Tuesday, January 7, 2014

TVSH, bretkosa që askush s’e puth (dhjetor 2013)

Botuar në revistën Klan, E Premte, 06 Dhjetor 2013


Besoj nuk ka shumë vetë që do mohonin se ka një çakordim mes publikes e privates në Shqipëri. “Ç’akordisje”, madje, çakërdisje. Nganjëherë vetë shteti më duket sikur është një biznesmen i madh, burokratik, i keqmanaxhuar dhe inefektiv. Për shembull, jemi krejtësisht të pandjeshëm ndaj një gjëje që quhet Televizioni publik shqiptar. Dëmi emocional, artistik dhe informativ që vuajmë për shkak se i vetmi TV që është vërtet i yni nuk mundet e nuk di të sillet si i tillë, më duket shumë i madh. E pra, TVSH është një institucion i krimbur në para.


Kush, dhe sa

Është e vështirë të gjykosh për mbarëvajtjen ekonomike të një mediumi, sepse nuk ka asgjë transparente. Bilancet vjetore të televizioneve si të gjithë bizneseve do duhej të ishin transparente, dhe jo vetëm për shtetin, por dhe për publikun. Auditeli, që pak vetë ndoshta e dinë, ka nisur të bëhet. Shifrat mbahen sekrete dhe u shkojnë vetëm atyre që paguajnë për t'i parë. Nuk më interesojnë modalitetet, por do doja t'i shihja dhe unë. Mirë do qe t'i shihte edhe prokuroria. Nëse një program me audiencë të ulët përfiton të ardhura sa shumëfishi i një tjetri me audiencë më të madhe, këtu diçka ka.
Por, mbi të gjitha më intereson të di bilancet dhe audiencën e të vetmit TV që e financoj unë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për fat të keq, marrëdhënia ime me TVSH është thuajse si me Suden. Ne fusim lekë aty dhe nuk marrim asgjë. Për më tepër, nuk dimë as se ç'bëhet me ato para.


TVSH, si punë fajdexhiu

TVSH mbahet me paratë e shtetit e të sponsorëve. Madje, kam dëgjuar që Kina derdhka nja 3 milionë dollarë në vit si punë qeraje për ca antena. TVSH është një institucion në të cilin çdo rrogë paguhet prej nesh (dhe Kinës, me sa duket), edhe pse tranzicioni dy dekadash na bëri ta harrojmë një herë e mirë se kemi pushtet ekonomik mbi diçka, edhe kur e kemi. Në këtë pikëpamje, TVSh është si një Sude që merr paratë tona e nuk na jep asgjë.


TVSh-ja rurale

Sot, TVSh-ja është një mjet tërësisht rural. Unë nuk njoh asnjë person në rrethin tim të punës, miqve apo familjes që ta ketë pjesë të telekomandës. Nuk kam lexuar asgjë mbi TVSh e produktet e tij as online e deri as në gazetat bulevardeske. Nuk ka asnjë diskutim a debat publik a mediatike mbi produktet e TVSh-së me përjashtim të Festivalit, që tashmë nuk është i TVSh-së por i Eurovizionit. Edhe nëse ndonjë personazh i TVSh-së shfaqet në ndonjë gazetë rozë, kjo vjen falë investimit personal e jo fuqisë së ekranit.
Është e habitshme sesi keqmenaxhimi (kryesisht me qëllime politike) i këtij institucioni ka prodhuar një produkt kaq mediokër. Nuk flas për njerëzit. Shumë nga këta që shkëlqejnë tek TV-të private vijnë nga TVSh-ja. Flas për produktin final. Jetojmë në një vend ku të tërë duam të identifikohemi me “qytetarin”. Jetojmë në një kohë ku TV-ja krijon një standard jete që duam ta imitojmë. Në këto kushte një TV rurale nuk i duhet askujt. As njerëzve të provincës. Numëroni produktet e suksesshme në Shqipëri, që nga Portokallia e deri te Kënga Magjike, nga Zonë e Lirë te Opinion, nga The Voice te Dancing With the Stars, asnjë prej tyre nuk ka logon e TVSh-së.


Me lekë, por i varfër

TVSh-ja ose nuk di ose nuk do që të blejë të drejtat televizive të franchise-ve ndërkombëtare. Nuk po u kërkoj Champions League-n. Por, si është e mundur që TV-ja më i pasur në vend nuk ka fuqi të blejë as ndeshjet e kombëtares? Si është e mundur që nuk futet në garë për të blerë programe me sukses botëror, një pjesë prej të cilave kanë përmbajtje mjaft cilësore? Nuk po them të blejnë Big Brother. Por mund të blejnë plot formate të tjerë të mëdha e cilësorë. Po them edhe që ka mijëra formate simpatikë, më të vegjël, që përmbajnë argëtim e kulturë, që u drejtohen shtresave të ndryshme, e që një gjigand financiar si TVSh e ka për detyrë t’i blejë. Për të mos folur për produktet e veta, si informacioni.


Informacioni në kohërat e kolerës

Kam patur një përvojë rrënqethëse me një edicion informativ të TVSh-së pak kohë para zgjedhjeve. Nuk mbaj mend sa kohë kisha pa parë diçka aq joprofesionale, dhe aq të pozicionuar (shëmtuar) politikisht. Përveçse 4 lajmet e para ishin si video personale të kreut të Shtetit, të Qeverisë, të Bashkisë Tiranë e të Kuvendit (të tërë në pushtet), ato nuk mbanin fare era lajm. Ishte, si të raportoje që Kryetari i Shtetit lau duart me sapun, si ai tjetri hëngri byrek, si ky foli me komshinjtë.
Kishte një përpjekje po aq fëminore që kohën që mund t’i takonte opozitës së asaj kohe ta shfrytëzonin për ta nxjerrë sa më keq kreun e ish opozitës, sa edhe një fëmijë e kuptonte që montazhi i frazave dhe vetë xhirimet ishin bërë qëllimisht për propagandë negative. Megjithatë, ne e duam TVSh-në. Më saktë, kemi dëshirë ta duam TVSh-në.


Si e përjetojmë TVSH-në

TVSh-ja është një medium me të cilin akoma shumica prej nesh (për sa kohë të lindurit pas 1997-s do jenë shumicë demografike) ka kujtimet e veta. Spektaklet e vitit të ri, festivalet, mbrëmjet poetike, Krasta i fillimit, ngjitja e Grabockës, ardhja e Gjebresë, fillimi i Fevziut e Xhungës, teatrot e kukullave të dielave, kanë ndodhur në atë medium. Pa dashje, por TVSh do të mbartë përjetësisht një pjesë të historive tona individuale.
Këtë element të jetës sonë na e kanë dhunuar, herë nën rrogoz, herë ashiqare e herë me forcë. Me sa di unë, në Britani çështjet e BBC-së janë të të gjithëve. Po u preke BBC-në, është më keq se t’u prekësh Mbretëreshën. Por, ndryshimi i TVSh-së NUK mund të fillojë nga mënyra sesi ne e shohim TVSh-në. Ndryshimi i TVSh-së nuk besoj se është më as çështje ndërrimi njerëzish. Një TVSh e re duhet të fillojë me një frymë të re.


Një TVSh e re

Në krye të TVSh-së mund të vihet një vajzë e re ambicioze, ose një djalë i mirë, ose një tip i hedhur, ose një gazetar i njohur, i lidhur me pozitën, ose kushdo tjetër që Kryeministrit mund t’i duket OK për arsyet e veta jo dhe aq të kuptueshme nga ana manaxheriale ose politike. Por, edhe ky do ta ketë vështirë të nxjerrë një princ nga një bretkosë. Jo vetëm ngaqë nuk njoh ndonjë shqiptar që do ulte hundën t’i bënte një nder të tillë një bretku, por dhe se askush nuk po kërkon për bretkosë. Edhe sikur të ndërrojnë tërë njerëzit që punojnë aty, siç po ndodh në institucionet e tjera, kjo nuk e zhbën TVSh-në e vjetër. Sepse, nuk është punë njerëzish. Është punë konkurueshmërie.


Si

TVSh-ja është çështje konkurueshmërie. Që të bëhet konkuruese me privatët duhet të ngrejë një sistem konkurimi brenda vetes. TVSH e re duhet t’i japë mundësi kujtdo që ka ide të konkurojë. Si? Është e thjeshtë. TVSh nuk duhet të miratojë programe që janë të mira në letër, apo se moderatori e regjisori janë emra të shquar, apo se i ka qejf drejtori i ri. Në TVSh nuk duhet të ketë njerëz që rriten e plaken aty duke tundur zinxhirin. TVSh duhet t’u japë mundësi të paguhen mirë atyre që bëjnë gjëra të mira.
TVSh e re duhet të miratojë vetëm pilotë projektesh, me kosto edhe modeste, dhe ato t’ia paraqesë publikut, në web, youtube apo dhe on air. Vetëm emisionet Pilot që marrin miratim nga audienca që i sheh ose i voton duhet të futen në prodhim.
Më duket e vështirë në një shtet që nuk po ngrihet mbi konkurueshmërinë, TVSh-ja të bëjë përjashtim. Sado djalë i mirë të jetë drejtori i ri, sado avantgard të jetë bordi i ri, në rast se këta nuk zgjidhen as vetë mbi baza konkuruese, nuk ka shpresë që do krijojnë shinat e konkurueshmërisë. Ndaj s’ka pse habitemi, do kemi një TVSh që do vazhdojmë ta harrojmë se paguhet me paratë tona. Derisa të shuhet tërësisht lidhja emocionale që kemi me të, , çka do të ishte dhe fundi i vet.

No comments:

Post a Comment