Sunday, May 29, 2011

Mai 1968

botuar te Shekulli, e Diel, 29 maj 2011

Ne jemi një popull aspak familjar me protestën. Po ti kthehemi historisë sonë, do mund të gjejmë princë që rebelohen kohë pas kohe dhe që tërheqin pas bajrakun e tyre në luftë, por jo protesta.
E thënë thatë: një sedërli që shkon në luftë dhe një tufë delesh të egërsuara që janë gati të vrasin për të. “Bashar, ne jemi gati të vdesim për ty” shkruanin nëpër muret e Hobsit mbështetësit e diktatorit të Sirisë.

Diku, prapa në histori, në vitin 1936 gjendet diçka e quajtur Demonstrata e Bukës (Korçë) - tepër pak për të përfaqësuar një shpirt kombëtar protestues. Për më tepër, me retushimin që i ka bërë historisë Partia e Punës nuk kemi garanci se në ç’përmasa është shtrirë vërtetë kjo demonstratë, sa ka qenë vërtet protestë civile e sa ka qenë thjesht klithma e stomaqeve që donin bukë.

Përjashto ndonjë rast si Demonstrata e Bukës ‘36, si Demonstratat e Dhjetorit ’90 dhe protestat e ’96-’97, në 100 vjetorin e pavarësisë ne shkojmë si një komb i varur për këmbësh nga ata që knaë pushtetin.

LLOGORET

E kam dëgjuar shpesh shprehjen “shqiptarët nuk sillen si elektorat por si tifozë”. Unë mendoj se është më keq se kaq. Ne jemi tifozë të armatosur. Ne jemi të armatosur me urrejtje, me injorancë e me flamuj. Madje dhe më keq akoma, jemi tifozë të armatosur që futemi në fushë për të goditur lojtarët armiq.

Prandaj është vështirë të gjesh se ku fle ndër ne shpirti i protestës.

Pas majit tonë, ne po jetojmë në llogore. Komunikimet mes palëve janë ndërprerë. Logjika ka vdekur. Prijësit janë nisur për luftë. Fitoftë më i forti.
Politika jonë zhvillohet si asgjësim ndaj tjetrit. Kjo ka bërë që shpirti botëror i protestës tek ne të reduktohet vetëm në ekstremet. Ne njohim vetëm 2 mënyra komunikimi me pushtetin: përmes lulesh ose përmes vdekjes. Ose do bërtasim “rroftë mbreti”, ose do të ulërijmë “në litar”.
Demostrimi i vullnetit popullor në rrugë bëhet ose me lule, ose me armë. Nuk ka rrugë tjetër, ose do të vrasësh kujdestarin, ose kujdestari do të të vrasë ty. Si te Lulëkuqet mbi Mure.

LULËKUQET MBI MURE

Komunizmi e asgjësoi përfundimisht atë çikëz shpirt proteste që vitet e pakta të pavarësisë kishin ndezur te shqiptarët. Madje, komunizmi realizoi një kryevepër të dhunës civile: shndrrimin e protestave “kundër” në protesta “pro”.
Nëse në tërë botën më 1 maj njerëzit protestonin, tek ne punëtorët detyroheshin të dilnin me buzëqeshje në fytyrë t’i hidhnin lule komandantit. Në mënyrë cinike, kjo praktikë ndiqet edhe sot.
Njerëzit e nxjerrë me dhunë në mitingje, kanë prirjen të mos dalin kurrë më në rrugë për protestë.

Megjithatë, në kinemanë e realizmit socalist (ku dua të besoj se arritën të depërtojnë mesazhe edhe pse të pandërgjegjshme) protestat ekzistojnë.
Artistët u detyruan t’i zhvendosin protestat në një epokë tjetër të deformuar realisht, artistikisht dhe politikisht, ku njerëzit rebelohen kundër shtypjes.

Te Lulëkuqet Mbi Mure, pavarësisht dozave të larta të propagandës e pavërtetësisë (jetimoret e administruara nga italianët, nuk kanë qenë ashtu si në film) prapëseprapë mbizotëron shpirti adoleshent i rebelit. Nëse arti është një formë për të na treguar të vërtetën, diku brenda nesh duhet të gjendet dëshira njerëzore për të thënë “Jo” kur abuzohemi.

Pushteti korrupton. Pushteti absolut korrupton në mënyrë ABSOLUTE. Forma më njerëzore e kundërshtimit të pushtetit, është protesta, qoftë kjo me gurë apo me molotov. Nuk mund të ketë rini pa rebelim dhe shtet demokratik pa protesta.
Shihni Francën.

FRANCA 1968-2010

3 muaj para 21 Janarit tonë, në Francë dolën 700m vetë në protestë kundër reformës për pensionet. Bëhet fjalë për “pako gjë”: qeveria franceze vendosi të ngrejë me 2 vjet moshën e daljes në pension, dhe kjo mjaftoi për ta paralizuar Francën që nga gjimnazet e deri te portet. Asnjë i vrarë, edhe pse protestues me maska hidhnin bomba molotov.
Më 2006-n, po ashtu protesta të dhunshme për 1 nen të ligjit të punës, që u lehtësonte sipërmarrësve të punësonin e pushonin nga puna të rinjtë. E tërë Franca në këmbë.

Gjithçka Franca është sot ia detyron vitit të largët 1968 në majin e të cilit shpërthyen protestat masive të miliona njerëzve. Protestat ishin aq të forta, sa për pak Franca kaloi në luftë civile, disa trembeshin për revolucion, De Goli u arratis. Shoqëria franceze e sotme u ngrit mbi hirin e të vjetrës. “E vjetra shembet...”

Shteti është si një pemë ku kumbullat kalben prej korrupsionit e papërgjegjshmërisë. Dikush, duhet ta shkundë pemën.
Gjithçka që studentët e “mai 68” kërkonin ishte që strukturat shtetërore tu shërbenin njerëzve, jo njerëzit strukturave.

SMELLS LIKE TEEN SPIRIT

Në Shqipëri askujt nuk i shkon mendja të protestojë për pensionistët – “le të dalin vetë po deshën”. As për tetraplegjikët – “unë nuk jam tetraplegjik” le të shkojnë vetë në grevë urie.

Vendi ynë nuk është i përbërë nga qytetarë por nga hallexhinj ku secili sheh hallin e vet.

Ne nuk e dimë, që kemi TË DREJTË të protestojmë.

Ne kemi të drejtë të protestojmë kur një film është i shëmtuar, ne kemi të drejtë të protestojmë kur keqtrajtohemi në burgje, ne kemi të drejtë të protestojmë kundër sistemit të masterave, ne kemi të drejtë të protestojmë që të ulet çmimi i sms-ve, ne kemi të drejtë të protestojmë kur Tiranën e viziton Fazlliç, ne kemi të drejtë të protestojmë kur autobusët ecin me 5 km në orë për të realizuar “planin”, ne kemi të drejtë të protestojmë kundër privatizimit të rrugës së Kombit, ne kemi të drejtë të protestojmë kur kampionati i futbollit blihet, ne kemi të drejtë të protestojmë për Piramidën, ne kemi të drejtë të protestojmë për çdo gjë.

Por ne nuk protestojmë.

I vetmi rast kur protestojmë, është për të protestuar kundër dikujt që proteston.
Ky është turpi më i madh në një demokraci. Në fakt, kjo është vdekja e demokracisë. Vetëm në shoqëri të deformuara si e jona, ka njerëz që ngrihen për të protestuar ndaj të drejtës së dikujt tjetër për të protestuar.

Ne nuk duam dritë. Ne ndjehemi mirë, kur në errësirë është dhe ai tjetri. Nuk duam bukë, mjafton të vdesë urie dhe ai tjetri. Nuk duam liri, mjafton të vuajë dhe tjetri.

Vetëm këtu ka intelektualë që bëhen palë me shtetin kur vriten protestuesit. Vetëm këtu ka artistë që ngrihen kundër një greve urie.
Sigurisht, njeriu ka të drejtën të ketë një qendrim të vetin. Njeriu mund ti bashkohet protestës ose të mos bjerë dakort me të. Mund edhe ta kontestojë fort ndërsa sheh lajmet në shtëpi.
Por, të dalësh në protestë kundër një proteste në stilin e anti-mitingjeve të 91-shit, është forma më e shëmtuar e mbytjes së lirisë së tjetrit.

Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, dhe ata që argumentojnë të kundërtën, janë shërbëtorë të pushtetit.
Nëse do të dish çfarë mbreti ke, shiko si flasin shërbëtorët e tij.

SHTETI KUNDËR

Sigurisht që si Sarkozi, si Lukashenko nuk i duan protestat. Protestat tregojnë që ka njerëz të palumtur dhe pushteti nuk ka qejf të shohë pasqyrën e paaftësisë së vet.
Prandaj shteti përdor të tëra mjetet për ta deligjitimuar protestën.

Hidhet baltë mbi organizatorët, mashtrohet me shifrat, bëhet turbullirë mbi motivet, premtohen qiqra në hell.
Gedafi, për shembull, nxjerr njerëz me flamuj që protestojnë “pro” tij. Madje nuk i nxjerr, ata dalin vetë, të shtyrë nga pasione tribale.

Në një popull që dëshiron të gënjehet, të tëra këto funksionojnë. Tifozët e armatosur duan vetëm një pilulë për të qetësuar ndërgjegjen. Qytetarët në llogore duan vetëm një gënjeshtër për ta besuar.

Dita e parë e Duçes në pushtet nuk ishte dita kur bëri betimin si Kryeministër, por dita kur prej indiferencës ose prej frikës nuk kish mbetur askush që të protestonte.

GREVAT E URISË NË VENDIN MË TË VARFËR TË EVROPËS

Po më thonin që në Greqi, për të protestuar për gropën ku e futi vendin politika e korruptuar, ka dalë moda e kosit. Sa herë që grekët e thjeshtë shohin një politikan në një lokal duke ngrënë, duke ecur rrugës apo në çfarëdo vendi publik, dikush merr një kuti me kos dhe ia hedh fytyrës për protestë! Kjo ka bërë që për ca kohë politikanët të mos guxojnë të dalin në rrugë.
Në Spanjë, qytetarët ngritën tendat në mes të sheshit.

Kurse ne dimë të bëjmë greva urie. Dmth, diçka e ngjashme në frymë me të largëtën Demostratë të Bukës.
Grevat e urisë, vijnë dhe për shkak të mungesës së besimit se me protestë fitohet e drejta. Prandaj kushdo që ka një problem, tenton zgjidhjen me formën më ekstreme të protestës. Sakrifikim maksimal, me shpresën që shteti do të bëjë një lëshim minimal. Por, shteti ia ka marrë dorën grevave të urisë (në shumë prej të cilave, thuhet se hahet, po me masë).
Në një Shqipëri me 18.5% të popullsisë që jeton në varfëri absolute dhe 3.5% në varfëri ekstreme, grevat e urisë duken më tepër si stërvitje.

Një shoqëri e shëndetshme ka format e veta të protestës.
Një shfaqje të shëmtuar, fishkëllehet.
Makinat e parkuara në mënyrë abuzive, gërvishten me çelës.
Nëse Sarkozi bën ligje të këqia, fluturojnë molotovët.
Muret mbushen me graffiti!

PROTESTA IME

Protesta ime e parë është kundër vetes sime. Unë duhet të luftoj diktatorin që kam brenda. “Të tërë kemi pak Berishë e pak Ramë brenda vetes” shkruan diku Lubonja.
Graffitti - parrullat nëpër mure – ishin një nga “armët” e Majit francez të ’68-s. Një prej tyre shkruante: “Një polic fle brenda secilit prej nesh. Ne duhet ta vrasim atë. Nxirre policin nga koka jote!”

Sunday, May 22, 2011

NËNTËDHJETËESHTATA

BOTUAR TE SHEKULLI, E DIELË, 22 MAJ 2011

NËNTËDHJETËESHTATA

Kombet pa kujtesë, janë kombe të vdekura, ka thënë Euripidi.
Duke parë ç’po ndodh më çimentohet bindja që ne jemi një komb-foshnje, një komb me memorje të shkurtër politike e shoqërore. Një trup adult që nuk mban mend ç’ka bërë kur ka qenë fëmijë, edhe pse, ajo që ka bërë do të jetë karakteri i tij përjetë.

Në 20 vjet rrethana demokratike, ne bëjmë të njëjtat zgjedhje, biem përherë në të njëjtat kurthe, mashtrohemi me të njëjtat premtime dhe bëjmë luftë me të njëjtat fantazma.

Të qenit një komb pa memorje nuk është deklaratë patetike, më shumë sesa një konstatim që secili prej jush mund ta verifikojë personalisht duke blerë e lexuar 2 libra të botuar motin e fundit, “Viti ‘97” i Mero Bazes (Toena, 2010) dhe “Nëntëdhjetëeshtata” i Fatos Lubonjës (Marin Barleti, 2010).

PËRSHESHI ME KOS

Të dy librat janë komplementarë sepse sjellin 2 pamje, 2 gjysma të të njëjtës mollë të kalbur, meqënëse të dy autorët në atë kohë kanë qenë të pozicionuar përkundruall njëri-tjetrit, Lubonja pranë Forumit për Demokraci dhe Baze pranë Presidentit Berisha.
Ky fakti i jep vërtetësi kujtesës që përftojnë të dy librat, sepse përjashton mundësinë që e vërteta të manipulohet nga njëri krah ose të jetë e pabalancuar nga këndvështrimi i kundërt.

Gjëja e parë që të bie në sy tek të dy librat, janë emrat e përveçëm, protagonistë të asaj kohe.
Që nga Kastriot Islami, Neritan Ceka, Ritvan Bode e deri tek Paulin Stërkaj janë aty, aktorë në dramën e madhe.
Vetëm se disa prej aktorëve kanë ndërruar vendet. Disa që rriheshin dje, janë në podium sot dhe e kundërta. Disa të tjerë janë akoma në të njëjtat poste, çka na bind se formula “ç’ke me të, ai përshesh me kos po ha” është e vetmja formulë për të mbijetuar në politikën shqiptare.

Pra, të njëjtët protagonistë, të njëjtat ambicie, të njëjtat terma, e njëjta luftë.
Përreth tyre, masa e madhe e njerëzve, përherë e irrituar, përherë duke kontestuar, duke u ndjerë e vjedhur, e duke urryer tjetrin.

Nëse doni të merrni një vendim se a duhe të jeni pjesë e luftës, duhet të lexoni dy libra dhe të freskoni memorjen.

Ajo që do të kuptoni, është se në fund të çdo lufte, të njëjtët njerëz do të bëjnë rokadë në pushtet, dhe me kalimin e kohës, dikush do ketë një flashback e do kujtohet, “Po ky, ç’do këtu?”. Atëherë, do dëgjoni shprehjen “po ç’keni me atë, ai përshesh me kos po ha!”
Përshesh me kos, por në sahanë ari. Ari, dhe firmato, madje.

LOJËRAT ME MEMORJEN

Manipulimet e pushtetit me memorjen e popullit, janë të shumta dhe kur them pushteti, nuk e kam fjalën vetëm për njerëzit që mbajnë poste shtetërore. E kam fjalën për këdo që falë lidhjeve, parave dhe postit ka mundësi të shtjerë në dorë një medium.
Një medium ka shumë rëndësi. Ne jemi populli-fëmijë që rri i hutuar para televizorit.

Në fillim është rraketakja. Ajo gjëja që i tundet në sy foshnjes, që të harrojë që po qante. Në thelb, rraketakja është një material plastik me ngjyra të ndezura e me një gogël brenda që blihet në Pazar për 200 lekë. Memorja e publikut topitet me dhjetëra raketake idiote, vezulluese e me zhurmë, me batuta parlamentare, me gjokse të bëra e thashetheme pa vlerë, me ligje-shashka e me akuza homoseksualësh.

Mjeti tjetër për të shkulur memorjen është bombardimi me artileri të rëndë informative.
Në një vend ku brenda një jave dëgjojmë llahtarira që në Perëndim nuk i dëgjojnë për një shekull, që nga videot korruptive e deri tek sms erotike, që nga shpërthimet e fabrikave e deri tek vdekjet aksidentale për gjueti, veshi politik topitet, mendja nuk reagon më, dhe mbetemi si fëmijët e Kronikës Në Gur që gëzohen kur plasin bombat, e diskutojnë cila shpërtheu më afër.

Për të na hequr memorjen, na heqin ku me stil e ku pa stil pikat e referimit me të shkuarën, qofshin këto objekte apo njerëz.
Ndërrojnë monumentet, emrat e rrugëve, prishin çdo gjë të vjetër, privatizojnë kujtimet, blejnë çdo gazetar, ndosin çdo figurë që ka mbetur ende në këmbë si pikë referimi. Analisti që ti i ke besuar deri dje, sot është i përlyer.
Cili është njeriu që ju i zini besë në TV? E keni vënë re që ju jeni i vetmi që e pëlqeni?

Një gazetar afrikan shkruante diku që një komb pa memorje është një komb pa të vërtetë; për rrjedhojë, një komb pa racionalitet; e shi për këtë, një komb pa ndriçim.

Heqja e memorjes, ka të bëjë me ndriçimin.

20 vjet rrethana demokratike, dhe ne jemi ende një popull që ecën në errësirë duke u kapur për muri, ndërsa dëgjojmë vetëm zëra analistësh, si zëra sirenash.

INCEPTION

Sigurisht, për të na manipuluar memorjen duhet dhe ndihma jonë.
Ne kemi frikë të përballemi me të kaluarën. Ne kemi frikë nga përballja me ’97-n. Jemi si ata burrat a gratë, që preferojnë më mirë të mos e dinë që bashkëshorti i tradhëton ngaqë kanë frikë nga përballja me të vërtetën. “Më tradhëto, bëj ça të duash, mjafton që unë të mos e di!”

Tek filmi “Inception” i Christopher Nolan, ekziston një ekip i specializuar që penetron mendjen tënde, që futet në ëndrrat e tua dhe manipulon kujtimet e tua, e më keq akoma, idetë tua.
Sesa mund të realizohet kjo, varet nga rezistenca e vetë njeriut. Sepse, çdo lloj manipulimi mund t’i rezistohet.

Rezistenca që unë dua tju propozoj është që të lexoni 2 libra. Dy libra mbi 97-n.

Përpara se të merrni vendimin të përfshiheni emocionalisht e fizikisht më tej në gjithçka që po ndodh duhet pak ndriçim nga ajo që kemi kaluar.

URBANIZMI I DYTË

Tek “Nëntëdhjetëeshtata” e Lubonjës mund të ndjesh qartazi që asgjë nuk ka ndryshuar nga 1997-a në 2011-ën.

Një personazh bërtet në miting, “Hajdutët janë atje, të ndershmit janë këtu”. Termi “grusht shteti” është përdorur dhe atëherë, thuajse në të njëjtin kontekst. Në mes të dramës kombëtare, fanatikët që ulërasin “Rroftë...”.
Në trazirat e 97’s, autoritetin e morën të fortët, ata që jepnin garanci se përballeshin me situatën.
Ambasadorët, bëjnë po atë që bëjnë sot. Vijnë për të përfaqësuar e mbrojtur interesat e vendit të tyre, por kuptojnë që këtu konsiderohen si të deleguar të perëndisë, e fillojnë të veprojnë si të tillë.

Lubonja endet në kufijtë e tezës “Shqipëria e meriton Berishën” (fq 189). Kjo është e vërtetë, po aq sa, siç thotë ai, Berisha është përfaqësues i njeriut mbizotërues në shoqërinë shqiptare: “njeriut të mbajtur në izolim e padituri, tek i cili mpleksej, në formën më primitive, kulti i të fortit me nënshtrimin e mercenarit (...) Ky njeri i frikshëm, që vinte kryesisht nga fshati, po kryente tani urbanizimin e dytë të Shqipërisë. Ai po zbriste në qytet (...) Kush arrinte ta manipulonte agresivitetin e këtij njeriu, bëhej tejet i fuqishëm...”

DALTONIZMI

Forca jonë, nuk duhet konsumuar në heqjen e një njeriu e vënien e një tjetri, as në zëvendësimin e një grupi politik me një tjetër. Kjo është e pamjaftueshme. Viti 97 na e provon.
Ajo çfarë duhet bërë, është të ndryshojë “fryma”, fryma e mbajtjes së pushtetit me dhunë a me arrogancë, fryma e korruptimit të njeriut e të institucionit, të lajmit e të gazetarit, fryma e talljes me votën e gjithkujt, nga kushdo, posa merret pushteti.

Shprehja që rezultatin në Tiranë do ta vendosin daltonikët (dmth, ata që nuk dalluan ngjyrat e hodhën votat në kutitë e gabuara) është shumë cinike, por ka një thellësi më të madhe nga sa duket me të parën.
Ne jemi popull daltonik.

Daltonizmi, është dhuna e shumicës mbi pakicën. Shumica vendos që kjo ngjyrë do të quhet jeshile; pakica e sheh të kuqe.
Daltonizmi ynë si popull ka të bëjë me faktin që jemi gati të vritemi të gjithë për atë ngjyrën që e shohim ndryshe. Ajo ngjyrë, bëhet flamuri ynë i luftës. Kjo është fryma që na çoi te ‘97-a e që na solli te 2011-a.
Ne ia vëmë fajin ngjyrës, kur ngjyrat janë vetëm çështje emërtimesh.
Ngjyra jonë është e bardha dhe e zeza. Berisha i zi, Rama i bardhë.

FILLIMET E KUJTESËS

Në çdo gënjeshtër janë dy vetë, thotë personazhi i animuar Homer Simpson, ai që gënjen dhe ai që gënjehet.

Gënjeshtra e parë e demokracisë ishte premtimi për një çek të bardhë. Një çek, që do ta sillnin amerikanët.
Unë nuk e harroj këtë.

Monday, May 16, 2011

Trupi i Shqipërisë

botuar te Shekulli, e dielë, 15 maj

Kanceri është një sëmundje interesante për nga pikëpamja shkencore. Siç më kanë thënë, kanceri është sëmundja me të cilën trupi vret veten e vet. Për të reaguar ndaj diçkaje që nuk shkon mirë brenda tij, vetë trupi prodhon qeliza kancerogjene me të cilat përpiqet ta mbulojë të keqen që ka. Këto qeliza - kancerogjenet - në një të ardhme të afërt do të vrasin vetë trupin.

Vota shqiptare, funksionon prej vitesh në formën e kancerit. Për aq sa më kujtohet mua, në të tëra votimet që pas 90-ës gjithmonë të thonë që ka vetëm një rrugë. Gjithmonë, luftojmë kundër të keqes më të madhe, finale, të papërsëritshme.

Në votime, shqiptari vë pasionin e vet. Me këtë pasion luajnë mjeshtrat e propagandës, të cilët për 20 vjet kanë arritur të na bindin që vota kundër X-it është e vetmja rrugë.
Në çdo datë zgjedhjesh, zemrat tona çohen peshë, sepse në çdo datë na thonë: "sot ndalet e keqja". Kjo gjë ka 20 vjetë që përsëritet. Dhe e keqja, si tek "Elementi i 5-të" i Besonit vetëm ushqehet me votat-armë tona, duke u bërë më e madhe.

HISTORIA E TË VETMES RRUGË

Në 92-shin e vetmja rrugë ishte hedhja poshtë e partisë së trashëguar nga Enveri dhe votimi djathtas. Pra, trupi i Shqipërisë, ndaj një të keqeje që ishte diku e ishte gjithandej, thirri kancerogjenet. Sot, ai grup politik që u votua me aq pasion atëherë janë ose shumë të pasur, ose me shumë pushtet, ose të dyja bashkë.

Në '94, për votimin e kushtetutës, u thirrën prapë kancerogjenet - të mbrojmë trupin nga e keqja - e u hodh poshtë kushtetuta jo për hir të vetë asaj, por për të mbuluar Presidentin e asaj kohe. Në '96, përsëri, u votua për jetë a vdekje. 97-ën e mbajmë mend si ishte, e më tej mund t'ju kujtohet dhe kemioterapia e 2001-shit. Në 2005-n, u rithirrën kancerogjenet, për të luftuar të keqen. Në 2007-n... në 2009-n...

Ku janë sot mesiat e këtyre 20 viteve? Ku janë ata njerëz që na ngrinin peshë duke na treguar me gisht të vetmen rrugë kundër së keqes, gisht që tregonte veten e tyre?
Po ku janë sot Pollo, Ceka, Imami, Gonxhe, Nano, Rama, Basha e Kop-i, deri te Meta që vetëm para shumë pak vitesh dukej si Buda që ofronte rrugën e tretë?

Janë të tërë në pushtet, kanë rregulluar punët e veta, kanë vënë pasurinë e vet, e tani ngrohin studio të ngrohta ose karrike ministrash e këshilltarësh.
E tëra falë kemioterapisë që na propozuan, ndërsa neve na lanë në derë "të vetmen rrugë": zhgënjimin.

PAMUNDËSITË E MJEKËSISË KONVENCIONALE

Pra, fillimisht trupi prodhon kancerogjene për të eleminuar sëmundjen. Pastaj, duhet kemio për të eleminuar kancerogjenet. Pastaj, duhet gjetur diçka tjetër për të shpëtuar trupin nga efektet e kemios. Heqja e gjirit në rastin e kancerit të gjirit, siç thonë disa, është krejt e gabuar. Pastaj... shkenca nuk ka arritur akoma më tej, por faktet tregojnë që në një trup që ka një problem, asnjë nga këto masa nuk e shpëton përfundimisht njeriun.

Lufta kundër kancerit nga mjekësia konvencionale deri më tani është ndërtuar nëpërmjet eleminimit të qelizave kancerogjene. Por, për sa kohë e keqja mbetet në trup, trupi do të prodhojë qeliza të tjera kancerogjene, për ta mbuluar atë.

Vota jonë vetëm do të sjellë një problem pas tjetrit. Prandaj, formula "e vetmja rrugë", duhet të zhduket. Ajo është një formulë që mbahet artificialisht në këmbë prej 20 vitesh sa nga njëra palë dhe nga tjetra. Berisha ishte e vetmja rrugë më 2005-ën. Rama, është e vetmja rrugë më 2011. Pas 20 vitesh, i vetmi pasion që kam, është të refuzoj këdo që më ofron vetëm një rrugë të vetme.

E VETMJA RRUGË 2011

Unë arrij ta kuptoj pasionin e njerëzve që besojnë se e Vetmja Rrugë në 2011 është të ikë Berisha. Trupi i Shqipërisë po kërkon të prodhojë kancerogjen për ta hequr nga pushteti atë që nuk shkon, atë që nuk funksionon më si politikë e si administrim, atë që po e sfilit trupin. Por, jashtë pasionit, më duhet të them frazën e njohur: "Been there, done that" - e kam kaluar një herë, e kam bërë një herë, po këtë gjë.

Jashtë pasionit, unë shoh atë që ka ndodhur përherë: kancerogjenet, nuk e shërojnë dot të keqen, vetëm tentojnë ta mbulojnë. Më pas, do kërkohet kemio, heqja e gjirit...
Unë dua që të ikë Berisha. Por, nuk besoj se kjo është e vetmja rrugë. Unë nuk besoj më tek kemioterapia. Unë besoj se mjekësia duhet të ndryshojë, dhe që trajtimi klinik i Shqipërisë duhet të ndryshojë. Më shumë se Berisha duhe të largohet fryma politike që ai përfaqëson, një frymë që gjendet me shumicë edhe te kundërshtari i tij.

Arroganca në pushtet, trajtimi i popullit si të ishte budallai i fshatit që tërhiqet për hunde 1 herë në 4 vjet; gënjimi i popullit si të ishte fëmijë me karamele 5-lekëshe; mashtrimi i paturp nëpër fushata me premtime që as kanë ndër mend ti mbajnë kurrë, rrethimi i vetes me elita pasanikësh; përdorim fondesh të padeklaruara, që s'dihet nga vijnë e as si do i kthehen atij që i dha; mbushja e parlamentit dhe bashkive me kandidatë biznesmenë në vend të administratorëve të aftë; të tëra këto, edhe po iku Berisha do t'i lërë pas.

E vetmja rrugë, propozon që ti mbajmë të tëra këto duke hequr Berishën.
Ka ardhur koha që mjekësia tradicionale, mjekësia që prodhion më shumë ilaçe sesa zgjidhje, mjekësia që pasuron kompanitë farmaceutikë të ndryshojë. Ka ardhur koha që njeriu të kërkojë forma alternative mjekimi. Dhe jo vetëm për kancerin, por edhe për politikën. Unë nuk mund t'ju jap dot zgjidhje sot dhe këtu, por mund t'ju them se cili është fillimi i zgjidhjes.

TIRANA DHE KANCERI

Unë besoj se vetë trupi po na tregon diçka. Refuzimi për të votuar Ramën kundrejt një njeriu të etiketuar si vrasës dhe që ka jo pak gjynahe të mediatizuara në kurriz, është shenjë që trupi i Kryeqytetit nuk do as kancerogjenin, as kemion.

Sigurisht ka pasur para-manipulime të votës. Sigurisht, ka pasur një presion të jashtëzakonshëm ndaj administratës për të votuar Bashën. Faktet janë aty. Plot njerëz të intimiduar se mos hiqen nga puna nuk kanë vajtur fare të votojnë. Por sado katundarë nga komunat të jenë regjistruar ilegalisht për të votuar në Tiranë, prapë se prapë, mbetet një shifër shumë e lartë, mbi 100 mijë votues pro Bashës. Kjo nuk e bën më të mirë Bashën, as ia heq etiketën për vrasës. Atë etiketë ia heq vetëm gjyqi ku duhet të paraqitet e të mbrojë veten e tij.

Por ato vota, duan të tregojnë që trupi i Tiranës është i lodhur. Mes një njeriu që akuzohet se ka vrarë 4 njerëz, dhe një tjetri që akuzohet se ka vrarë qytetin, jo medoemos tiranasit duhet të zgjedhim me pasionin, që s'ka rrugë tjetër.

Përveç qindmijëshes së votave që ka merituar secili, ka plot të tjerë që e kanë djegur votën e u kanë hequr vizë të 2 kandidatëve sepse kanë refuzuar që të zgjedhin mes dy të këqiave.
Ndryshimi, fillon tek ata.
Refuzimi! Refuzimi i kemios.

SHQIPËRIA DHE KANCERI

Shembulli tipik i një trupi që vetëm prodhon kancerogjene duke e mbytur veten është Shkodra. Ka 20 vjet, që aty votohet vetëm një krah. Ka 20 vjet, që trupi i Shkodrës prodhon kancerogjene kundër të keqes të imponuar mbi këtë qytet që në kohë të Enverit. Projektet politike aty nuk vlejnë. Vizionet... eh ç'na bëtë për të qeshur.

Një qytet që përmbytet non-stop, që s'ka punë, ku plehrat e qytetit digjen mu te Varrezat e Dëshmorëve, një qytet ku s'ka më jetë dhe ku humori prej dhimbjes është bërë cinik, është tashmë një trup i paaftë të reagojë. Një trup, që do prodhojë non-stop kancerogjenë. Shkodra voton me moton "e vetmja rrugë" që prej 20 vjetësh.
Shumë pjesë të Shqipërisë, funksionojnë kështu.

Nëse vendit i propozohet si e vetmja rrugë një model i vjetër, trupi votues vetëm do topitet, si të kishte kaluar seancën e radhës së kemioterapisë. Kjo gjë po ndodh, ka 20 vjet.

RIP

Ne nuk mund të jemi më një trup politik i topitur, që voton për inerci kundër njërit. Ne NUK DUHET të zgjedhim medoemos kancerogjenin, e më pas kemion.
Neve, NUK MUND ti besojmë dikujt që pas 12 vitesh në pushtet e mbështet projektin e vet politik mbi kemioterapinë e "së vetmes rrugë".


Ka ardhur koha, që ata që duan të fitojnë, të vijnë me projekte serioze, jo projekte të sajuara brenda natës për të topitur turmën votuese sa për një muaj fushatë.
Ka ardhur koha që ata që duan të votohen, duhet të na frymëzojnë me vizionet e tyre dhe jo me shëmtinë e kundërshtarit.

Mund të mendoni që fjalët kancerogjen dhe kemioterapi, i kam përdorur me tepri në këtë Tartë. Por, a nuk është kjo, e vetmja rrugë sesi funksionon propaganda?

Sunday, May 8, 2011

Memo Atyre Që Zgjidhen Sot

Botuar te Shekulli online, dt 8 maj 2011

Këtë shkrim, do ju lutesha ta lexonit pasi të keni votuar.
Le që, nuk besoj se ky shkrim, si shumë të tjerë do të ndihmojnë votuesin e kësaj radhe të kuptojë se kush prej kandidatëve do të jetë më i miri për të.

Edhe këtë radhë njerëzit do të votojnë kundër dikujt.

Lao Tzu

Një kinez i vjetër për të cilin nuk dihet as se kur ka lindur, Lao Cu, ka thënë: “E vetmja gjë që mund t'ju mësoj ështe thjeshtësia, durimi, dhe dhembshuria”.
Këto 3 elementë neve na duken aliene. Shoqëria jonë momentalisht qëndron mbi themele krejt të tjera. Tangërlliku, arroganca dhe shkelja mbi tjetrin, janë shtyllat e shoqërisë së sotme shqiptare.

Fushata zgjedhore që sapo u mbyll jo vetëm i rikonfirmoi këto vlera negative mbi të cilat ngrihet shoqëria jonë, por dha sinjale të qarta që ndryshimi duket tepër i largët.
“I've seen the future baby, it is murder!” këndon Leonard Kohen.

Fushata tregoi që, ndërmjet elitës që ka pushtetin dhe popullit nuk ka më asnjë shtresë lidhëse.

E VËRTETA QË NUK MBËRRIN KURRË

Mediat, që duhej të ishin filtri mbi të cilin informacioni vjen nga ata që “bëjnë lajme” tek ata që “jetojnë prej lajmeve” falimentoi në mënyrë të pashpresë. Publiku ndoshta nuk e di që shumica e “gazetarëve” dhe “analistëve” që i mbushin përnatë ekranet e përditë gazetat, në fakt janë blerë me para cash nga politikanët.

Kjo që po them nuk është një frazë e thënë ashtu, në përgjithësi. Ata që punojnë në media i njohin një për një kush nga gazetarët, drejtuesit e emisioneve apo analistët, ka marrë para dhe nga cili kandidat i ka marrë.
Prandaj dhe publiku habitet sesi filani dje fliste kështu e sot flet ashtu. Sepse publikut nuk ka kush t'ia thotë: ky Filan, ka marrë zarfin me para në dorë që të mbështesë njërin kandidat për kryetar Bashkie. Me këta gazetarë të shitur, jo vetëm lajmi denatyrohet, por dhe publiku bombardohet me ide të rrejshme teksa kandidati stoliset me rrobat e padukshme të mbretit.

Më e keqja, media e blerë ka ngritur tashmë një mur që fsheh turpet e pushtetit nga sytë e popullit, një mur ku përplasim kokën dhe jo vetëm gjatë fushatave.

SHOQËRIA E DISAVE QË JANË MË TË BARABARTË SE TË TJERËT

Shoqëria civile, ajo që normalisht duhej të përfaqësonte të papërfaqësuarit, është një kliente e rregullt e fondeve shtetërore. Ajo ka synime modeste: të bredhë botën duke bërë pallë nëpër konferenca për mbrojtjen e njeriut, të shkollojë fëmijët në vende sa më të mira jashtë e t'i bëjë pjesë të elitës sunduese më pas, si dhe të vegjetojë në zyra të rehatshme derisa të dalë në pension.

Shoqëria civile, ashtu si dhe media, ka bërë kompromisin e vet të turpshëm me pushtetin.
Ata që duhej të mbronin të dobëtit, konsumatorët, të paaftët, njerëzit që hiqen nga puna me lista të zeza, qytetarët që u shkelen përditë të drejtat në këtë vend apo ata që vriten me duar në xhepa në rrugë, në të vërtetë shërbejnë si fasadë imazhi. Imazh i rrejshëm që pushteti do t'u tregojë ndërkombëtarëve.

Shoqëria civile, është një shoqni tarafesh e snobësh.

ANOTHER BRICK IN THE WALL
Inteligjencia universitare është mbytur me diploma pa vlerë universitetesh-bordello, me intelektualë partie e me një rini universitare pubesh.

Klasa e mesme, ajo që mund të ushtronte presion në mënyrë të zgjuar për të ekuilibruar padijen e të varfërve dhe arrogancën e të pasurve, mendon e sillet si të ishte shtresë e pasur.

Artistët, ata që mund të kishin sjellë ndjeshmërinë e artistit janë thjesht rrogëtarë pasionantë. Unë njoh artistë që ndjeshmërinë njerëzore e artikulojnë me fjalinë: “Po të kisha qenë Ministër i Brendshëm, jo 4, po 4 mijë do kisha vrarë”.

Atëherë, me ura të këputura, ku mund të takohen ata që janë poshtë me ata që janbë lart?

GËRDEC'N'ROSES

Pika e vetme kur elita që sundon vendin takohet me popullin, është dita e votimit.
Por, kjo ditë e votimit, që në mënyrë cinike konsiderohet si “dita kur flet sovranit” zhvlerësohet nga vetë “sovrani”.

Një popull që voton me urrejtje, një popull që voton me frikë, një popull që e ndërron votën e vet me një thes miell, me 100 euro, apo me një vend pune në administratën e atij që do fitojë nuk është një sovran.

Një popull që voton përherë të keqen më të vogël, një popull që voton “kundër”, nuk është një sovran. Është një i pangrënë që kur i lejohet të afrohet pranë sofrës tregon që nuk është vetëm i pangrënë, por dhe palarë, i paparë e i panxënë.

Lakuriq e të dregosur, ne jemi ende të paaftë të jemi sovran.

Konfuci thoshte: “Studio të shkuarën nëqoftëse do të parashikosh të ardhmen”.

Ja pse, kërkesën që kam për Kryetarin e Ri të Bashkisë, dua ta bëj pas fushatës, dhe pasi ju ta keni hedhur votën.

E ARDHMJA SIPAS KONFUCIT

Si do të jetë e ardhmja? Dmth, a do mbahen premtimet, do e thjeshtonte dikush pyetjen.

Hapësirat e gjelbra, parqet e lojërave, rrugët e shtruara, janë kërkesat tradicionale para kandidatit për Kryetar. Unë, nuk kam të tilla kërkesa.

Në kushtet e një shoqërie ku paraja është gjithçka, kur me para blihet prezenca televizive, blihen veshkat e të varfërve, blihen vota, blihet seksi e blihet ajri i pastër në zona “rezidenciale”, unë nuk besoj që votat do të përkthehn në pushtet për sovranin. Votat për kryetarin e ri vështirë se do të mund të bëjnë rezistencë ndaj elitës ekonomike në të ardhmen.
Këshillat Bashkiake mund të blihen. Projektet, mund lobohen nga të pasurit. Vendimet, mund të shtrembërohen. Transparenca, mund të varroset në një varr opak. Juritë sado prestigjioze, janë thjesht 5 njerëz të ulur në një podium që duhet të marrin një vendim miliona dollarësh.

Në qytet do të ketë pemë, nëse të pasurit do lëshojnë pe te pemët. Do ketë rrugë të shtruara, kur ndërtuesit të kenë nevojë për t'i shtuar vlerën pallatit të tyre. Kjo nuk do të varet kurrë vetëm nga ai që është kandidat sot e kryetar pas një jave, prandaj dhe votat ditën e votimit do të jenë përherë politike.
Elita politike prandaj është elitë.
Elita qendron përherë sipër, ne që votojmë gjendemi gjithmonë poshtë. Urat në mes, janë prerë.
Ky është fati i një shoqërie lakuriq e të dregosur.

Hipotekat, vendet e reja të punës, tramvajet, janë filmi me Harry Potterin që popullit i jepet të shohë para zgjedhjeve.

Prandaj unë për Kryetarin e ri të Bashkisë, nuk kam asnjë nga kërkesat tradicionale.

Unë kam vetëm një kërkesë.

Kryetari i vërtetë i Bashkisë së Tiranës, për mua, do të jetë ai që do të fusë në funksion referendumin.
Unë dua, që për çdo gjë që ndodh në këtë qytet, UNË, POPULLI, të pyetem.

NGA VILNIUS NË ZYRIH

Në Lituani votojnë me celular.
Në kantonet e Zvicrës sa herë që Këshilli Bashkiak merr një vendim ua çon për konfirmim qytetarëve të vet me postë. Ata votojnë atë që u interson, dhe votën e postojnë mbrapsht.
Çdo vendim, që tek dhënia e një trualli të Bashkisë për ndërtim, tek futja e autobusëve të rinj, e deri tek ndërtimi i një shatrivani, bëhet vetëm me miratimin e qytetarëve të Kantonit.

Unë, mes Kabulit edhe Zyrihut, kam zgjedhur Zvicrën.
Unë kërkoj, që populli të mos (bëhet sikur) pyetet 1 herë në katër vjet.
Unë kërkoj që gjithçka që ndodh në këtë qytet ku unë jetoj, ta miratoj unë, e jo ata që jetojnë më shumë jashtë sesa brenda.
Unë kam një kërkesë të vetme e të thjeshtë:
Bashkia e Tiranës të fusë frymën e referendumit për të tëra çështjet.

Unë dua, që të tërë vendimet e Këshillit Bashkiak, jo vetë të jenë transparente, por, të bëhen me miratimin e shumicës. Unë jam gati që në këtë vend të ndërtohen trame, edhe pse unë nuk e përdor tramin; që të shtrohen rrugë, edhe pse unë mund të mos e përdor kurrë atë; të ngrihen xhami, edhe pse nuk jam mysliman; të ngrihen pallate me 40 kate, edhe pse i urrej kullat; të rrëzohen kinematë, edhe pse më pëlqejnë filmat!

Unë dua, që të gjitha gjërat që nuk i dua, të ndërtohen, edhe me taksat e mia, por jo kur këtë e vendosin elitat financiare por kur këtë e vendosin pabuksat e tjerë si puna ime.

Unë dua, që në këtë qytet, çdo vendim të jetë referendar!

REFERENDUM PËRDITË E PËR ÇDO GJË

Cinizmit të disave që ne nuk jemi Zvicra, apo mosbesimit të disa të tjerëve që populli prapë do manipulohet edhe në këto referendume, mund ti përgjigme me një buzëqeshje.

Ne jemi Zvicra, por vetëm për ata që jetojnë te Kodra e Diellit. Unë dua që të jemi Zvicër dhe për ata që jetojnë te kodra e Priftit.

Populli mund të manipulohet edhe me referendum.
Por, jam i bindur që është më vështirë të blesh një qytet të tërë sesa një këshill.

Referendumi, do të bëjë që qytetarët gradualisht të kuptojnë që ata kanë vlerë. Vendim pas vendimi, ata do njohin pushtetin e vërtetë të vendimmarrjes.

Pjesëmarrja e vazhdueshme në votimet referendare për çështjet e qytetit do të detyrojë elitën që ta marrë popullin me të mirë çdo ditë e jo një herë në katër vjet.

Referendumi, do ti bëjë njerëzit të ndjehen më shumë qytetarë e më pak outsiders. Ata, do të quhen tiranas, jo se flenë gjumë në një banesë në Tiranë, por, se ata mund ta ndryshojnë vetë Tiranën.

Referendumi, do ta bëjë qytetarin të ndjehet përgjegjës dhe fajtor. Faji, nuk do të mbetet më jetim.

Referendumi, do na bëjë ta duam e ta urrejmë këtë qytet si një produkt tonin, jo si diçka që e ndërtojnë të tjerët, e neve vetëm na lejojnë të banojmë në të.

Referendumi, do na mësojë të mos votojmë kundër një njeriu, po kundër një interesi abuziv.

Referendumi, do na bëjë të ndjehemi për herë të parë në këto 100 vjet pavarësi, vërtet qytetarë.

VDEKJA E UTOPISË

Disave mund t'u duket një utopi.
Në fakt është kërkesa më e thjeshtë, që kërkon vetëm zarfe e pulla poste. Por, ajo që mungon, është dëshira e elitave sunduese për të mos e ndarë pushtetin, për ta mbajtur popullin trup e shpirt të sakatosur.

Kjo është momentalisht, e parealizueshme.
Ata që na duan vetëm një muaj, muajin e fushatës, do preferojnë të premtojnë anije kozmike e miliona vende pune. Por nuk do premtojnë kurrë referendum, sepse, referendumi, ua heq pushtetin elitave e ua jep qytetarëve.

Referendumi, ngjan, hë për hë, një ëndërr e largët.
Por shumë prej nesh janë akoma të rinj, dhe nuk kanë në plan të vajtojnë anës Elbë-s, anës Spree-së.
Unë kam hequr dorë prej kohësh nga filozofia e votimit të të keqes më të vogël. Unë, kërkoj futjen e frymës së referendumit.

Dhe herët a vonë, me dashje apo jo, me votë apo jo, do ta marr këtë të drejtë. Të drejtën për t'u ndjerë sovran.

Monday, May 2, 2011

Tiranat e Padukshme

Botuar te Shekulli, më 1 Maj 2011

Ju mbase prisni t’ju flas për zgjedhjet e 8 majit, por unë dua t’ju flas për një libër. Jo se nuk më intereson Tirana dhe vota që do hedhë qyteti. Por një javë para zgjedhjeve, do doja që t’jua lexoj Tiranën përmes një libri.

“Qytetet e padukshme” i Italo Kalvinos është libri që marr më me qejf se çdo tjetër në dorë. Kohë më parë, duke lexuar një artikull të Ardian Vehbiut, kuptova që të gjithë përjetojmë të njëjtën gjë kur lexojmë këtë libër – të tërë ne gjejmë qytetin tonë aty brenda.
Edhe Tirana juaj është padyshim (lexohet: “padyshiiim”) në njërin nga ato qytetet e padukshme që Marko Polo ia tregon Kublai Khanit.
Mua, të gjitha ato qytete më kujtojnë Tiranën.

MARKO POLO

Kryetarët e Mëdhenj njihen prej njerëzve që zgjedhin për të mbajtur pranë, këshilltarë që i ndihmojnë të zgjerojnë vizionin e vet për botën. Tony Blair këshillohej nga sociologu Anthony Giddens; Bushi i ri nga autori, gazetari dhe botuesi Marvin Olasky; Bill Klinton nga politologu David Osborne apo dhe nga guruja i mjekësisë, Deepak Chopra. Obama nga strategu i shkencave politike Zbigniew Brzezinski; Berluskoni nga... sekseri i prostitutave Giuseppe Spinelli.
E përmenda Berluskonin, sepse liderët e mëdhenj qofshin dhe Kryetarë Bashkish, njihen nga njerëzit që mbajnë rrotull vetes.

Tek libri i Calvinos ”Qytetet e Padukshme”, Marko Polo, udhëtari më i madh i botëve të njohura e të panjohura në atë kohë, ulet dhe i rrëfen Khanit të madh të Mongolëve për qytetet që kishte parë në udhëtimet e veta. Kublai Khan nuk kishte parë vetë asnjë qytet. Prandaj i duhej ky udhëtar, që ti tregonte atë çka Khani nuk kish mundur ta shihte. Khani – Kryetari i madh i Bashkisë së Mongolëve – dëgjonte rrëfimet e udhëtarit dhe ndërtonte në kokën e vet një qytet të përsosur.

TIRANA KA PËRBALLË SHKRETËTIRËN

Çdo qytet, i atij tregon Polo, e merr trajtën e vet nga shkretëtira së cilës i kundërvihet. Ne mund të ndërtojmë një Tiranë të pasur, por përballë saj do të gjendet përherë Kamza. Tirana - sado të përpiqemi ne - do të reflektojë përherë pamjen e Kamzës. Ose të Babrrusë. Ose të komunës Dajt.
Qytetet, e marrin formën e vet nga shkretëtira që kanë përpara. Fieri merr formën e Levanit, Gjirokastra të Lazaratit, Shkodra të fushës së druve, Durrësi të Shijakut.

TIRANA KA QENË DIKUR E VJETËR

Në kartolina, në foto ngjyrë kafe të varura nëpër ca pak lokale të ndërtuara nga arkitektë prej vërteti, herë për snob e herë për mall, mund të hasësh Tiranën e vjetër. Tirana e vjetër, me kafe Kursalin, me hotel Internacionalin, me Bashkinë, me Pazarin e Vjetër, me Sahatin... me Shallvaret.
Tirana e re që po na ndërtojnë prej gjysëm shekulli e këtej, nuk ka asnjë lidhje me atë të vjetrën. Vërtet, Tirana e sotme ngrihet në të njëjtin vend ku ka qenë e vjetra dhe ka të njëjtin emër, por këto të dyja nuk kanë komunikuar kurrë.
Ai i vjetri, ishte një qytet tjetër e që rastësisht quhej Tiranë. Ai i vjetri, është Tirana që unë dal në dritare dhe e ëndërroj ndonjëherë, kur bie mbrëmja.

TIRANA ME KULLA

Qytetet, ngjajnë nganjëherë me qenie që marrin frymë e që zhvillohen me forma të çuditshme. Ka qytete që shtrihen anash. Ka qytete që zhvillohet për lart.
Tirana mua më duket një qytet që fryhet nga brenda vetes. Si një njeri të cilit nuk i rritet dot më barku sa herë që ha, por që fillon e i fryhet nga brenda.
Tirana, po rritet për lart, meqë duam të jetojmë të tërë në Qendër. Sa më lart që shkojmë, aq më stresuese bëhet jeta poshtë. Në çdo tavolinë ku je ulur, përpiqu të imagjinosh sa njerëz gjenden në atë çast sipër teje. Dhe, ndoshta, rezultati nuk do të të pëlqejë.

TIRANA SI MUND TË ISHTE

Njeriu që udhëton jashtë, në çdo qytet të huaj i vijnë përngjasime të një qyteti shqiptar.
Nëpër botë gjenden plot qytete që mund të kishin qenë qyteti yt. Ajo çfarë qyteti mund të ishte bërë, po nuk u bë.
Ohri është ajo çfarë Pogradeci mund të ish, Budva, është Himara, ajo që mund të ishte bërë por nuk u bë. Himara mbetet Kandahari ynë, me një Mulla Bollano në shpellën e Piratëve.
Po Tiranën, a e keni gjetur kund? Cili qytet mund të ishte Tirana? Islamabadi? Apo Kalkuta?

TIRANA PLOT DËSHIRA

Dëshirat kanë formën e Qytetit. Po të na pyesin, si do e donim Tiranën pas ca kohësh, do themi: ja kështu siç është. Do na kenë bindur që ne kështu e kemi dashur. Në fakt, çdo mostër që po ndërtohet, e ka ndërtuar njëri nga ne, babai i dikujt, burri i dikujt, miku i dikujt tjetër. Dëshirat se si mund të ishte ky qytet, shumë shpejt do të zhduken. Do vijë një kohë dhe ne do dëshirojmë këtë qytet të shëmtuar siç është, pa kujtesë. Fundja, dëshirat, ose ia dalin ta fshijnë qytetin, ose janë fshirë prej tij.

KUJTESA NË TIRANË

Qytetet shkëmbejnë kujtesën. “Im Atë Donte Adolfin” – ajo është Shkodra, siç nuk e kam parë, siç e kam lexuar. Tirana është “Nëntori i një Kryeqyteti”.
Njerëzit që vijnë në Tiranë nuk shkëmbejnë më kujtesë. Të huajt na flasin për qytetet e tyre, e ne u tregojmë muhabete Facebooku. Ata na flasin për mrekullitë e Iranit, ne u flasim për zgjedhjet. Ne kemi harruar të shkëmbejmë kujtesën e qytetit tonë me të tjerët.
Kafja e Madhe për ne nuk ka pasë ekzistuar kurrë dhe pas pak kohësh nuk do ketë më asnjë dëshmitar të gjallë për ta treguar.

QYTETET DHE SHENJAT

Çdo shenjë apo formë na flet për këtë qytet ku jetojmë. Një piramidë, 2 kulla binjake, një burrë me kalë. Qytetet mund të kuptohen përmes simboleve e shenjave të shkruara mbi to. “Lavazho”, “lavazho”, “lavazho”. Kur dalim nga Tirana edhe retë kanë forma kalamajsh të vegjël me pompë në dorë që lajnë makina nëpër “lavazho”.

TIRANA E ËNDRRAVE

Në tregimet e veta, Marko Polo i tregon Kublai Khanit për një qytet që u ndërtua sipas ëndrrës së atyre që ndiqnin një grua. Ngritën një qytet, me rrugët që secili kishte parë në ëndërr. Nuk ka djalë të rritur në Tiranë që nuk ka ndjekur një vajzë sa dilte nga gjimnazi Qemal Stafa, për ta parë ku e merr autobusin (tani marrin makinën e dashnorit) për të zbuluar ku e ka shtëpinë, për ti dalë para rastësisht në mëngjes...
Po ata që ndërtuan këtë qytet, italianët, rusët, kinezët... kapitalistët e demokracisë, çfarë të kenë qenë duke ndjekur? Më ngjan sikur kanë qenë duke ndjekur herë një mace, herë një femër me perçe që nuk dinte nga i hidhte këmbët, e herë Ali Babën me 40 hajdutë.

UNË FLAS/TI FLET/TIRANA NUK FLET

Ky që jetojmë, po kthehet me shpejtësi në qytetin ku njerëzit nuk flasin më, vetëm shihen. Akoma ka vende, si psh në autobus, ose në tregun e Çamëve, ku njerëzit shkëmbejnë dy tre fjalë. Por pak nga pak këta njerëz do të zëvendësohen nga ne, njerëzit që shihemi po nuk flasim. Ne, që nuk njohim më as komshinjtë tanë. Ne, që shohim një femër që dhunohet në rrugë e mbyllim gojën. Ne, qytetarët modernë shurdhë.

TIRANA DEMOGRAFIKE

Kur mërziten e lodhen nga qyteti i tyre, njerëzit ndërrojnë qytet. Kush mërzitet nga Lushnja, shkon në Tiranë, kush mërzitet nga Kavaja vjen në Tiranë, kush mërzitet nga Himara, ikën në Vlorë e më pas në Tiranë. Në fund përfundojnë të tërë në Tiranë, pa e kuptuar që është i njëjti qytet me atë që kanë lënë pas. Qytetet tona të Enverit kishin të njëjtën fytyrë të shëmtuar. Qytetet tona të Sali-Nano-Ramës, kanë të njëjtën fytyrë të shëmtuar: atë të King Kongut. Asnjë qytet, nuk dallon prej tjetrit. Eja sa të duash në Tiranë! Eja në Selitë, dhe zëre se je akoma në Kavajë. Eja në Sauk, dhe zëre se je në Kala të Dodës.

TIRANA FIFTY-FIFTY

Tiranën mund ta ndajmë në dy gjysma. Një gjysëm lart e një gjysëm poshtë. Nëse ecim me kokën lart – shohim gjysmën sipër - vetëm çelik, beton dhe xham. Shumica prej nesh, me barrën e madhe të halleve në kurriz shohin poshtë gjysmën tjetër – në rrugë bredhin klube dhe makina. Ne që ecim me sytë përdhe shohim qese moltosh, bileta lotarie të pavlefshme, fara luledielli, pështymat e atyre që kanë kaluar përpara, bishta cigaresh, gozhdë... Dhe pluhur, shumë pluhur! Po takuat njeri që sheh qiellin në Tiranë, më thoni.

TIRANA E BREZAVE

Në qytetin tonë, ndër shekuj luhen të njëjtat role. Thuhen të njëjtat batuta, të njëjtat premtime. Vetëm theksi ndryshon. Brezat në Tiranë ndërrohen, por rolet mbeten. Për aq sa ky qytet mban mend, është gjithmonë një kryetar që eleminon kundërshtarët. Janë gjithmonë ca çakenj që copëtojnë pronat. Janë përherë ata që thonë: “akuza është politike.” Dhe paradoksalisht, gjendet përherë një turmë e verbër që bredh nëpër rrugë duke ulërirë me flamuj në duar: “Duam Babën!”

QYTETI NGA PARA E NGA PAS

Kur zbret Qafë Krrabën, pas disa dhjetëra kthesash, para teje shfaqet qyteti. Nga dritat, të duket një qytet i shkëlqyeshëm, nga pallatet me ngjyra të duket një qytet i gëzueshëm. Por sa merr kthesën e një pallati futesh në oborre të shëmtuara, në kuba banimi të mjeruar, me makina që parkojnë mbi shkurre, mes teneqeshe hekurash të ndryshkur. Ky qytet nuk ka shumë faqe. Ka vetëm 2. Dy faqe në kurriz të njëra-tjetrës që nuk e shohin kurrë njëra-tjetrën. Vizitorët shohin faqen jashtë. Por ne që jetojmë përjetësisht këtu, shohim më shumë faqen brenda.

RIVERSIDE DRIVE

Sado ankohem, shpesh, gjej diçka befasuese në Tiranë. Në Akademinë e Arteve, po jepet edhe këtë fundjavë pjesa “Riverside Drive” e shkruar nga Woody Allen e me regji të Milto Kutalit. Kjo mund të jetë fundjava e fundit që shfaqja jepet. E diela e fundit. Riverside Drive, është e shkruar mrekullisht nga Woody Allen dhe e luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme nga Gaz Gjoka, së bashku me Arben Derhemin. Regjia e Milto Kutalit është bazuar mbi një skenografi minimaliste por shumë funksionale. Kjo është pa dyshim (lexohet: “padyshiiim”) shfaqja më e mirë e sezonit për mua në një skenë teatri. Nëse doni që për 80 minuta të ndjeheni në Nju Jork e jo në Tiranë, nëse doni të ëndërroni me yje e jo me kulla të shtrembëta mbi kokë, ky është vendi ku “mundeni”.

ATA QË NUK JETOJNË NË TIRANË

Tirana është një qytet që sado të ecësh nëpër të, ti nuk e kupton nëse je brenda apo jashtë qytetit. Ka vazhdimisht njerëz nëpër rrugë që merren me gjëra, por nëse i pyet ku është qyteti, ata nuk e dinë.
Taksixhiu im i preferuar punon rrugëve të Tiranës, fle diku në Selitë në darkë... por realisht, ai nuk jeton në Tiranë. Ai nuk jeton, në kuptimin që mund të jetohet një qytet. Mund të pyesësh njerëzit se ku është Qyteti ku jetohet.
- Ne vimë këtu vetëm për të punuar, thonë disa. – ne vimë këtu në darkë veç për të fjetur thonë disa të tjerë. - Po Qyteti, këmbëngul ti, qyteti, ai që jeton? Qyteti që jeton...? - Atë nuk e di askush.

TIRANA IME

Duke dëgjuar tregimet e Marko Polos, Kublai Khan reflektonte mbi qytetet, mbi rregullat falë të cilave qytetet lindin, lulëzojnë e marrin formë, mbi rendin e padukshëm që i mban ato mbi tokë.
Ne nuk kemi për të pasur kurrë një Kublai Kahn, i cili të rrijë në majë të Dajtit duke ëndërruar për këtë qytet, teksa dëgjon këshillat e një udhëtari idealist. Khanët tanë e kanë humbur idealizmin, dhe këshilltarët e tyre janë sekserë metrash/katrorë. Nuk ka rëndësi se çfarë thonë, çfarë premtojnë. “Gënjeshtra nuk rri te fjalët, por tek gjërat”.

Ne e kemi ngritur bashkë këtë ferr ku jetojmë, thotë Italo Calvino për Tiranën.
“Ka dy rrugë. E para, është e lehtë për të gjithë: të pranosh ferrin e të bëhesh pjesë e tij deri në atë pikë sa të mos e dallosh më.
E dyta, është e rrezikshme dhe lyp vigjilencë e kuptueshmëri të vazhduar: të kërkosh dhe të dish të njohësh çfarë nuk është ferr në mes të këtij ferri dhe ta bësh të rezistojë. T’i japësh hapësirë”.