Saturday, March 8, 2014

Mes të jetuarit shpejt e ngadalë (Grazia, dhjetor 2013)

Botuar në revistën Grazia #2 (dhjetor 2013)
..................................................................................

Kam parë vetëm një Fast&Furious, të parin. Të tjerët më pas, më krijuan përshtypjen se thjesht krijuan një produkut komercial bazuar mbi shpejtësinë. Dhe ja ku Paul Walker, ylli i filmit vdes në moshë të re, po nga shpejtësia. Jetojmë në një kohë të shpejtë. Nuk ke kohë as të takosh miqtë, sepse jeta lëviz shumë shpejt.
Njeriu që jeton në Londër a Nju Jork, kur vjen në Tiranë e ka të vështirë të mësohet me lëvizjen e njerëzve në rrugë. I duket se lëvizim shumë ngadalë. I duket sikur e kanë e kanë futur në një ngadalësues kohe. Por gjithçka rrotull nesh na fton të jetojmë më shpejt. Reklamat televizive, interneti dhe shpejtësia e informacionit, njohjet e reja, klubet e reja, VIP-at e rinj, ofertat celulare, gjithçka ndodh me shpejtësi duke na detyruar (më shumë se duke na ftuar) që të nisim të vrapojmë. Por jo të gjithë vrapojnë. Ca nuk duan, ca nuk munden. Ndërsa në raste të tjera, e shpejta dhe e ngadalta përplasen ose rrinë ngjitur në mënyrë groteske.

Sa e bukur, sa e mirë, sa e ëmbël sa e... ngadaltë!

Gjithë instrumentet e shoqërisë sonë lëvizin shumë ngadalë. Politika emancipohet ngadalë. Sedra, preket shumë shpejt. Gjyqet kryhen shumë ngadalë, impulsi kriminal, në të kundërt ndodh në një çast. “Degjenerimi“ televiziv nuk përputhet fare me mentalitetin e atyre që shohin nga 2-3 telenovela çdo ditë. Krijimi i famës është aq i shpejtë ndërsa ndërtimi i talenteve, shumë i ngadaltë. Ne shkojmë në restorant, dhe hamë shpejt. Vrapojmë edhe kur kemi dalë për të bredhur kot. Duket sikur mënyra jonë e jetesës lëviz shpejt, por në të vërtetë Shqipëria, është një vend që ecën shumë ngadalë.

Shqipëria si emigranti i fundit

Shqipëria ka ritmin e emigrantit të fundit. Shoqëria ecën me hapin e më të avashtit, thoshte dikush. Këtë bën dhe Shqipëria. Merrni emigrantët. Ndër ata miliona emigrantë që kemi shpërndarë nëpër botë, disa janë integruar plotësisht. Në mënyrën e jetesës, të punës, suksesit e realizimit, ata kanë arritur të përshtaten shpejt. Të ecin shpejt. Ka emigrantë të tjerë që edhe pas 20 vitesh nuk kanë mësuar akoma mirë gjuhën, kanë mësuar si t’i dredhojnë sistemit andej, por nuk arritën kurrë ta përballojnë atë. Ritmi i Shqipërisë, është pikërisht ritmi i këtyre. Shqipëria ecën aq sa ç’ecën qytetari më i avashtë i saj. Integrimi ynë i vërtetë, do të ndodhë kur të jetë integruar emigranti ynë më i ngadaltë.
Megjithatë, jo gjithmonë e jo të gjithë duan të vrapojnë. Disa do preferonin të lëviznin ngadalë ose me shumë pushime në mes. E para që nuk përputhet mirë është koha e meshkujve dhe e femrave.

Koha e femrave

Para pak ditësh, një lajm u përhap në mënyrë virale: Historia e aziatikut që u hodh nga kati i 7 i një qendre tregtare nga stresi se e shoqja pas shumë orësh pazari, vendosi të futej dhe në një të fundit, pavarësisht kundërshtimeve të tij. Çështje kohësh.
Të kalosh një pasdite në një shopping mall është thuajse e njëjta gjë me meshkujt që kalojnë një pasdite duke parë televizor . Palët mund të detyrohen ta pranojnë, por nuk janë të detyruar ta përjetojnë. Njerëzit duan kohën e tyre. Femrat, të tyren. Shopping mall-et dhe ndeshjet e pafundme në TV janë një mënyrë për të ngadalësuar kohën. Ne futemi brenda një sfere interesi dhe harrojmë sa gjatë jetojmë aty. Që aziatiku të mos hidhet nga kati i 7-ë duhet që të sinkronizojë orën e vet me të gruas.
Lidhjet tona krijohen shumë shpejt dhe vdesin po aq shpejt. Njoh njerëz që rendin për t’u martuar dhe ndahen pas 6 muajsh. Miqësitë në FB janë ura të pakoaluduara komunikimi. Ndodhin shumë shpejt. I humbim miqtë po aq shpejt sa i zëmë. Konflikti më i madh me shpejtësinë është kur përplaset ritmi që kemi brenda me atë jashtë. Unë e quaj shpejtësi televizive.

Shpejtësia televizive

Deri dje jetonim ritmin biologjik të jetës. jeta ka një ritëm të vetin, që besoj matet me rrahjet e zemrës. Sot, ritmi ynë është televiziv. Ne kujtojmë se bota ecën me shpejtësinë e televizionit, me të njëjtin ritëm që ndërrojmë kanalet televizive, me të njëjtin ritëm që ndërrohen planet e një filmi.
Shoh vazhdimisht makina që i bien burisë me urgjencë. Disa të tjera parakalojnë shumë shpejt. Pjesa më e madhe e këtyre shoferëve nuk ka ndonjë punë për të bërë. Ecin me shpejtësi për të mbërritur te kafja ku do të rrinë 3 orë pa bërë asgjë, ulur.
Njerëzit që humbin jetën nga shpejtësia, ne gabimisht i konsiderojmë si njerëz që “kanë jetuar me shpejtësi”. Unë mendoj që thjesht kanë dashur të jenë më të shpejtë se të tjerët, në mjetin e gabuar. Ndoshta, njeriu më i shpejtë në botë është në një karrige me rrota: Stephen Hawking. Ka të bëjë me shpejtësinë e të menduarit. Ne vrapojmë shumë, por për fat të keq mendojmë ngadalë.

Shpejt dhe ngadalë

Nuk besoj se ka ndonjë recetë nëse duhet ecur shpejt apo ngadalë. Stresi krijohet kur ti je njeri i avashtë, dhe të detyrojnë të ecësh shpejt. Ose e kundërta. Kur do të ecësh shpejt dhe të kanë dhënë një mjet të avashtë.
Ky stres, na bën të jetojmë përciptas dhe pa ndjerë në të vërtetë asgjë. Edhe pse, na duket se jetojmë shpejt.

No comments:

Post a Comment