Sunday, May 8, 2011

Memo Atyre Që Zgjidhen Sot

Botuar te Shekulli online, dt 8 maj 2011

Këtë shkrim, do ju lutesha ta lexonit pasi të keni votuar.
Le që, nuk besoj se ky shkrim, si shumë të tjerë do të ndihmojnë votuesin e kësaj radhe të kuptojë se kush prej kandidatëve do të jetë më i miri për të.

Edhe këtë radhë njerëzit do të votojnë kundër dikujt.

Lao Tzu

Një kinez i vjetër për të cilin nuk dihet as se kur ka lindur, Lao Cu, ka thënë: “E vetmja gjë që mund t'ju mësoj ështe thjeshtësia, durimi, dhe dhembshuria”.
Këto 3 elementë neve na duken aliene. Shoqëria jonë momentalisht qëndron mbi themele krejt të tjera. Tangërlliku, arroganca dhe shkelja mbi tjetrin, janë shtyllat e shoqërisë së sotme shqiptare.

Fushata zgjedhore që sapo u mbyll jo vetëm i rikonfirmoi këto vlera negative mbi të cilat ngrihet shoqëria jonë, por dha sinjale të qarta që ndryshimi duket tepër i largët.
“I've seen the future baby, it is murder!” këndon Leonard Kohen.

Fushata tregoi që, ndërmjet elitës që ka pushtetin dhe popullit nuk ka më asnjë shtresë lidhëse.

E VËRTETA QË NUK MBËRRIN KURRË

Mediat, që duhej të ishin filtri mbi të cilin informacioni vjen nga ata që “bëjnë lajme” tek ata që “jetojnë prej lajmeve” falimentoi në mënyrë të pashpresë. Publiku ndoshta nuk e di që shumica e “gazetarëve” dhe “analistëve” që i mbushin përnatë ekranet e përditë gazetat, në fakt janë blerë me para cash nga politikanët.

Kjo që po them nuk është një frazë e thënë ashtu, në përgjithësi. Ata që punojnë në media i njohin një për një kush nga gazetarët, drejtuesit e emisioneve apo analistët, ka marrë para dhe nga cili kandidat i ka marrë.
Prandaj dhe publiku habitet sesi filani dje fliste kështu e sot flet ashtu. Sepse publikut nuk ka kush t'ia thotë: ky Filan, ka marrë zarfin me para në dorë që të mbështesë njërin kandidat për kryetar Bashkie. Me këta gazetarë të shitur, jo vetëm lajmi denatyrohet, por dhe publiku bombardohet me ide të rrejshme teksa kandidati stoliset me rrobat e padukshme të mbretit.

Më e keqja, media e blerë ka ngritur tashmë një mur që fsheh turpet e pushtetit nga sytë e popullit, një mur ku përplasim kokën dhe jo vetëm gjatë fushatave.

SHOQËRIA E DISAVE QË JANË MË TË BARABARTË SE TË TJERËT

Shoqëria civile, ajo që normalisht duhej të përfaqësonte të papërfaqësuarit, është një kliente e rregullt e fondeve shtetërore. Ajo ka synime modeste: të bredhë botën duke bërë pallë nëpër konferenca për mbrojtjen e njeriut, të shkollojë fëmijët në vende sa më të mira jashtë e t'i bëjë pjesë të elitës sunduese më pas, si dhe të vegjetojë në zyra të rehatshme derisa të dalë në pension.

Shoqëria civile, ashtu si dhe media, ka bërë kompromisin e vet të turpshëm me pushtetin.
Ata që duhej të mbronin të dobëtit, konsumatorët, të paaftët, njerëzit që hiqen nga puna me lista të zeza, qytetarët që u shkelen përditë të drejtat në këtë vend apo ata që vriten me duar në xhepa në rrugë, në të vërtetë shërbejnë si fasadë imazhi. Imazh i rrejshëm që pushteti do t'u tregojë ndërkombëtarëve.

Shoqëria civile, është një shoqni tarafesh e snobësh.

ANOTHER BRICK IN THE WALL
Inteligjencia universitare është mbytur me diploma pa vlerë universitetesh-bordello, me intelektualë partie e me një rini universitare pubesh.

Klasa e mesme, ajo që mund të ushtronte presion në mënyrë të zgjuar për të ekuilibruar padijen e të varfërve dhe arrogancën e të pasurve, mendon e sillet si të ishte shtresë e pasur.

Artistët, ata që mund të kishin sjellë ndjeshmërinë e artistit janë thjesht rrogëtarë pasionantë. Unë njoh artistë që ndjeshmërinë njerëzore e artikulojnë me fjalinë: “Po të kisha qenë Ministër i Brendshëm, jo 4, po 4 mijë do kisha vrarë”.

Atëherë, me ura të këputura, ku mund të takohen ata që janë poshtë me ata që janbë lart?

GËRDEC'N'ROSES

Pika e vetme kur elita që sundon vendin takohet me popullin, është dita e votimit.
Por, kjo ditë e votimit, që në mënyrë cinike konsiderohet si “dita kur flet sovranit” zhvlerësohet nga vetë “sovrani”.

Një popull që voton me urrejtje, një popull që voton me frikë, një popull që e ndërron votën e vet me një thes miell, me 100 euro, apo me një vend pune në administratën e atij që do fitojë nuk është një sovran.

Një popull që voton përherë të keqen më të vogël, një popull që voton “kundër”, nuk është një sovran. Është një i pangrënë që kur i lejohet të afrohet pranë sofrës tregon që nuk është vetëm i pangrënë, por dhe palarë, i paparë e i panxënë.

Lakuriq e të dregosur, ne jemi ende të paaftë të jemi sovran.

Konfuci thoshte: “Studio të shkuarën nëqoftëse do të parashikosh të ardhmen”.

Ja pse, kërkesën që kam për Kryetarin e Ri të Bashkisë, dua ta bëj pas fushatës, dhe pasi ju ta keni hedhur votën.

E ARDHMJA SIPAS KONFUCIT

Si do të jetë e ardhmja? Dmth, a do mbahen premtimet, do e thjeshtonte dikush pyetjen.

Hapësirat e gjelbra, parqet e lojërave, rrugët e shtruara, janë kërkesat tradicionale para kandidatit për Kryetar. Unë, nuk kam të tilla kërkesa.

Në kushtet e një shoqërie ku paraja është gjithçka, kur me para blihet prezenca televizive, blihen veshkat e të varfërve, blihen vota, blihet seksi e blihet ajri i pastër në zona “rezidenciale”, unë nuk besoj që votat do të përkthehn në pushtet për sovranin. Votat për kryetarin e ri vështirë se do të mund të bëjnë rezistencë ndaj elitës ekonomike në të ardhmen.
Këshillat Bashkiake mund të blihen. Projektet, mund lobohen nga të pasurit. Vendimet, mund të shtrembërohen. Transparenca, mund të varroset në një varr opak. Juritë sado prestigjioze, janë thjesht 5 njerëz të ulur në një podium që duhet të marrin një vendim miliona dollarësh.

Në qytet do të ketë pemë, nëse të pasurit do lëshojnë pe te pemët. Do ketë rrugë të shtruara, kur ndërtuesit të kenë nevojë për t'i shtuar vlerën pallatit të tyre. Kjo nuk do të varet kurrë vetëm nga ai që është kandidat sot e kryetar pas një jave, prandaj dhe votat ditën e votimit do të jenë përherë politike.
Elita politike prandaj është elitë.
Elita qendron përherë sipër, ne që votojmë gjendemi gjithmonë poshtë. Urat në mes, janë prerë.
Ky është fati i një shoqërie lakuriq e të dregosur.

Hipotekat, vendet e reja të punës, tramvajet, janë filmi me Harry Potterin që popullit i jepet të shohë para zgjedhjeve.

Prandaj unë për Kryetarin e ri të Bashkisë, nuk kam asnjë nga kërkesat tradicionale.

Unë kam vetëm një kërkesë.

Kryetari i vërtetë i Bashkisë së Tiranës, për mua, do të jetë ai që do të fusë në funksion referendumin.
Unë dua, që për çdo gjë që ndodh në këtë qytet, UNË, POPULLI, të pyetem.

NGA VILNIUS NË ZYRIH

Në Lituani votojnë me celular.
Në kantonet e Zvicrës sa herë që Këshilli Bashkiak merr një vendim ua çon për konfirmim qytetarëve të vet me postë. Ata votojnë atë që u interson, dhe votën e postojnë mbrapsht.
Çdo vendim, që tek dhënia e një trualli të Bashkisë për ndërtim, tek futja e autobusëve të rinj, e deri tek ndërtimi i një shatrivani, bëhet vetëm me miratimin e qytetarëve të Kantonit.

Unë, mes Kabulit edhe Zyrihut, kam zgjedhur Zvicrën.
Unë kërkoj, që populli të mos (bëhet sikur) pyetet 1 herë në katër vjet.
Unë kërkoj që gjithçka që ndodh në këtë qytet ku unë jetoj, ta miratoj unë, e jo ata që jetojnë më shumë jashtë sesa brenda.
Unë kam një kërkesë të vetme e të thjeshtë:
Bashkia e Tiranës të fusë frymën e referendumit për të tëra çështjet.

Unë dua, që të tërë vendimet e Këshillit Bashkiak, jo vetë të jenë transparente, por, të bëhen me miratimin e shumicës. Unë jam gati që në këtë vend të ndërtohen trame, edhe pse unë nuk e përdor tramin; që të shtrohen rrugë, edhe pse unë mund të mos e përdor kurrë atë; të ngrihen xhami, edhe pse nuk jam mysliman; të ngrihen pallate me 40 kate, edhe pse i urrej kullat; të rrëzohen kinematë, edhe pse më pëlqejnë filmat!

Unë dua, që të gjitha gjërat që nuk i dua, të ndërtohen, edhe me taksat e mia, por jo kur këtë e vendosin elitat financiare por kur këtë e vendosin pabuksat e tjerë si puna ime.

Unë dua, që në këtë qytet, çdo vendim të jetë referendar!

REFERENDUM PËRDITË E PËR ÇDO GJË

Cinizmit të disave që ne nuk jemi Zvicra, apo mosbesimit të disa të tjerëve që populli prapë do manipulohet edhe në këto referendume, mund ti përgjigme me një buzëqeshje.

Ne jemi Zvicra, por vetëm për ata që jetojnë te Kodra e Diellit. Unë dua që të jemi Zvicër dhe për ata që jetojnë te kodra e Priftit.

Populli mund të manipulohet edhe me referendum.
Por, jam i bindur që është më vështirë të blesh një qytet të tërë sesa një këshill.

Referendumi, do të bëjë që qytetarët gradualisht të kuptojnë që ata kanë vlerë. Vendim pas vendimi, ata do njohin pushtetin e vërtetë të vendimmarrjes.

Pjesëmarrja e vazhdueshme në votimet referendare për çështjet e qytetit do të detyrojë elitën që ta marrë popullin me të mirë çdo ditë e jo një herë në katër vjet.

Referendumi, do ti bëjë njerëzit të ndjehen më shumë qytetarë e më pak outsiders. Ata, do të quhen tiranas, jo se flenë gjumë në një banesë në Tiranë, por, se ata mund ta ndryshojnë vetë Tiranën.

Referendumi, do ta bëjë qytetarin të ndjehet përgjegjës dhe fajtor. Faji, nuk do të mbetet më jetim.

Referendumi, do na bëjë ta duam e ta urrejmë këtë qytet si një produkt tonin, jo si diçka që e ndërtojnë të tjerët, e neve vetëm na lejojnë të banojmë në të.

Referendumi, do na mësojë të mos votojmë kundër një njeriu, po kundër një interesi abuziv.

Referendumi, do na bëjë të ndjehemi për herë të parë në këto 100 vjet pavarësi, vërtet qytetarë.

VDEKJA E UTOPISË

Disave mund t'u duket një utopi.
Në fakt është kërkesa më e thjeshtë, që kërkon vetëm zarfe e pulla poste. Por, ajo që mungon, është dëshira e elitave sunduese për të mos e ndarë pushtetin, për ta mbajtur popullin trup e shpirt të sakatosur.

Kjo është momentalisht, e parealizueshme.
Ata që na duan vetëm një muaj, muajin e fushatës, do preferojnë të premtojnë anije kozmike e miliona vende pune. Por nuk do premtojnë kurrë referendum, sepse, referendumi, ua heq pushtetin elitave e ua jep qytetarëve.

Referendumi, ngjan, hë për hë, një ëndërr e largët.
Por shumë prej nesh janë akoma të rinj, dhe nuk kanë në plan të vajtojnë anës Elbë-s, anës Spree-së.
Unë kam hequr dorë prej kohësh nga filozofia e votimit të të keqes më të vogël. Unë, kërkoj futjen e frymës së referendumit.

Dhe herët a vonë, me dashje apo jo, me votë apo jo, do ta marr këtë të drejtë. Të drejtën për t'u ndjerë sovran.

1 comment: