Saturday, March 8, 2014

KOZMIKOMIKET: Tipari ynë kombëtar (KLAN, Shkurt 2014)

Botuar në revistën KLAN, Shkurt 2014
...................................

Kemi kaluar këto ditë një përvjetor të dhimbshëm dhe për pak vjen 1 prilli, një tjetër përvjetor i trishtë. Por, përtej përvjetorëve, ne kemi një hall më të madh kombëtar: Policia rrugore po vë gjoba. Befas, na u ndez geni i indinjatës individuale. Emisionet TV, shkrimet në gazeta, statuset në rrjete sociale dhe komentet në blogje u mbushën me njerëz të indinjuar. Befas, nuk po kuptoj më ku jetoj. Deri dje isha i bindur që jetoja në vendin ku shoferët janë raca më arrogante ndaj më të dobtëve (këmbësorëve, biçikletave), më kanibale (në dhunën asgjësuese brenda racës) dhe më shpërfillëse ndaj shtetit. Sot, po shoh që jetoj në një vend ku shoferët qenkan viktimat. Viktima e sistemit. Jemi mësuar ta marrim atë fletën e gjobës e ta flakim tërë nerva në kanal, madje dhe duke sharë trimërisht atë që na e ka vënë. Por, ja ku u ndjemë viktima dhe ja ku u shndërruam në indignados. Zëdhënës të njerëzve të indinjuar janë bërë figura publike, politikanë, gazetarë, aktivistë. Kushdo që ka një makinë, është ndjerë sot viktimë e sistemit. Sistemi na ka dhunuar.

A ka dështuar sistemi?

Pyetjes nëse sistemi ka dështuar a jo, figurat publike, kushdo që ka dhe 1 mijë fansë në FB i është përgjigjur që “po”. Sistemi nuk i ka kompjuterat e përditësuar. Ti paguan gjobën sot në Tiranë dhe nesër në Kukës rezulton e pashlyer e ti nuk mund të shkosh për peshk në Prizren. Mund ta kishe mbajtur mandatin me vete, por ja që nuk e ke këtë instinkt në marrëdhënie me dokumentacionin. Në sportelet e postës të është dashur të presësh 2 orë dhe gjobat nuk korrespondojnë. Befas ky qenka një shtet që merrka prej teje - të merr kohën, paratë dhe sedrën. Është i njëjti sistem jofunksional si deri dje, por, me ndryshimin që deri dje nuk ia varje ti sistemit, bëje sikur nuk ekzistonte e as e llogarisje. Po ky sistem grin kohën e nervat e qytetarëve të thjeshtë prej vitesh, por ja që tani kur duhet të ndjehemi të tërë qytetarë të thjeshtë, doli që nuk funksionuaka.
Ky sistem nuk ka “dështuar” sepse ka qenë i tillë dështak që në ngjizje. Nuk ka qenë kurrë njerëzor e asnjëherë funksional.

Të indinjuarit famozë

Në shumicën e emisioneve TV, perceptohet indinjatë e qartë ndaj gjobave të policisë rrugore. Në bisedë dëgjon njerëz që ata paskan vite pa paguar gjoba, e dinë që i kanë marrë, madje e pohojnë që i kanë grisur a hedhur, dhe prapë ankohen për orët që po detyrohen të presin për të paguar. Pra, njerëz që janë shkelës dhe e pohojnë në TV, kanë prioritetin e vet të qaravitjes, kundër prioritetit të shoqërisë.
Po të bëhej një listë e gjatë e atyre që kanë përfituar nga sistemi i deformuar (specifikisht në lidhje me shkeljet e kodit rrugor) ajo do të ishte e gjatë. Personalisht, do doja të diskutoja më parë për shkeljet e tyre, pastaj për dëmin që kanë pësuar. Janë ata që ankohen më shumë, ata që deri dje kanë përfituar më shumë nga sistemi. Gazetarë, politikanë, këngëtarë e artistë, kushdo që kishte një njohje lart, deri dje ishte një arrogant i pandëshkuar në rrugë.

Të indinjuarit e përjetshëm

Ka njerëz që rrinë me orë duke pritur autobusin, duke pritur për të paguar dritat, duke humbur ditë të tëra për lloj-lloj hallesh në sportelet e këtij shteti burokratësh. Por, nuk di të jetë bërë njeri kaq merak për ta. Humbja e kohës në sportelet e shtetit është një gangrenë që godet më parë qytetarët e thjeshtë. Qytetarët “e shquar” e gjejnë përherë një formë për të anashkaluar pritjet. Ndaj në këtë rast, më duket kaq patetike ankesa për vonesat në sportele, kur, asnjë nga ata që po ankohen sot publikisht, nuk kanë dalë një herë publikisht për t’u merakosur për dhunën dhe arrogancën e shoferëve të rrugëve të këtij shteti, arrogancë, që mund të konstatohet përditë.

E vërteta e rrugës

Le të kthehemi në rrugë. Më kujtohet vajza me mercedez që përplasi te sheshrrotullimi i Shqiponjës një fëmijë, përdore me të ëmën. Nëna dhe fëmija po kalonin te vijat e bardha. Fëmija fluturoi në ajër dhe ra pak më tej, ku disa kalimtarë e ngritën, të traumatizuar. Vajza me mercedez, doli nga vetura dhe gjëja e parë që bëri ishte të kontrollonte mos i qe gërvishur mjeti. Pastaj, kur u sigurua që nuk kishte gjë, hipi në makinë e tentoi të ikte. Me njerëz të tillë janë plot rrugët tona.
Në rrugët e Shqipërisë ndodhin krime të vazhdueshme. Personalisht nuk njoh askënd, as edhe një person të vetëm që të mos bëjë një shkelje në ditë. Dikush do të thotë që ka dhe “njerëz të ndershëm” që nuk i thyejnë rregullat. Unë kam frikë se jo. E vërteta është që këtu ka shumë njerëz që nuk kanë shtypur (ende) me makinë një njeri, por ne nuk jemi mësuar t’i shohim “shkeljet e vogla” dhe mendojmë se jemi në rregull. Jemi të gjithë dëshmitarë të shkeljes së çfarëdo lloj rregulli rrugor, që nga parkimi, rrugët 1-kahëshe, prioriteti në rrethrrotullim, ndërrimi i korsive në semafor, shkelja e zebrave e vijave të pandërprera, zënia e korsive me kthesë të detyruar për të ecur drejt, rënia e borive brenda në spital, shpejtësia skëterrë në rrugë fshati a qyteti, parakalimet kamikaze, dërgimi i sms-ve në timon, kalimi me të kuqe (deri në 3 makina një pas një), mos hapja rrugë ambulancës, dhunimi i vijave të bardha, dhunimi i korsive të dedikuara, e sa të tjera. Jemi një komb dhunues në rrugë. Atëherë, pse ankohemi?

Komb ankimtarësh

Ankohemi shumë. Nuk ka asnjë problem me ankesën, përveçse kur ankesa zëvendëson aksionin qytetar, dhe prish balancat e prioriteteve të shoqërisë. Ankohemi dhe për t’i shpëtuar analizës së vetvetes. Për shumë njerëz, edhe ‘97-ën e ka bërë një njeri i vetëm. Kaq, dhe asnjë përgjegjësi më shumë, edhe pse ajo ngjarje ka pjesëmarrje të gjerë individësh, interesash, politikanësh e më gjërë akoma. Por, analiza e vërtetë na heq mundësinë për t’u ankuar. Ankesa, na heq qafe sikletin e madh të vetëkorrigjimit. Edhe 21 janari u kalua me patetizëm dhe pa një analizë të thellë. Foltoret ofrojnë vetëm propagandë, jo analizë, as vetëkorigjim. E vërteta për 21 janarin është akoma në trup të pushtetit aktual. Në këtë qerthull ankesash, nuk besoj se ka gjë më të gabuar se identifikimi i Problemit të Lartë Kombëtar (gjobat) me një apo dy individë.

Heroin, apo sistemin

Pjesën tonë të qaravitjes na e ndihin shumë dhe individët që i vënë “gjoksin” situatës. Edhe drama e madhe e gjobave nuk është as përgjegjësi e një njeriu e as e një grupi njerëzish, qofshin dhe reformatorë. Ndaj, nuk ka pse Ministri apo Kryeministri të dalë në ballë të luftës, çdo natë për të bërë dyluftim me ankimtarizmën. Sistemi nuk është një njeri, dhe duke e identifikuar atë me 1 person kthehemi pas në modelin e shtetit ku përgjegjësia tkurrej tek 1 emër, ku justifikimi kishte 1 fytyrë publike, ku funksionaliteti përfundonte në shpatullat e një njeriu të vetëm, dhe ku zyra e ankesave kombëtare kishte një dalëzots, i cili merrte përsipër të ishte ai rrufepritësja e të pakënaqurve. Nëse ka diçka që e pengon sistemin të konsolidohet dhe “të ndihet”, është shfaqja e heroit në kohën, shi në kohën kur kemi nevojë për një sistem që të bëhet funksional. Sepse, deri ku mund të funksionojë heroi?

Heronj dhe sherifë

Më kujtohet para disa vitesh një oficer policie me një sjellje gati prej sherifi që tentoi të vërë rregull në Far East-in tonë. E vërteta është se funksionoi për një periudhë kohe, u shtuan gjobat, makinat e bllokuara, dhe shumë prej shkeljeve nuk bëheshin dot më hapur. Nëpër periferi kodi rrugor shkelej rregullisht, por në qendër të Tiranës motorët nuk dilnin dot pa kaskë. Problemi në filmat me sherifa është se gjithmonë del dikush më i fortë, ose më i shumtë, ose më i pushtetshëm brenda piramidës sesa një sherif. Përballja e sherifit me këta të fortë në përgjithësi është një bast kundër sherifit, siç edhe (thuhet se) ndodhi me oficerin në fjalë. Ai u qarkullua, rendi u kthye brenda pak ditësh në derexhenë e vjetër. Testi i vërtetë për sistemin nëse funksionon do të jetë një tjetër. Dhe ai ka të bëjë me të pushtetshmit.

Sistemi testohet kundër më të fortit

Shoh vazhdimisht njerëz me pushtet (dhe nuk e kam fjalën për gazetarë që thjesht kanë akses në pushtet meqë pinë kafe me ministra, me deputetë e kryetarë) që vazhdojnë të jenë po aq shpërfillës e arrogantë në rrugë me mjetet e tyre, duke filluar nga maja fare e piramidës. Një polic i thjeshtë mund t’ia marrë patentën Arian Çanit, por do kisha dyshime nëse do kishte guxim t’ia bllokonte Ilir Metës. Unë e kuptoj, që po të dalë ministri vetë në rrugë, mund ta bllokojë edhe lejen e qarkullimit të Kryetarit të Parlamentit, alias King maker-it. Sikurse jam i bindur që për hir të show-t politik dhe ky i fundit do pranonte “me gëzim” t’ia merrnin.
Por, reforma e mirëfilltë dhe shenja e parë e sanimit së sistemit do të ishte vetëm kur çdo polic i thjeshtë të ndjehet king-maker në atë udhëkryqin e vet me pluhur, dhe kur pushteti i kujtdo tjetër në këtë shtet, në atë cep rruge ku ka bërë shkelje të jetë i barabartë me 0.

No comments:

Post a Comment