Monday, December 26, 2011

KOZMIKOMIKET: Njeriu i egër i qendrës së Tiranës

Botuar te Revista Klan, e shtunë, 17/12/2011


Tendenca e qytetarit të sotëm të Tiranës - atij që ka një shkollë dhe një punë të mirë, ose të paktën njërën prej tyre – është që të krijojë një perde mes vetes e qytetit. Dhe kjo nuk është e vështirë të arrihet. Ne mbyllemi në shtëpitë tona ose në zyrat tona, dalim në rrugë me qëllimin për të hipur sa më parë në makinë, zbresim mundësisht te dera e vendit ku duam të shkojmë, zyrë apo kafene, aty rrimë vetëm me një grup njerëzish në prani të të cilëve punojmë të qetë ose ndjehemi të mbrojtur. Televizori është kontakti me botën që na rrethon, e kjo na mjafton.

Një nga arsyet pse fshihemi ka lidhje me atë që ndodh fare pranë nesh.

Qeni që ngordh për ujë

Është një vend, mu në qendër të Tiranës ku lahen makina. Djemtë që punojnë aty janë nga modeli i atyre që shkojnë për të punuar (për të larë makina) me këpucë lustrafin me majë përpjetë.
Një qen i vogël i lidhur me zinxhir, që po thahej për ujë vetëm pak metra më tej në vendin ku uji është me shumicë.
Djemtë që lajnë makinat vetëm shajnë me fjalë të ndyra tërë kohën, për çdo gjë. Janë nga ai modeli që edhe kur hanë bukë, shajnë lugën, pjatën, karriken, tavolinën, gjellën, çdo gjë që i rrethon.
Një makinë me targa CD, brenda një çift kroat, ndaloi për të larë makinën ndërsa gruaja zbriti për të ushqyer qenin.
Djemtë, filluan komentet e ndyra me zë të lartë për gruan. Kur gruaja iku, dhe nuk kishin punë për të bërë, filluan të shanin me fjalët më të ndyra njëri tjetrin, kot, për të shtyrë kohën. Dhe nuk bëhet fjalë për të bërë shaka apo batuta banale. Jo, edhe kjo është tepër e sofistikuar për ta.

Këta djem janë egërsirat e reja të xhunglës sonë të re.

Si lind një egërsirë në xhunglën shqiptare

Në krejt sjelljen e tyre bie në sy egërsia, në komunikim me të ngjashmin e tyre, me kafshën, me të huajt, me punën e me qytetin.
Dhe më e trishtueshmja, ata nuk janë ashtu sepse duan vetë. Ata, as e dinë pse janë ashtu.

Problemet e tyre fillojnë që në bark. Kujdesi e kultura shëndetësore ndaj nënës së tyre mungon. Që në bark kanë dëgjuar britmat e ulërimat nëpër shtëpi. të babait, të vëllezërve apo të televizorit.

Të ardhur prej provincave, të parët e tyre kanë zaptuar një tokë. Duke përfituar nga padija dhe nga etja e tyre për të hedhur rrënjë diku në shumë raste dikush ua ka “shitur” tokën e tjetër kujt, u ka marrë lekët, dhe ata me vonesë e kanë kuptuar se i kanë mashtruar. E vetmja zgjidhje e babait të tyre (deri dje) ka qenë që të ruante me pushkë në tarracë këdo që do të shfaqej për t’ia marrë shtëpinë.

Në shkollë, njësoj si mësuesit e tyre, kanë shkuar me detyrim. Shkollat e tyre janë më tepër qendra riedukimi, ku më i forti “riedukon” më të dobëtin. Dhe më i dobëti rreh të motrën, të ëmën, bërtet nëpër shtëpi që kur është 14 vjeç.
Sigurisht, vjen ndonjë mësuese që mendon se do ti zbusë duke u lexuar Pushkinin. Por ai i tyri nuk është Hollivud, dhe nuk ka Gangsta’ Paradise. Filozofia e tyre është “qëngjit të urtë i ... nëna”.

Dikur, u duhej 1 autobus për të ardhur në qendër të Tiranës. Tani, u duhen të paktën 2.

Ata kanë jetuar në geton e tyre pa rrugë të shtruara, pa ujë të pijshëm, duke vjedhur korrent (babai rri me pushkë mbi tarracë), dhe korrenti u duhet për të parë televizor, ata e kanë njohur botën përmes televizorit. Idhulli i tyre është Van Dami, i vetmi që mund të mbijetojë në xhunglën e periferisë. Ata nuk flasin me femra, ndryshe do hanë thika nga familjarët e vajzave. Ata e identifikojnë dashurinë përmes Channel X.

Më të aftët e xhunglës, u morën me punë të pista, e kapën veten, shkuan në Londër. Puna e tyre fulltime është të bëjnë xhiro me makinë për të shijuar statusin e tyre. Part time, bëjnë ato punët e tjera që u sjellin para.
Më të dobëtit, lajnë makina, dhe presin të ikin në Londër. Që pastaj të bëjnë xhiro me makinë dhe ata. Ata janë të frustruar, sepse me standartet e xhunglës, janë të dështuar. Pa makinë për xhiro, pa para, pa dashnore, pa Londër.

Në qendër të Tiranës ata zbresin vetëm në 2-3 festa popullore: 14 Shkurt, 15 mars... Aty ku nuk duken. Aty ku ka turma të mëdha qytetarësh janë dhe ata, të organizuar në tufa djemsh të rinj që vijnë vërdallë të etur për të parë femra, për të parë çifte, për të pirë e bërë sherre kaposhësh, për të sulmuar qendrën si një tufë karkalecash të pangrënë.

Ata janë njeriu i ri i tranzicionit.
Ata ngjajnë të egjër në qendër të Tiranës. Imagjinojini si do ngjanin në mes të Parisit!

Azapët

Faji, sigurisht që nuk është i tyri, është i sistemit.

Herë pas here, egërsirat e xhunglës sonë vijnë deri te dera e sistemit tonë. Ngrenë pankarta. Bërtasin, e më të rrallë gjuajnë dhe me gurë. Në ndonjë rast përfitojnë për të marrë edhe ndonjë lek nga organizatorët. Bërtasin, por, asnjëherë për veten e tyre. Bërtasin për kauzat e të tjerëve. Identifikojnë armikun tek një individ i vetëm dhe çirren me fjalorin e tyre vulgar e të dhunshëm për 20 vjet rresht kundër tij.
Të trajtuar e të rritur si qytetarë të dorës së dytë, pjesëmarrja e tyre në shoqëri është vetëm në rast betejash. Pjesëmarrja e tyre në politikë, vetëm tribale.

Ata, janë azapët e politikës.
Janë trupa e çrregullt që përdorej në ushtrinë otomane për punët më të rëndomta dhe në orën e luftës si mish për top.
Azapët janë kapitali më i vyer i çdo pushteti. Ata nuk kërkojnë të drejta, kërkojnë vetëm hakmarrje për gjendjen e tyre. Dhe, bariu i zgjuar mund ta orientojë hakmarrjen e tyre të verbër siç do ai e ku do ai.

Të rritur në xhungël, por xhungla e tyre është burg. Një burg prej nga dalin vetëm 2-3 herë në vit për festë, dhe çdo ditë në mëngjes për në punë. Një burg, ku kthehen çdo pasdite.

Projektet serioze për ta zhdukur njeriun e xhunglës e për të nxjerrë nga ai një qytetar mungojnë. Fundja, kujt i intereson?

Pse xhungla e Amazonës zhduket, e jona jo?

Për fatkeqësinë e tyre dhe fajin tonë, ata janë viktimat e një sistemi të padrejtë që kemi ngritur në këta 20 vjet. Një sistem që i diskriminon në arsim, mundësi punësimi, argëtim, banim, gjuhë, akses në çdo të mirë shpirtërore. Ata janë anës dritës, të paparë.

Edhe ata do të donin të kishin një perde për të mos parë, por puna i detyron të shohin jetën që bëjnë disa të tjerë. Makinat e tyre, gratë e tyre.

Çdo gjë që nuk kanë, e shajnë me fjalë të ndyra. Nxjerrin mllef verbal ndaj çdo gjëje që nuk është e ngjitur pas trupit të tyre, sepse e tyrja është vetëm ajo që kanë në trup. Çdo gjë jashtë tyre, është sistem. Sistem, domethënë armik.

Zhdukja e njeriut të xhunglës së tranzicionit kërkon projekte shumë serioze, dhe kohë. Por politika jonë është jo-serioze, e mbi të gjitha, e përkohëshme. Kërkon një sistem arsimor tjetër, mundësi ekonomike të tjera, rivitalizim të periferive, futje të shpirtërores atje ku ka vetëm çimento, ngritje qendrash arti atje ku ka vetëm TV, saç mbi tarracë e Channel X.

Ata mund të asimiloheshin pak nga pak në qytetërim, por, lëngu i qytetërimit tonë po thahet. Sistemi është jo-miqësor me krijesat qytetare. Duhet çdo ditë pak instinkt xhungle për të mbijetuar. Egërsia e xhunglës ka kapur ekonominë, administratën, deri edhe artin. Për mbijetesë, duhet të tregosh dhëmbët, të shqyesh e të shash. Protestoni me vezë mbi një ndërtesë partie, po jua mbajti. Ka shkrimtarë që zihen me grushte për punë botimi.

Më të qytetëruarit, të shkolluarit, të ndjeshmit, po ikin. Prandaj rrugët tona janë 2: ose të ikim, ose të vemë një perde mes nesh e jo-qytetërimit.

Kthimi tek qeni

Ka një qen të lidhur, tek një lavazh në qendër të Tiranës. Një qen, pranë ujit i papirë. Herë pas here, nga një makinë me targa CD dikush i çon për të ngrënë.

Tendenca e qytetarit të sotëm të Tiranës - atij që ka një shkollë dhe një punë të mirë, ose të paktën njërën prej tyre – është që të krijojë një perde. Më saktë, një perde mes vetes dhe qytetarit tjetër të Tiranës, atij që nuk ka as shkollë e as ndonjë punë të mirë. Atij që vetëm shan.

Kjo perde, nuk e zhduk njeriun e egër të qendrës. Më e pakta, perdja jonë do bëjë që qeni të ngordhë nga etja.

No comments:

Post a Comment