aradhet e atyre që janë gati të sulen në luftë kundër Demonit me nervin që u pulson në ballë. Duke u krijuar një demon përpara, është kollaj ti mobilizosh. Ata janë gati të godasin pa argument, pa mëshirë këdo, mjafton tu thuash, ‘ky është me demonin’! Janë legjionet e naivëve me të cilët ndërtohen diktaturat.

Demonizimi, përveç trupave bardh-e-zi, po prodhon edhe antitrupat zi-e-bardh. Ata që mendojnë që Qerosi që do vijë është Kuçedra e vërtetë!

Demonizimi i Kryeministrit, nuk na lë të shohim që krejt struktura shoqërore është kalbur. Ngjan se po të ikë një person, ne që mbetemi do jetojmë të lumtur si në përrallë.
Por bardh-e-zija e tyre është e paaftë të shikojë problemin real, lëre më, se ç’do të ndodhë më pas. Mendojnë se me vrasjen e Katallanit do shpëtojmë nga e keqja.
Nga urrejtja për demonin, janë gati të pranojnë të parin Qeros që kalon rrugës.
Në mendje një neuron i vetëm bën vetëm një pyetje, A do e vrasë Qerosi Katallanin?

Ëngjëjt

Një komentues në një blog ngrinte një pyetje interesante (ose mua më pëlqen ta konsideroj pyetje): A duhet të bësh aleancë fluide me djallin për të vrarë bishën? E shtruar në kontekst historik, a duhej të bënte Çurçilli aleancë me Stalinin për të ‘vrarë’ Hitlerin?
Plot spekullime interesante mund të bëheshin këtu. A do kish mbijetuar Stalinizmi aq gjatë e me aq shumë vuajtje e viktima nëse alenaca fluide nuk do ishte bërë? A është vetë Çurçilli një ëngjëll?

Por, përtej spekullimeve, realiteti politik shqiptar dhe përvoja botërore na tregon që ëngjëjt nuk ekzistojnë. Të paktën, jo ëngjëjt që një ditë do të kenë poste dhe të drejtë firme për tendera.
Shpresat tek ëngjëjt për të luftuar demonët, vetëm i mbajnë demonët më gjatë në pushtet ose i zëvendësojnë me të tjerë. Para se të vritet Katallani, duhen gjetur mënyrat që sistemi të mos jetë i dobët ndaj katallanërisë.

Por Qerosi nuk ka këtë plan, se është Qeros. Të tërë presin nga ai që të vrasë Katallanin. Dhe ai nuk di të bëjë më shumë se kaq. Ai bën aq sa di e aq sa i kërkojnë të bëjë. Ai varet nga fanatikët e video-përrallës.

Video-përralla

Fenomeni i Demonizimit të një personi, në këtë rast i Kryeministrit, është ndërtuar në masë të madhe nga mediat. Arsyet mund të jenë të shumta, për kollajllëk, për ta thjeshtuar problemin para publikut që “aq kupton”, për pa-aftësi, se ashtu e mendojnë, për ti bërë nder dikujt, për ti shërbyer dikujt tjetër, kot për qejf apo kot për para.
Media ka formatuar politikën dhe është formatuar prej saj, dhe së bashku i kanë bërë një lavazh të thellë popullit të apasionuar pa video-përrallës.

Realiteti ynë politik ka prodhuar non stop figura që kanë luajtur Qerosin e Katallanin me rradhë, para publikut. Kur Berisha ishte Katallan, Nano ishte Qerosi; Kur Nano ishte Katallani, Meta ishte Qerosi, Kur Meta u bë Katallani, Nano u bë prapë Qerosi, pastaj Kur Nano doli sërish Katallan, Berisha prapë Qerosi... Tani, po presim Qerosin e rradhës.

Në pritje të tij, ajo që po humbet është e vërteta. Për të mbajtur lart figurën e shpëtimtarit Qeros, të vërtetat po reduktohen, po humbin. Problemet po thjeshtohen, po ëbhen qesharake.
Ankthi sesi do mbarojë përralla po prodhon kalorës të rremë të të vërtetës. Të vërtetën as nuk mund ta flasësh më, nëse nuk futet dot në shabllonin “Qerosi vs Katallani”.
Por, çfarë do të ndodhë nëse Qerosi e vret Katallanin?

Post-Qerosiana

Përralla është e saktë. Në çdo lloj versioni, Qerosi e vret Katallanin. Ajo që ndodh më pas nuk ka shumë vështirësi të imagjinohet.

Qerosi mbulohet me lavdi, uji i fshatit (a vajza e kapur peng) çlirohet. Emri i tij arrin në skajet e fundit të perandorisë. Tërë fshati krenohet me të. Madje, komshinjtë dhe shokët e shkollës janë akoma më krenarë, ata ndjehen kontribues në këtë fitore. Fundja, ata e mbështetën Qerosin moralisht. Mund të dalin dhe libra që ngrenë lart trimërinë e Qerosit, libra ku e vërteta do retushohet me lezet.
Por jeta nuk mbaron aty. Fshati, përveç ujit ka probleme dhe me rrugët. Me kanalizimet. Me gardhet. Me pronat. Me një shtëpi publike pa leje. Me zhurmat e festave natën që vijnë edhe nga shtëpia e Qerosit. Madje, ka probleme dhe me fshatin tjetër. Të dy këto fshatra kanë problem me një krahinë aty ngjitur. E kështu më tej.
Qerosi, ka dhënë njëherë provë që mund ti shpëtojë ata. Ama nga Kuçedra, por jo nga vetvetja.
Dhe, të vrasësh një Kuçedër është shumë më e thjeshtë se të ndërtosh një sistem barazie e drejtësie. Po askush nuk e mban më mend Kuçedrën.

Në fillim ca hatërmbetje të vogla. Qerosi favorizon paksa shokët e shkollës ose ata që e mbështetën të parët. Pastaj një tender i vockël. Pastaj njerëzit e gruas... Se nuk ju thashë, por atë vajzën që shpëtoi e mori për vete. (Në mos qe vashë por një vijë uji, atëherë ndërtoi për vete një hidrocentral aty). Pakënaqësitë rriten. Dikush që shan Qerosin në publik rrihet paq nga militantët e tij. Pastaj mundohen të blejnë gazetat e mediat. Pastaj nëpër emisione dalin prostitutat mediatike, të gatshëm për të mbrojtur Qerosizmin me çdo kusht.
Pakënaqësitë nisin të vlojnë, por meqë Qerosit i kishin thënë njëherë që ishte më i miri e më i zgjuari, vështirë tani ti mbushësh mendjen për të kundërtën. Atëherë ca veta i thyejnë xhamat e shtëpisë me gurë. Derisa krejt fshati ngrihet kundër Qerosit. Atëherë Qerosi, detyrohet të marrë peng burimin e fshatit.

Ju kujtohet si nisi e gjithë kjo? Disa njerëz kujtonin që problemi do zgjidhej nëse Qerosi do vriste Katallanin.
Po pra, po. E vret.
Veçse tani këta njerëz duhet të presin që të dalë dikush tjetër për të vrarë Qerosin.

No comments:

Post a Comment