Saturday, December 10, 2011

Thatcher dhe Gymysh

botuar te 'Gazeta', dt 7 dhetor 2011

Naked është ndoshta filmi më i mirë nga britaniku Mike Leigh, që çuditërisht është prodhuar në një nga periudhat më të trishta të kinemasë, në vitet '90.
Filmi që ka marrë 2 palma të arta në Kanë për regjinë dhe aktorin më të mirë, që në sekuencat e para, nis me një përdhunim dhe një vjedhje makine nga personazhi kryesor i filmit, i luajtur nga David Thewlis (ndoshta qe pikërisht ky film që e solli aktorin 'lakuriq' në vëmendjen e kritikës) (Thewlis, luan Lupin tek Harry Potter). Më tej, e tëra është një udhëtim në Londrën post-Theçeriane e zhytur e tëra në depresion e melankoli. Impresioni i parë i filmit, pasi e sheh është që në të nuk ka asgjë, AS EDHE NJË GJË, prej Gymyshi, që është edhe kryefjala filmike që gicilon interesin artistik të shumicës së shqiptarëve. Kjo është një komedi e zezë, dhe frika ime është që shumica e shqiptarëve e ushqyer me drama komike all-Gymysh nuk do arrijë dot kurrë tek ky film. Sepse, në të nuk ka asgjë familjare. Asgjë nga soft-pornografia emocionale me të cilin 'arti' ynë televiziv formaton jetën.

Më angleze se kaq...

Naked është një komedi e zezë dhe personazhet janë thuajse të tërë jashtë normales.
Tek 'Naked' ne ndjekim personazhin kryesor, Xhonin, një filozof rrugësh që i pëlqen të mos bëjë asgjë, për të takuar me rradhë bashkë me të personazhe komikë e depresivë njëkohësisht, mes tyre një rojë që ruan hapësira boshe, një tip të pasur e pervers që hyn në shtëpinë e botës dhe shtrihet të flerë i veshur vetëm me slippers në divan, një femër që e vetmja gjë që ka për ti ofruar një mashkulli është: “mos do dhe ca fasule”, një femër që i ngjan Angela Merkel dhe është femra me jetën më monotone në botë (Lesley Sharp), një grua që kërcen në dritare me veten deri natën vonë, dy skocezë të pashtëpi e të pangrënë me një sens dashurie si të romëve tanë, një infermiere që nuk çon dot asnjë fjali deri në fund.

E tërë kjo galeri njerëzish është e lidhur me një skenar shumë fin, dhe i ngjizur me një mjeshtëri regjisoriale tepër impresionuese. Filmi vetë është një poezi regjisoriale, me imazhe që edhe pa pasur fjalë të flasin me fotografinë e tyre, me dritën, me këndet e xhirimit, me lojën e personazheve... P.sh., skena mes aktorit kryesor edhe dy femrave që zhvillohet pa fjalë por me lëvizje nervoze mes dy dhomave e shkallëve me një kamera që thjesht i ndjek me një plan të vetëm.

The number of the beast

Xhoni futet në disa shtëpi, ku vëzhgon me cinizëm të zotët në mungesë. Një statujë greke e një atleti në hedhje disku, për të është një shpërndarës picash i lashtësisë. Para një skeleti në dhomën e një infermiereje që gjendet në Zimbabwe për punë ai mediton para hartës së një skeleti njerëzor: “A e di çfarë më habit me trupin njerëzor? Që është mekanizmi më kompleks i gjithësisë e prapë është kaq i heshtur.”

Ai shpërthen në një seancë filozofike teologjike me një rojë që ruan “hapësirën”, tiradë pak e lodhshme për këdo student filozofie, por që hedh ide humaniste njëra pas tjetrës si një grua që godet të shoqin me enët e kuzhinës. Apo mos, kjo puna e gruas që gjuan me enët e kuzhinës është një klishe?

Fundi i perëndimit

Xhoni vjen vërdallë nëpër Londër i pushtuar nga ethet e Apokalipsit të vitit 1999, një apokalips që në të vërtetë ka ardhur, duke gjykuar nga rrënimi emocional i botës që e rrethon në rravgimet e tij. Dekadenca e një Perëndimi – pse jo edhe një imazh cinik i atyre që kanë ende respekt për Theçerizmin – na vjen përmes përpëlitjeve intelektuale të Xhonit.
Duket sikur për të shpëtuar nga ajo që e mundon ai kërkon vetëm dhimbje dhe seks. Prandaj është shqetësues.

Por, njerëzit rrotull tij nuk janë më pak dekadentë në perversitetin dhe sjelljen e tyre. Një dekadencë që nuk do të mund ta gjejmë kurrë në një telenovelë turke ku ndërthuret luksi me flërtet me fund të mirë. Nuk ka pasur e s'do të ketë kurrë flërte me fund të mirë. Përveçse në telenovela. Por, siç thotë Brian tek Naked: Një klishe është plot me të vërteta, ndryshe nuk do të ishte një klishe.

Canceled

Klishetë tek Naked, dalin lakuriq.
Vitet '90, ishin të veshura me emocionet e fitores së perëndimit mbi lindjen, gëzim i parakohshëm ky. Naked e eksploron njeriun me anët e veta të errëta ashtu si asnjë Gymysh nuk do ta bënte dot kurrë. Fundi i perëndimit nis pikërisht aty, tek ai burrë që endet i pastrehë në rrugët e Londrës ndërsa një punëtor ngjit posterat e 'Therapy?' mbi ato të 'Megadeth – Symphony of Destruction'. E më pas, mbi këto të fundit, njoftimin Canceled!

Naked, mund të mos jetë një film që ti ke dëshirë ta shohësh qindra herë, si Notting Hill. Por, është një film që të shqetëson e të bën të mendosh. Nëse për të kuptuar femrat duhet të shohësh Notting Hill,për të kuptuar meshkujt duhet të shohësh Naked.

No comments:

Post a Comment