Tuesday, April 15, 2014

ME SE E NGATËRROJMË DASHURINË

(botuar te revista Grazia, shkurt 2014)
Dashuria është e përbërë nga tre elementë, më shpjegonte para shumë kohësh një miku im që studionte çështjet e çiftit e të familjes jashtë shtetit. Dy vjet më vonë u nda nga gruaja. Njeriu mund t’i dijë teorikisht elementët e dashurisë, por kjo nuk e pengon fundin e saj.

Zbehja e dashurisë
Nganjëherë më qëllon që edhe përqendrohem tek tekstet e këngëve tona në radio. Thuajse të gjitha i këndojnë dashurisë, dhe pothuajse njësoj. Të njëjtat fjalë të varfra, të njëjtat fraza të ujshme e bosh. Varfërimi i teksteve të dashurisë në të vërtetë tregon sa paaftësinë e atyre që shkruajnë tekste për të shkruar diçka të vërtetë, aq edhe faktin që këngët tona thjesht përcjellin një shtirje të madhe. Ditët tona janë mbushur me thashetheme për tradhëtitë bashkëshortore. Gratë e vjetra, mesogratë, madje dhe gratë e reja shprehen tërë zili, admirim e mbështetje për “tradhtarkat”, ato që i vënë burrit brirë. Për njëqind arsye ato nuk kanë guxim ta bëjnë, ndaj dhe bëjnë tifo për atë që e kalon atë kufi të padukshëm, kufi që duket sikur do të vdesë dashurinë.
Duket sikur dashurinë sot e përjetojnë vetëm ata që nuk janë pjekur akoma nga trutë.

Dashuria mes logjikës e instinktit
Gjasat më të shumta për të dëgjuar histori dashurie është ndër njerëz të “papjekur”. Për shembull adoleshentët, njerëz që nuk kanë dalë akoma në jetë, që nuk kanë arritur të ndërtojnë akoma diçka a të bëhen dikush, shkurt, që nuk janë pjekur. Duket, sikur dashuria kap pa mendje ata që janë ende të hutuar në udhëkryqet e jetës; dikë në muzgun e vet e kap një dashuri rinore.
Duket, sikur dashuria u ndodh atyre që jetojnë pa plan. Ka njerëz që e dinë çfarë duan, një profesion të mirë, një shtëpi, një qen dhe një grua të bukur a një burrë me punë të mirë. Është e vështirë të kuptosh nëse dashuria u ndodh, apo e kanë pjesë të projekteve të tyre të jetës.
Por ndoshta, bëhemi vetëm konfuzë me mënyrën sesi duhet ta jetojmë dashurinë.

Dashuria mes modeleve
Jo dashuria, por mënyra si e jetojmë dashurinë varet nga modelet që na rrethojnë. Faktin që prindërit kanë ndenjur 40 vjet bashkë, nxitimi i jetës rrotull nesh, përrallat me princër kaltëroshë, stereotipet e dashurive të filmave, humnera e kastave me atë që të pëlqen, frazat e vjetëruara e të dala mode, shkurtesat e fjalëve të dashurisë në sms, bota e përkthyer keq e telenovelave, bombardimi me jetë VIP-ash, luksi i panevojshëm i bareve ku rrinë çiftet, apo romanticizmi kitsch që shkëlqen në lumturinë e dikujt tjetër, të tëra këto modele na çorodisin. Secila prej tyre mund të duket si dashuri, edhe pse dashuria mund të jetë më e thjeshtë, dhe, tmerr ëëë, po mund të mos jetë as në jetën e natës!!

Elementët e dashurisë
Nëse një kimist (e jo një shkrimtar) do përpiqej ta zbërthente dashurinë në pjesë, do zbulonte se janë tre, elementët e dashurisë. Pasioni. Mirëkuptimi. Dhembshuria. Ajo që na ze sytë e para është pasioni. Thonë se dashuria zgjat tre vjet. Në fakt, pasioni zgjat tre vjet. Kur pasioni vdes, nëse në një lidhje nuk gjenden dhe dy elementët e tjerë, atëherë vdes dhe dashuria.
E vetmja mënyrë për të gjetur veten në këtë katrahurë globale është të identifikosh me zgjuarsi nëse ajo që ke para syve i përmban të tre këto elementë. Dhe kjo mund të jetë drama e të “papjekurve” që bien në dashuri, një pas një, vazhdimisht.

No comments:

Post a Comment