botuar te Shekulli, e Diel, 29 maj 2011
Ne jemi një popull aspak familjar me protestën. Po ti kthehemi historisë sonë, do mund të gjejmë princë që rebelohen kohë pas kohe dhe që tërheqin pas bajrakun e tyre në luftë, por jo protesta.
E thënë thatë: një sedërli që shkon në luftë dhe një tufë delesh të egërsuara që janë gati të vrasin për të. “Bashar, ne jemi gati të vdesim për ty” shkruanin nëpër muret e Hobsit mbështetësit e diktatorit të Sirisë.
Diku, prapa në histori, në vitin 1936 gjendet diçka e quajtur Demonstrata e Bukës (Korçë) - tepër pak për të përfaqësuar një shpirt kombëtar protestues. Për më tepër, me retushimin që i ka bërë historisë Partia e Punës nuk kemi garanci se në ç’përmasa është shtrirë vërtetë kjo demonstratë, sa ka qenë vërtet protestë civile e sa ka qenë thjesht klithma e stomaqeve që donin bukë.
Përjashto ndonjë rast si Demonstrata e Bukës ‘36, si Demonstratat e Dhjetorit ’90 dhe protestat e ’96-’97, në 100 vjetorin e pavarësisë ne shkojmë si një komb i varur për këmbësh nga ata që knaë pushtetin.
LLOGORET
E kam dëgjuar shpesh shprehjen “shqiptarët nuk sillen si elektorat por si tifozë”. Unë mendoj se është më keq se kaq. Ne jemi tifozë të armatosur. Ne jemi të armatosur me urrejtje, me injorancë e me flamuj. Madje dhe më keq akoma, jemi tifozë të armatosur që futemi në fushë për të goditur lojtarët armiq.
Prandaj është vështirë të gjesh se ku fle ndër ne shpirti i protestës.
Pas majit tonë, ne po jetojmë në llogore. Komunikimet mes palëve janë ndërprerë. Logjika ka vdekur. Prijësit janë nisur për luftë. Fitoftë më i forti.
Politika jonë zhvillohet si asgjësim ndaj tjetrit. Kjo ka bërë që shpirti botëror i protestës tek ne të reduktohet vetëm në ekstremet. Ne njohim vetëm 2 mënyra komunikimi me pushtetin: përmes lulesh ose përmes vdekjes. Ose do bërtasim “rroftë mbreti”, ose do të ulërijmë “në litar”.
Demostrimi i vullnetit popullor në rrugë bëhet ose me lule, ose me armë. Nuk ka rrugë tjetër, ose do të vrasësh kujdestarin, ose kujdestari do të të vrasë ty. Si te Lulëkuqet mbi Mure.
LULËKUQET MBI MURE
Komunizmi e asgjësoi përfundimisht atë çikëz shpirt proteste që vitet e pakta të pavarësisë kishin ndezur te shqiptarët. Madje, komunizmi realizoi një kryevepër të dhunës civile: shndrrimin e protestave “kundër” në protesta “pro”.
Nëse në tërë botën më 1 maj njerëzit protestonin, tek ne punëtorët detyroheshin të dilnin me buzëqeshje në fytyrë t’i hidhnin lule komandantit. Në mënyrë cinike, kjo praktikë ndiqet edhe sot.
Njerëzit e nxjerrë me dhunë në mitingje, kanë prirjen të mos dalin kurrë më në rrugë për protestë.
Megjithatë, në kinemanë e realizmit socalist (ku dua të besoj se arritën të depërtojnë mesazhe edhe pse të pandërgjegjshme) protestat ekzistojnë.
Artistët u detyruan t’i zhvendosin protestat në një epokë tjetër të deformuar realisht, artistikisht dhe politikisht, ku njerëzit rebelohen kundër shtypjes.
Te Lulëkuqet Mbi Mure, pavarësisht dozave të larta të propagandës e pavërtetësisë (jetimoret e administruara nga italianët, nuk kanë qenë ashtu si në film) prapëseprapë mbizotëron shpirti adoleshent i rebelit. Nëse arti është një formë për të na treguar të vërtetën, diku brenda nesh duhet të gjendet dëshira njerëzore për të thënë “Jo” kur abuzohemi.
Pushteti korrupton. Pushteti absolut korrupton në mënyrë ABSOLUTE. Forma më njerëzore e kundërshtimit të pushtetit, është protesta, qoftë kjo me gurë apo me molotov. Nuk mund të ketë rini pa rebelim dhe shtet demokratik pa protesta.
Shihni Francën.
FRANCA 1968-2010
3 muaj para 21 Janarit tonë, në Francë dolën 700m vetë në protestë kundër reformës për pensionet. Bëhet fjalë për “pako gjë”: qeveria franceze vendosi të ngrejë me 2 vjet moshën e daljes në pension, dhe kjo mjaftoi për ta paralizuar Francën që nga gjimnazet e deri te portet. Asnjë i vrarë, edhe pse protestues me maska hidhnin bomba molotov.
Më 2006-n, po ashtu protesta të dhunshme për 1 nen të ligjit të punës, që u lehtësonte sipërmarrësve të punësonin e pushonin nga puna të rinjtë. E tërë Franca në këmbë.
Gjithçka Franca është sot ia detyron vitit të largët 1968 në majin e të cilit shpërthyen protestat masive të miliona njerëzve. Protestat ishin aq të forta, sa për pak Franca kaloi në luftë civile, disa trembeshin për revolucion, De Goli u arratis. Shoqëria franceze e sotme u ngrit mbi hirin e të vjetrës. “E vjetra shembet...”
Shteti është si një pemë ku kumbullat kalben prej korrupsionit e papërgjegjshmërisë. Dikush, duhet ta shkundë pemën.
Gjithçka që studentët e “mai 68” kërkonin ishte që strukturat shtetërore tu shërbenin njerëzve, jo njerëzit strukturave.
SMELLS LIKE TEEN SPIRIT
Në Shqipëri askujt nuk i shkon mendja të protestojë për pensionistët – “le të dalin vetë po deshën”. As për tetraplegjikët – “unë nuk jam tetraplegjik” le të shkojnë vetë në grevë urie.
Vendi ynë nuk është i përbërë nga qytetarë por nga hallexhinj ku secili sheh hallin e vet.
Ne nuk e dimë, që kemi TË DREJTË të protestojmë.
Ne kemi të drejtë të protestojmë kur një film është i shëmtuar, ne kemi të drejtë të protestojmë kur keqtrajtohemi në burgje, ne kemi të drejtë të protestojmë kundër sistemit të masterave, ne kemi të drejtë të protestojmë që të ulet çmimi i sms-ve, ne kemi të drejtë të protestojmë kur Tiranën e viziton Fazlliç, ne kemi të drejtë të protestojmë kur autobusët ecin me 5 km në orë për të realizuar “planin”, ne kemi të drejtë të protestojmë kundër privatizimit të rrugës së Kombit, ne kemi të drejtë të protestojmë kur kampionati i futbollit blihet, ne kemi të drejtë të protestojmë për Piramidën, ne kemi të drejtë të protestojmë për çdo gjë.
Por ne nuk protestojmë.
I vetmi rast kur protestojmë, është për të protestuar kundër dikujt që proteston.
Ky është turpi më i madh në një demokraci. Në fakt, kjo është vdekja e demokracisë. Vetëm në shoqëri të deformuara si e jona, ka njerëz që ngrihen për të protestuar ndaj të drejtës së dikujt tjetër për të protestuar.
Ne nuk duam dritë. Ne ndjehemi mirë, kur në errësirë është dhe ai tjetri. Nuk duam bukë, mjafton të vdesë urie dhe ai tjetri. Nuk duam liri, mjafton të vuajë dhe tjetri.
Vetëm këtu ka intelektualë që bëhen palë me shtetin kur vriten protestuesit. Vetëm këtu ka artistë që ngrihen kundër një greve urie.
Sigurisht, njeriu ka të drejtën të ketë një qendrim të vetin. Njeriu mund ti bashkohet protestës ose të mos bjerë dakort me të. Mund edhe ta kontestojë fort ndërsa sheh lajmet në shtëpi.
Por, të dalësh në protestë kundër një proteste në stilin e anti-mitingjeve të 91-shit, është forma më e shëmtuar e mbytjes së lirisë së tjetrit.
Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, dhe ata që argumentojnë të kundërtën, janë shërbëtorë të pushtetit.
Nëse do të dish çfarë mbreti ke, shiko si flasin shërbëtorët e tij.
SHTETI KUNDËR
Sigurisht që si Sarkozi, si Lukashenko nuk i duan protestat. Protestat tregojnë që ka njerëz të palumtur dhe pushteti nuk ka qejf të shohë pasqyrën e paaftësisë së vet.
Prandaj shteti përdor të tëra mjetet për ta deligjitimuar protestën.
Hidhet baltë mbi organizatorët, mashtrohet me shifrat, bëhet turbullirë mbi motivet, premtohen qiqra në hell.
Gedafi, për shembull, nxjerr njerëz me flamuj që protestojnë “pro” tij. Madje nuk i nxjerr, ata dalin vetë, të shtyrë nga pasione tribale.
Në një popull që dëshiron të gënjehet, të tëra këto funksionojnë. Tifozët e armatosur duan vetëm një pilulë për të qetësuar ndërgjegjen. Qytetarët në llogore duan vetëm një gënjeshtër për ta besuar.
Dita e parë e Duçes në pushtet nuk ishte dita kur bëri betimin si Kryeministër, por dita kur prej indiferencës ose prej frikës nuk kish mbetur askush që të protestonte.
GREVAT E URISË NË VENDIN MË TË VARFËR TË EVROPËS
Po më thonin që në Greqi, për të protestuar për gropën ku e futi vendin politika e korruptuar, ka dalë moda e kosit. Sa herë që grekët e thjeshtë shohin një politikan në një lokal duke ngrënë, duke ecur rrugës apo në çfarëdo vendi publik, dikush merr një kuti me kos dhe ia hedh fytyrës për protestë! Kjo ka bërë që për ca kohë politikanët të mos guxojnë të dalin në rrugë.
Në Spanjë, qytetarët ngritën tendat në mes të sheshit.
Kurse ne dimë të bëjmë greva urie. Dmth, diçka e ngjashme në frymë me të largëtën Demostratë të Bukës.
Grevat e urisë, vijnë dhe për shkak të mungesës së besimit se me protestë fitohet e drejta. Prandaj kushdo që ka një problem, tenton zgjidhjen me formën më ekstreme të protestës. Sakrifikim maksimal, me shpresën që shteti do të bëjë një lëshim minimal. Por, shteti ia ka marrë dorën grevave të urisë (në shumë prej të cilave, thuhet se hahet, po me masë).
Në një Shqipëri me 18.5% të popullsisë që jeton në varfëri absolute dhe 3.5% në varfëri ekstreme, grevat e urisë duken më tepër si stërvitje.
Një shoqëri e shëndetshme ka format e veta të protestës.
Një shfaqje të shëmtuar, fishkëllehet.
Makinat e parkuara në mënyrë abuzive, gërvishten me çelës.
Nëse Sarkozi bën ligje të këqia, fluturojnë molotovët.
Muret mbushen me graffiti!
PROTESTA IME
Protesta ime e parë është kundër vetes sime. Unë duhet të luftoj diktatorin që kam brenda. “Të tërë kemi pak Berishë e pak Ramë brenda vetes” shkruan diku Lubonja.
Graffitti - parrullat nëpër mure – ishin një nga “armët” e Majit francez të ’68-s. Një prej tyre shkruante: “Një polic fle brenda secilit prej nesh. Ne duhet ta vrasim atë. Nxirre policin nga koka jote!”
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment