Saturday, March 8, 2014

KOZMIKOMIKET: Ndreca na duhet, por jo në Vatikan! (shkurt 2014)

Botuar në revistën KLAN, 15 shkurt 2014

..............................

Rasti i shkrimtarit e gazetarit Ardian Ndreca, është i fundit i një serie njerëzish që unë i vlerësoj, dhe që i bashkohet korpusit qeverisës. Ai (siç pritet) do të jetë Ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Me sa lexova, ndërsa diskutoheshin kandidaturat kish lindur edhe një debat, se paska fyer Presidentin, apo se rrezikon të shkruajë në gegnisht (!). Në fakt, debati i vërtetë do të qe: A duhet që njerëz si Ndreca t’ia heqim shoqërisë civile e t’ia japim shtetit? Por para se të shkojmë atje, do doja të vlerësoja nga ana personale se çfarë humbas e çfarë fitoj nga ky emërim. Çfarë fiton Shqipëria nga emërimi i Ndrecës?

Shqipëria dhe Vatikani

Nuk e di se sa të rëndësishme konsiderohen në nivel dy-qeveritar marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin, por nga një vështrim i shpejtë nuk më duket se shkojnë përtej marrëdhënieve “shumë të ngrohta e miqësore”. Jemi afër, por në të vërtetë jemi larg. Prerjet e interesave dhe mundësive konkrete gjeopolitike nuk na lejojnë të bëjmë shumë përveçse t’i buzëqeshim pa shumë fjalë njëri-tjetrit, si shtet, kur hasemi në rrugët e gjeopolitikës.
Nuk besoj se Vatikani vlen për marrëdhëniet tona ekonomike; as për strategjitë tona rajonale nuk është ndihmë e madhe (me sa di unë nuk ka njohur as Kosovën); për ambiciet tona ushtarake po ashtu nuk na hyn në punë dhe e vetmja marrëdhënie e fortë ka të bëjë me komunitetin fetar katolik të Shqipërisë. Pra, një Ambasador në Vatikan nuk është ndonjë hall i madh që ky shtet duhej të zgjidhte, siç do të ishte për shembull zgjedhja e Ambasadorit tonë në Greqi, Serbi, Itali, Francë, Amerikë a Angli, vende që ne nuk kemi mundur t’i shfrytëzojmë kurrë maksimalisht falë ambasadorëve të paaftë, meskinë e dembelë. Sigurisht, të kesh një intelektual të njohur në krye të një Ambasade më së paku i bën nder shtetit, edhe pse një intelektual nuk është e thënë se do të jetë një diplomat gjithaq i mirë. A duhet për kaq të konsumojmë Ndrecën?

Ndreca i shtetit

Ardian Ndreca hyn nga të paktët kolumnistë që unë i lexoj vazhdimisht dhe me ëndje. Personalisht, do doja që Ndrecën të vazhdoja ta lexoja. Jam i sigurt që ai do të vazhdojë të shkruajë, por nuk do jetë më ai i pari. Sado të përpiqet të jetë i baraslarguar nga ngjarjet, ai do të jetë një ambasador që shkruan publicistikë dhe jo një mendje e lirë që shkruan për njerëzit. Detyra e intelektualit në një vend si ky është që të qëndrojë jashtë sistemit. Kam frikë se sado t’i japim guxim vetes se posti shtetëror nuk do na ndryshojë, kjo ndodh, pa e dashur ne.
Rasti më domethënës i një publicisti të aftë që u konformua në sistem është ai i Edi Ramës, që pasi u bë pjesë e sistemit nuk dha asnjë kontribut publicistik për publikun, madje, në gjykimin tim personal, u bë palë me të pasurit kundër qytetit. Shembuj të tillë ku intelektualët konformohen në sistem janë të shumtë, dhe sidomos bien në sy në kohën e ndërrimit të pushteteve, ku sistemi përpiqet t’u “blejë” heshtjen gazetarëve, intelektualëve apo kolumnistëve me integritet. Sistemi jo thjesht të blen me poste. Sistemi nuk të lë asnjë rrugë tjetër.

Intelektualët përherë të varur

Është e kollajtë të japësh mend mbi jetën e dikujt, siç po bëj unë në këtë rast, të gazetarit Ardian Ndreca. Të gjtihë pretendojmë prej gazetarëve ndershmëri, pavarësi e guxim, të gjithë presim prej tyre të thonë për herë të vërtetën (nganjëherë atë që duam ne të dëgjojmë si të vërtetë), por asnjëherë nuk bëhemi merak, a i ushqen ata e vërteta?
Si do jetojnë gazetarët? A e di publiku (se unë e di) sa paguhen shkrimet në gazeta? Para se të gjykojmë, fjala bie, Lubonjën që del te Klani, a e pyesim veten si do jetojë ai, nëse nuk merr honorare për pjesëmarrje televizive? Pse u dashka të kërkojmë që intelektualët të jetojnë, shkruajnë e veprojnë jashtë sistemit, kur e dimë mirë që aty nuk ka kushte për mbijetesë?
Ky shtet, ka bërë të pamundurën që intelektualët për të jetuar të kenë nevojë për bukën e shtetit. (Këtu, sa për procesverbal, duhet thënë që ish-Kryeministri mban titullin kampion për shterrimin e burimeve financiare të kujtdo që nuk konformohet në sistem, qofshin grupe mediatike apo individë, i ndjekur pastaj dhe nga Kryeministrat e tjerë, Nano e Meta). Akoma shoh të vijë vërdallë i papunë prej vitesh, Moikom Zeqon, një nga eruditët e paktë që njoh (dhe do vazhdoj ta përsëris këtë rast). Shteti, i bën “karshillëk” Moikomit. Po të dojë, shteti ia gjen një punë. Por, ja që shtetit, nuk i do...
Në këto kushte, është e padrejtë e ndoshta e pandershme të kërkosh prej kujtdo t’i thotë jo një posti qeveritar, që garanton së paku një jetë më të qetë e më pak probleme financiare. Unë vetë, druaj se nuk do i thoja dot jo. Ndoshta prandaj janë shuar intelektualët e pavarur, sepse ky shtet s’të jep asnjë mundësi të jesh i pavarur. I vetmi shans që të jep është “o me të, o të vdesësh urie!”

Një shtet që të shtrëngon

Dhe ja ku u kthyem përsëri te shteti dhe makineria e tij perverse për të blerë pavarësinë e individit. Në momentin që shteti blen heshtjen, ai i ka bërë një shërbim të përkohshëm vetes. Ka heshtur një zë, dy zëra, ndoshta të gjithë zërat. Në plan afatgjatë mungesa e zërave kundër sistemit bën që shteti të degradojë si një pijanec që mbytet në të vjellat e veta, pa pasur njeri pranë që të flasë. Ndaj, shtetet moderne gjejnë forma për të mbajtur gjallë elitën e tyre intelektuale, pa qenë nevoja as t’i detyrojnë të shtrijnë dorën për bukë, e as të lypin “punë në shtet”.
Ka me dhjetëra grante, institute studimore e kërkimore, qoftë dhe borde, përmes të cilave intelektualët mund të nxjerrin bukën e përditshme, të botojnë librat pa qenë nevoja të jenë në mëshirën e privatit komercial, të ligjërojnë në Universitete pa qenë nevoja të trokasin te universiteti i Pushtetit. Kur them ka, dua të them “ka” si mundësi. Por, ky shtet duket krejt i paaftë për të ndërtuar instrumente korigjuese të vetvetes, i ngopur me arrogancë, dritshkurtësi e ligësi. Ndaj, e vetmja mënyrë që ndjek është konformimi përmes shtrëngimit i intelektualëve për të hyrë në sistem. Për t’u kthyer te posti i Ambasadorit në Vatikan.

Ambasadat

Më kujtohet që të punoje në Ambasadë ishte një luks i rrallë në kohë të Enverit. Nuk kishe ndonjë gjë për të bërë, ne ishim vend i izoluar, dhe në Ambasada; i ikje mjedisit mbytës në Shqipëri; bëje dhe ca jetë jashtë. Vazhdon, me trishtim të jetë njësoj. Më kujtohet një sërë shkrimtarësh e artistësh, këngëtarësh e piktorësh, që, të përkëdhelur prej Partisë që vinte në pushtet, katapultoheshin në Ambasadat tona jashtë. Dhe këtu nuk po flasim për serinë e kunetërve, dajave, vajzave të tezes, nipave e dhëndurëve që merrnin si pajë, një vend në Ambasadë. Po flasim thjesht për artistë pa lidhje gjaku me Partinë.
Se çfarë mund të bëjë një këngëtar-ambasador për të joshur vëmendje ekonomike, kulturore e politike ndaj Shqipërisë, nuk e di. Por, mund dhe ta imagjinoj. Dhe ajo që imagjinoj është mediokre. Ndaj, prisja që politika jonë e jashtme të fillojë të ndërtojë një sistem tjetër përfaqësimi. Ndoshta, duhet që në Ambasada të mos shkojnë njerëz të shquar e as të ditur, por diplomatë të mirëfilltë, ata që e kanë zgjedhur këtë profesion që në shkollë, që kanë një karrierë në administratë, dhe që kanë ambicie për t’u rritur e plakur në sistemin tonë diplomatik. Prej tyre, më pas Kryeministrat mund të përzgjedhin funksionarë të lartë shtetërorë e ministra. Njësoj si sistemi ushtarak i një vendi, dhe ai diplomatik duhet të jetë një organizëm i komplikuar, i puthitur, funksional e ku kriteret janë më se të qartë që në fillim. Një organizëm që ushqen e riparon vetveten.
Dhe kjo nuk bëhet me kolumnistë si puna ime. Unë nuk do i thoja dot jo një posti në Ambasadën tonë në Danimarkë. Por është detyra e shtetit të mos më fusë në mëkat. Për të mirën e vet. Për të mirën time. Për të mirën e atyre që duan të më lexojnë.

No comments:

Post a Comment