Monday, May 3, 2010

LEONARDO DI CAPRIO DHE ÇUNAT E FUSHËS SË ZEZË

Botuar te Shekulli dt. 2 Maj 2010

Arbeit Macht Frei

Një nga gjërat më të bukura të filmit të Scorsese-s, Shutter Island, që u dha 2 muaj pas premierës amerikane edhe në Tiranë, ishte imazhi i regjisorit për Dakaun, kampin e shfarosjes naziste ku kaluan “pushimet” mbi 200mijë të burgosur prej të cilëve 31 000 vdiqën.
Pas “Pianistit” të Polanskit, nuk e besoja të shihja më një përvojë filmike aq bukur të realizuar për kampet e shfarosjes.

Në film, Leonardo di Caprio-s i kujtohet hyrja e tij dhe ushtarëve amerikanë në Dakau, kurse mua mu kujtua një kronikë TV e para disa javëve ku ishin intervistuar naziskinë shqiptarë.
Kronika në vetëvete sillte një realitet qesharak, ku ca tipa që fshihnin fytyrën flisnin për Fyhrerin e për racat, për urrejtjen e tyre ndaj jevgjve, homoseksualëve, etj.
Para nja 2 vjetësh në faqet e para të gazetave lexuam për trakte me kryq të thyer, të shpërndara në mos gabofsha në Elbasan.
Po a ka naziskinë në Shqipëri? Më saktë, pse ka?

Naziskinët dhe naziskinucët
Ajo që kemi parë në TV ose lexuar në gazetë nuk është lëvizje, nuk bëhet fjalë për ideologë e as për intelektualë filo-nazistë. Bëhet fjalë për ca çuna mamaje që kanë parë nja 2 filma me luftë, që s’kanë lexuar asnjë libër dhe kiameti kanë bërë ca search në Internet.
E përmendin Mein Kampf-in si biblën e tyre, por vështirë se u ka rënë në dorë ndonjë kopje e tij.
Ata thjesht, duan të duken dhe të ndihen.
Këtë, u vjen që ta bëjnë duke adhuruar një person me model flokësh të shëmtuar dhe (siç thuhet) gjysëm impotent - Fyhrerin.

- Heil Hitler!
- Heil! Ika çuna se u bëra vonë e më bërtet mami.

Por, dikush duhet t’ua thotë që neonazismi nuk është më në modë siç qe para nja 20 viteve. Dhe nuk bëhesh dot më interesant.

Por, nuk është vetëm snobizmi.
Kur njeriu është 15-18 vjeç, sigurisht ka impulse rebele.
Por më tremb fakti që këta adoleshentë, në vend që të kishin impulse pozitive për t’u rebeluar, të donin të bëheshin komunistë, ekologjistë, che guevaristë, marksistë, moanapocistë, rokosifredistë, budistë, zenistë, tajkondoistë, kitaristë, anarkistë, etj., gjejnë formatin më çnjerëzor në praktikë dhe më idiot në teori: nazizmin.

Janë adoleshentë të virgjër, të varfër, e të frustruar.
Ata po rriten në një ambient ku dikush “tjetër” po merr diçka që ata e ndjejnë që nuk e marrin dot. Dikush po merr pa të drejtë femrat e bukura, makinat e shtrenjta, shkollat e zgjedhura dhe punët e mira.
Por inatin nuk ia nxjerrin “tjetrit”, se ndryshe do ishin bërë marksistë, mllefin e tyre ia nxjerrin atij që është më në hall se ata.

- Do vish nesër nga Gabi të rrahim ndonjë jevg?
- Uu, po! Se do blej dhe një palë atlete se kam ngelur pa gjë.

Ata po rriten pa të dashura, pa para, dyshoj që po rriten dhe pa gjyshe. Se një fëmijë që e ka rritur gjyshja, s’mund të mbartë kaq urrejtje.
Arbeit Macht Frei – “Puna të bën të Lirë” – parrulla cinike në hyrje të Auschwitz-it, nuk u thotë asgjë, sepse ata nuk punojnë.

Këta adoleshentë nuk duan të jenë pjesë e turmës. Por, falë sistemit të mrekullueshëm të edukimit që kemi, ata nuk gjejnë dot një idhull.
Kurt Cobain është harruar, Che ishte kriminel, Beyonce ngjan si trans, Skënderbeu është demode, Nano është në Vjenë, nga Kadareja kanë frikë, Al Paçino është 70 vjeç, Prustin nuk e dinë kush është, Niçe është përkthyer keq. Kush ngelet? Hitleri. Ose, Enveri.

Neonazismi nuk është një problem shqiptar. E as ka për të qenë.
Janë vetëm ca kalamajë të papjekur që duan të ndjehen që kanë vlerë, të paktën më shumë se një jevg ose homoseksual.
Do të ishte mirë që mediat, të mos i ofrojnë snobizmit të tyre asnjë hapësirë, qoftë dhe duke i përqeshur. Sepse, do kujtojnë që dalja në TV para një flamuri të sjellë nga refugjatllëku e duke folur budallallëqe i bën interesantë.

Mbase duhen dërguar në Greqi të rrinë rrugëve nja 2 javë, të hanë dru e të torturohen vetëm se flasin shqip, e pastaj të vinë ta ringrenë shoqatën e tyre ashtu siç duhet, bazuar mbi përvojën perëndimore.

Shutter Island dhe regjisori më i mirë i gjallë

Kam 4 ditë që e kam parë Shutter Island të Martin Scorceses dhe akoma rri e mendoj për të. Jo vetëm për regjinë e aktorët. Martin Scorsese konfirmoi që është më i miri regjisor i gjallë. Personalisht mendoj që Di Caprio vlen më shumë se Brangelina bashkë, ndërsa në këtë film mbështetej shumë mirë nga Ben Kingsley e Mark Ruffalo.

Ai film 2 orë e 18 min më kapi për fyti që në 5 minutat e para e nuk më lëshoi më.

Filmi tregon historinë e dy marshallëve federalë (Di Caprio dhe Ruffalo) që kanë ardhur në ishullin ku ruhen kriminelët e sëmurë mendorë për të hetuar arratisjen e një prej të burgosurave.
A janë të gjithë duke luajtur një rol para tij? Mbase. Teddy Daniels (Di Caprio) nuk do largohet kurrë nga ky ishull.

Kurrë më parë s’më kishte rastisur që një skenë stuhie që zgjaste 2 minuta, të më fuste një ankth e emocion si në këtë film.
Gjatë filmit, dikush në sallë reagoi me britmë: “Ky na çmendi neve, si të mos çmendë atë”.
Sepse, nëqoftë se të gjithë bien dakort që të thonë që je i çmendur, atëherë ti fillon dhe e beson me të vërtetë. Kur them ti, dua të them TI! Ti që po sheh filmin.

Ndërsa gazeta do jetë në print, unë do e kem parë për së dyti filmin. Gjë që nuk do më ndodhë ndonjëherë me Avatarin.

1 comment: