botuar te Shekulli, 17/10/2010
Më kujtohet një artist tërë tangërllik, që dukej sikur e kishin lutur të vinte e të merrte një dorë lekësh në Tiranë, i cili, kur njerëzit që e duan muzikën e tij u ngritën ta shoqëronin në këngën e vetme që ia dinin tekstin, tha: “po kënduat edhe ju do më bëhet lëmsh kënga, kështu që më lini ta këndoj vetëm”. Ky artist, është Goran Bregoviç. Hiti i tij më i madh titullohet “Kalashnikov”. Është sllav (boshnjak, por serb i natyralizuar). Dhe ne, vdesim për të.
Do doja shumë ta injoroja tërë zhurmën (nuk e ekzagjeroj po të them, histerike) rreth flamurit të djegur në Xhenovë, aq më tepër që në një Tartë prilli, kam shkruar edhe më parë për ksenofobinë dhe nacionalizmin si mjet vetërealizimi te kombet e pacivilizuar.
Por, Goran Bregoviç është qytetar nderi i Tiranës. Ndërsa në mes të Beogradit është një rrugë me emrin e Skënderbeut.
Ia vlen të bëjmë një prerje tërthore për të parë marrëdhënien perverse që kemi ndërtuar (lexohet: ndërtue) me serbët.
ATA
Tek serbët që kam takuar, dhe nuk kanë qenë pak, kam vënë re që janë njerëz normalë. Por, si komb, janë shumë të kompleksuar. Më të kompleksuar se ne, më keq edhe se grekët. Që të vegjël i ushqejnë me legjenda sesi e gjithë bota i ka inat e po përpiqet t’i pengojë, sesi serbët janë kombi i dytë në botë për nga zgjuarësia (pas çifutëve – kushedi pse), sesi ku vdes një serb është tokë serbe, sesi ka një komplot ndërkombëtar ndaj tyre, ngaqë janë kombi më i zgjedhur mbi tokë (i dyti, në fakt, pas çifutëve), sesi “Serbia duhet të shtrihet deri në Tokio” e plot të tjera. Perceptimi i tyre, për atë që ka ndodhur në Kosovë vazhdon të jetë i deformuar, krejt ndryshe nga perceptimi i pjesës tjetër të globit.
Sigurisht, mes tyre ka mendimtarë, gazetarë e intelektualë, njerëz me botë perëndimore, që e kuptojnë vorbullën ku mund ta çojë kjo psikozë një popull.
Por, prapëseprapë nuk janë në gjendje të ndikojnë, ta kontrollojnë, ta shndrrojnë në një energji pozitive zhvillimi, ta heqin nga hullia e mërive nacionaliste dhe ëndrrave shoviniste e ta kthejnë Serbinë në një komb fytyra e të cilit merr dritën e agimit.
Gjë që ngjan përfundimisht e pamundur, në një komb të dëshpëruar e të ushqyer me magalomani si Serbia.
Një shtet, që do të hyjë në Evropë, por një komb që do të ndjehet sikur po e lusin.
NE
Ngjan se brutaliteti është retorika e vetme e epokës, mënyra e vetme sesi të shprehemi, thotë Aldo Graso.
Ngjarja në Xhenovë, polli një valë brutaliteti (virtual) tek ne. Them virtual, sepse me përjashtim të ca pak “trimave” që dogjën një flamur serb (që na e mbakan në sirtar, për të tilla raste) në Tiranë, ku ndjehen të mbrojtur, pjesa tjetër e dhunës u zhvillua në internet.
Edhe një herë u rishfaqën trimat e Facebookut, ata që fshihen pas emrave të rremë ose së paku pas identitetesh virtualë, dhe na bënë thirrje për nacionalizëm.
Çfarë duhet të mendojmë për ata që krijojnë grupe FB “10mijë shqiptarë për të vrarë serbin që dogji flamurin”, e plot të ngjashme, dhe madje anëtarësohen në to?
Histeria mbërtheu pikësëpari emigrantët (sigurisht, me plot përjashtime) që bënin thirrje për atdhetari dhe bashkim kombi. Vetë ata ia kanë kërcitur jashtë, martohen me të huaj vetëm që të marrin nënshtëtësi tjetër, mbarojnë shkollat e ngelen andej, ndërrojnë me mijëra emrat dhe fenë.
Kush lufton me përbindshat, thotë Niçe tek “Përtej së mirës e të keqes”, duhet të ruhet që të mos shndërrohet, ndërsa bën këtë, dhe ai në një përbindësh. Dhe nëse ti gërmon gjatë brenda një humnere, edhe humnera do të gërmojë në ty.
Nuk mbaj mend të kem parë grupe që të mbështesin Kadarenë të fitojë Nobelin. Dhe, as kemi për të parë. Sepse, në mënyrë paradoksale, ne, “atdhetarët” kundër atij “legenit” që na dogji flamurin, nuk na ngroh as na ftoh Nobeli i Kadaresë. As na intereson fare. Madje, ata që e shajnë më shumë Kadarenë gjenden këtu, në Shqipëri. Mezi presin të ripublikojnë ndonjë koment shpesh joprofesional apo dhe malinj nga media të huaja ku kritikohet ndonjë roman i Kadaresë. Nulitetet artistike nuk lënë gjë pa sharë, publikisht ose nëpër tavolina ndaj gjësë më të mirë që i kemi ofruar botës (ose që bota ka dashur të marrë prej nesh). E kam fjalën për dikë që flet shqip, jo për shpikësin e viagrës, as për Nënën e të varfërve.
Rasti i atij serbit, ishte rasti i ca njerëzve që jetojnë akoma në shpellat e nacionalizmit ballkanas. Ne, vrapuam të tregojmë që po qe për punë shpellash, ne i kemi më të thella.
Është paradoksal nacionalizmi akut që na kap në të tilla raste, që vihemi në sedër të kotë, kur jemi një komb i paaftë për të ndërtuar një vend të denjë për veten që të jetojmë. Them për ne që jemi akoma këtu, jo për ata që janë patriotë nga internet kafetë e Torontos.
NE, BRENDA. JU, JASHTË.
Në të njëjtën kohë që blogjet tona vlonin me urrejtjen kundër serbëve, një lajm shkau nëpër të ashtu si padukshëm, kështu si pa rëndësi, që qeveria ka miratuar importin e plehrave të Europës tek ne.
Njeriu pret që pas këtij lajmi bota shqiptare virtuale të vlojë nga zemërimi. Të ngrihen peticione në Internet, të ngrihen “atdhetarët” jashtë Shqipërisë, e “atdhetarët” këtu brenda të lidhen me zinxhirë te hekurat e Ministrisë së Mjedisit.
Sepse nacionalizmin, ne e kemi si pilulë gjumi që na bën të ndjehemi të lumtur pa shkak, një herë në hënë.
Por problemet e vërteta, nuk janë te një rreckë që digjet. Problemi është që atë rreckë – që e kemi shndërruar vetë në rreckë – ta bëjmë një simbol njerëzish që jetojnë me dinjitet. Për sa kohë ne nuk funksionojmë si komb, ai flamur, nuk ka si funksionon si simbol kombëtar.
Ne na vënë flaken, na hedhin në erë, na vrasin çdo ditë nga pak, por “burrninë” e tregojmë duke djegur flamurin serb. Ne në protestë dalim për hatër sedre tribale e jo për halle konkrete.
Nacionalizmi është si lojë me pistoleta uji që ua japim kalamajve agresivë që të bëjnë qefin e tyre, por pa dëmtuar kënd realisht. Edhe pse psikologjia e sotme duket se nuk i ka qejf pistoletat, as kur janë lodër.
NE DHE ATA
Po ç’kemi ne në të vërtetë kundër serbëve?
Njerëzit tek New Irish, kërcejnë një këngë greke, një kengë të Bregoviç. Në dasmat tona, këngët greke kërcehen më fort se Naploni. Çashku që kopjon “Underground” të Kusturicës, që sipas një mikut tim është film tipik ekspansionist.
A do lobonin shqiptarët për një Nobel për Kadarenë? Jo! Madje, do bënin të kundërtën. Do bënin çmos ta minonin, siç, thuhet dhe e kanë bërë.
Unë vetë, ndërsa shkruaja këtë Tartë, rimora të dëgjoj një grup sllav të viteve ‘80 që e kam shumë për zemër, Crvena Jabuka.
Me aq sa mund të informohet njeriu në këtë vend, marrim vesh që rrugët tona i shtrojnë serbët, që supermarkatat tona i kanë serbët, që ushqimet që hamë vijnë nga Serbia edhe kur janë marka italiane, që energjinë e blejmë nëpërmjet serbëve, që bregdetin po e blejnë serbët, që dhe pallate po ndërtojnë serbët. Që të mos ju kujtoj se kush e furnizonte në luftë Serbinë me karburant.
Dhe nuk është çështja nëse biznesi i mirë çan tregjet. Para një pako makaronash të prodhuara në Nish, preferoj të njëjtën markë të prodhuar në Itali. Dhe sardelet, i preferoj nga një vend që më së paku, ka det!
Nëse Serbia na mban me bukë, dritë dhe rrugë, ç’është ky inat i verbër kundër serbëve për një huligan të papërgjegjshëm?
E vërteta e thatë dhe e trishtë, është që ne s’jemi nacionalistë. Ne, s’e duam këtë vend e as njerëzit tanë. Thjesht kemi nevojë të gjejmë armiq e të shfryjmë dufin e vogëlsisë dhe inferioritetit.
Dhe kur them për armiq, e kam fjalën për armiq virtualë, që t’i luftojmë me inisiativa bajate në FaceBook.
Produktet serbe dallohen nga shifra që kanë në barkodin, ato vizat që janë mbi çdo produkt. Produktet serbe kanë nr. 860 poshtë bar-kodit. Doni të dini sa mallra serbe konsumojmë?? Futuni në supermarkatë.
860
“Na Drini Ćuprija” (“Ura mbi Drin”) është libri që i dha Nobelin Ivo Andrić-it, shkrimtarit sërb të luftës së Dytë Botërore (“serb” e shkruaj me “ë””, se me “ë” e shqiptoj).
E kam lexuar librin në fillim në anglisht, e më pas të përkthyer në shqip. Në shijen time personale, Andrić nuk është aq i mirë sa Kadareja, edhe pse “Ura Mbi Drin” është një eksplorim në territoret ku Kadare është mjeshtër. Tek “Urat...” vë re tentativën për të ngritur tema epike me zor, aty ku epizëm nuk ka dhe aq shumë. Karakteret, më vijnë të zbehtë, ngjarjet më vijnë të plogështa, epizmi mbahet me karaktere episodikë, magjia e asaj gjëje që quhej Perandoria Osmane e që ka formësuar krejt Ballkanin e sotëm që te Kadareja është një botë misterioze plot lëng, te Andriç më vjen e zbehtë, e pa-kapur. Vende-vende, ngjarjet më vijnë të sajuara për të nxjerrë një ide fillestare të shkrimtarit. Ka një pikë që libri, fillon e bëhet dhe i mërzitshëm. Ti, thuajse e di se çfarë do shkruhet në faqet pas. “I urrej shkrimtarët që shkruajnë me teza” thotë diku Kadareja.
Megjithatë, Andrić e ka marrë një Nobel, Kadareja, akoma. Po, se mos na plasi. Ne, e kemi inatin me atë “legenin” që na dogji flamurin.
Futuni në supermarkatë. Dhe boll lozët me pistoleta uji në Facebook.
Monday, October 18, 2010
NA DRINI ĆUPRIJA
Labels:
flamur,
Kadare,
koloreto cukali,
serb,
ura mbi drin,
Xhenova
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Pse duhet te krahasohet Kadareja me Andric-in? Nobeli eshte ndihmues por jo vendimtar, ne prizmin e njohjes nderkombetarisht te nje figure/personaliteti apo te punes/veprave te tij. Me dukesh pak kontradiktor ne artikull sepse ne shume raste flet per nevojen qe ndjejne sidomos meshkujt te arratisen shpesh here dhe qe gabimisht eshte quajtur emigrim-mos gjyko menyren sesi dhe pse kane zgjedhur te ikin...(Ka shije shume te hidhur komenti). Sa per artin dhe muziken-nuk besoj se duhet te zgjidhet sipas perkatesise kombetare apo etnise, ajo muzike qe eshte e bukur eshte e bukur. Fakt ngelet qe Bregovic nuk ka cilesi tjeter vec zerit...le te themi qe muziken e bejne shume te mire (mbase duhet te theksoj qe ne fakt ata qe bejne muzike te mire jane te gjithe me origjine kroate apo boshnjake dhe te naturalizuar me mutacionet serbe...). Le te mos flasim per energjine, eshte pak e komplikuar dhe gjithmone ne favor te serbeve...duke qene se jane aleate besnik e te perhershem te Rusise-s'habitem nese na e rishesin neve...Dhe, te lutem, rasti i atij serbit nuk eshte rasti i nje shpellari apo rast sporadik, ata nuk e duan pjesen tjeter te botes dhe nuk i duan Škiptaret...term ky qe eshte percmues sipas tyre...Pse te mos flasim ketu per rastet e shpellareve qe punojne ne doganat e serbe- ku ne rast se nje qytetar shqiptar futet ne cdo dogane per te shkuar drejt territoreve serbe, nepermjet Kosoves, kthehet mbrapsht. Pse? Mos valle dufin dhe inatin me Kosoven e shprehin me cdo mjet te mundshem? Mesa duket,po! Nuk njohim Kosoven, kshu qe nuk njohin territorrin qe ti ke shkel para se te futesh ne dogane. Ky eshte Ligj Shpellash-nese eshte vertet i parashikuar ne ndonje ligj. Kur mendoj dhe flas per serbet me vjen ne mendje gjithmone e njejta shprehje: Either Serbs WAY or NO WAY!!! I admiroj per nje gje, nuk jane DELE si ne. Le te mos flasim per muziken e tyre, jane te zotet, shume madje. Dhe sa per ushqimin, shteti i tyre mendjendritur, ka taksa shume te larta per mallrat e importuara kshu qe nje pako kafe(psh Illy) qe normalisht e blen ne UE dhe ne Shqipni rreth 3 Euro, ketu eshte 1200 RSD (qe do te thote 12 Euro). Cfare prodhojme NE dhe cilin prodhues e subvencionojme ne?!? Dhe c'Taksa aplikojme/vjelim ne nga mallrat e importuar?! Ajjj... ofendova korrupsionin dhe te korruptuarit ne kete rast. Mua me shqetesojne shume gjera dhe kur u ktheva para shume pak kohesh te jetoja ne Shqiperi, u tmerrova...ndaj zgjodha dhe ika(prape). Mora te keqen me te vogel. Nganjehere nuk duhet te bejme sikur i dime te gjitha...
ReplyDelete