Botuar te Shekulli, e diel 18 korrik 2010
Nuk guxoj të pyes me zë të lartë “a jam i lumtur” sepse një i djathtë do më thotë që jam i lumtur, ndërsa një i majtë që jam i palumtur. Çfarë deshët të pyesni ju? A na do Europa? Pozita thotë që po, opozita thotë që jo. Apo mos deshët të pyesni nëse George Clooney është gej? Opozita sigurisht do thotë “jo”, ndërsa maxhoranca jep garanci që është gej e shkuar geut.
Kjo ndodh për çdo gjë. E vërteta, na shfaqet me 2 fytyra krejt të kundërta në këtë vend. Fytyrën e atyre që janë mbi pushtet, dhe fytyrën e atyre që janë nën pushtet.
Them mbi e nën, se s’mund ta them në pushtet, meqë pushteti kohët e fundit nuk është asgjë përveçse vija që ndan ata që kanë gurin dhe arrën në dorë, nga ata që e kishin dhe që po vdesin që ta kenë prapë gurin dhe arrën në dorë.
Si përherë, nuk bëhet fjalë që të bien dakort, të mbajë njëri arrën e tjetri gurin.
Po, për të mos u larguar nga tema, “A jemi ne të lumtur?”
GJITHÇKA SHITET
Që mos duket si dialog telenovelash, po e bëj pyetjen ndryshe.
“A jemi ne shoqëri në depresion?”
Njerëzit me simpatira/bindje/interesa të njërit krah do konfirmonin “po”! Ata me simpatira/bindje/interesa të krahut tjetër politik, do ngulnin këmbë ”sigurisht që jo!”
Për ta analizuar nëse shoqëria jonë i ngjan apo jo shtëpiakeve të dëshpëruara, kam zgjedhur dy elementë: jeta dhe prona - vetëvrasjet dhe gazetën Çelësi.
Lexoj nganjëherë Çelësin, sa për të parë çfarë shesin njerëzit. Po shesin gjithçka, që nga qenushët e deri tek brisqet e rrojës. Shitet një biçikletë shumë e përdorur, një parafangë benzi e para 12 viteve, një karrige shumë e përdorur berberi, shitet një hartë Shqipërie (e ç’e duam hartën, kaq shpejt sa po e shesin këtë vend ajo Hartë pak vite jetë ka), shitet tharëse flokësh (i thajmë në diell), shitet një libër, shitet kornizë, shitet çdo gjë që mund të sjellë lek. Shiten linja të tëra prodhimi: shenjë që dikush u nis të bënte një biznes, investoi, e pastaj hoqi dorë. Qeratë janë shumë të ulëta, ndryshe askush s’do merrte shtëpi me qera. Ka vetëm kërkesa për punë, e pothuaj aspak oferta për punë. Kërkojnë punë inxhinierë, mësuese, administratore, ekonomiste, të tërë me shkollë të lartë. Madje, dhe një bodigard me shkollë të lartë.
Shiten shumë qen. Sakrifica fillon nga fundi i zinxhirit. Dhe nuk ka dëshpërim më të madh se kur je i detyruar të shesësh qenin tënd.
FLUTURIMI NGA KATI I 5-TË
Nga ana tjetër, gati çdo ditë vret veten një person, nganjëherë dhe dy. Pata menduar që me ardhjen e verës, ky numër do të pakësohej, ca ngaqë vera sikur të këndell e të jep ca shpresë, e ca duke menduar që ata nuk do donin që të bëjmë figurë të keqe para turistëve.
Por jo. Njerëzit me të cilët ndajmë këtë vend, vrasin veten përditë, kush me armë, kush me fluturim nga kati 5, kush me helm, kush me varje. Sipas medias, në shumicën e rasteve vetvrasja është për shkak të varfërisë.
Të mbytur nuk kemi, sepse, Tirana nuk ka lumë. Nuk ua kemi dhënë shansin që të hidhen nga ura. Por ama, shteti, i njëjti që i le në mëshirën e fatit, ua jep një shans tjetër. I ka furnizuar me armë; me kulla të larta prej nga të mund të hidhen pa pasur frikë se shpëtojnë gjallë, qoftë dhe rastësisht; i furnizon rregullisht me helm për minj...
Vetë shteti i vret qentë rrugaçë, ndërsa për minjtë ta le helmin ty.
Ka kohë që nuk lexoj për vetëvrasje nga dashuria. Njerëz që kur të thonë “vdeksha për ty” e kanë seriozisht.
Kohët depresive do të kenë marrë fund dhe ne do të jemi një komb i lumtur vetëm kur të lexojmë që njerëzit po vrasin veten nga dashuria e jo nga varfëria.
VDEKJA E FUTBOLLIT
Ekziston dhe kategoria e atyre që vrasin veten pasi kanë lënë gjithçka në baste. Këta, vdesin nga dashuria për sportin që mund ti kish bërë të pasur.
Nuk kam shumë për ti shtuar asaj që ka shkruar Besnik Dizdari e Fatos Lubonja, apo etiketës së Johan Krujf për Kampionatin Botëror si anti-futboll. Personalisht, mendoj që ishte një kampionat i shëmtuar, ku e vetmja ndeshje e bukur, Gjermani – Uruguai, ishte ndeshje jashtë konkurimi, tradicionalisht e krijuar vetëm për marketingun e FIFA-s.
Tifozë që brohorasin jo për futbollin po për lekët që kanë vënë në lloto; Hollanda që luan si Interi; tifozë që bëhen me Portugalinë se K. Ronaldo është çun seksi.
E gjitha kjo, ka kohë që po e vret futbollin.
Ky kampionat i shëmtuar, megjithatë, e ka bërë FIFA-n akoma më të pasur. Prandaj e urrej futbollin më shumë se ç’urrej Bankat.
FUTBOLLI SI URREJTJE
Ju kujtohet Gjermani – Spanjë? Kishte tifozë të çmendur për Gjermaninë dhe tifozë të çmendur kundër Gjermanisë. Thuajse asnjë tifoz i Spanjës.
Po kështu kur luante Italia apo Brazili. Kam parë njerëz të hidheshin përpjetë për golin e Koresë së Veriut si t’u kish lindur djalë. Dhe nuk kishin vënë as bast.
Tipike e jona. Ne nuk jemi pro këtij, po jemi kundër atij tjetrit. Ne bëjmë tifo që Tjetri të mos gëzojë.
Ne edhe me sportin, na lidh urrejtja.
Jo urrejtja për gjermanët. Urrejtja për shqiptarët. Urrejtja për shqiptarët tifozë me Gjermaninë. Me Italinë. Me Brazilin. Urrejtja për ty, për mua, për fqinjin tonë që është tifoz i tyre. Ne e kemi halë në sy gëzimin e tjetrit.
Nga ana tjetër, festa e tij - festa jonë - në rast fitoreje është e dhunshme. Fqinji, po fitoi do na shqetësojë me gëzimin e tij. Sepse, edhe kur festojmë, festojmë si për inat të tjetrit. Gëzimi jonë ka brenda urrejtjen për atë që u mund. Pa folur që gëzimet tona janë me të thyera stolash, me shkrepje armësh, me britma e me të shara.
Gëzim i ekzagjeruar për diçka që në të vërtetë, nuk na përket. Është i njëjti emocion negativ që ndjejmë kur militantët festojnë para kohe fitoren e Partisë së tyre me buri makinash e flamuj nëpër rrugë. Më varfanjakët gëzojnë që pasanikët po bëhen deputetë!
Dhe në futboll, kombi i fundit i mbetur jashtë Evropës bën tifo si i çmendur për Italinë, Anglinë ose Gjermaninë, madje gëzon më fort se vetë ata.
VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË
Ka vdekur futbolli, ka vdekur Arqile Boti, dhe, të tjerët hidhen përditë nga ballkoni.
Arqile Botin nuk di me se do mund ta zëvendësojmë. Mbase me Elton Dedën, që është kthyer për pak ditë nga mërgimi.
Por, për futbollin diçka mund të bëjmë.
Futbolli nuk besoj se shërohet nëse ndalohen kompanitë e basteve. As nëse Murinjo internohet sepse ndërtoi një Inter që e ruan portën si derë burgu. As nëse Bekam ndahet nga Viktoria.
Futbolli rilind, kur ne të refuzojmë të shkojmë në stadium për kampionatin tonë me rezultate të shitura apo për të parë seancën stërvitore të Real Madridit me Gramozin.
Futbolli rilind, kur ne të refuzojmë të ndjekim edhe në TV kampionatet e anti-futbollit, apo të bëjmë tifo për ekipet që bëjnë rezultat por jo lojë.
Futbolli rilind, kur ne të dalim te fushat e rrjepura e të ndjekim ekipin që vërtetë na përket, atë të lagjes.
Dal nganjëherë te fusha e sportit pranë pallatit tim dhe shoh ekipet e 14 vjeçarëve që luajnë futboll, me atlete gabi e me fanella të sajuara si kanë mundur.
Por, luajnë futboll të vërtetë. Futboll për pasion e jo për tu bërë miliarderë e çuna kopertinash.
Futbolli që luhej para 100 vjetësh te Shallvaret.
Sunday, July 18, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment