Sunday, May 16, 2010

INDIFERENTIZMI, BESA DHE GREVA

Botuar te Shekulli dt 16 maj 2010

INDIFERNTIZMI
Kam një problem me grevën. Jam indiferent.
Një mik po më kujtonte që Indiferenca është tipar i shoqërive fashiste. Kur njerëzit fillojnë të jenë indiferentë ndaj komunitetit dhe ndaj tjetrit, do të thotë që shoqëria ku jetojmë i përngjan fashizmit.
Kur sheh gjithë këta njerëz që flasin, shkruajnë e madje bërtasin tërë pasion kundër njërit apo tjetrit, mund të mendojmë që jemi larg fashizmit.

Unë do doja që sot të shkruaja për teatrin, për filmin ose për librat, po greva e urisë nuk më lë. Gjatë kësaj jave që iku, Saimir Kumbaro shkruante kundër Edi Ramës (si ia kishte dalë të ishte aq agresiv?), Hervin Çuli shkruante kundër artistëve rrogëtarë peticionistë (si ia kishte dalë të ishte aq delikat?), Fatos Lubonja shkruante për stresin e trafikut nga greva e cila ka bllokuar bulevardin (si kishte dalë me makinë?).
Kur dhe ATA që duhet të shkruanin për teatrin, librin e filmin shkruajnë për grevën, mua s’ma mban të shkruaj muhabete arti.
Sot, të gjithë, flasin e shkruajnë vetëm për grevën e urisë, sporti ynë i momentit.

KAVAJA, KAVAJA, PIIIP, PIIIP.

Të dielën, nja dyqind tifozë shkodranë bërtisin me të madhe duke sharë me fjalor shtëpie Kavajën. Pritej Vllaznia – Besa, finalja e Kupës së Republikës.

- Paskemi akoma Republikë!?
- Ashtu duket. Përndryshe do qe Kupa e Mbretit!

Po ndiqja nga larg entuziazmin sportiv.
Tifozët shanin me fjalë të ndyra e me të madhe mu në mes të Tiranës. U kap dhe një flamur i verdhë e u dogj. Nja 5 policë u afruan e i shtynë ca më tutje. Djegia e një flamuri, qoftë dhe sportiv, policëve nuk u bëri shumë përshtypje. Dhe nja 2 shpulla që hëngri një djalë i ri kavajs, nuk qe ndonjë gjë e madhe për sytë e tyre.
Ata, sikurse dhe unë, janë INDIFERENTË.
Madje po gëzonin që ishin me shërbim këtej, nga kjo ana ku bërtasin tifozët. Këtej ku bërtitet është më qetë se andej ku flenë ata të grevës së urisë.

Ata që shanin me të madhe e digjnin flamuj ishin tifozët e skuadrave të një kampionati të trukuar, me ekipe që të paktën gjysmën e ndeshjeve të kampionatit i shesin, tashmë dhe ashiqare. Atëherë, pse këta njerëz shkojnë akoma në stadium? Pse djegin flamujt e skuadrave kundërshtare kur futbolli ka vdekur?
Sepse, në të vërtetë, janë INDIFERENTË. Pak rëndësi ka nëse luhet sport me të vërtetë apo e kanë shitur edhe sot ndeshjen.
Ata kanë nevojë të nxjerrin stresin me të bërtitura duke gjetur një armik një herë në javë, të dielën, por dhe të kalojnë një ditë të këndshme duke sharë e bërtitur.

ARTISTËT DHE GREVA

Kam një problem me grevën. Nuk të lënë të jesh i indiferent.
Këto ditët e fundit ose je me grevën, ose je kundër grevës. Ose, je shumica e heshtur që prapë, miraton ose kundërshton pa dalë nga shtëpia.
Lexohet qartë që greva ka ngjallur shumë emocione. Por vetëm kaq. Ajo që mua më duket se shoh, janë njerëz të zgjuar që mbrojnë interesat e tyre duke u bërë me njërën palë, ose njerëz budallenj që duan të shfrejnë emocionet e tyre duke sharë palën tjetër. Në të dyja rastet, nuk shoh qytetarë. Shoh indiferentë që bërtasin ose diskutojnë në gazeta e TV për një arsye personale, pa lidhje me qytetarin e preokupuar për të ardhmen.

Tani, mbase jo të gjithë, ka ca përjashtime si Lubonja. Por dhe ai në këtë rast ish thjesht një individ që kishte ngelur në trafik.

Pra, angazhimi publik pro e kundër grevës është i madh, por unë shoh në të një indiferencë të fshehtë.
Por mua, në të vërtetë jemi të tërë INDIFERENTË.
Greva, shyqyr që na dha një shans për të shfryrë! Të dalim e të bërtasim para bashkisë ose para çadrës, nëpër gazeta ose në emisione TV. Të nxjerrim ca mërzi.
Ka 20 vjet që shfryjmë emocionet tona dhe kjo nuk ka prodhuar asgjë.
Po kjo nuk na shqetëson më. Çfarëdo që të ndodhë, hapen kutitë ose jo, ndërrohet pushteti ose jo, bie njëri apo tjetri, nuk ka rëndësi, prapë në rrotën e pushtetit do të vërtiten të njëjtët njerëz në rotacion e që do të na imponojnë të njëjtin sistem vlerash. Dhe me këtë, kemi rënë prej kohësh dakort. Thellë, jemi indiferentë.

Ju do thoni, që ama, një herë në 4 vjet, ne kemi pushtetin, para kutive të votimit.
Ajo që ne bëjmë në ditën e zgjedhjeve është që të zgjedhim të keqen më të vogël. Kur vjen në pushtet, e Keqja Më e Vogël, shndërrohet gjithmonë në të Keqen më të Madhe. Në zgjedhjet e tjera, e njëjta gjë. Prej 20 vjetësh! Dhe ne kemi rënë dakort me këtë. Jemi shndrruar në indiferentë që herë herë bërtasin kundër njërit ose kundër tjetrit.

Shpirti i qytetarit (që sipas meje u përpoq të çelte pa sukses vetëm në vitet 90-94) ka vdekur prej kohësh. Kemi kaluar, pa e kuptuar, nga komunizmi në fashizëm. Fashizmi na ka pushtuar shpirtin e trupin: jemi thellësisht indiferentë. Indiferentë ndaj asaj që do bëhet nesër, ndaj ndryshimit të vërtetë, ndaj tjetrit. Duam vetëm veten tonë, bëjmë tifo për heroin tonë, dhe bërtasim për interesin tonë.

Falangat e atyre që shkruajnë pro e kundër grevës më ngjajnë me tifozët e Besës dhe Vllaznisë. Kanë nevojë të shfryjnë ca emocion të mbledhur, por thellë-thellë rezultati nuk ka rëndësi, edhe pse dihet se fituesi do të vendoset në tavolinë.
E vërteta, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka të bërtasim ca, se plasëm!

PRAGU I INDIFERENCËS

Secili ka pragun e vet, një moment kur fillon bëhet indiferent. Indiferent ndaj shtetit, Republikës (a ça është kjo që jetojmë), komunitetit, komshiut, atij që po ngordh urie, atij që bën filma skandalozë, asaj që vret veten, atij që na bllokon rrugën para shtëpisë. E ç’të lodhemi kot? Prapë do bëhet ajo që duan më të fortët.
Vetëm 3 vitet e fundit ka pasur nja 4 greva urie. E askush s’ka vdekur. Dhe kjo, na bën shumë qesharakë si komb e si qytetarë.

Fashizmi i ndryshon gjërat me urdhër. Do ndodhë kjo gjë, sepse ashtu duan ata lart. Kjo, i bën njerëzit në fashizëm të jenë indiferentë ndaj komunitetit dhe individit tjetër, siç thotë Stephen Holmes.

Pragu i indiferencës sime, ka qenë para 2 vjetësh. Në të njëjtin vend ku janë sot çadrat, shtrirë në trotuar bënin grevë urie ca njerëz që kanë lindur të vdekur, sepse fati i ka lindur në Bulqizë. Minatorët. E vetmja grevë, ku do doja të futesha me shpirt, ishte ajo e tyre. Po nuk e bëra. Sepse, si për gjithë të tjerët, ajo nuk ishte greva ime. Interesat ose pasionet e mia, nuk lidheshin me atë grevë.
Si përfundoi ajo grevë urie? Askush nuk e mban më mend.
Do kenë vdekur të tërë. Fundja, minatorë janë. Në mos nga uria para Kryeministrisë do vdisnin prapëseprapë nga uria në Bulqizë.
Që nga ajo ditë, jam bërë INDIFERENT.
Po habitem. Pse të tjerët bëjnë sikur janë kaq aktivë?

1 comment: