Monday, May 24, 2010

DREKA E DARKA QË NUK TRETEN MIRË

Botuar te Shekulli, 23/05/2010

URIA PAS GREVËS

Ikja e baballarëve të kombit për të ngrënë darkë në Strasburg, na la të tërëve të merrnim frymë pak lirshëm e të zinim kohën me diçka.
Më bëri përshtypje fakti që i thirrën për darkë. Mbase, në Strasburg kujtonin se kanë ndenjur të dy pa ngrënë gjatë grevës së urisë... prandaj do kenë menduar, të hanë njëherë, pastaj të diskutojmë me barkun plot.
Ndërsa Berisha e Rama zhvillonin darkën e tyre të gabuar në Strasburg unë zgjodha diçka më modeste, Darkën e Gabuar në Tiranë.
Kjo vinte pasi kisha dështuar gjatë javës për të pasur një drekë të saktë me Orhan Pamukun, gjëja më e bukur që kam lexuar këto 3 vitet e fundit.

DREKA ME ORHAN PAMUK

Lajmi për ardhjen e Orhan Pamuk në Tiranë më shkuli një “uuuu” të madhe gëzimi. Pamuk, stambollit denbabaden, është i vetmi që mua personalisht më bind që e ka merituar pa lobingje politiko-gjeografike çmimin Nobel, të paktën nga nobelistët e këtyre 15 viteve të fundit.
Hapa axhendën e vizitës së tij për të parë me trishtim që gjatë 2 ditëve në Tiranë, lexuesve u kish rezervuar vetëm një hapësirë të vetme, një “drekë” në kopështin pa drekë të filoqylit. Them kopështin pa drekë, se vërtet aty mësojnë studentë, por nga ajo që pashë vetëm studentë që nuk ngjajnë.

Në korridor shiteshin librat e tij. Studentët, blinin më të lirin nga qejfi që ti merrnin nobelistit një autograf. Arrita të kuptoj që pothuaj asnjëri nuk kishte lexuar qoftë dhe një libër të Pamukut. E pra, pjesa dërrmuese ishin studentë të Gjuhë-Letërsisë dhe të degës së gjuhës së huaj, Turqisht. Dhe, është absurde që studentët e Gjuhë-Letërsisë të mos kenë lexuar asnjë libër të shkrimtarit më të mirë ballkanas (krahas Kadaresë;). Por dhe studentëve të Turqishtes, çfarë u duhet turqishtja nëse nuk lexojnë as njeriun më të madh që Turqia ka nxjerrë pas Ataturkut dhe Altintop-it? Ama, u sulën me vrap të zinin vendet e para, që t’u mburreshin shokëve që kishin parë nga afër një nobelist! se për të lexuar...

Dhe, këta janë studentët që do mbushin katedrat e shkollave nesër. Që do na i orientojnë kalamajtë te libri.
Në sallën, më e mira e fakultetit, por prapë e padenjë për të pritur një nobelist, ndërsa prisnim mes ajrit të ndenjur, një profesor, shkrimtar dhe ai, vinte e i porosiste studentët që të bënin pyetje, mos të rrinin si budallenj. Siç e thashë, kopësht pa drekë!
Pas dy orë pritje, rektori njoftoi që Pamuk nuk ndjehej mirë e nuk vinte dot. Mbase kishte ngrënë diçka të rëndë për drekë.

“Studentët” rendën te stenda e librave për të pyetur a mund t’i kthenin librat. Madje, kishte dhe nga ata që ngrinin zërin, thonin, “e bënë këtë për të na shitur librat”.
E kuptoni ç’krim po bëhej ndaj studentëve të kopështit pa drekë?? Po u shiteshin me zor libra!!! Siç të mësojnë shokët me zor cigaren, të hedhin gjëra në pije për të të dehur, siç të ngacmojnë horrat rrugës... ashtu, këtyre po u shisnin LIBRA me zor!!

Meraku se mos Pamukut i kish ndodhur gjë, mu fashit shpejt. E pashë si kokrra e mollës nëpër takime me zyrtarë, në instancat e larta të shtetit, në vende ku pak vetë kanë akses, duke marrë fjalë të bukura e boshe pa fund. Si të ishte një President ose një lojtar i famshëm futbolli. Lexohej qartë që shumica e atyre që takoi (për të mos thënë të gjithë) as nuk i kanë lexuar e as kanë në plan t’i lexojnë ndonjë libër.

U trishtova akoma më shumë, që Pamuk në Shqipëri takoi vetëm njerëz që nuk e kanë lexuar. Njerëz që kanë nevojë të bëjnë ca foto protokollare pranë njeriut me famë, e aq.
U trishtova. Sepse unë jam lexuesi i tij. Dhe Pamuk, më përket më tepër mua e atyre që kanë nisur ta duan pasi e kanë lexuar sesa atyre që vetëm para 2 javësh kanë marrë vesh për ekzistencën e një farë Pamuk, Pamuk.

DARKA VËRTET E GABUAR

Darka e Gabuar, josh sepse ka Kadare brenda. Humbëm Pamukun, por le të mos humbim Kadarenë. Aq më tepër që vepra paskësh fituar festivalin e Dramës Shqipe. Aq më tepër që rikthen Artan Imamin.
Regjisori Haxhiraj, e kishte dramatizuar Darkën e Gabuar përzierë me karaktere nga Kronikë në Gur, një nga librat e parë të Kadaresë.

Por “Darka e Gabuar”, doli që ishte vërtet e gabuar. Sepse, së pari, ky roman i Kadaresë është i padramatizueshëm.
Nuk dua të diskutoj Kadarenë, por vetë romani, si dhe dramatizimi i tij ishte një kopjes e zbehtë e “Kush e Solli Doruntinën”. Ishte e njëjta gjë, por me emra të tjerë dhe e përzierë me ca konspiracion Danbraunesk.

Shfaqja kishte momentet e veta të mira, që vinin falë karaktereve të mrekullueshme të huazuara nga Kronikë në Gur.
Dhe, sipas meje falë kastingut të aktorëve, që ishte në pjesën më të madhe i zgjedhur me kujdes. Xhepa, Shundi, Imami, Asqeriu e të tjerët dhanë më të mirën e tyre.

Kështu pjesa e parë, pjesa e Kronikës... ngjallte interes.
Por, bashkimi i dy romaneve vinte i sforcuar. Shfaqja ishte tepër e gjatë, 2 orë, kur mund të reduktohej në 1 orë po të hiqje pjesët e panevojshme. Sepse aty kishte skena të tepërta e që nuk i duheshin fare boshtit të ngjarjes.

Pjesa e hetuesisë, pjesa e dytë e shfaqjes, pavarësisht sforcos së aktorëve, Imamit, Asqeriut e të tjerëve, ishte e mërzitshme. Tepër e mërzitshme. E lodhshme. Nuk ndiqej dot. Tirrte fjalë pa sjellë asgjë. Konflikte të sforcuara e të sajuara. Atmosferë boshe. Të dukej sikur karakteret po përpiqeshin të të tregonin se çfarë ka shkruar Kadare te romani.

Duke vlerësuar përpjekjet për të vënë Kadarenë e vështirë në skenë, s’mund të rri pa thënë, që zgjedhja për të përdorur Voice Over ishte qesharake ndërsa përdorimi i Videoprojektorit, përveçse demode, ishte edhe një zgjidhje e vobektë regjisoriale.

ROBIN HUDI, HAJDUTI I 5 MIJË LEKËSHIT TË KINEMASË

Ridley Scott, regjisori që bëri Gladiatorin, tani, pas 10 vjetësh, bëri Robin Hudin. Vetëm se, Robin Hudi i tij ishte një humbje e madhe kohe. Me një skenar të dobët, me një histori të sajuar që nuk të thoshte asgjë, ky vetëm Robin Hud nuk ishte. Nisur nga suksesi komercial i Gladiatorit, dukej sikur regjisori kishte menduar të bënte një Gladiator të ri me një emër tjetër. Muzika gati e njëjta, linjat e ngjarjes thuajse njësoj, aktori kryesor i njëjti... aq sa për një moment kujtova se Robin Hudin e kishin bërë me copat e pelikulës të mbetura nga Gladiatori.

Gjëja e vetme që bëri Russell Crowe, përveçse të na zhvaste lekët e biletës, ishte që na bëri të na marrë malli për Kevin Costner për të cilin ka kohë që nuk kemi lajme nëse është gjallë apo ka vdekur.
Përfundimisht, Robin Hudi me Russell Crowe, është një film për tu harruar që në 5 minutat e para pasi del nga salla. Dhimbja për lekët e biletës të çuara dëm do ju vazhdojë më gjatë se shija e filmit.

GUIDA

Njeriu trishtohet kollaj nga një dramë e paarrirë, ose nga një shkrimtar i patakuar. Megjithatë, forca që na kthen përsëri në Teatër ose te libri është më e fortë. Unë kam humbur një drekë me Pamuk, por ai nuk e ka humbur një lexues.

Kushdo që do dojë të njihet me Pamukun, do i kisha sugjeruar ta fillonte me “Unë jam e Kuqja”. “Kështjella e Bardhë” ose “Bora” mund të qe zgjedhja e dytë. “Jeta e Re” (me detyrim), mund të lexohej i treti. Dhe vetëm pas këtyre, mund të lexohet “Stambolli”.

No comments:

Post a Comment