Sunday, April 25, 2010

FËMIJËT E TË TJERËVE
Botuar te Shekulli dt 25 Prill 2010

Mora shkas nga një insert i Aldo Grasos te Corriere, për të parë fëmijët. Ka dy lloj fëmijësh: fëmijët tonë dhe fëmijët e të tjerëve.

“Anallim loje”

“Anallim Loje, Anallim loje” bërtisnin një tufë e madhe me kalamajë poshtë banesës sime.
Kjo lojë është 30 a 40 a 50 vjeçare, besoj qëkur hyri për herë të parë në fjalorin tonë koncepti i anullimit të një loje. Është më e vjetër se unë, e më e vjetër se shumë prej jush që po më lexoni.
“Anallim loje” është një lojë më vete. Një lojë ku kalamajtë luajnë nga qejfi që të anullojnë lojën, ta bëjnë të paqenë, ta lënë në mes, të kenë pushtetin e ikjes nga loja, ta fillojnë nga e para pa pasur rezultat. Kur këta kalamajë të rriten do bëjnë atë që kemi bërë dhe ne, “anallimin” e gjithçkaje. “Anallim” zgjedhjesh, “anallim” martesash, “anallim” vizash, “anallim” pune, “anallim” jete.
- Shef, është një bjonde me mini këtu jashtë.
- Fute brenda e anullo të tëra takimet e tjera!
E kemi mësuar që të vegjël, prandaj edhe të rritur, çdo lojë e përfundojmë me “anallim”.
Hamendësoj se koncepti “anallim loje” ka filluar me një lojë sporti. Çuditërisht, sot vetëm ndeshjet e shitura të sportit nuk anullohen më. Të tjerat – gjithçka është e “anallueshme”.
Përpara se të rriteshin e të studionin për doktorë e piktorë, 2 fëmijë të vegjël kanë luajtur në rrugica e kanë bërtitur me të madhe bashkë me të tjerët: “Anallim loje, anallim loje”. E bërtasin akoma, sa herë janë në opozitë. Shanset që të rritet një brez i ri që të ndryshojë mënyrën si bëjmë politikë janë shumë të vogla.
Sepse fëmijët tanë që të vegjël luajnë të njëjtën lojë si ne.
Sepse, siç ju thashë, loja më e bukur vazhdon të mbetet loja “anallim loje.”

“Topa-bythash”
E kisha harruar dhe vë bast që shumë prej jush e kanë harruar gjithashtu, që dikur kemi luajtur një lojë të quajtur “Topa-Bythash”. Loja, për ata që janë rritur aq të vetmuar sa të mos e luanin kurrë kishte këto rregulla: kalamajtë ulen me të ndenjura në bar. Dikush me top në dorë vjen në rreth duke u përpjekur tu godasë me top të ndenjurat. Nuk duhet të goditesh, sepse ndryshe “digjesh”.
Sot kjo lojë nuk luhet më. Nuk luhet sepse nuk ka më bar, dhe askush nuk do e linte fëmijën të luante topa-bythash në mes të bulevardit.
Nga kjo lojë mund të ketë dalë dhe shprehja aq e njohur: “larg bythës sime” që është filozofia udhëheqëse e çdo njeriu që vë ca pozitë në këtë vend. Po të mos kishim luajtur atë lojë, s’do kishim mentalitetin: “larg asaj times”, e ndoshta do mendonim pak dhe për të ndenjurat e të tjerëve, edhe atyre që s’kanë asnjë alternativë jetese e mbijetese në këtë vend.

Fëmijë që këndojnë.
Aldo Graso shqetësohej për 2 formate italiane, njëri “Io Canto” e tjetri “Ti Lascio Una Canzone”, formate televizive ku fëmijët këndojnë.
Kalamajë të vegjël që dalin e këndojnë këngë të rriturish, me tekste të rriturish, e xheste të rriturish.
Është bukur që fëmijët të kenë një spektakël krejt të vetin. Më mirë të këndojnë aty se të lozin Festivalesh te shkallët e pallatit.
Problemi është tek ajo se çfarë e si duhet të këndojnë.
Psh. Le të marrim një fëmijë që këndon në TV në një garë me shumë kalamajë të tjerë. Është një garë ku dikush eleminohet e dikush del i pari, dhe ai duhet të këndojë një këngë të famshme, psh: “Margherita”.
Teksti i këngës thotë: “perché Margherita ama, e lo fa una notte intera”. Si do i përgjigjej një prind nëse fëmija i kërkon t’ia përkthejë? Ne që skuqemi kur kalamajtë pyesin se si lindin bebet, si mund t’ua përkthejmë e shpjegojmë këtë tekst?
As na bëhet vonë. Sepse, ne duam që fëmija të na dalë në TV. Duam që të jetë më i miri. Të dalë i pari, e ti eleminojë krejt të tjerët.
Sepse prindi është qenia më egoiste që mund të bëhet dhe as e shpie nëpër mend që kjo garë një fëmije mund ti bëjë dhe dëm.
Humbja në një lojë me të kënduar mund ta mësojë fëmijën me idenë që nuk është i pari, që dikush është më i mirë se ai. Ka prindër që janë gati të japin sa para do, në çfarëdolloj konkursi fëmijësh, qoftë edhe konkurs punimesh balte, për ta blerë vendin e parë për fëmijën e vet.
Prindi do që fëmija të bëjë gjëra që vetë prindi nuk i ka bërë dot. Kjo është normale, po kur fëmija të rritet, jo kur është akoma 6 vjeç!
Prindi do që fëmija të këndojë këngë që i kanë pëlqyer dikur atij, “Margherita” e para 100 vjetëve që fëmijët as e kanë dëgjuar më parë e as e dinë kush është ky Riccardo që e këndon.
Dhe fëmija bëhet një kopje e shëmtuar e ëndrrave e shijeve të lodhura të prindërve.
Dhe fëmijët qajnë... Nuk qajnë nga emocionet e një teksti që nuk e kuptojnë. Qajnë se u eleminuan.
Dhe prindërit qajnë... Qajnë me “sa bukur e këndon fëmija im, si i rritur”. Pastaj, nxehen! Nxehen, se “duhej eleminuar Fëmija i Tjetrit, jo Fëmija Im!!”
Sepse të rriturit, garat mes fëmijëve me të kënduar i marrin shumë seriozisht. Aty ku, për fatin e keq të fëmijëve, nuk lejohet “Anallim Loje”.

No comments:

Post a Comment