botuar te Shekulli, dt 18/12/2011
Ndoshta do t’ju interesonte të dini se ç’mendoj unë për “Kurbanin” e Edi Ramës. Asgjë interesante. Nuk e kam lexuar, dhe vështirë se do ta lexoj. Po të jetë për të ardhmen, ajo lexohet më qartë tek e shkuara. Dhe meqë nuk më bëhet të shkruaj për hallet e përditshme, po i rikthehem një drame që nuk bezdis me sa duket askënd: asaj të filmit.
Duke parë produktet vendase në festivalin ndërkombëtar të filmit, TIFF, e për më tepër duke i përballur me prodhimet e huaja, kupton se sa e madhe është drama e kinemasë shqiptare. Si dhe në dramat familjare, drama kryesore e filmit janë fondet, patriarkalizmi dhe konceptet.
Fondet e një shteti analfabetësh
Kultura, prodhon njerëz të lirë, prandaj ky shtet është akulturor. Akulturor, si shumë karakteristika të tjera të tij që fillojnë me “a”, alergjik, anakronik, asfiksues, autokrat.
Sytë janë nga shteti ngaqë shteti është vendimtar me fondet e veta. Iniciativa private është thuajse zero, lehtësirat fiskale inekzistente, fondet jo-shtetërore të filmit të papërfillshme.
Një film i shkurtër i huaj (qoftë dhe polak) e ka radhën e titrave në fund shumë më të gjatë dhe se festivali i fundvitit. Ndërsa filmat e shkurtër shqiptarë e kanë me 4-5 emra, shumica shokë klase që kanë punuar falas.
Filmi i shkurtër kërkon investime, jo sepse është i shkurtër e i bie që dhe fondet të jenë “të shkurtra”, por sepse është një hallkë e rëndësishme e zinxhirit kinematografik.
Patriarkalizmi, “babai” që të rrit e “babai” që të mban me para
Kinemaja e re shqiptare ka vetëm 2 forma bulëzimi: me mik ose me para. Aq sa janë edhe shkollat e kinemasë. Shkolla e shtetit, me përjashtime fatlume është një vend ku hyhet vetëm me mik, ndërsa shkolla e Çashkut, një vend ku hyhet vetëm me para. Të dyja këto modele nuk janë të ngritura mbi talentin e një individi, edhe pse nuk e përjashtojnë atë.
Prandaj, siç thoshte një aktor i vjetër “po qëlloi një film që ‘hahet’ në temat e diplomës duhet të jemi të lumtur.” Kaq janë shpresat tona.
Sa për “babain” e vetëm të kinemasë shqiptare, në kuptimin që babai është ai që mban lekët në shtëpi, nuk ka vend për të folur shumë. Boll bëhet pësh-pësh nëpër tavolina.
E vetmja gjë konkrete që kemi është produkti. Dhe produkti, të bën të qash.
Ndër dhjetëra filma të prodhuar në këta 21 vite, uluni dhe kujtoni njërin që ju ka lënë mbresë të fortë. Pastaj, mendoni një të dytë. Po arritët ti bëni tre, do të jeni të lumtur.
Konceptet, rritja me steroide
Në TIFF-in e këtij viti arrita të shoh shumë filma të shkurtër në shqip, edhe pse jo të gjithë. Shumica e filmave të shfaqur ishin detyra shkolle, sepse, prodhime jashtë shkollës janë të rralla, sikurse fondet. Dike qenë detyra, problemet e filmave nxirrnin në pah problemet e vetë shkollës.
Ajo që munda të vë re krahasuar me filmat e viteve më parë është që ka një përmirësim pozitiv në punën me imazhin. Duke konsideruar kushtet e vështira ku ato filma janë punuar, kjo është një shpresë e ngrohtë. Montazhi, gjithashtu ka përmirësime dhe jep shpresa të mira.
Problemet kryesore të filmave të shkurtër, çuditërisht qëndrojnë në një aspekt që nuk ka të bëjë me teknologjinë e përdorur e as me fondet. Ka të bëjë me konceptet regjisoriale dhe me strukturën e skenarit.
Filmat e shkurtër të prodhuar në Shqipëri, kanë mangësi të thella në strukturë. Tentativa për të bërë filma mbi 15 minuta, a thua se minutazhi i jep seriozitet filmit është një nga konceptet më të mbrapshta që ka zënë rrënjë në mentalitetin e kineastëve të rinj. Ti shihje filma ku për minuta të tëra, nuk ndodhte praktikisht asgjë! As ngjarje, as lojë. Asgjë! Një gjase dramë që ekziston vetëm në dëshirën e regjisorit, por jo në punën e tij. Në asnjë produksion serioz, regjisorin nuk e lejojnë të abuzojë me kohën e shikuesit kësisoj. Nëse një skenë nuk thotë asgjë, prite!
Dëshira për të bërë drama të mëdha, krijon punë të dobëta
Vazhdon seria e vrasjeve, shumica e filmave përdor vrasjen/vdekjen për të shkaktuar dramë. Por, drama nuk vjen nga të vdekurit. Drama vjen nga historia. Dikush duhet t’u thotë që edhe historitë e thjeshta, mund të jenë filma shumë tronditës. Dhe mbi të gjitha, dikush duhet t’u mësojë në shkollë që film ‘eksperimental’ nuk do të thotë film absurd, ku s’merret vesh asgjë. Filmat eksperimentalë, kanë një strukturë narrative të qartë.
Lista e “halleve” vazhdon… Tentativa për të treguar histori të thjeshta në forma të komplikuara, çka i bënte filmat të pakuptueshëm. Nonsense narrative të tipit pistoleta që gjenden në një sirtar aty, pa asnjë kuptim, por meqë nevojiten për të vrarë dikë. Para nja 2-3 vitesh, ishte moda e filmave me arkivole. Këtë vit, kishim modën e nuditetit mashkullor. Të tëra, pa asnjë arsye të vlefshme pse duhej të ishin në film.
Dallimi i madh në shtrimin e historisë dukje edhe në momentin që shihje një film shqiptar, por nga jashtë shtetit. Dhe, me “jashtë shtetit” nuk e kam fjalën për Kosovën.
2 copë nga “jashtë shtetit”
Nga filmat e xhiruar në Amerikën e Veriut, mund të veçoj dy, “Glasa” të Mishel Koçiut dhe “Lena and Me”, nga Blerta Basholli.
Pritshmëria për filmin e Koçiut ishte e madhe, për shkak edhe të karizmës personale të autorit. Por, pritshmërinë time filmi e zhgënjeu.
Historia e një burri që e tradhton gruaja dhe në një kryqëzim pritet me një burrë që kishte humbur miliona në garat me kuaj. Kaq. Pjesën tjetër duhet të ta thonë që ta kuptosh se çfarë, është.
Një film që tentonte të ishte filozofik, por që filozofia e tij nuk përkthehej dot me imazh, me një lojë të dobët aktoriale, ndoshta edhe për faj të karaktereve të paqartë. Një histori, që mbi të gjitha, glasa e zogut i rrinte e tepërt. Pjesa më e mirë e filmit ishte kolona zanore e punuar nga Elton Deda.
Shumë me më pak pretendime, filmi i Blerta Bashollit ishte filmi më i mirë-strukturuar në seksionin shqip të TIFF. Të paktën, për aq filma sa arrita të shoh. Një problematikë shqiptare-amerikane, ma zgjatje, me copëra humori, e luajtur thjesht, pa teprime, xhiruar saktë. Një film, që arrinte të përcillte.
Filmat e mi të shkurtër
Përpjekjet e të rinjve për të ndërtuar filma, më kanë prekur. Sado me probleme, arrita të marr emocione personale në më shumë se një herë. Kast Hasa kishte sjellë një film interesant, histori jo e jashtëzakonshme, por e ndërtuar mirë dhe me kreshendo emocionale. Një ushtar shqiptar që për para futet në ushtrinë amerikane e humbet një krah dhe një baba, që e shtynte drejt asaj gjëje, e që e sheh botën e tij ti shembet kur traktorin e ri e pati këmbyer me krahun e djalit cung.
Por, mua më prekën sidomos dy filma.
“Kazerma e fëmijëve” i Spiros Lenës, ndonëse me probleme narrative mbartte emocion të ndjerë.
Ndërsa eksperimentali “For My Mother” i Dritan Mesarejës, ishte një poezi që më ka bërë të rrëqethem.
Imazhit, ai i kishte bashkangjitur vetëm voice over – sa vështirë të krijosh emocione me këtë – e që nuk ndjehej patetik, por i ndjerë.
Çfarë ndjen një njeri në koma? Ndoshta sheh jetën e vet që zbret nga mali, tek fëmijëria, drejt një shpelle ku mblidhet kutullaç, si fetus. Më ka rrëqethur.
Tiff-shtimi i filmit të shkurtër
Të kthehemi te drama e kinemasë shqiptare. Dramë, në të vërtetë nuk ka. S’mund të ketë dramë një gjë që nuk ekziston.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment