Tuesday, January 7, 2014

Pasqyra jonë e Dorian Greit (20 Dhjetor 2013)

Botuar në revistën KLAN, 20 Dhjetor 2013


Kur vjen dhjetori, si pa dashje na vë para sprovave të vështira. Përballemi me shtetin, tymin, ata që kthehen, dhe me shpresat që viti tjetër do të jetë ndryshe. Dhjetori (e përsëris: pa dashje) na bën të përballemi me veten tonë. Në dhjetor para na del një pasqyrë që ne përpiqemi ta shmangim. Nuk duam ta shohim veten tonë. E para gjë që shohim janë ata që vijnë nga jashtë.

Ata që nuk jetojnë këtu

Përballem çdo dhjetor me ata që nuk jetojnë këtu. Vijnë për 1 javë, 2 javë ose dhe 15 ditë. Kam bindjen që e mendojnë dy herë. Kam bindjen që i merr malli për vendin, për njerëzit, për të shkuarën. Më duket se, pasi rrinë ca ditë, nuk dinë ç'të bëjnë më. Kaosi ynë i brendshëm është ngazëllyes për pak ditë, por të rrish shumë të sëmur. Shoh në dhjetor fytyra të reja, të freskëta. Shoh fytyra të harruara që dikur merrnin frymë e nxirrnin ëndrra në rrugët e Tiranës. Nuk i di hallet që kanë në vendet ku jetojnë e shkollojnë, por kur kthehen ata kanë një lloj vezullimi që përmban të ardhmen e të shkuarën tonë. Serendipity. Por, ata nuk kanë shumë lidhje me të tashmen tonë. Ata që vijnë në dhjetor në Tiranë janë një shëmbëllim i largët i asaj që ne mund të ishim bërë dhe i asaj që ne kemi qenë. Qytetarë të botës, dhe shqiptarë të humbur në botën e madhe. Nëse mendoni se i idealizoj, po ju kujtoj që dhjetori na vë para pasqyrën e rinisë.

Pasqyra e rinisë së '91-shit

Nuk ka ditë më të lodhshme sesa Dita e Rinisë. Për aq sa mbaj mend, Dita e Rinisë është një ditë e caktuar nga një grup njerëzish që assesi nuk ka qenë të rinj. Nuk mbaj mend të kishte debate, as që një grup ta kërkonte këtë ditë përkujtimore, as debat, ia vlen apo nuk ia vlen. Ca mesoburra u mblodhën, e caktuan, dhe aq. U duhej. Tani çdo 8 dhjetor jam i detyruar të dëgjoj retorikën boshe të atyre njerëzve që në të vërtetë nuk kanë asnjë lidhje me 8 dhjetorin 1990.
Nuk ka asgjë rinore në fjalët e Berishës, Bashës, Topallit, Metës, dhe sigurisht tashmë as Ramës. Kjo nuk i pengon të përfitojnë nga rasti e të vjedhin skenën. Ruaj ende ca kujtime të dhjetorit '90. Pak dekadencë, pak Teodor Keko e Kongol, pak hapje kishash, pak bulevard, ikja e Kadaresë, shpresa dhe ëndrra, plenume. Asgjë nga ato nuk ka mbetur. Këta burrat që më flasin për idealet e dhjetorit janë ca derra e dosa të majmura me pushtet e para të pista. Ky është dhjetori i tyre. E gjitha çfarë kanë me vete nga këto 23 dhjetore janë paratë e pista dhe epshi i pafund i pushtetit. Ndaj lodhem kur i shoh të dalin të palodhur me fjalime e kujtime për ditën e rinisë. Më duken si fjalime të pacipa mbi varrin e një fëmije që nuk u bë kurrë i ri - e kam fjalën për dhjetorin 1990.
Këta karizmatikë të parasë më kujtojnë që dhjetori, ka të bëjë dhe me paratë. (Shumë prej tyre do ikin jashtë kaosit të Tiranës për të shijuar paratë e këtyre 23 viteve në Zvicrat, Dubajtë (e dreqi e di se ku) të tyret.

Dhjetori i parasë

Dhjetori është i bukur në Tiranë. Shoh njerëz që dalin nga guaskat e vendosin të shpenzojnë ca. Kuptoj se paraja, në të vërtetë sillka gëzim. Rroba, njerëz që lëvrijnë si milingonat duke kërkuar ku e si të shpenzojnë ca më shumë se kursimi normal. Çmimet që rriten, importet që shtohen, njerëzit që bubrrojnë. Gjithçka e veshur me një vello konsumizmi të pafajshme e njerëzore. Të blejmë diçka që ja kursyem vetes tërë këtë vit.

Dhjetori është tym

Dhjetori mban era tym në pedonale. Pedonalja e Tiranës mbushet me kioska e me jetë. Pastaj nisin zgarat, tymi. Lokalet janë plot me njerëz që tymosin duhan. E di që nuk lejohet. Ministra, zv/ministra, djem e vajza të reja të promovuar nga fryma Rama, pijnë duhan lirshëm në vendet e ndaluara të bindur që ky shtet nuk e lufton dot duhanin. Rrobat mbajnë era tym, flokët mbajnë era tym, femrat mbajnë era tym. Kompromisi është i thjeshtë: Ose rri në shpi, ose jeto në tym.

Dhjetori i gardeve

O Bella Donna... muzika e vjetër luan në radio, ndërsa shkruaj këtë shkrim. Te tavolina ngjitur janë një grup djemsh që flasin “mo plako” dhe dikush “o bos”. Miksimi i të ardhurve. Janë artistë që flasin për gajden. Pastaj flasin për një koncert në Mitrovicë. Pastaj për metrotë. Pastaj për Vodkën e Fërnetin (para se të dilnin në skenë). Pastaj për Krishtin. Pastaj për një shokun e tyre. Pastaj një kitarë që kanë parë në një dyqan në Paris. Pastaj për lokalin ku do shkojnë më pas. Pastaj për një bjonde që kanë parë. Ka kaq shumë bjonde në Tiranën mesdhetare. Janë biseda që nuk i gjen në asnjë muaj tjetër të vitit në Tiranë. Vetëm në dhjetor. Janë kaq të “lehtë” në komunikimin e tyre sepse nuk kanë qenë këtë vit në Shqipëri.

Viti i mbrapshtë

2013-a është ende një vit me bilanc të paspecifikuar qartë. Mua më duket tragjik, të paktën përsa i përket shifrave. Ndryshe nga ç'prisnim, pas ri-qeverisjes, krimet ende vazhdojnë. Shoh në rrugë duke u ngrirë nga të ftohtët fëmijë-skllevër. Ministri Tahiri duhet të jetë në zyrë me kondicioner. Ose duke marrë veten nga lodhja bri zjarrit. Nuk do ndonjë vështirësi për të kapur tutorët e për të sistemuar fëmijët-skllevër. Por, kanë qenë të zënë duke kapur të arratisurit nga burgu. Sa herë kaloj pranë këtyre fëmijëve, më dhimbsen aq shumë sa mezi përmbahem pa u dhënë lek. Janë lakuriq, në trotuar, dhe qajnë. Por, e di që lekët që jap unë i mbajnë ata skllevër. Ç'të jetë duke bërë vallë ministri im? A ecën më në këmbë? A u jep më lek lypësave? A ka ndonjë projekt? Apo, nuk është puna e tij? Mos jam kapur me ministrin e gabuar? Këto janë pyetje që vijnë në dhjetor. Sidomos, kur kalon bri trupave që dridhen lakuriq, herë 8 e herë 12 vjeç mbi trotuar. Bukuria që vret, thoshte Migjeni. Por, KËTA kanë vrarë dhe Migjenin. Pak kush ankohet.

Njerëzit që ankohen

Jeta është bërë shumë bazike. Njerëzit kërkojnë gjëra të thjeshta. Për shembull, dhjetori na dha shansin të shohim nxënësit e ekselencës, dmth, më të mirët e më të zgjuarit në vend në një përballje me Kryeministrin. Ndoqa nga larg pyetjet e tyre. Pyetën për veten e vet. Pastaj, e pyetën për kuriozitete kalamajsh. “Cili ministër të ka ndihmuar më shumë? Po më pak?” Ose, “A janë të vërteta atë që thuhen për taksën mbi rrogën?” Unë, do kisha dashur që nxënësit e ekselencës të kishin pyetur se pse taksohen rrogat e jo dividentët? Pse bosët e mëdhenj të parasë mund të marrin rrogë 0 lek e të mos taksohen, ndërsa rrogëtarët me rroga të mira do taksohen një më një? Por, është e tepërt të presësh pyetje reale nga një brez virtual. Shkollim virtual, rini virtuale, jetë virtuale, zotime virtuale. Sepse, (theksoj: pa dashje, instinktivisht) në dhjetor të tërë ndjejnë nevojën për të marrë një zotim.

Viti i zotimeve

Dhjetori, është një muaj kur të gjithë besojnë se mund të marrin një zotim për të ardhmen. Në fakt, mua më ka ndihmuar për të kuptuar ku jam. Tashmë e di. Tirana është një njeri i bukur e i ri, por portreti i vet është i kalbur e i plakur. Rama e të tijtë nuk kanë për ta thënë e as për ta kuptuar. Berisha e të tijtë s’e kanë kuptuar kurrë. Këta që erdhën për festa, do ikin prapë duke marrë me vete kitarat, verën e mallin. Pastaj do jemi ne, përballë portretit tonë veshur me letër mbështjellëse ngjyrë kafe. 2014-ta duket si një tjetër vit ku unë do duhet të rri në trotuar përballë shtetit, politikës, vanitetit e mjerimit. Edhe në 2014, do jem i detyruar t'u them “jo”.

No comments:

Post a Comment