Botuar te Shekulli, dt 25 korrik 2010
SI FABRIKOHET NJË VRASËS
Kongoli, tek “I Humburi” e ndan botën në të bardhë e të zinj, në bastardë e të fisëm. Kjo ndarje, do të na ndjekë përjetësisht.
Më tej, Shqipërinë mund ta ndash në të tjera nënkategori: në piktorë dhe doganierë, në të djathtë e të majtë, në njerëz me uniformë e në njerëz të dobët, në njerëz me viza e në njerëz pa viza, në blegtorë që prodhojnë mjaltë e në asish që prodhojnë hashash, në burra që rrahin gratë dhe në asish që s’kanë fjetur akoma me nje femër.
Në Tartën “A është shoqëria jonë një shoqëri në depresion?” vura re që edhe mbi këtë temë ekzistokan 2 kategori opinionesh, ata që e marrin me optimizëm dhe ata që e shohin me pesimizëm (ku më futën dhe mua). E thënë me një metaforë tashmë popullore, ata që e konsiderojnë gotën gjysëm plot e ata që e shohin gjysëm bosh.
Më duhet t’u them që metafora me gotë mund të merrte vlerë po të pinim të tërë nga e njëjta gotë. Por, jetojmë në një vend ku ca pinë me gotë qelqi, ndërsa të tjerët me gotë kauçuku.
Megjithatë, i entuziasmuar nga prania e optimistëve në shoqërinë tonë, i vura vetes një qëllim. Ajo çfarë dëshiroj të bëj në këtë Tartë, është të marr për dore një, vetëm një, person që e përkëdhel veten si “optimist” e ta bind të bëhet një vrasës.
BLUZAT E BARDHA
Para ca kohësh u godit një mjek. Aktin e dënuan të gjithë, njerëzit e thjeshtë dhe ata të komplikuarit, analistët e gazetarët, komuniteti mjekësor dhe intelektual, por jo Withers (ai tashmë e ka një kungull nën sqetull, çështjen “to Gej or not to Gej” për të mbrojtur). U quajt dhunë ndaj bluzave të bardha. Pa qenë fare në dijeni të detajeve të kësaj çështjeje specifike, edhe unë në parim e dënova këtë akt.
Akoma nuk jam në dijeni të detajeve. Por, sot, kam një motiv për të vrarë vetë një bluzë të bardhë. Madje, më mirë akoma, dua të angazhoj një “optimist” që ta bëjë këtë.
SE TI JE MOTIVI I JETËS TIME
Mos u bëfsh për spital, më tha mjekja te 5-a, ku kisha shoqëruar për vizitë një person, le ta quajmë familjari T. Dhe, me “mos u bëfsh për spital” nuk e kishte fjalën për sëmundjen, po për spitalin!
E thënë nga mjekja, nuk është njësoj si parashikim moti që jalla del, jalla s’del.
Tani, ti që je optimist do të vish me mua, do bëjmë një xhiro në një spital të këtij vendi. Të dy bashkë të përpiqemi për jetën e familjarit T.
MOS U BËFSH PËR SPITAL
Tek 5-a, një vend ku vinë edhe plot të paralizuar (që nuk duhet absolutisht të ecin) ashensori nuk punon. I paralizuari duhet të ngjitet vetë deri në katin e 4-t, sepse asnjë infermier, ose kushdo punonjës i spitalit nuk e merr përsipër ta bëjë këtë punë.
Kam parë me sytë e mi një grua të merrte në kurriz kalipiç një plakë, sepse askush në spital nuk e ndihmonte ta ngjiste plakën e paralizuar deri te urgjenca.
Familjarin T. e ngjitëm me ndihmën e 2 personave të rastësishëm, njëri prej të cilëve i sëmurë për vete e që desh na mbeti në duar.
Në korridore, njerëz që pinin duhan për shtatë palë qejfe, mu te tabela “ndalohet rreptësisht duhani”. Infermieret, roja, mjekët, kalonin ngjitur, po me sa dukej nuk ishte puna e tyre.
Te dera e jashtme e spitalit, roja, që në 9 të mëngjesit bërtiste se me urdhër nga ministri, nuk lejohej të hynte njeri deri në 5 pasdite. Në ora 10 filluan të futeshin të gjithë me urdhër të Naim Frashërit (për ata që operojnë vetëm në valutë është fytyra e 200lekëshit shqiptar). Në drekë, roja i bënte fresk vetes vet, ndërsa në spital hynte kush të donte. Mund të hyjë dhe optimisti me elefantin e vet. Apo ke qejf të sjellësh një surikat? Sille, spitali ka vend për të gjithë!
DIE DIE MY DARLING
Ajo që na thanë te urgjenca, që dhoma nuk ka, doli që ishte një gënjeshtër. Dhoma kishte, madje, krevati ngjitur në dhomën e familjarit T. qendroi tërë javën bosh.
Dhoma e të sëmurit ishte e lyer me gëlqere me bllana lagështire, totalisht e zhveshur, si dhomë morgu. Gjithçka, të fuste në depresion. Një mbeturinë gazete e ngelur që kushedi se kur mbi tavolinën e rrjepur; një dollap i ngrënë nga molat që kish shërbyer edhe si kosh mbeturinash; uji që vinte me orar.
Në xhama kishte letra të bardha që funksiononin si perde. Dhoma ishte me pamje nga tregu i rrobave të përdorura prej nga vinte gjatë ditës zhurma dhe tafti i teshave firmato të të vdekurve që ne i blejmë lirë, i lajmë, i veshim.
As perde, as lule, as mbulesë tavoline, asgjë që ta bëjë një njeri të ketë dëshirën të shërohet.
PJETËR BOGDANI
Në korridor, një mjek që po ia lypte një studenteje. Studentja, qante.
Atraksioni turistik i spitalit ishte një dhomë xhami, ku vazhdimisht shikoja të paktën 5-6 infermiere të mbledhura bashkë. Pinin kafe turke, bënin ndonjë muhabet. Ishte e vetmja dhomë që nuk ngelej kurrë bosh.
Pse nuk qendisnin çentro ose perde infermieret, rrinë që rrinë, do sugjeronte optimisti, miku ynë.
Nëse për të hyrë brenda duhej urdhri i Naim Frashërit, për të siguruar shërbim cilësor duhej urdhri i Pjetër Bogdanit (për ata që fati i keq i detyron të operojnë vetëm me valutë, kjo është koka që zbukuron kartëmonedhën 1000L). Mund dhe të mos paguash. Askush nuk të detyron. Vetëm se familjari T do mbetet në mëshirën e fatit.
Na kërkuan ta mbanim familjarin T edhe një ditë në spital, për ti bërë kontrollet e tensionit. Askush, nuk bëri asnjë matje për 24 orë. Askush nuk u duk të pyeste, përveç vizitës mëngjesore të mjekes. Spitali kishte vetëm 1 aparat tensioni, dhe e vetmja infermiere që (qëlloi) nuk ishte paguar, ngriti një shamatë të turpshme e anti-profesionale në dhomën e familjarit T., duke e akuzuar pacientin “pse nuk më the të vija të të masja tensionin!”. Familjari T, i sëmurë, e që e kishte të ndaluar dhe të ngrihej nga krevati!
Rezonanca magnetike duhej bërë urgjent, por në laboratorin e vetëm të shtetit radha ishte 6 javë. Privati, na e bëri për 30 minuta, me kosto 25 herë më të lartë se në shtet. Privati kish 5 laboratorë, në 5 qendra, në 5 qytete. 5 herë më shumë se shteti im.
Ditën e fundit, mjekja konstatoi që një infermiere, na kish udhëzuar ti jepnim ilaçe të gabuara familjarit T. Më vonë, infermierja, nga ana e saj, u nxeh me mjeken dhe doli e indinjuar: “Ça thonë këto more? Si të bënka keq aspirina??? Po ne aspirina kemi pirë tërë jetën! Këto s’janë në rregull!” Një infermiere optimiste, siç shihet. Dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të të ndodhë mes atyre mureve... aspirina!
MJEKËSIA ALTERNATIVE
Ne, jemi një popull që kurrë nuk kemi pasur alternativa. Ne nuk e njohim, për default, alternativën. Gomari që vdiq se nuk dinte kë të zgjidhte, të shuante etjen apo urinë, ishte një gomar shqiptar.
E tërë jeta jonë është: o me mua ose vdis. Shikoni politikën. Shikoni sistemin mjekësor.
Me Arqile Botin, ka ikur i fundit i mjekësisë alternative. Ndërsa bota ka krijuar hapësirë që të mund të mbijetojnë bashkë disa lloje mjekësish, që nga ajo popullore, kiropraktika, agopuntura, hipnoza apo mjekësia kineze, ne e kemi lënë veten me vetëm një alternativë, mjekësinë konvencionale.
O me atë, o vdis! Vdis, optimisti im i vogël, vdis.
FUNDI I OPTIMIZMIT DHE NJERIU I FUNDIT
Kush janë pra, optimistët në këtë shoqërinë tonë? Dhe, pse?
Qeveritarët e rangjeve të larta, të rinjtë me prespektivë që kanë njohjet e duhura, pehlivanët që dinë të kërcejnë me çdo lloj sistemi, ata të rangjeve të ulëta por që njohin njërin te rangjet e larta, ata që u bënë milionerë brenda natës... Këta, kanë tendencën e të qenit optimistë. Kryeministri, por dhe Rama, besoj se janë optimistë. Meta, dopio optimist.
Optimistët e vërtetë, janë ata që nuk kanë qenë kurrë në spital. Ose, ata që kur u dhemb gishti shkojnë e vizitojnë në Austri, Greqi, Itali a Turqi. Pastaj, kthehen e na bëjnë moral neve, pesimistëve që vizitohemi te 5-a.
Ky sistem, fabrikon vrasës. Edhe më optimistit nuk i le asnjë shans për jetën.
Pastaj dëgjojmë në lajme se një njeri që e njihnim për natyrë të qetë e optimiste, një ditë mori një pistoletë, hyri te dera e spitalit, roja sigurisht që ishte duke bërë fresk, dhe vrau të parin që i doli përpara, pavarësisht se kush ishte, pavarësisht nëse ishte mjekja që vërtet u kujdes për ty, apo një infermiere që të braktisi se nuk mori lek, apo sanitarja që nuk e lau kurrë banjën.
Mjafton të ketë një bluzë të bardhë. Bang, bang.
Sunday, July 25, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment