Monday, April 14, 2014

Partitë tona, të gjitha të jashtëligjshme

Botuar në rubrikën Tarta T'Arta, Gazeta dita, 14 prill


Kërkesat për të nxjerrë jashtë ligjit partitë komuniste, pavarësisht një sensibiliteti të gjerë shoqëror në lidhje me vetë termin “komunist” (apo dhe “marksist” e “enverist”) përmban shumë kundërthënie në vetvete. E para qëndron në krahasimin me partitë “naziste” në Gjermani, po ashtu të kundërligjshme. Partitë naziste janë jashtë ligjit sepse programet e tyre përmbajnë elementë antikushtetues dhe bazë ideologjike raciste. Partitë komuniste, në Europë jo vetëm janë të ligjshme por marrin dhe bajagi vota, dhe jo rrallë kanë shkuar deri pranë pragut elektoral qeverisës. Nëse një parti komuniste ka një program antikushtetues, ajo Parti nuk do ekzistonte si e tillë, sepse gjykata nuk do e kish miratuar. Por, këto parti duan të restaurojnë Enverin…

Krimi i partive komuniste

Çfarë krimi përbën ideologjia e partive komuniste shqiptare? Të duash të restaurosh Enverin, sikurse të duash të shkosh në Hënë, apo të duash të ndryshosh kufijtë, janë thjesht retorikë, e pamundur të realizohet nga një apo shumë shqiptarë. Madje, më parë do shohim një shqiptar super-miliarder që paguan për të udhëtuar në Hënë, sesa 2 alternativat e tjera. Ndryshimin e kufijve ballkanikë e ka potencuar në retorikën e tij politike dhe një figurë e lartë e së djathtës, dhe nuk di që partinë e tij të ketë kërkuar dikush ta nxjerrë jashtë ligjit. Pastaj, që kur Enver Hoxha qenka i jashtëligjshëm dhe i vdekur? Që kur është ndaluar përmendja e emrit të tij, apo e librave të tij që gjenden në shitore në mes të Tiranës? Nëse një Parti Europiane do që të restaurojë Maon, nuk besoj se francezët e nxjerrin jashtë ligjit. Ata nuk nxjerrin jashtë ligjit as partitë që kërkojnë të dalin nga Euroja. Por, komunistët bënë ca vandalizma…

Zogu kundër Enverit

Nuk dua të hyj në debatin se ç’bëri Zogu e ç’bëri Enveri, por mund të them që të dy bënë diçka të mirë për Shqipërinë (njëri shtetin e parë, tjetri elektrifikimin, sa për shembull) dhe të dy bënë diçka të turpshme për shoqërinë shqiptare (vrasjet e patriotëve, apo neni 55, sa për të dhënë një shembull).
Nëse komunistët hodhën një kavo rreth bustit të Zogut, më kujtohet se ca të tjerë tërhoqën me skodë bustin e Enverit, para nja 23 vitesh. Kjo e fundit, nuk do të thotë që PD-ja duhej nxjerrë e jashtëligjshme.
Nëse dikush do dojë të rikthehet përsëri te krahasimi ç’bëri Zogu e ç’bëri Enveri, që të tërhiqeshin me kavo, dua t’i kujtoj se ajo që ndjejmë për Enverin më 2014-n, është identike me atë që ndjenim për Zogun më 1984-n. Duke njohur mentalitetin tonë bust-hedhës, nuk do habitesha që të njëjtën të ndjejmë për Sali Berishën më 2034-n. Madje, Enverin më 1984-n ky popull e ka dashur goxha më shumë se Zogun në 1934-n. Madje, dhe çik më shumë se Berishën më 1994-n.
Nëse dikush do të dojë të thotë që partitë komuniste janë kundër kapitalizmit, duhet t’i kujtoj që rendi ynë politik nuk është kapitalizmi, por demokracia. Kapitalizmi është një marrëdhënie ekonomike, e cila te ne ekziston në formën më të egër të mundshme. Nëse një parti na e mbush mendjen se do na sjellë një marrëdhënie tjetër të suksesshme ekonomike, qoftë model kinez a suedez, bujrum! Mbase na shpëton!
Ndjeshmëria e popullit lëviz, dhe kjo nuk përbën bazë ligjore për të nxjerrë parti jashtë ligjit. Apo, më mirë të nxjerrim ndonjë?

Partitë jashtë ligjit

Ajo çfarë duhet të mbrojmë është rendi ynë politik, ajo që ne e quajmë demokraci sa për të larë gojën, por në fakt është autokraci dhe oligarki. Dhe, Marko Dajtët me shokë nuk di të kenë në plan për të hedhur demokracinë.
Paradoksi madhor, qëndron te fakti se kur vjen puna te Shqipëria, 3 partitë që qarkullojnë në pushtet, e kanë shkatërruar e dëmtuar më shumë Shqipërinë sesa partia e vobektë e Marko Dajtit. Partia e Dajtit, është thjesht një vazhdim emocional për inerci i një realiteti të para 25 viteve, që ka 2 pika sa qesharake aq dhe të padëmshme në program: të legalizojë hashashin e të ri-vlerësojë një figurë a periudhë historike. Ndërsa gjithë sistemin e korruptuar politik, juridik, moral, ekonomik e burokratik që gëzojmë sot, e kemi peshqesh nga lubitë e mëdha. Ndaj, nuk është thjesht paradoks, por qesharake të kërkojmë të nxjerrim jashtë ligjit partinë gazmore të Marko Dajtit. Edhe pse, në një demokraci oborri si kjo e jona, vetëm me momente politike komike si kjo, mund t’ia dalim ta shtyjmë disi jetën.

No comments:

Post a Comment