Botuar te Shekulli, dt. 24 tetor 2010
“Përgjumja e arsyes prodhon monstra” shkruan Goja mbi një nga Kapriçot e veta.
Më pëlqen të përdor fjalën “monstër” më shumë sesa “përbindësh”, sepse në fantazinë tonë këta të fundit janë të përçudnuar edhe vizualisht, kurse monstrat, më ngjan sikur janë përbindsha që ekzistojnë më shumë së brendshmi.
Kapriçoja e Gojës më rikthehet herë pas here në mendje, dhe së fundmi, kur vërej dhunën që një pakicë ushtron mbi shumicën, në një sistem shoqëror ku supozohet që do duhej të ekzistonte tirania e shumicës. Dhe nuk e kam fjalën për pakicën e zgjuar, për pakicën e pasur apo pakicën e bukur që mund t’i imponohet pjesës tjetër të shoqërisë. E kam fjalën për pakicën e përgjumur, që prodhon mostra. E kam fjalën, për atë pakicë që nuk ka asgjë për të thënë, e në fakt, është ajo që bërtet më shumë, që na imponohet më fort, që mbështet, suporton e justifikon gjithçka që është joshoqërore e joqytetare.
Kjo pakicë, na imponohet kudo ku ka mundësi shprehjeje: web, media, rrugë.
Pakica në rrugë
Vendi më i zakonshëm ku mund ta vësh re në formën e vet më kuptimplotë këtë fenomen, është rruga. E drejta civile për të manifestuar ose protestuar është kthyer në një justifikim partiak. Secila Parti mund të nxjerrë 50mijë vetë në shesh, duke pretenduar mbështetje popullore për kauzën e vet. Përjashto të nxjerrurit me dhunë ose me frikë, përsëri, mbetet një pjesë e konsiderueshme që dalin nga qejfi i vet, nga qejfi për të bërtitur parrullat e veta të dhunës. Kjo pakicë që çirret, na shitet si mbështetje popullore. Por, 50mijë vetë nuk janë Shqipëria. As 200 mijë vetë. Këta janë përsëri pakicë në lidhje me ata 3 milion e kusur që rrinë të fshehur pas penxhereve duke tentuar të zbusin ndotjen akustike të kësaj pakice që bërtet dhe duke mos guxuar të dalin në rrugë, se s’duan të përzihen me turmën.
Por, kjo pakicë që ulëret, ajo 50 mijëshe aty në shesh, bëhet përcaktuese politike. Na përfaqëson, pa të drejtë, të gjithëve.
Shpesh, kjo turmë 50mijëshe është dhe faktikisht më e varfëra, më e paveshura, më e paarsimuara, më e neglizhuara, është ajo që ka përfituar më pak nga mbajtja në sistem e atyre për të cilët bërtet.
Kjo pakicë, kënaqet me shumë pak. Duan vetëm të ngjiren dhe të shfryjnë dufin. Parrullat e tyre, siç mund ta keni vënë re nuk janë politike, sepse vetë kauza e tyre nuk është politike, është tribale. Parrullat e tyre janë plot sharje e ofendime, shpesh personale ndaj “armikut”, liderit të tribusë tjetër.
Pakica në media
Media, është gjithashtu zona e artë që gëlon me shembuj të dhunës së pakicës. Sepse, këta që imponohen në ekrane e gazeta, janë dhe të veshur mirë. Kostume firmato. Çizme të shtrenjta. Moda e fundit e Milanos.
Janë 40-50 personazhe që rrotullohen në faqet e para të gazetave, rozë ose jo, për vite me rradhë, duke na bërë të mendojmë që janë përfaqësuesit e artit, shoqërisë apo politikës.
Hap emisionet me biseda talk-show dhe janë të njëjtit personazhe që ato 2-3 gjëra që kanë për të thënë i kanë thënë që para 2 vjetësh, dhe që i kthejnë shumicat e debateve, përfshi edhe ato politiket në muhabete kafeneje. Hap një kanal muzikor dhe shoh të njëjtën fytyrë që del në 1/3 e klipeve.
Kjo pakicë, kënaqet me shumë. Shesin boshllëk, kompensohen me famë.
Në fakt, janë një pakicë aspak domethënëse, një pakicë hajdute, që vjedh idetë, klipet, tekstet, muzikën, kohën televizive, lëvizjet, e që nuk paguan autorët.
Arti i vërtetë, idetë shoqërisht produktive, ose zhvillohen në mjedise të mbyllura e private, ose vdesin në vetmi, pa pasur shans të mbërrijnë te publiku.
Pakica virtuale
Ambienti ideal i dhunës së pakicës, është rrjeti. Një shqetësim që ngrinte para pak ditësh edhe Mustafa Nano. Ja, unë citoj një emër, dhe gjasat janë që në blogje të shahet e ofendohet personi i cituar në të tëra format, e askush nuk merret me idenë. Webmasterat, nga ana e tyre, bëjnë shumë pak për të ndaluar këtë dhunë. Edhe pse, po të heqësh komentet e dhusnshme, ndoshta s’ngelet asgjë në blog. Hapni një çfarëdo faqe komentesh mbi artikujt tek economist.com dhe të një çfarë do gazetë shqiptare në Internet. Do shihni se sa pak civilë jemi. Më saktë, sa pak civilë janë ky grusht pakice.
Pikërisht ata që kanë më pak për të thënë, janë ata që komentojnë më shumë, duke sharë e shfryrë dufin e tyre. Mirëpo, kjo pakicë e dhunshme, që ka mbushur blogjet krijon idenë që mendimi shqiptar është i cekët, që kushdo në Shqipëri mund të urrehet.
Zhurma e pakicës në rrjet, heq mundësinë e një debati civil e produktiv, dhe largon ata që kanë vërtet diçka për të thënë.
Pakica në shërbim të pakicës
Grushti i pakicës, është në fakt një grusht gjysëm i verbër.
Pakica që bërtet, gjithnjë e më shpesh po përdoret nga një pakicë e zgjuar që kërkon të realizojë ose të mos realizojë diçka.
E keni vënë re sesi një individ i vetëm, është në gjendje të prishë rrjedhën e një debati televiziv? Në sa raste, është një person i cili kuptohet se është i porositur, që luan efektin vuvuzelë në debat, duke çartur idetë e tjetrit, duke e stresuar e duke mos e lënë të flasë. Qëllimi i këtyre individëve është shumë i qartë. Të prodhojë, përmes lirisë së fjalës, të kundërtën e vet: të mos lërë të tjerët të jenë të lirë të flasin.
Kjo pakicë, është e përgjumura që prodhon vetëm monstra.
Por, siç vëren me mprehtësi Felix Guattari, "Nuk është përgjumja e arsyes që prodhon monstra, por më shumë se çdo gjë tjetër i prodhon racionaliteti, vigjilenca dhe të ndenjurit pa gjumë.
Dikush ose disa, vigjilentë racionalë e të pagjumë, të pushtetshëm e të pasur, kanë prodhuar monstrat që bërtasin, dhe i tundin mbi kokën tonë.
Tundin mbi ne, grushtin e pakicës së përgjumur.
Sunday, October 24, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment