Botuar te Shekulli SH2 më 18.04.2010
Tirana NUK u bë dot e Pirandelos
Për mall të Pirandelos kalova nga Teatri. Vihej premierë “6 personazhe kërkojnë autor.”
Kur, sa pa filluar shfaqja pashë në skenë nja 2 karrike e një shkallë, më zuri apendisiti. Më zë sa herë kam parandjenja të liga. Kujtova se prapë do të na jepnin një shfaqje ku skenografia bëhet me 2 lekë, me 2 dërrasa e me 2 teneqe. Për fat jo. Më vonë u ngrit perdja dhe skenografia ishte e kuruar dhe funksionale. Më ka pëlqyer Genc Shkodrani që në skenografinë e Frankut V, më pëlqeu edhe tani. Kostumografia nga Anila Zajmi ishte pika më e fortë e shfaqjes, por për fat të keq e fundit.
Sepse, Pirandelo NUK erdhi. Pjesa ishte e hallakatur dhe jo integrale.
Ajo që binte në sy ishte përpjekja e nja 2-3 aktorëve të rinj për të dhënë diçka të mirë, por garda e vjetër duhet futur në dollapet e Teatrit e të mos dalë më që andej.
Fatos Selës i humbiste shpesh teksti nëpër dhëmbë, dhe roli i tij ishte rol kryesor, një rol që ai e luajti tërësisht së jashtmi. Marjeta Ljarja nuk solli asgjë më shumë se “Kur po xhirohej një film”. Nga personazhet me të zeza, ajo që linte mbresa e që meriton lavde ishte Eftiola Laçka, e cila u përpoq ti jepte Pirandelos një zë. Edhe pse roli i saj dukej se nuk lëvizte shumë nga ai që na propozoi te “...Virxhina Wolf”.
Pjesa gjithsesi kishte momente të mira, si momenti i vdekjes së vajzës. Por, më thoni pak, në cilën vepër sado të dobët, nuk do prekeshit nëse vdes një fëmijë i vogël?
Ajo që të vriste veshin tek “6 personazhet...” ishte muzika. Kishte shumë muzikë, për të mbuluar ndoshta gropat e aktorëve. Dhe për më tepër ishte muzikë e vjedhur. TK duhet të parashikojë që të paguhet një muzikant. Muzika nuk mund të vidhet nga filmat, aq më tepër nga filmat shumë të njohur. Sepse, ndërsa luhej finalja e “6 personazhe...” unë imagjinoja “Requiem For a Dream”, nga ishte marrë muzika.
Pirandello vetë e ka marrë një Nobel, e nuk ka nevojë ti ngresh lavde pas 90 vjetësh.
Por unë besoj që për fat të keq të Xhelilit, këtë pjesë e vranë aktorët. Dhe aktorët, janë ata të Teatrit Kombëtar. Prandaj teatri, duhet të ndryshojë politikat e punësimit të aktorëve, që ne të mos shohim përherë të njëjtat fytyra që na japin të njëjtën mungesë emocioni.
Mendojmë për kokën tënde
Gustoja, është hobi jonë kombëtar. Ne kemi herë gusto me shije, herë gusto pa shije.
Prandaj po lulëzon në vend qethtaria. Jo ajo e deleve, e njerëzve. Mbase depresioni na ka bërë më leshatorë, mbase stresi i hyrjes në Evropë na i ka thinjur krrelat e na duhet ti lyejmë më shpesh, ndoshta jemi popull artist... gjithmonë duke folur për leshrat e kokës.
Ka nga një parukeri çdo 10 banorë. Sapo ngrihet një pallat i ri apo një bllok pallatesh gjëja e parë që hapet është një parukeri. Jo ushqimore, as bilardo, as kopësht kalamajsh e as farmaci, por, parukeri. Rëndësi ka si dukemi jo çfarë hamë apo sa dimë.
- Isha te “Berberi i Seviljes”
- Ku e ka dyqanin dhe sa e ka krehjen?
Sepse për ne ajo që mbulon kokën është më e rëndësishme se vetë koka.
Sepse, parukeria është dhe opera, dhe bibliotekë, dhe teatër dhe kopësht fëmijësh. Edhe pikë informacioni turistik.
Ajnshtajni i priste flokët vetë, se mendonte që berberët nuk na duhen. Po ne kemi më shumë gusto se Ajnshtajni!
Check in për te Carmen
Për të hyrë në premierën e Karmenit, te dera nuk të prisnin biletën por të prisnin kostumin. Sepse, atë natë në Opera vinte Kryeministri dhe truprojat bënin kontroll të imët te dera.
U bëra merak nëse truprojat kishin kontrolluar armët e balerinëve, meqë ishin nja 5-6 pushkë e nja 2-3 thika që qarkullonin në balet gjatë shfaqjes. Balerinët janë po aq të rrezikshëm sa dhe gratë e veshura me fustane mbrëmje të cilave po u kontrollonin çantat te dera.
Ama, gjatë tërë Karmenit u ndjemë shumë të sigurt.
Në hapje, Drejtori i TOB, Zhani Ciko foli 20 sekonda për Karmenin, 30 sekonda për Ambasadën Italiane që e mundësoi sjelljen e veprës dhe 8 minuta për Kryeministrin e vendit dhe faktin që pa të nuk mund të bëhet art në Shqipëri. Pati njerëz që kujtuan që Kryeministri me siguri kishte rol kryesor në baletin që pritej të fillonte, kaq gjatë u fol për të.
Përtej Cikos dhe truprojave që në fund të fundit po bënin punën e tyre, Karmeni ishte një shfaqje e jashtëzakonshme, nga ato që nuk duhen humbur. Ishte një show që duhet të na tregojë neve që kënaqemi me rrecka se si duhet të jetë një shfaqje në Opera.
Thuajse gjithçka qe italiane, që nga dirigjenti e tek koreografi, që nga kostumet e te skenografia që ishin të importuara. Pa folur për muzikën e Bizesë që është një nga 5 pjesët operistike më të luajtura në botë.
Pjesa ndoshta ishte punuar me ngut, sepse solistët dukeshin mjaft mirë ndërsa në pasazhet me 3 a më shumë balerinë mungesa e sinkronit në lëvizje ishte më se e dukshme. Vetë Gerdi Vaso shndriste... por boll bëmë kompetentin në balet, të kthehemi tek ato pak gjëra që mund ti kuptojmë ne që shohim balet një herë në vit: Zhani Ciko ishte veshur me shumë gusto kur këndoi Himnin e Kryeministrit!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment