Friday, April 25, 2014

Murgeshat dhe mamatë single (mars 2014)

Botuar në REvistën Klan, E Shtunë, 29 Mars 2014



Kam parë njëherë në rrugë nevojtarë që protestonin të ulur në trotuar. Më duket se ishin minatorë. Pas nja 10 ditësh grevë urie në trotuaret para Kryeministrisë, askush nuk kishte shkruar e as bërë rubrika për ta. Më ka pas bërë shumë përshtypje heshtja e tyre, dhe heshtja mbi ta. Ndoshta, të jesh një urith vrimash të thella me jetën në dorë të zotit të nëntokës, nuk është një shans oratorie. Por, të jesh gazetar që kafet i pi në një rreze 500 metrash prej Kryeministrisë, e të heshtësh për ato koka të vuajtura e me cepa, për ato qafë të trashura prej halleve e zgjedhës (zgjedhë dhe zgjedhje, dy fjalë kaq të përafërta për të njëjtin koncept), kjo është diçka për të cilën nuk kam fjalë për t’ia vënë si emër. Nuk do i kisha kthyer këtij kujtimi, po mos më kishte sulmuar në të gjitha mediumet protesta e katolikëve kundër abortit.

Gishtat e protestës

Në pamjet e fotot e protestës nuk kishte shumë njerëz. Pa dashur të spekulloj me shifra - në protesta të tilla, shpesh sehirxhinjtë janë më të shumtë se protestuesit - por ishin shumë pak, ndoshta mund të numëroheshin me gishtat e një njeriu të vetëm. Por, më shumë sesa numri, gjëja që më ra në sy ishte përmbajtja: Protestuesit ishin disa murgesha, dhe shumë të moshuar, shumica e të cilëve nuk është më në moshë riprodhuese. Që këtu, lind absurditeti i protestës, protestojnë njerëz për një hall që nuk është i tyri, por i dikujt tjetër. Ata nuk do kenë kurrë më shansin që jeta t’i vërë para zgjedhjes së dhimbshme, të abortosh apo jo. Ama, kjo nuk i pengon të kërkojnë të marrin pjesë dhunshëm (ligji kundër abortit, është një detyrim i dhunshëm për të mbajtur fëmijën) në zgjedhjen e dikujt tjetër.
Jam i sigurt që edhe nja 100 herë më shumë njerëz po të dilnin, vështirë të ndikonin dot vendim-marrjen shtetërore në lidhje me këtë temë, qoftë dhe thjesht për faktin që këto lloj projektligjesh i vendos Europa për ne. Por, ajo që më ngacmon është “kauza”. Nuk është as e para e as e fundit kauzë ku njerëzit dalin të luajnë me jetën e tjetrit.

Jeta, në duart e tjetrit

Ato vajzat e vogla që duan t’i detyrojnë të mbajnë fëmijën e padëshiruar të një marrëdhënieje të pambrojtur, janë njerëz. Nuk janë as ikona e as iniciale, pavarësisht se dalin me T.M. a P.N. në titrat e lajmeve. Janë histori njerëzore. Janë njerëz që arrijnë në një vendim të dhimbshëm të kushtëzuar nga dhjetëra rrethana të cilat ato murgeshat e mira e naive në protestë nuk kanë si t’i dinë.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Më kujtohen protestuesit pro-shtypjes së protestave me dhunë nga Erdogani para më se një viti. Ishte një gjë aq qesharake që ndodhte në Tiranë, sa nuk ka asnjë fjalë për ta përshkruar. Të tilla janë edhe protestat kundër së famshmes paradë gej. Është qesharake të ndalosh njerëz të dalin për të bërë një xhiro tematike në bulevard! Të cilën as organizatorët nuk duket të kenë ndonjë qejf të madh ta mbajnë, nëse nuk do dalë të kundërshtojë njeri. (Këtu është një tjetër çështje gazmore: protestë për t’u treguar ndërkombëtarëve që ka njerëz që nuk e duan atë protestë). Por, këto protesta nuk janë më gazmore, kur amplifikohen në media.

Media, mes dembelizmit dhe tymit

Nuk mund të resht së përsërituri që media nuk është aleat i publikut. Arsyen e dini, më shumë para paguajnë kompanitë në formë reklamash, të pasurit përmes financimesh okulte dhe pushteti përmes favoresh se ç’paguajnë ata pensionistët që blejnë gazetat çdo ditë apo ata që shohin free tv çdo natë. Por, media nuk është as aleate e vajzave të vogla që mbeten shtatzëna që në klasë të 9-të e as e atyre murgeshave që nisen me idenë se do t’i bëjnë një shërbim njerëzimit (brenda kritereve të fesë së tyre) duke i detyruar ato vajza të vogla të mos abortojnë.

Nuk dua t’ia faturoj shitblerjes morale e ekonomike të mediave çdo budallallëk që amplifikohet në shtyp. Jo gjithçka është e kontrolluar dhe e blerë, vetëm çështjet e ndjeshme, ku preken interesa vitale të inidvidëve a grupimeve të caktuar. Pikërisht për këtë, media duhet të mbushë faqet e ekranet e veta me diçka, mundësisht sa më ekzotike, dhe sa më larg problemeve reale. Dembelizmi i bën të mos shtrëngohen shumë, mungesa e fantazisë e shpesh e profesionalizmit, i bën që t’i kenë të shterruara ato pak gjëra që u lejohen të thonë. Dhe ndaj turren kur flitet për një protestë të disa dhjetëra të krishterëve që nunërohen me gishta. Më shumë sesa të ngrejë kauza, media përdor subjekte. Viktimat janë më shumë murgeshat sesa vajzat e vogla. Në të vërtetë, këto të fundit kanë vërtet nevojë për një kauzë, por ndryshe nga ajo e murgeshave.

Dështimet në një shtet të dështuar

Të dhënat mbi abortin janë shokuese. Sipas INSTAT, 3.5 për qind e adoleshenteve në shkollat e mesme, pohojnë se kanë mbetur shtatzënë e më pas kanë abortuar. Kjo shifër, bëhet akoma më trembëse nëse vërehet që vetëm 1 në 8 gjimnaziste është seksualisht aktive. Më tej, nga dosjet e aborteve rezulton se vajzat e pamartuara zënë rreth 14 për qind të aborteve. Është tragjike dhe komike bashkë që për çështjet e abortit merakosen më shumë murgeshat sesa mamatë. Por nëse murgesha e sheh problemin në shkeljen e principeve fetare, mamaja duhet të preokupohet për sakatimin e trupit të vajzës; nëse për murgeshën e drejta për të vendosur për jetën e fëmijës i takon zotit, mamanë duhet ta shqetësojë vendimi i së bijës, së pari për të mos u mbrojtur; nëse për murgeshën ka rëndësi mëkati shpirtëror, mamaja duhet të shqetësohet për lidhjet e së bijës të ngritura mbi gabime fatale.
Ka shumë për të folur për këtë temë. Dhe, ndoshta duhet t’u themi faleminderit murgeshave të asaj proteste që pavarësisht qëllimit të tyre, formës e zgjidhjes që mendojnë se duhet bërë, po na japin shkas të hapim debat për një temë për të cilën të tëra palët e interesuara, shteti e mediat nuk kanë pasur as ndjeshmërinë, as vizionin e as interesin për të ngritur. Kjo ndodh, sepse kjo dhimbje - dështimi i një fetusi - ndodh në heshtje, mes lotëve, ndjenjave të fajit, presionit, dhe mungesës së opsioneve për vajzat e vogla ose të pamartuara.

Jeta e fetusit

Tezat teologjike se a quhet fetusi qenie a po jo, i përkasin njerëve të ngeshëm e që vetë nuk do ta përjetojnë atë tmerr. Vajzat e vogla, nuk ndihen. Por, diçka mund të bëhet për to. Në vend që t’i trembim me mëkatin, bëjmë mirë t’i informojmë. Mamatë shqiptare bëjnë mirë që në vend që të shohin telenovela, t’u tregojnë vajzave të tyre se nuk i gjykojnë kur bëjnë seks, por kur e bëjnë të pambrojtur. Edhe djemtë e papërgjegjshëm (ka shumë raste kur vajzat nuk përdorin prezervativë se nuk na na dashka djali) nuk duhen lënë jashtë skemës. Ata janë po aq përgjegjës, edhe pse trupi që sakatohet është i një vajze. Ata duhen jo vetëm informuar, por, dikush duhet t’ua ndëshkojë atë kapadaillëkun kur kujtojnë se aborti është vetëm çështje lekësh, dhe “lekë ka babai plot, abortojmë sa herë të duam”. Shkolla, vendi ku konsumohen mëkatet, bisedat, dashuritë e frikërat janë vendi ku duhet mbjellë një sjellje tjetër ndaj abortit e seksit të pambrojtur. Sesi, nuk mund ta them sot, e as me një shkrim. Aq më tepër, kur nuk jam as mama, as vajzë shtatzanë e as ministër Shëndetësie. Unë sikurse murgeshat nuk jam ai që duhet ta nisë këtë luftë, por mund të mbështes sa mundem, për një qëllim të vetëm: Mbrojtjen e jetës, në rradhë të parë të atyre vajzave të vogla.

No comments:

Post a Comment