MASTER OF PUPPETS
Botuar te Shekulli, E Diel, dt 3 tetor 2010
E dini çfarë mund të bëni nëse jeni të mërzitur? Një master! Është gjëja më në modë, jo dhe aq e lirë, por ama të bën të të duket vetja shumë aktiv e i zoti. Të gjithë po bëjnë master. Ti pyet dikë, “ç’kemi”? Përgjigja standard: “ja, po bëj një master.” Si me thënë, “ja dola për Pazar”. Mënyra e re, trendy, për të vrarë kohën.
Ka njerëz që mërziten në kafe dhe meqë nuk martohen dot, i fusin ndonjë master. Ka të tjerë që u teprojnë paratë pasi blejnë makinë. Si ti harxhojnë? Për kostum? Nuk dalin. Atëherë, master! Nuk do habitesha nëse një ditë, edhe shitësi i bukës do më thotë që po bën një master. Fjala “master” ka filluar të luajë rolin e kokainës. Është bërë droga që na ndryshon perceptimin mbi realitetin. E kam fjalën për realitetin e trishtë arsimor/profesional. Por, si të gjitha drogat, vetëm ai që e merr kujton se realiteti ka ndryshuar. Dhe, vetëm për pak orë.
MASTERI SI MODË
Kjo moda e masterit, më kujton pandemitë sociale që kemi kaluar, modën e “kurseve të gjuhëve të huaja” në 91shin apo modën e patentës në 95-n.
Në fakt, e thënë trashë, masteri nuk është gjë tjetër pos asaj që dikur quhej thjesht “studime pasuniversitare”. Por, tani na ngjan shumë më tepër. Është trendi i ri.
Paradoksi qendron se, mënyra sesi sistemi po e promovon, lehtëson dhe stimulon marrjen e masterave nga kushdo, është thjesht masovizëm komunist. Enveri arriti të na fusë me zor deri në klasë të 8-të. Anipse këta 20 vjetët e fundit treguan që ai sistem arsimor nuk na bëri dot njerëz.
MASTERI SI ËNDËRR QË DUHET TË NDALOHET
Në një sistem shkallësh, po nuk ishe i zoti të ngjitesh deri në kat të dytë, nuk mund të ngjitesh në të 15-in. Kjo do duhej të funksiononte edhe këtu. Master s’mund të bëjë kushdo. Një student që mbaron shkollën me 5-a apo dhe me 7-a, NUK MUND të bëjë master. Ai duhet të ndalojë aty ku e lë muskuli i trurit.
Një student që ka studiuar 4 vjet veterinari, nuk mund të marrë master për “administrim biznesi”. Mund të bëjë një shkollë të re, por nuk mund të kompensojë përmes ca provimesh të dyshimta part-time, atë që të tjerëve u duhen 5 vjet shkollë ta mësojnë.
Masteri do duhej të ishte thellim në një fushë të caktuar lidhur me atë që ke studiuar 5 vjet në universitet. Përndryshe, masteri në Biznes duhet tu lejohet dhe atyre që mbarojnë gjimnazin. Fundja, kanë të njëjtin formim matematikor me ata që mbarojnë juridikun!!
MASTERI SI KOSTO
Kostoja e një masteri në UT (Universiteti Shtetëror i Tiranës) është më e lartë se ajo në një universitet shtetëror në Berlin. Sa për cilësinë, s’besoj se ka nevojë për komente krahasuese.
Ajo që vërej unë, është që po ngrihet një sistem piramidal i shkollimit universitar. Universiteti është bërë si Pazar dhe nuk ështe çudi që së shpejti të presim dhe oferta: paguaj një e merr dy mastera. Gjithçka është e mundur për sa kohë ka kush paguan dhe ka kush shpenzon kohë... për të mbajtur me pare dhe me punë ata 10 pedagogë që sillen në çdo katedër dhe japin nga 10 orë mësim në ditë.
ZANAFILLA E KRIMIT: FSHIKËZA E KRIMBIT
Gjithçka fillon aty – në Universitetet tona. Meqë masteri nënkupton një shkallë më lart në arsimim, duhet që edhe të ketë pedagogë që janë një shkallë më lart, ose së paku një shkallë tjetër.
Ç’do mësojë më shumë një student në masterat tanë që behen me përkthime të varfra të dy copë librave të huaj? Ç’do i mësojnë më shumë studentit, ata të njëjtët 10 pedagogë?
Sikur gjithë vëmendjen dhe kohën qe Ministria e Arsimit i kushton stimulimit të masterave ta përdorte për të ndrequr gjendjen e mjerë të fakulteteve në mësimdhënie, do kishim cilësi më të lartë universitare, më pak studentë alla “Partizani i Panjohur”, dhe kuadri pedagogjik do të mbushej me pedagogë që dinë ca më shumë se nxënësit e tyre.
Sikur... Por, ne jemi tek Uni-pazari, prandaj le të shesim e të blejmë ç’të mundemi.
Kush do një master me 20% ulje?
Nga ana tjetër, universitetet janë mbushur me studentë që nuk dinë të shkruajnë mirë as shqipen! Në 3-5 vite jetë universitare nuk lexojnë thuajse asnjë libër, vetëm kapituj të shkëputur, aq sa u pyet zysha në mësim. Po, po. Në universitetet tona ka zysha që të ngrenë të thuash paragrafin e parë të kapitullit pëmendësh. Universitetet tona nuk ndërtojnë profesionistë, ato fabrikojnë vemje arsimore. Atëherë pse të mos ëndërrojnë për master?
MASTERI SI STATUS
“Masterllëku” ka krijuar një status sa absurd, aq edhe problematik. Më mirë të kesh 2 mastera sesa 2 shkolla. Kjo përmbush edhe dëshirën e çdo studenti shqiptar që të marrë diploma pa pritur shumë gjatë e pa prekur libër me dorë. Mjafton të lexojë një pasdite para provimit.
Por, sado i paaftë të jetë studenti, sa më i shkëputur nga librat të jetë njeriu, ai ndjen që një master duhet me patjetër. Shoqëria të ve nën presion. Me master, është dhe moda!
Vërtet kam nja 10 vjet pa prekur libra me dorë, po ç’kam unë që mos bëj një master? Filanka bëri master. Ku e bëri? Po ja aty te Qendra e re Tregëtare... Eh, unë s’di ç’të bëj, të bëj një master, apo të shkoj dy javë pushime në Haruba!? Bëj master, se është më kollaj!
MASTERI SI VJEDHJE
Një master në universitetet e Tiranës, është një vjedhje. Më saktë, disa vjedhje. Të vjedhin kohë, të vjedhin para, të vjedhin ëndrrën, pa të dhënë asgjë më shumë se ç’kishe.
Shteti mbledh miliona lekë nga fashionistët e masterit, ndërsa administrata apo zyrat menaxhuese privohen nga njerëz që, po të investonin kohën dhe paratë e tyre në një projekt studimi pasuniversitar më të kuruar e të programuar siç duhet, do ishin më të aftë për punët ku janë.
Fatkeqësia është që kur secili të ketë nga një master, kur edhe në autobus fatorinot të të qëllojnë me diplomë masteri nga pas, çfarë do të ndodhë? Do të ndodhë që, ata të aftit, të përkushtuarit, ata që duan e kanë kapacitet vërtet të studiojnë, do duhet të bëjnë diçka tjetër për tu dalluar nga kombi i 3 milion masteraxhinjve. Do u duhet të rishpenzojnë para e kohë, për të fituar kualifikime ekstra, diploma të tjera, për të bërë diferencën. Mjafton të mos quhen “master”.
MASTERI SI KRIM SOCIAL
Politika me masterat është bërë si një rrotë fati që të krijon idenë se kushdo ka të drejtën e një xhiroje. Dhe që në çdo xhiro të rrotës së fatit, paradokset rikarikohen nga vetë sistemi.
Ka njerëz që pasi kanë bërë 8 vjet gjuhë të huaja futen për master në Ekonomi! Administrim biznesi. Ku të më dojë qejfi. Kur shteti m’i jep mundësitë...
Në Gjermani, nuk të lenë të vazhdosh çfarë të duash. Dikush mund të ketë ëndrra për të kryer një master për “fizikë kuantike” por nëqoftëse ke mbaruar për punë sociale, ky, për të është sport i ndaluar.
Ndërmjet një masteri të marrë në universitetin “ZH” në Tiranë duke “studiuar” në kafene, dhe të atij në Angli, Francë a Suedi që dikush e ka marrë me djersë e stres në biblioteka, nuk bëhet fare dallim. Master është mo’...
Shteti i konsideron si qepët. Ke master? 100m lek rrogë më tepër!
Krimi arsimor që deri më sot ka prodhuar studentë që mësojnë vetëm gjatë sezonit dhe vetëm 4 pasdite në sezon, amplifikohet më tej. Për të bërë master mjafton të japësh ca provime për të cilat mjafton të hapësh librin një pasdite, dhe aq. Ikën provimet. Rroftë Masteri! Në Francë duhet të mbrosh temë me 130 faqe. Po s’e bëre, s’e merr masterin. Këtu e merr me ca provime që janë më pak të zorshme se të dalësh shopping për këpucë. Madje, këpucë pas këmbës e shijes, në Tiranë ndodh që edhe nuk gjen. Provimet, s’ka shans!
OBBEY YOUR MASTER
Ky është një shtet i masterave. Shteti, Lazaratin e ndalon të shesë produktin e vet bio, ndërsa universitetet i lejon, madje i stimulon, që të shesin produktin e tyre OMGJ.
Por, njerëzit e shkolluar kësisoj, nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do përpiqen të kompensojnë mangësitë e tyre profesionale duke luftuar me të tëra format ata që janë më të aftë. Do të përpiqen të mbrojnë vendet e tyre të punës, si ndaj atyre që kanë të njëjtin formim me ta, mos më të mirë, po janë një master mangët, or sidomos kundër atyre që vijnë me mastera e studime serioze nga jashtë.
Edukimi me “gjasme” ka bërë që në shoqërinë tonë ka kohë që të aftit mbeten pa punë. 5-anjosët dhe analfabetët çajnë me miqtë e tyre, me egon e tyre aprofesionale, me pseudo-masterat e tyre.
Por, sado sistemi të punojë për ta, vemjet e vockla arsimore (jo dhe aq për faj të tyre por më shumë për faj të sistemit) nuk do arrijnë kurrë të bëhen flutura. Veçse, do thajnë tokën dhe për të tjerët.
Ne ka kohë që nuk jemi më vendi i shqiponjave. Por, s’kemi shans të jemi as i fluturave.
Sunday, October 3, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment