Thursday, April 15, 2010

Tartat e Prillit

Tarta t’arta
publikuar me shkurtime te Shekulli SH2 në 3 Prill
3 dëshirat dhe 1 Prilli.

Më 1 Prill shpreha 3 dëshira, meqë 1 Prilli është dita ku në Shqipëri të plotësohen dëshirat.

Dëshira e parë ishte që në faqen pas Tartave të mos ketë këshilla seksuale ku shpjegohet sesi “njihen shumë raste të adoleshentëve që lidhin litarë në grykë për të arritur orgazmën” etj. Kthejeni faqen, ju lutem.
Ka këshilla seksuale pas?
Faleminderit që u kthyet prapë te Tartat.

Dëshira e dytë më 1 Prill ishte që të bënim ca Pazar me vdekjen. Ti thoshim të na kthejë Qirjaqin e të marrë kë të dojë. Dmth, jo kë të dojë, se unë nuk dua që të më marrë as mua e as kryeredaktorin e Shekullit po sikur të merrte një politikan. Ose shumë politikanë. Ose ata që e shitën Shqipërinë. Sikur vdekja të pranonte referendume, të na kthente Agim Qirjaqin e të na merrte ca të tjerë, që le ti zgjedhim me plebishit. Vdekja nuk e bën këtë punë se e di që edhe me referendum Qirjaqit do i vidheshin votat.

Dëshira e tretë ishte që të mund të shkruaj ç’të dua, siç e mendoj, pa bërë kompromis. Të ulem para kompjuterit e të them atë që vërtet mendoj për filmin “Gjallë” a monokomedinë “Drejt Lirisë”, pa pasur merak që Minarollit do i ngelet hatri, që Erandi do kujtojë që ja bëra për inat, apo se, po bëra ca vërejtje për B. Brother Topi s’do dojë të punojë më me mua.
Ato 2 të parat, dhe mund të plotësohen. Po në një vend ku dhe njerëzit më të kultivuar e marrin si ofendim personal kritikën mbi një punë arti ose fenomen social, dhe dëshira e tretë vështirë të realizohet.



Lumi i Atdhetarisë dhe dy monedhat për të kaluar të vdekurin.

Ca ushtarë grekë, kanë kënduar këngë ku duan të marrin lëkurën time e tuajën e ta bëjnë papuçe ose kuletë. Kjo lloj ksenofobie mund të gjendet vetëm në cepat e largët të perandorisë, në periferitë e Evropës së Bashkuar. Dhe ne që jemi mësuar me grekët, normalisht do duhej ta kishim marrë me të qeshur e me të tallur.
Por, jo!
Ne dogjëm një flamur grek e dolëm për të protestuar (jo në Tiranë, ama, Tiransit e kanë për turp ti shohin në protestë) kundër Greqisë. Na shkau dhe ndonjë fjalë “Greqi, Greqi të q.... m..... q.... b..... r.... k...... t.... k.....”
Gjëja që po më shqetëson personalisht në tërë këtë meselenë e këngës së një grupi ushtarësh është një dallgë pseudo-patriotizmi që duket se i ka përfshirë të gjithë.

Vura dikë të bënte search për mua në FaceBook, që momentalisht është gropa septike më e madhe ku mblidhen njerëzia bashkë për të derdhur jashtë-mendimet.
Gjeta me dhjetëra grupe kundër Greqisë. Si psh:

* A mund te gjejme 100 000 Shqipetar qe urrejne Greqine?
Ose
* PERGJIGJIA JON KUNDER GRUPIT GREK QE KA 65.000 FANSA NE 200.000!!!!

Në këto grupe urrejtjeje (jam i bindur që dhe grekët kanë plot të tilla) përveç gabimeve të frikshme gramatikore gjen perla të vërteta dhune verbale e shpërthime emocionesh brutale. Psh, ja ç’lexon te grupi i fansave kundër Greqisë:

CJAN ATA NE ATE BREG?
obobo na qenkan grek
kujdes cuna mos ju kapin
se pastaj te rruajn trrapin

rra nje shi vendin e lau
cpati greku qe na shau
kerkojn te na ulin pjacen
grek o grek te q**sha rracen

por shqiptaret more mut
kur skishin cte hanin
hanin plu,ba dhe barut

(vazhdon dhe më gjatë, po më dhimbasen drurët që priten për të prodhuar këtë letrën ku më duhet të riprodhoj diarrenë vjershëtore të mësipërme)
....
Ose dhe më thjesht:

o greqi fuck uuuuuuu tq***** roptttttt
(Yjet i vura unë për efekt artistik)

Janë me mijëra shkrime të tilla urrejtjeje të bashkëshqipfolësve tanë që nuk kanë asgjë ndryshe nga kënga raciste e ushtarëve grekë.
Gjëja e parë që të bie në sy, është që vjersha më sipër është plot gabime drejtshkrimore, dhe i vetmi rresht i shkruar pa gabime është: “por shqiptaret more mut”. Duket qesharake, por kjo do të thotë shumë. Urrejtja zinka vend më shumë në ata njerëz që nuk dinë të shkruajnë as gjuhën e vet.
Pastaj, jam kurioz, kur paskemi ngrënë plumba dhe barut? Kur shitëm Ali Pashën? Kur puthnim dorën e Enver Hoxhës o Tunxhatjetës? Kur çonim në vdekje Vilsonin? Kur spiunonim njëri-tjetrin? Kur çonim çupat e tezeve në Belgjikë? Kur shesim ndeshjet e kombëtares? Apo kur çliruam Kosovën me avionët e Natos? Apo kur ndërruam kombësinë me dokumente të falsifikuara për të marrë pensionet greke? Kur qenkemi bërë ne kaq të papërkulur e trima?

Por më të prekur rezulton se janë shqiptarët që kanë nga 20 vjet që jetojnë jashtë Shqipërisë, kalamajtë e të cilëve nuk dinë as shqip. Shkruan një bashkatdhetar nga Amerika:

F..K GRECCE,COBANET E EVROPES

Ose
0 sa turp me qen grek ooeeeee ooooeeeee....turpi botes esht greqia oooeeeeeeee oooooeeeeeeeeeee..

Ose
grecck nuk eshte se ju uurejm thjesht ju duam te vdekur

Ku është ndryshimi i këtyre djemve atdhetarë, nga ata ushtarët grekë atdhetarë? Te civilizimi! Jemi të 2 kombe të kompleksuar, të ndrydhur e të pacivilizuar. Prandaj mangësitë e mosrealizimet tona si individë e si popuj, i shpërthejmë instinktivisht duke urryer dikë, ashtu, në përgjithësi.
Dallimi ndërmjet kombeve të civilizuara dhe atyre të pacivilizuara, është që të pacivilizuarat djegin flamurin e tjetrit, ose “rrjepin” lëkurët e tjetrit, dhe këto kombe jemi ne dhe Greqia. Të civilizuarat djegin flamurin e tyre ose qeverinë e tyre. Në kohën e luftës në Irak, digjej vetëm flamuri amerikan. Arabët e digjnin nga urrejtja, amerikanët e digjnin në protesta kundër luftës.
Nacionalizmi, thoshte Ajnshtajni, është sëmundje foshnjore, është fruthi i njerëzimit.
Më habit fakti që “atdhetaria” jonë, ndizet kur sheh një video, por nuk preket fare kur industria kombëtare, telefonia, sistemi bankar (që është aksesi financiar në një vend), kisha orthodhokse (që është aksesi shpirtëror) dominohet nga grekët. Sikurse ushqimet, transportet dhe energjia, janë në dorë të serbëve.
Në varrezat e ushtarëve grekë të sapomiratuara nga parlamenti shqiptar thuhet që ka kocka grash e fëmijësh shqiptarë.
Por, ne atdhetarët nuk protestojmë për varrezat. As për vijën ujore. As për radhët e gjata te ambasada greke. Te këto, mbajmë! Ama, ajo kënga e ushtarëve (që e kanë trurin sa një kokërr misri, helbete, ushtarë) na paska prekur aty ku s’mbajmë fare.
Të vetmit që mund ta kenë të përligjur (deri diku) urrejtjen, janë ata që kanë vuajtur personalisht mbi vete dhunën e ksenofobinë greke. Po më duket e tepërt që shqiptarë me pasaporta amerikane, fëmijët e të cilëve nuk dinë as shqip të derdhin gjithë këtë maraz të zi. Po të ankoheshin kundër ushqimit kinez ose mungesës së domateve bio a djathit të bardhë në Ohio, atëherë po, ka kuptim.

E vetmja gjë që realisht na e mban ta bëjmë, është të ulemi në kompjuter e të shajmë, me një shqipe të shkruar keq, e duke ri-postuar vjersha të shkruara nga analfabetët. Dhe kur vjen puna për një aksion civil për të ndrequr këtë vend ku po na bëhet lëkura shollë, prej vërteti e jo me këngë nga tanët, s’kemi as dëshirë as kohë, jemi në Facebook.
Sepse, ne s’funksionojmë më si popull, po të perifrazoj Jacopo Fo-në.
Funksionojmë vetëm si popull në Facebook.


AntiKrishti – Lars Von Trier

Një mama 27 vjeçare e kishte parë “AntiKrishtin” e Lars Von Trier-it dhe ma përmblodhi me 2 fjali: “Film koti. Ajo femra ishte shumë e shëmtuar dhe më bëri të mos dua të jem më femër”. Sa mirë që nuk u nisa nga këto fjalë, se do e kisha lënë pa parë atë është filmi më kontroversial i vitit.
Të paktën për këtë film, duhet nxjerrë një rregullore: përveçse ndalohen fëmijët nën 18 vjeç, ndalohet kategortikisht ngrënia e kokoshkave gjatë filmit!
Ishte banale që ndërsa në film një nëne i vdiste fëmija, pamjet shoqëroheshin me zhurmën e bulqinjve që përtypnin kokoshka. Po shpejt, kokoshkat u ngecën në fyt, nofullat s’po u bindeshin më, zemra nisi t’u rrahë fort, sepse Antikrishti nuk është kot filmi më shokues i vitit. Nëse jeni nga ata që e lënë kanalin e platformës vetëm te “Komedi”, ky film nuk bën për ju. Nëse jeni fansa të Megan Fox apo të “40 vjet i virgjër” mos shkelni në kinema. Nëse keni qarë me “Notting Hill” mos e prisni atë biletë. Nëse ju pëlqen Rihanja mos u afroni fare te Antikrishti.
Po nëse doni të rrezikoni, të futeni në një botë tjetër, të shihni një film si ai që nuk e keni parë kurrë më parë, të hidheni përpjetë nga emocionet e ankthi, ta lini regjisorin t’ju kapë për fyti e t’ju përplasë pas ndenjëses, atëherë, ky është filmi që bën për ju. Nuk dua t’ju them më shumë. Sepse, është shumë e vështirë ti bësh një rezyme këtij filmi, ose dhe ti përgjigjes pyetjes: “Mos vallë me këtë film Larsi ka shkuar shumë larg?”
Ky film gërmon aq thellë në psiqikën njerëzore dhe imazhet janë aq të fuqishme sa do më bëhej qejfi nëse vendosni të mos e humbisni.
A do hyja për ta parë prapë? S’ma mban.
Filmi ka dhe lirikë, ka dhe seks, ka dhe horror, ka dhe bukuri, ka dhe trishtim, të lë dhe të menduar dhe çuditërisht, ti del nga kinemaja i lehtësuar.
Nëse vendosni ta shihni “Antikrishtin” merrni dikë që ti shtrëngoni dorën, ose do përfundoni duke çjerrë me thonj kolltuqet e rehatshme të imperialit. Ky film, do ju bëjë të flisni gjatë për të (edhe me vete, madje).
Ky film thotë më shumë sesa duket me të parën.
Dhe mos harroni fjalët e dhelprës “Chaos Reigns!!”


Mbi dëshirën e tretë

Është shumë e thjeshtë. Ulemi në një kompjuter, hapim një account facebook me emrin e vërtetë ose me emër të stisur, (Saranda Palla, p.sh. se është pseudonim mbresëlënës) futemi në forume dhe mund të shajmë çdo gjë e çfarëdo, që nga Minarolli, Drejt Lirisë, Reality Show-t, Lars Von Trieri, grekët, motrat e tyre, familjet e tyre apo flamuri i tyre.
S’u pëlqejnë komentet që bëjmë në FB ose në blogje a forume? Atëherë, po deshën, le të shkojnë të kapen me atë që i ka shkruar, Saranda Pallën.

No comments:

Post a Comment