botuar te 'Gazeta' dt 9 Nëntor 2011
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga filimvitet ’90 kur na dukej se Europa e Amerika, ishin veç një hap larg. Në atë kohë e krahasonim veten me ta për të parë ku jemi e ku do donim të shkonim. Tani, vendin e ëndërrimtarëve me shapka në këmbë e kanë zënë pragamatistët që bëjnë pushime në Dubai. Kohët kanë ndryshuar. Prioritetet po ashtu. Objektivat janë ripërcaktuar. Tani nuk krahasohemi më me Europën, le më Amerikën (pasi dhe i kemi parë më nga afër). Tani, shohim nga Maqedonia për të parë ku jemi e ku duam të shkojmë. Drama jonë sot nuk është Europa e humbur, por, Maqedonia që na duket përherë e më larg.
Maqedonia filmike
Maqedonasit kanë e pakta një regjisor të njohur botërisht, Milcho Manchevskin (kandidat për Oskar) dhe një Luan të Artë në Venezia (Before the Rain).
Do doja të rivizitoja me mendje 2 filma maqedonas, një të Milcho Manchevskit, “Majki”, dhe një të Darko Mitrevskit, “Bal-can-can”. Kinematografia – maqedonase (siç thonë) qendron në bisht të trenit të ish-Jugosllavisë.
Bal-Can-Can
E kam parë ‘Bal-can-can’ 3-4 vjet pasi kishte dalë. Edhe pse qendrojmë shpinë më shpinë me Maqedoninë, rrallë e kruajmë kurrizin, edhe pse na ha shpesh.
Bal-can-can është filmi më i sukesshëm komercial në atë vend që nga ndarja e ish-Jugosllavisë pasi e kanë parë nja 120 mijë shikues. Fabula e Bal-can-can është një anekdodë që qarkullon prej vitesh në forma të ndryshme.
Trëndafili (Vlado Jovanovski), një maqedonas frikacak i trembur nga thirrja në ushtri vendos të arratiset nga konflikti i armatosur që po plaste në Maqedoni së bashku me të shoqen, duke tërhequr pas vjehrrën, Zymbylen. Vjehrra u vdes rrugës, ndërsa kishin kaluar kufirin bullgar, dhe ata detyrohen të kthehen për ta varrosur në shtëpi. Për të shmangur sikletet me doganën, vendosin ta mbështjellin me tapet, i cili, siç ndodh me shumë gjëra të lëna pa vëmendje në vendet tona, vidhet.
Pjesa tjetër e filmit është një rendje në kërkim të tapetit, përmes shteteve të ballkanit. Njësoj si mercedesët, edhe tapeti shitet dorë më dorë përmes tokave ballkanike.
Për arsye bashkë-prodhimi Mitrevski është i detyruar të fusë një italian në lojë, me të cilin Trëndafili niset të kërkojë tapetin me trupin e plakës. Italiani, i biri i një vëllai prej gishti të Trëndafilit, i ka premtuar të atit ta ndihmojë birin e mikut-vëlla në çdo situatë. Kjo, dhe përpjekja për ta bërë filmin që ti përgjigjet kërkesave të një audience të huaj e sforcojnë shumë skenarin, por pa e zbehur fabulën. Gjysma e parë e filmit, është një komedi e zezë e mrekullueshme. Gjysma e dytë, kalon nëpër disa klishera e grotesk deri diku të pagëlltitshëm. Gjuetarët e tapetit përshkojnë tokat ballkanike ku zbërthehen tëtrë problemet e rajonit, korrupsioni, trafiku, urrejtja etnike, luftërat pa sens, torturat e përdhunimet. Në Kroaci, psh., një skenë pa shije tregon sesi myslimanë e ortodoksë që po vriteshin, ulen në gosti së bashku sa për sytë e disa vizitorëve të huaj.
Ky film mund të kishte dështuar, si shumë tentativa të tjera ballkanike për të rënë në sy të të huajve, si të atyre që japin paratë, dhe audiencës që kërkon ekzotiken në Ballkan. Por, falë cilësive shumë të mira të regjisorit, ai krijon një komedi ku secili shtet ballkanik mund të gjejë vetveten.
Me shije të keqe, edhe skena finale, ku filmi befas (dhe pa sens) kthehet serioz dhe mafiozët kosovarë shpërthejnë në një përleshje alla Rambo miksuar me western.
Njësoj si Bal-can-Can që do e ndaja në dy gjysma, njëra e mrekullueshme dhe tjetra e lodhur e skematike, edhe filmi Majki i regjisorit që ka marrë Luanin e Artë, Milcho Manchevski.
Majki
‘Majki’ (2010), që do të thotë “Nënat” në fakt është një titull pa sens. Duket sikur regjisori, pasi ka parë një eksperiment të shkuar dëm, ka tentuar të gjejë një fije që të mund ta lidhte katrahurën.
Pritshmëria ndaj Manchewskit është e lartë në botë, si për çdo regjisori të atij kalibri. Dhe, në fakt, gjysma e parë e “Majki” tregon që ai është një regjisori i fuqishëm, njohës i mirë jo vetëm i kameras, montazhit, por dh ei skenarit e lojës së aktorëve.
Gjysma e parë të mban pezull. Është historia e dy gocave të vogla, që për lojë, shpikin një manika që i persekutonte. Me finesë e vërtetësi, autori, na fut në psikologjinë e fëmijëve që arrijnë të mashtrojnë dhe nënën e tyre.
Pas episodit të fëmijëve, ndjekim historinë e 3 të rinjve që duan të xhirojnë film në një fshat malor ku jetojnë vetëm 2 pleq, vëlla e motër, por që nuk flasin prej vitesh me njëri-tjetrin. Kjo pjesë të ngre emocionalisht e të mban pezull prej karaktereve të forta të personazheve – të rinjtë në një trio dashurie-tradhëtie, pleqtë mes ekzistencializmit fizik e njerëzor. Loja e ‘plakës’ Ratka Radmanovic ishte një tjetër pikë e shkëlqyer e filmit. Por, tamam aty ku ti prisje që filmi të të çonte në një tjetër nivel dhe që 2 historitë e para të lidheshin, regjisori, me një tentativë thellësisht ballkanase për “të çuditur” botën, i futet një eksperimenti.
Historia e tretë është ajo e dokumentarit mbi një vrasës serial në një qytet të vogël. Filmi, pra, shndërrohet në dokumentar, si nga stili i xhirimit, dhe nga struktura dramatike. Magjia vdes. E tëra më pas është një kronikë TV me shije shumë të keqe që të shtynte të dilje nga kinemaja. Finalja e këtij pseudo-dokumentari është që vrasësi ishte një gazetar lokal.
Dhe pasi ju kam treguar tre episodet që nuk lidhen gjëkundi me njëri-tjetrin, ndoshta do donit të dinit, pse i është vënë titulli “Nënat”?
As vetë regjisori nuk e di. Ndoshta prandaj iu desh në konferencë shtypi gjatë premierës që të shpejgonte për minuta të tëra se ç’lidhje kishte titulli me filmin. Dhe një film që ka nevojë për kaq shumë shpjegime, nuk është më film.
E duam Shqipërinë si gjithë Maqedonia
Dy filma me dy gjysma të mira. Po ti bësh bashkë, del, matematikisht një film shumë i mirë. Një film, që po të mbledhësh shumë copëra nga 2010-a e këtej, ne nuk e bëjmë dot.
A ia vlen vërtet të flas për këto dy gjysma me gjithë gjërat që nuk shkojnë në to?! PO!
Po, për sa kohë që asnjë prodhim shqiptar nuk ka arritur që të fitojë as 1 të 120-tën e audiencës së Bal-Can-Canit dhe asnjë regjisor shqiptar nuk ka marër ende një Luan të Artë si Milcho Manchevski.
Dhe të mendosh që Maqedonia nuk është vendi më kinematografik i Ballkanit. Ajo vjen pas Kroacisë, Greqisë, shumë, shumë pas Rumanisë, pas Serbisë... Për fat të keq është modeli që do na duhet të ndjekim. Edhe në kinema.
Harrojeni Hollivudin, Kanën apo Toronton.
Mos tia ndajmë sytë makinës së fundit të garës, asaj që është para nesh. Maqedonisë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment