Tuesday, January 7, 2014

Fragmente proteste (22 nëntor 2013)

Botuar në revistën Klan, 22 nëntor 2013



-Ç’kemi? Si kalon?
-Çka. S’i kemi fort mirë punët me këto armët kimike.
Ky ishte dialogu im i para disa ditëve me një të saponjohur, në tavolinë me të cilin më kishte sjellë filmi e jo politika. I mësuar me mënyrën sipërfaqësore të të përshëndeturit, kur ti e pyet dikë si je për edukatë, e jo se vërtet do të dish se si është, kjo përgjigje më la pa tekst. Aq më tepër kur bashkëbiseduesi nuk të flet për hallin e vet po për hallin e vendit. Është hera e parë që më ndodh, dhe më dha përshtypjen që është shenja e një ndryshimi të madh social në Shqipëri. Ka njerëz që ka filluar t’u bëhet vonë. A thua?

Njerëzit që u bëhet vonë

Ndoshta një vit më parë një inisiativë e jashtëzakonshme civile, “Aleanca Kundër Plehrave” (për të mos u ngatërruar me “Aleancën e të Gjithë Qelbësirave”) mblodhi shumë njerëz që u bëhet vonë për shëndetin, plehrat toksike dhe helmimin e tokës e të mjedisit. Disa njerëz harxhuan nga koha e tyre, paratë e tyre, emri i tyre për t’i dalë zot atij halli të madh. Me aq sa di unë, pavarësisht mundit nuk i mblodhën dot as 1 të 10-ën e firmave që duheshin për referendum. U detyruan t’i drejtoheshin një partie për të shfrytëzuar anëtarësinë e saj, edhe pse do kishin preferuar që referendumi të ishte vullnet real qytetarësh të prekur sesa militantësh lepe-peqe. Firmat u mblodhën, referendumi u kërkua.
Në distancë prej një viti, përpiqem të kuptoj çfarë ka ndryshuar. Djali më sipër, nuk e kishte firmosur (kërkesën për) referendumin e vjetër. Po atëherë, kujt i bëhet vonë sot që nuk i bëhej vonë dje?

Atyre që nuk u bëhej vonë

Shoh sot të angazhuar shumë njerëz që nuk u ndihej zëri dje. Shkruajnë gazetarë që nuk kritikonin dje, ose e mbrojnë “sarinin” gazetarë që ishin në vijë të parë të luftës para një viti. Dikush thoshte që “ç’rëndësi ka”. Mjafton që të bëhemi shumë për të mbrojtur vendin. Unë nuk e mendoj ashtu. Kjo, nuk mund të kalojë pa u vënë re, e as në heshtje. Kam një përshtypje se ka shumë pjesëmarrës në këto protesta, në ballë e në fund të rreshtit, që nuk kanë të drejtën morale për të qenë aty. Më duket se ka shumë që janë o për numër, o se i kanë thënë “dil”. Kjo m’u përforcua kur pashë një protestë në Mjekës.

Mjekësi i protestës ekologjike

Banorët kishin dalë në protestë kundër mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike në uzinën (fabrikën? repartin?) e Mjekësit. Pashë foton e protestës dhe pashë disa fshatarë të lodhur, që rrinin si të varur, duke mbajtur ndër duar fletë të printuara (identike) kundër “vrasjes”, “gazit sarin”, etj. Bëhej fjalë për një deklaratë të një kryetari Bashkie (Elbasan) që unë nuk e kisha dëgjuar, por që me sa dukej kish kërkuar prerazi që për shkatërrimin të mos përdoret uzina e Mjekësit, siç ishte përfolur.
Përshtypja e menjëhershme është që ata i ka nxjerrë dikush aty. U ka dhënë dhe fletët e printuara njësoj, nga i njëjti kompjuter. Ka sjellë dhe ca fotografë a media. Por, protesta kur është e vërtetë, kur kauza të djeg brenda, nuk mbresohet si në këtë foto. Krahasojeni me çdo protestë ekologjistësh europianë, edhe kur janë vetëm një grusht njerëz. Krahasojin makar dhe me protesta e fshatarëve në Kakome, Jal, e kudo tjetër kur atyre u ka dhembur fort padrejtësia. Nuk ka asgjë të përbashkët, sepse motivimi nuk është i njëjti në thelb. Protestuesit e Mjekësit, ngjanin sikur kishin dalë për qokë.
Sa i vlen protestës kjo foto? Sa i vlen kauzës kjo protestë? Kush ka marrë tërë këtë mundim për të sajuar një farsë proteste, siç besoj se ishte? Çfarë ka pra, ndryshe?


Ne dhe gazi sarin

Nuk e përjashtoj faktin që impakti mediatik në lidhje gazin sarin të ketë luajtur njëfarë roli. Por ne jemi ata, që siç na përshkruan Kadareja rrimë në kafe e flasim shtruar për Luftërat Botërore. Nuk e përjashtoj edhe një frymëmarrje lirie. Pas 23 qershorit, besimi i njerëzve se mund të ndikojnë zhvillimet e vendit, ma do mendja është rritur.
Por, ne nuk jetojmë në një vend të ri. E, as me njerëz të rinj. Jetojmë përsëri në një vend ku shumë njerëz kanë probleme mbijetese, ku shumë të tjerë janë mbyllur në guvat e tyre të izoluara duke mos dashur të shohin ç’bëhet jashtë, kur media shplan masivisht trurin, ndjesitë e vlerat, ku për shumë njerëz ka më shumë rëndësi t’u thyhet hunda “atyre” të partisë tjetër se të kërkojnë t’u përmirësohet mësimdhënia nxënësve në shkolla, nuk duket shumë e vështirë se çfarë motivimi ka pas shumë njerëzve që brenda javës u bënë ekologjistë. Më shumë se ekologjistë, janë anti- diçkaje a dikujt.

Kauza e “Qelbësirit”

Ne duhet të shkëputemi nga filozofia e “Aleancës së Qelbësirave” që mblidhen për inat të një “Qelbësiri”. Ata që kanë në plan të dalin në protestë kundër “Qelbësirit”, pavarësisht motivit, kam frikë se do ta lodhin shpejt motivimin e atyre që dalin për plehrat. Shumë njerëz do të dekurajohen kur të shohin me kë janë për krah. Madje, edhe po të duam “aleancë të të gjithë qelbësirave” nuk bëjmë dot më. Jo dhe për ca vite. Një pjesë e tyre janë në pushtet. Pra, do kohë që të bëhen kaq shumë qelbësira të acaruara këtu jashtë për t’u ngritur kundër atij “të madhit”. Një kauzë është një dhe vetëm ajo. Dhe duhet të jetë parimore dhe e pastër.


Kauza që bëhen pis

Kauzat janë kauza, dhe ato duhet të jenë të pastra. Edhe kur janë kauza për plehra e për gaz vdekjeprurës. Unë besoj se kauzat bëhen me zemër e jo me hile. Të paktën, kauza qytetare si kjo. Kam frikë, se personalizimi i kauzës nga individë dhe grupime që në thelb duket se kanë axhendë tjetër nga gazi sarin, do e dëmtojë fort jo vetëm këtë kauzë, por dhe të tjerat që vijnë më pas.
Beteja me këtë qeveri duket se do të jetë e gjatë. Gazi sarin është vetëm e para nga një sërë betejash të tjera. Betejat në këtë vend nuk është akoma e mundur që t’i udhëheqë shoqëria civile. Po t’i heqësh protestës ata që printuan fletët e katundarëve të Mjeksit, kam frikë se do mbesim atje ku ishim para një viti: Me ca aktivistë që sado të drejtë kanë, nuk arrijnë të marrin as 4 mijë firma për një kauzë kaq jetike. Dhe që do u duhet nesër një parti nga pas me makinerinë e saj. Ndaj, nuk do isha kundër që kjo betejë të udhëhiqej nga opozita. Nga ana tjetër, jam i bindur që qytetarët e ndjejnë atë që fshihet pas maskës së protestës. Ndaj mendoj se opozita ka nevojë të na udhëheqë jo me një imazh të pastër, por duke e pastruar atë para nesh.
Nuk e di nëse duhet të gëzohem apo të merakosem për një djalë që pa më thënë si e ka emrin, më flet për gazin sarin. Mbase duhet të gëzohem, por me rezervë. Ka nja njëzet vjet që shoh dritëza të lindjes së një mendësie qytetare protestash. Ti thua, ja, po bëhet. Po bëhemi qytetarë. Dhe pas njëzet vjetësh, kur u dogjën dy njerëz prej vërteti për një kauzë të vërtetë, pashë që askush nuk lëvizi. As ekologjistët e rinj të merakosur për djegiet (e presupozuara) me gaz sarin.

No comments:

Post a Comment