Monday, May 16, 2011

Trupi i Shqipërisë

botuar te Shekulli, e dielë, 15 maj

Kanceri është një sëmundje interesante për nga pikëpamja shkencore. Siç më kanë thënë, kanceri është sëmundja me të cilën trupi vret veten e vet. Për të reaguar ndaj diçkaje që nuk shkon mirë brenda tij, vetë trupi prodhon qeliza kancerogjene me të cilat përpiqet ta mbulojë të keqen që ka. Këto qeliza - kancerogjenet - në një të ardhme të afërt do të vrasin vetë trupin.

Vota shqiptare, funksionon prej vitesh në formën e kancerit. Për aq sa më kujtohet mua, në të tëra votimet që pas 90-ës gjithmonë të thonë që ka vetëm një rrugë. Gjithmonë, luftojmë kundër të keqes më të madhe, finale, të papërsëritshme.

Në votime, shqiptari vë pasionin e vet. Me këtë pasion luajnë mjeshtrat e propagandës, të cilët për 20 vjet kanë arritur të na bindin që vota kundër X-it është e vetmja rrugë.
Në çdo datë zgjedhjesh, zemrat tona çohen peshë, sepse në çdo datë na thonë: "sot ndalet e keqja". Kjo gjë ka 20 vjetë që përsëritet. Dhe e keqja, si tek "Elementi i 5-të" i Besonit vetëm ushqehet me votat-armë tona, duke u bërë më e madhe.

HISTORIA E TË VETMES RRUGË

Në 92-shin e vetmja rrugë ishte hedhja poshtë e partisë së trashëguar nga Enveri dhe votimi djathtas. Pra, trupi i Shqipërisë, ndaj një të keqeje që ishte diku e ishte gjithandej, thirri kancerogjenet. Sot, ai grup politik që u votua me aq pasion atëherë janë ose shumë të pasur, ose me shumë pushtet, ose të dyja bashkë.

Në '94, për votimin e kushtetutës, u thirrën prapë kancerogjenet - të mbrojmë trupin nga e keqja - e u hodh poshtë kushtetuta jo për hir të vetë asaj, por për të mbuluar Presidentin e asaj kohe. Në '96, përsëri, u votua për jetë a vdekje. 97-ën e mbajmë mend si ishte, e më tej mund t'ju kujtohet dhe kemioterapia e 2001-shit. Në 2005-n, u rithirrën kancerogjenet, për të luftuar të keqen. Në 2007-n... në 2009-n...

Ku janë sot mesiat e këtyre 20 viteve? Ku janë ata njerëz që na ngrinin peshë duke na treguar me gisht të vetmen rrugë kundër së keqes, gisht që tregonte veten e tyre?
Po ku janë sot Pollo, Ceka, Imami, Gonxhe, Nano, Rama, Basha e Kop-i, deri te Meta që vetëm para shumë pak vitesh dukej si Buda që ofronte rrugën e tretë?

Janë të tërë në pushtet, kanë rregulluar punët e veta, kanë vënë pasurinë e vet, e tani ngrohin studio të ngrohta ose karrike ministrash e këshilltarësh.
E tëra falë kemioterapisë që na propozuan, ndërsa neve na lanë në derë "të vetmen rrugë": zhgënjimin.

PAMUNDËSITË E MJEKËSISË KONVENCIONALE

Pra, fillimisht trupi prodhon kancerogjene për të eleminuar sëmundjen. Pastaj, duhet kemio për të eleminuar kancerogjenet. Pastaj, duhet gjetur diçka tjetër për të shpëtuar trupin nga efektet e kemios. Heqja e gjirit në rastin e kancerit të gjirit, siç thonë disa, është krejt e gabuar. Pastaj... shkenca nuk ka arritur akoma më tej, por faktet tregojnë që në një trup që ka një problem, asnjë nga këto masa nuk e shpëton përfundimisht njeriun.

Lufta kundër kancerit nga mjekësia konvencionale deri më tani është ndërtuar nëpërmjet eleminimit të qelizave kancerogjene. Por, për sa kohë e keqja mbetet në trup, trupi do të prodhojë qeliza të tjera kancerogjene, për ta mbuluar atë.

Vota jonë vetëm do të sjellë një problem pas tjetrit. Prandaj, formula "e vetmja rrugë", duhet të zhduket. Ajo është një formulë që mbahet artificialisht në këmbë prej 20 vitesh sa nga njëra palë dhe nga tjetra. Berisha ishte e vetmja rrugë më 2005-ën. Rama, është e vetmja rrugë më 2011. Pas 20 vitesh, i vetmi pasion që kam, është të refuzoj këdo që më ofron vetëm një rrugë të vetme.

E VETMJA RRUGË 2011

Unë arrij ta kuptoj pasionin e njerëzve që besojnë se e Vetmja Rrugë në 2011 është të ikë Berisha. Trupi i Shqipërisë po kërkon të prodhojë kancerogjen për ta hequr nga pushteti atë që nuk shkon, atë që nuk funksionon më si politikë e si administrim, atë që po e sfilit trupin. Por, jashtë pasionit, më duhet të them frazën e njohur: "Been there, done that" - e kam kaluar një herë, e kam bërë një herë, po këtë gjë.

Jashtë pasionit, unë shoh atë që ka ndodhur përherë: kancerogjenet, nuk e shërojnë dot të keqen, vetëm tentojnë ta mbulojnë. Më pas, do kërkohet kemio, heqja e gjirit...
Unë dua që të ikë Berisha. Por, nuk besoj se kjo është e vetmja rrugë. Unë nuk besoj më tek kemioterapia. Unë besoj se mjekësia duhet të ndryshojë, dhe që trajtimi klinik i Shqipërisë duhet të ndryshojë. Më shumë se Berisha duhe të largohet fryma politike që ai përfaqëson, një frymë që gjendet me shumicë edhe te kundërshtari i tij.

Arroganca në pushtet, trajtimi i popullit si të ishte budallai i fshatit që tërhiqet për hunde 1 herë në 4 vjet; gënjimi i popullit si të ishte fëmijë me karamele 5-lekëshe; mashtrimi i paturp nëpër fushata me premtime që as kanë ndër mend ti mbajnë kurrë, rrethimi i vetes me elita pasanikësh; përdorim fondesh të padeklaruara, që s'dihet nga vijnë e as si do i kthehen atij që i dha; mbushja e parlamentit dhe bashkive me kandidatë biznesmenë në vend të administratorëve të aftë; të tëra këto, edhe po iku Berisha do t'i lërë pas.

E vetmja rrugë, propozon që ti mbajmë të tëra këto duke hequr Berishën.
Ka ardhur koha që mjekësia tradicionale, mjekësia që prodhion më shumë ilaçe sesa zgjidhje, mjekësia që pasuron kompanitë farmaceutikë të ndryshojë. Ka ardhur koha që njeriu të kërkojë forma alternative mjekimi. Dhe jo vetëm për kancerin, por edhe për politikën. Unë nuk mund t'ju jap dot zgjidhje sot dhe këtu, por mund t'ju them se cili është fillimi i zgjidhjes.

TIRANA DHE KANCERI

Unë besoj se vetë trupi po na tregon diçka. Refuzimi për të votuar Ramën kundrejt një njeriu të etiketuar si vrasës dhe që ka jo pak gjynahe të mediatizuara në kurriz, është shenjë që trupi i Kryeqytetit nuk do as kancerogjenin, as kemion.

Sigurisht ka pasur para-manipulime të votës. Sigurisht, ka pasur një presion të jashtëzakonshëm ndaj administratës për të votuar Bashën. Faktet janë aty. Plot njerëz të intimiduar se mos hiqen nga puna nuk kanë vajtur fare të votojnë. Por sado katundarë nga komunat të jenë regjistruar ilegalisht për të votuar në Tiranë, prapë se prapë, mbetet një shifër shumë e lartë, mbi 100 mijë votues pro Bashës. Kjo nuk e bën më të mirë Bashën, as ia heq etiketën për vrasës. Atë etiketë ia heq vetëm gjyqi ku duhet të paraqitet e të mbrojë veten e tij.

Por ato vota, duan të tregojnë që trupi i Tiranës është i lodhur. Mes një njeriu që akuzohet se ka vrarë 4 njerëz, dhe një tjetri që akuzohet se ka vrarë qytetin, jo medoemos tiranasit duhet të zgjedhim me pasionin, që s'ka rrugë tjetër.

Përveç qindmijëshes së votave që ka merituar secili, ka plot të tjerë që e kanë djegur votën e u kanë hequr vizë të 2 kandidatëve sepse kanë refuzuar që të zgjedhin mes dy të këqiave.
Ndryshimi, fillon tek ata.
Refuzimi! Refuzimi i kemios.

SHQIPËRIA DHE KANCERI

Shembulli tipik i një trupi që vetëm prodhon kancerogjene duke e mbytur veten është Shkodra. Ka 20 vjet, që aty votohet vetëm një krah. Ka 20 vjet, që trupi i Shkodrës prodhon kancerogjene kundër të keqes të imponuar mbi këtë qytet që në kohë të Enverit. Projektet politike aty nuk vlejnë. Vizionet... eh ç'na bëtë për të qeshur.

Një qytet që përmbytet non-stop, që s'ka punë, ku plehrat e qytetit digjen mu te Varrezat e Dëshmorëve, një qytet ku s'ka më jetë dhe ku humori prej dhimbjes është bërë cinik, është tashmë një trup i paaftë të reagojë. Një trup, që do prodhojë non-stop kancerogjenë. Shkodra voton me moton "e vetmja rrugë" që prej 20 vjetësh.
Shumë pjesë të Shqipërisë, funksionojnë kështu.

Nëse vendit i propozohet si e vetmja rrugë një model i vjetër, trupi votues vetëm do topitet, si të kishte kaluar seancën e radhës së kemioterapisë. Kjo gjë po ndodh, ka 20 vjet.

RIP

Ne nuk mund të jemi më një trup politik i topitur, që voton për inerci kundër njërit. Ne NUK DUHET të zgjedhim medoemos kancerogjenin, e më pas kemion.
Neve, NUK MUND ti besojmë dikujt që pas 12 vitesh në pushtet e mbështet projektin e vet politik mbi kemioterapinë e "së vetmes rrugë".


Ka ardhur koha, që ata që duan të fitojnë, të vijnë me projekte serioze, jo projekte të sajuara brenda natës për të topitur turmën votuese sa për një muaj fushatë.
Ka ardhur koha që ata që duan të votohen, duhet të na frymëzojnë me vizionet e tyre dhe jo me shëmtinë e kundërshtarit.

Mund të mendoni që fjalët kancerogjen dhe kemioterapi, i kam përdorur me tepri në këtë Tartë. Por, a nuk është kjo, e vetmja rrugë sesi funksionon propaganda?

No comments:

Post a Comment