botuar te Shekulli SH2 më 10 Prill 2010
Teatri i Humorit në majë të Tarracës.
- Baba, pse ne siçilianëve na thonë që marrim zjarr shpejt?
- Sepse i kemi krahët e shkurtër e duam të përqafojmë gjithë botën.
Kështu i përgjigjej i ati të birit te “Baaria” i Tornatores, që u dha në Millenium.
Jam i bindur që mes babait e atyre 3 fëmijëve që donin të hidheshin nga tarraca e një pallati në Tiranë nuk është zhvilluar ky dialog. Fjalët që ata mund të kenë thënë, duhet të kenë diçka e tipit:
- O ba, do na shohin këtu?
- Po mor babë...
- Po Televizionet do të vijnë?
- Ishalla mor babë...
- Edhe TVSh-ja?
- S’e di mor babë...
Më në fund, një reality show special plot emocion të vërtetë: ka dhe një letër të shkruar, ka dhe eleminim me hedhje nga tarraca, ka dhe lot... Kushton dhe lirë. Kushton sa 1 biletë e plotë dhe 3 gjysma biletash furgoni nga Durrësi në Tiranë.
Ajo që ndodhi në majë të tarracës së pallatit ishte një komedi dramatike. Një dramedi.
Një njeri i dëshpëruar që mendon se duke tërhequr vëmendjen mediatike, duke dalë në TV, duke ua thënë të gjithëve hallin e tij, do të zgjidhë diçka. Halli i tij është një dramë. Zgjidhja që tentoi t’i jepte, me të dalme në TV, është komedi.
Shteti reagoi menjëherë. Policia vendosi hetojë për krimin e shtyrjes në vetëvrasje të fëmijëve. Po ata nuk janë fëmijë! Vërtet mund të jenë nga 10 vjeç, po nuk janë fëmijë! Janë burra të vegjël me një hall që u thyen kurrizet e njoma, në majë të një ndërtese.
Ne që shohim shumë TV, na zë inati. Ai burri, le të bëjë ç’të dojë për vete. Fëmijët, nuk duhet t’i ngjiste aty sipër!
Sepse, në Shqipëri ta nxijmë jetën, ta bëjmë të pamundur të mbijetosh, asnjë nga portat e ligjit - kurrë - nuk do të jetë e hapur për ty, mund të pësosh dhe aksident në gjueti, por si shtet e shoqëri jemi shumë të ndjeshëm, s’mund të të lëmë të vrasësh veten. As ty, as fëmijët. Po deshët, vdisni urie, kjo është tjetër punë. Po ne nuk i durojmë vetëvrasësit.
Ka një dallim mes vetëvrasjes dhe tentativës për vetëvrasje. Kjo e fundit është marrje peng. Ai që bën tentativë të vrasë veten, në të vërtetë po merr veten peng, me shpresën që dikush do të reagojë.
Kemi pasur dy pengmarrje në Tiranë së fundmi. Një artist që grabiti një bankë, dhe një burrë që i kanë grabitur një tokë (siç thotë). Ai i Bankës, kishte parë shumë TV. I love you Honey Bunny!
Burri i tarracës, gjithashtu ka parë shumë TV. Kujton, se duke marrë peng jetën e vet e të fëmijëve, dikush do i zgjidhë një hall. Prandaj ka ardhur deri në Tiranë, se këtu bëhen të tëra show-t e mëdhenj TV.
- o Ba? Po TVSh-ja do vijë?
- Ja ku e ke mor babë, aty poshtë!
2 pengmarrës dhe një hall i përbashkët: jemi një shoqëri në depresion, dhe zgjidhjen e presim nga TV.
Në fakt, halli i të dyve mund të marrë një zgjidhje shpejt, sa të ngrihet Estrada e Re, thënë ndryshe Teatri i Humorit. Atëherë të gjithë ata që kanë një hall, nuk do vinë në Tiranë për të kërkuar tarracën nga duken antenat e TV-ve në Dajt, por për të kërkuar Teatrin e Humorit.
- Kanë mbaruar biletat? Po si ta harroj hallin që kam? Dua dy bileta, ose të mora peng të nxora xhiro nga Blloku!!
163 minuta
Te dera e kinemasë, 5-6 gra nga ato të zyrave. Dmth, gra me shkollë të lartë, me një punë të mirë, dhe me një shoqëri të zgjedhur.
- Film idiot!
- Unë e dija dhe gocë me shije! (shoqen që u kish rekomanduar filmin)
- Ishte surrealist!
- Na harxhoi tre orë kot!
- Po humori sa koti ishte... në fakt, unë qesha më shumë me batutat e kësaj që kisha ngjitur...
Po më vinte për të qarë, kur dëgjoja 5-6 gra që flisnin ashtu për Baaria-n.
Se ti fton miqtë e tu një të premte në mbrëmje për të parë Tornatoren. Filma të mirë në periferinë tonë artistike vijnë rrallë, dhe nuk e kemi luksin ti snobojmë (thënë ndryshe tu bëjmë pordhë).
Po çfarë duan pra nga një e premte e vakët tiranase këta njerëz? Këto gra zyrash që nuk lënë asnjë puntatë të Grande Fratello-s italian t’u shpëtojë, që gazetën e hapin direkt te faqja e thashethemeve rozë, e që s’kanë ndonjë hall të madh që ti ngjisë në majë të tarracës..., çfarë duan?
Baaria nuk është më i miri film i Tornatores. Ka pak nga Malena, pak nga Cinema Paradiso, pak nga Uomo Delle Stelle. Baaria ishte shumë i gjatë, dhe mund të qe bërë më i shkurtër. Por, ishte plot me karaktere interesante, situata humori fin, përshkohej nga një ndjenjë e thellë, dhe mbi të gjitha, ishte sinteza e Shqipërisë sonë në 50 vjet. Kishte shumë Shqipëri aty brenda!
Çfarë duan, ato, në të vërtetë?
Duan Teatrin e Humorit.
Teatrin e humorit në fundjavë (në vend të filmave të Tornatores) dhe reality show gjatë javës: njerëz që janë në nominim për tu hedhur nga tarraca.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment