I. Bermudet Artistike
10 ditët e fundit kam shkuar në katër shfaqje artistike, pa llogaritur ato falas që të dhurojnë lajmet ku populli heteroseksual ngrihet me këngë në gojë kundër një individi homoseksual. Kjo e fundit mbetet gjithsesi shfaqje artistike, edhe pse bota praktikon më shumë të kundërtën, ku është Elton Xhon që këndon për të argëtuar popullin heteroseksual, e jo e anasjellta.
II. Elektra prej Alumini
Kur lexova kohë më parë një intervistë të regjisorit, Adonis Filipit, që ishte në medyshje nëse duhej të vinte Elektrën apo Antigonën, u habita.
U habita me xhelozi që në Tiranë është dikush që ka kësi hallesh trendi: Elektrën apo Antigonën. Po ta ketë pasur merakun se cila do e prekë më shumë publikun të kryeqytetit, them se është shqetësuar kot.
Ndoqa shfaqjen e dytë në radhë të Elektrës, çka supozon se publiku duhej të ishte i zgjedhur. Gjatë gjithë shfaqjes, në Teatrin Kombëtar binin zile, feksin fytyra nga ekranet e ndezura, dëgjoheshin pëshpërima: “Jam në teatër!” (nga ana tjetër) “Pse?”, “Po shoh një teatër”! Në llozha bëhej një zhurmë e tmerrshme, karrike e stola që tërhiqeshin, të rinj që bënin gallata e loznin “bizzz” - ndërsa poshtë, trupa e teatrit po jepte shpirtin për të nxjerrë Elektrën.
Elektra kishte një novacion tepër interesant, zërin epik të Luiza Xhuvanit, që dukej si klithma e varrezave të Tufinës në netët me Hënë të plotë. Monologu i parë i Elektrës - Xhuvanit, të rrëmonte thellë e të bënte të dridheshe. Por, më tej zëri “epik” niste e të shqetësonte ngase po përdorej me tepri e herë-herë pa vend.
Kori, që duhej të ishte elementi më i fuqishëm i Elektrës, ishte anemik. Pjesa kishte disa kërkime interesante regjisoriale, por e tëra zhvillohej në një sfond makabër - skenografia - një trekëndsh letre alumini e aq! Skenografia, për fat të keq, nuk të çonte jo në antikitekt por as në Tufinë! Ajo skenografi më shumë të kujtonte filmat e lirë me marsianë që luhen te Mali me Gropa për efekt kursimi. Kostumografia, gropa tjetër e Elektrës, dukej sikur ishte marrë borxh nga ndonjë shfaqje e vjetër e Taras Bulbës. Roza Anagnostin e kishin veshur si careshë, grave të korit u feksnin rripat e sutienave me ngjyra, Elektra që mbante çizme me taka, Oresti me kambale e me xhaketë lëkure... Mbase ishin zgjedhur si tendencë, por një tendencë shumë cheap – shfaqja nuk mbante as një grimë erë antikitekt e as Sofokli.
A do shkoja për ta parë edhe një herë tjetër Elektrën? Për fat të keq, jo.
III. Playboy në Bodrum
Pas Elektrës, me vrap te salla Bodrum e teatrit të Metropolit për të parë “Playboy i Trojeve Tona” vënë nga Kiço Londo, shkruar nga një irlandez, Synge. Nuk jam fans i madh i Londos dhe vajta pa ndonjë pritshmëri të madhe. Por, eksperienca e “Playboy-t...” më doli shumë pozitive.
Një pjesë e vënë në mënyrë realiste; një publik jo më shumë se 60 vetë, që ishin 2 pëllëmbë larg aktorëve e që u hynte pluhuri i tallashit në grykë; lojë plot energji e një grupi aktorësh të rinj, ku personazhi qendror u mbajt shkëlqyer nga Lulzim Zeqja.
Shfaqja në kompleks qe mjaft e mirë, pak e zvarritur në tekst, pak e bërtitur pa nevojë në ca vende nga aktorët, por plot momente humori e karaktere interesante. “Playboy...” të bënte të ndjeheshe sikur ishe brenda asaj që ndodhte, falë skenografisë së kursyer por imponuese të Berina Kokonës të krijonte mundësinë të ndjeheshe sikur ishe mu në mes të Irlandës.
“Playboy-n e Trojeve Tona” do jua këshilloja fort edhe juve.
Merrni një garzë të pastër me vete, sidoqoftë, se do ju duhet.
IV. Përmes Lezhës heteroseksuale
Për të shkuar në Shkodër duhet kaluar nga Lezha, ku, mbase kemi fat të shohim një shfaqje falas nga kori heteroseksual antik i Lezhës që kërkon nxjerrjen jashtë spektaklit dhe jashtë Shqipërisë të një homoseksuali.
Ajo që Lubonja ka shkruar ca ditë më parë, është tepër civile (http://perpjekja.blogspot.com/) po unë jam i prirur t’i shoh me mosbesim këto lloj sportesh. Instinkti më thotë që në Tiranë duket më e fryrë se ç’është realisht ajo protestë.
Kalojmë përmes Lezhës, s’ka shenja spektakli. Më kap një lloj trishtimi. Protesta homofobe e çunave të Lezhës, qofshin këta 50 apo 50 mijë vetë, është tragjikomike. Tragjike, sepse këta djem nuk ngrihen të protestojnë as papunësinë, as përmbytjet, por protestojnë për spektakle. Komike, sepse lejen për mitingun nr 2 e paskësh dhënë policia, kur ajo duhej të ishte garant i Kushtetutës, ku homoseksualët mbrohen e martohen me ligj. Komike, sepse të njëjtët njerëz kanë votuar e do të votojnë partinë që miratoi ligjin për martesat e tyre. Akoma më komike do jetë kur nesër, ta votojnë si deputet djalin homoseksual, meqë moda e fundit është futja në lista deputetësh e VIP-ave të krijuar nëpër spektakle.
Tragjike, sepse Lezha, dhe gjithë Shqipëria, në të vërtetë është një Big Brother i madh.
Jetojmë në një reality show, dhe shohim vetëm TV. Ta nxjerrim jashtë kufirit atë peden! Bukur. Nesër, do dalim me flamuj mitingjesh për të mbështetur hyrjen në Evropë. Duke harruar që te ajo Evropa, ku duam të hyjmë, kemi syrgjynosur atë djalin homoseksual. Por, rëndësi ka që të jetë gej i atyre, jo i yni.
Të gjitha qytetet tona e kanë nga një ose disa gej të deklaruar, që i njeh gjithë qyteti. Bëhet shaka me ta, ngacmohen, nganjëherë dhe rrihen. Problemi lind kur dalin aty ku nuk mbajmë dot, në TV. Se ajo që del në TV ka më rëndësi se ajo që ndodh te dera ngjitur.
V. Absurdi absurd në teatrin Migjeni
Stefan Çapaliku ka vënë një pjesë me regji e skenar të vetin në teatrin Migjeni.
Teatri Migjeni i mbushur përgjysmë, me njerëz që ngjishen për tu ngrohur te njeri tjetri. Mezi na lanë të hynim se mbërritëm vonë, 2 minuta vonesë. U mrekullova. Nuk ka gjë më jo-shqiptare, se ligji që nuk të lejon të hysh me vonesë në Teatër.
Nga ta kap shfaqjen e Çapalikut, që është dramaturgu im i preferuar?
Pjesa ishte e shkruar shumë keq; karaktere të paqartë e që s’shkojnë askund; absurd i pajustifikuar – ta puthësh në ballë realizmin e Playboyt...; një dramë pa konflikt! Nga mesi doja të ikja, po thashë të pres deri në fund. Pastaj, ja ike nga Teatri, ku tjetër mund të shkosh në Shkodër?
Një hajdute që shndërrohet në police pa asnjë kuptim a justifikim; 4 aktorë që djersinin, por që pjesa i bënte të dukeshin qesharakë; personazhe që nga mesi i shfaqjes pinë e bëhen tapë, dhe shfaqja që shndrrohet në një absurd pijanecësh që vijnë vërdallë kot, pa thënë asgjë.
A do vija për ta parë më?? Shfaqjen jo e jo, po prej saj as në Shkodër s’do më shkohet për ca kohë...
VI. Pas Bermudeve.
...Më mirë në Lezhë! Shfaqje falas në shesh! Elektra, Playboy i Trojeve Tona dhe shfaqja e Çapalikut që ia harrova titullin, madje dhe Martesa e Gogolit luhen në Lezhë të tëra bashkë, në mes të rrugës e me lejen e policisë.
No comments:
Post a Comment