Botuar te Shekulli, dt 11 korrik 2010
Çdo ditë, kur dalim nga shtëpia me makinë e derisa arrijmë në destinacion shajmë të tjerët të paktën 3 herë. Sepse, në trafik ka vetëm njerëz që na acarojnë.
Ne, i japim makinave ashtu si jetojmë. Në kaos, jashtë rregullave, me arrogancë, me dhunë e duke sharë të tjerët.
MAKINAT SI STATUS
Në një vend ku nuk ka më sistem vlerash të stabilizuar e vetmja gjë që na ka mbetur për të na përcaktuar kush jemi, është makina.
Edhe karrocieri me kalë ka një targë makine gjermane në dërrasën prapa karrocës.
Makina, na bën këta që jemi. Pavarësisht se statusi do duhej të përcaktohej paralelisht nga disa elementë. Një makinë e shtrenjtë duhet të shoqërohet me një shtëpi luksoze, me një punë a profesion shumë fitimprurës, me një status të lartë social, etj.
Shqipëria është vendi ku njerëz me makina 100mijë euro, pinë kafe 30lekëshe në klube të ndyra lagjesh, s’kanë punë, kanë një dhomë e një kuzhinë, dhe shpesh s’dinë të shkruajnë as shqip.
MERCEDESI ME 200 LEK BENZINË
Burri i karburantit po më tregonte historinë e një Mercedesi luksoz që i jepnin 2 të rinj të cilët kishin kërkuar që t’u hidhte 300 lek të reja benzinë. Aq lek kishin në xhep, pavarësisht se udhëtonin me makinë 40mijë euro.
Ashtu si jetojmë:
Ne jetojmë për t’u dukur. Rëndësi ka si dukemi, jo si jemi.
TIMONI ANGLEZ
Shija për makinat ndjek një modë të caktuar. Në fillim doli moda e X5-sës. Kjo të bënte të dukeshe tip me lek dhe i zoti. Po X5-a të grinte nga kredia. Pastaj erdhi moda e Hummerit. Kjo të bënte të dukeshe garip, e jashtë formatit. Po Hummer-i të grinte nga benzina.
Tani ka dalë moda e timonit anglez. Shoh në rrugë një sasi çuditërisht të madhe makinash me timon nga e kundërta. Shoh Wolksvagen, BMW madje kam parë dhe një Fiat me timon nga e djathta!!
Ti japësh asaj makine në rrugët që janë projektuar për timon kontinental është siklet. Megjithatë, komoditeti ka pak rëndësi. Rëndësi ka ta kemi timonin mbrapsht, ndryshe nga normalja.
Ashtu si jetojmë:
Bëjmë gjithmonë, gjithçka mbrapsht.
E KUQJA
Shkelja e të kuqes, mjafton që polici të jetë me kurriz, është mënyra sesi ne e ndërtojmë gjithë jetën tonë.
Ashtu si jetojmë:
Jemi gati t’i shkelim ligjet, mjafton që të mos na shohë ai që na ndëshkon.
FERRARI KUNDËR FIAT
Sa më e shtrenjtë të jetë makina, aq më e madhe është arroganca e atij që e ka.
Sa më luksoze makina, aq më shumë pretendon ai që e ka që të tjerët duhet ti hapin rrugë, edhe kur është kundra-vajtje.
Mjerë ai që është me Fiat. Është i detyruar ti hapë rrugë arrogancës, pavarësisht ka të drejtë a jo.
Ashtu si jetojmë:
Sa më i madh pushteti, sa më i madh posti, aq më të paprekur e mbi ligjin ndjehemi.
MAKINAT KUNDËR KËMBËSORËVE
Arroganca më e madhe është ajo që njeriu në makinë shfaq ndaj atij që është në këmbë.
Një vajzë që pret autobusin, pra që nuk ka kush ta përcjellë me makinë, na duket për mëshirë.
Shoferët ankohen që njerëzit këtu ecin si lopët. Kur ne vetë u japim makinave si të ishim krokodilë.
Qytetet në fakt, janë ndërtuar për njerëzit, jo për makinat. Makina është vetëm një nga objektet që lehtëson eksitencën, si sapuni, tamponi apo hekuri i hekurosjes.
Qyteti i përket njeriut, jo makinës. Por në rrugët tona makina është mbreti që duhet ti hapim rrugë.
Këmbësorët e kapërcejnë rrugën duke vrapuar si lepuj. Edhe në vijat e bardha duhet të presësh 20 minuta që të mund të kalosh, se askush nuk ka respekt për atë që ecën në këmbë. Ai që ecën në këmbë, na duket i papërfillshëm. E çfarë mund të na bëjë? Ne jemi të rrethuar me 1 ton hekur, ai peshon 65 kile me gjithë këpucë!
Shtype! Shih si vrapon! Sa gallatë!!
Dhe më e keqja, ata që vuajnë si këmbësorë nga makinat, sapo marrin makinë bëhen po aq të këqinj. Këmbësorët vetë janë pajtuar me fatin e të qenit inferiorë në këtë qytet.
Ashtu siç jetojmë:
Çdo njeri i veshur me sadopak pushtet e shpërfill pa mëshirë atë nuk ka pushtet. Ky i fundit, po erdhi në pushtet të bëri gjëmën!
Njeriu me makinë shpërfill atë me biçikletë; njeriu me biçikletë, atë në këmbë. Njeriu në këmbë shpërfill qentë e rrugës. Qentë, na duan të gjithëve, pavarësisht nëse jemi në këmbë, me biçikletë a me Mercedes.
ÇELËSAT NË DORË
Shprehja “çelësat në dorë” ilustron më mirë se çdo gjë mënyrën sesi ne e kemi ndërtuar shoqërinë.
Pa pritur shqyrtimin zyrtar të çështjes, pa u sqaruar fare, ne ia lëmë në dorë çelësat atij tjetrit, medemek “bëj ç’të duash, unë e mora vendimin”.
Ashtu siç jetojmë:
Vetëgjyqësi. Arrogancë. Dhunë. Abuzim.
FEMRAT NË TIMON
Patriarkalizmi jonë pasqyrohet edhe në atë që medojmë për femrat në timon.
Siç i gjykojmë inferiore në jetë i gjykojmë edhe në makinë.
Madje edhe polici e le të kalojë një femër shkelëse. E konsideron si një të penguar mendore.
- Lëre, femër. Aq di!
Personalisht, të tëra incidentet i kam pasur me shoferë meshkuj. Jo se femrat nuk bëjnë gabime, por në pamundësi të statistikave zyrtare mendoj që femrat janë po aq të paafta sa dhe meshkujt në të njëjtën përqindje.
MIX TO MIX
Shikoni makinat e ndaluara në semafor. Asnjëra në vijë. Asnjëra në korsi. Shumica mbi vizë.
Të vendosura shtrembër, si opinionet tona, si politika jonë, si qendrimi jonë ndaj gjërave.
Makina para jush që bllokon dy korsi. Ruan cila të lëvizë më shpejt, ai të ketë mundësinë të futet në të. Ashtu siç jetojmë: i duam të tëra për vete, asgjë mos të lëmë për të tjerët.
Makina të parkuara në radhë dyshe.
Punë e madhe se nuk ka si të dalë ai tjetri. Punë e madhe se mund të ketë një urgjencë në spital e nuk ka si nxjerr makinën. Punë e madhe se pret dy orë që ti lirojmë rrugën.
Ashtu siç jetojmë:
S’na bëhet vonë për tjetrin. Dhe tjetri, sa i vjen rasti na e kthen njësoj.
“Shofer i ri”. Kjo letër është absurde në xhamin e makinës. Në momentin që të kanë dhënë patentën të kanë konsideruar të aftë për ti dhënë makinës në çdo rrethanë.
Ashtu siç jetojmë:
Ne e mësojmë dorën rrugës. Futemi të papërgatitur në një profesion apo detyrë, dhe ia marrim dorën rrugës në kurriz të atyre që s’na kanë asnjë borxh. Kështu dhe mjekët, dhe politikanët, dhe juristët.
“NË RRUGË BREDHIN KLUBE E MAKINA”
Trafiku në Tiranë është vrasës. Këtë e përdorim si justifikim për mënyrën si sillemi, si parkojmë, si futemi kundravajtje, si dhunojmë shoferët e tjerë e këmbësorët.
Dhe harrojmë që trafikun e bëjmë ne.
Ne jemi vrasësit.
Ne vrasim shpirtin e të tjerëve, dhe e bëjmë këtë qytet stresant e të urryer. Stresi që i shkatojmë shoferëve të tjerë, këmbësorëve e biçikletave me sjelljen tonë të papërgjegjshme është vrasje e ngadaltë. Ne i plakim të tjerët para kohe e ata na e kthejnë po njësoj.
Ne i japim makinave ashtu si jetojmë.
Në këtë qytet, ne jetojmë duke mosrespektuar njëri-tjetrin. E duke ua nxirë jetën.
Sunday, July 11, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment