Botuar në Revistën Klan, 13 prill 2014
Sa më shumë që dalin në sipërfaqe detaje nga jeta e Ilia Karelit, aq më shumë ai person fillon e merr para nesh trajta njerëzore. Në fillimi ishte shqiptari kriminel që vrau një polic. Pastaj ishte shqiptari që nuk e lanë të takonte nënën, pastaj doli letra e tij, dhe shpërpjestimi i ndëshkimit me krimet që kishte bërë, pastaj detajet fatale, torturat si të Gestapos. Ai që ishte një kriminel, në fund, nuk paskësh qenë tjetër veç një nga djemtë tanë në tokën e fqinjit, që na vjen që andej në kuti.
Fati tragjik i Karelit, është momenti i katharsisit, për të parë brenda nesh dhe brenda tyre.
Një djalë si mijëra të tjerë
Ngjarja e Ilias nuk lë më asnjë pikë dyshimi për situatën ku ndodhen disa mijëra shqiptarë në burgjet greke. Nëse një person i vënë në fokus rastësisht mund të jetë i keq-gjykuar e keqtrajtuar, kushdo mund të jetë. Secili nga ata mijëra mund të ketë marrë një dënim të shpërpjesëtuar me krimin, secilit prej tyre mund të mos i jetë dhënë asnjë shans të rindërtojë një jetë. Secili prej tyre, mund të jetë hipur pa dashjen e tij në një tren që shkon vetëm në një drejtim, që nuk ndalon në asnjë stacion. Janë mijëra jetë njerëzore të çuara dëm, dhe ndaj të cilëve shoqëria mund të jetë në borxh. Ky është së pari problem i shoqërisë greke. Një shoqëri perëndimore e cila mburret edhe si djep i demokracisë, nuk mund të sillet me ata mijëra shqiptarë si me qenie të dorës së dytë.
Por ky është po aq shumë dhe një problem shqiptar. Në këtë rast, Shqipëria është një prind i papërgjegjshëm, praktikisht inekzistent. Shqipëria vetëm prodhon kriminelë, sa rriten i hedh matanë, dhe nuk i quan më për të vetët.
Djali pa prind
Shqipëria ka një ambasadë dhe madje dhe konsullatë në Greqi. Unë nuk e di se çfarë bëjnë atje. Por një gjë është e dukshme, ata nuk kanë ndihmuar apo në ndikuar në përmirësimin e jetës së këtyre mijëra Iliave që vuajnë në burgjet greke. Do të thonë s’ka fonde. S’ka fonde? Mund t’i vënë drynin Ambasadës e të kthehen. Por deri më sot, sado ankohen, nuk kam dëgjuar për një Ambasador që të japë dorëheqjen sepse nuk i kanë mundësuar fonde apo mjete për të bërë punën e vet. Thjesht, asnjë prej tyre nuk e lidh punën me fatin e shqiptarëve si Ilia.
Funksioni kryesor i Shqipërisë do duhej të ishte si pikë tokëzimi për qindra mijëra emigrantë, të larguar pikërisht se kjo tokë e ka të pamundur t’i mbajë. Historia e secilit nga ata të burgosur do duhej të ishte një dosje në atë Ambasadë apo konsullatë. Me përjashtim të Avokatit ë Popullit, nuk u ndje njeri, përveç një deklarate të vakët të shtetit. Por, ambasada e konsullata janë vetëm një nga format që shteti shqiptar ka në dispozicion për t’u kujdesur për shtetasit e vet. Greqia nuk është në fund të botës. Është fqinji ynë i drejtpërdrejtë, me të cilin na lidhin mijëra fije. Por fqinji, sillet si i fortë. Fqinjit, i dukemi më të dobët, dhe na fyen e na godet sa herë kalojmë para derës së tij.
Një fqinj, me duar me gjak
Historia e Ilias është vetëm një nga historitë e tmerrit që dalin nga burgjet greke. Nuk është se papritur, disa gardianëve grekë u iku truri dhe vendosën të luajnë lodra prej Gestapoje me një kriminel. Që nga periudhat e hershme të fshesave greke, sistematikisht, në mënyrë institucionale ose brenda suazave të institucioneve, grekët i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore ata me gjak, pasaportë apo gjuhë shqiptare. Shteti shqiptar nuk arriti kurrë të gjejë ekuilibrat politikë, mekanizmat ndërkombëtarë e kombëtarë për të mbrojtur qytetarët e vet nga dhimbja. Nuk është punë dijeje e as punë fondesh e strukturash. Thjesht, shteti ynë funksionon si një anije pirate që e merr më i forti për një periudhë kohe dhe e përplas sa andej-këtej. NUk ka asnjë strategji, as moral, as vizion e as dhimbsuri.
Shqipëria është një mjet që vlen vetëm për pasionin për pushtet të më të fortëve, ndaj dhe nuk ka ndërtuar asnjë mekanizëm për t’u mbrojtur nga fqinji ynë me duart me gjak. Fundja, këtu brenda, ka njerëz që u kanë bërë e bëjnë shqiptarëve më shumë se ç’u bën “greku” shqiptarëve nëpër burgje.
Midis shqiptarit e grekut
Më kujtohen ca raporte tashmë të varrosura që tregonin se si u trajtuan të arrestuarit e 21 janarit. Vetë 21 janari ishte një burg grek, ngjarjet e të cilit i patëm para sysh, por që edhe sot, shumë preferojnë versionin all-pirat të asaj historie. Mediat tona me korrespondentë vetëm në bllok nuk na kanë sjell dot historitë e Iliave, aq më pak të arrijnë t’i kthejnë në çështje kombëtare, dhe ajo histori nuk do kish ardhur kurrë po të mos ishte për mediat greke. Matanë, tek fqinji ynë me duart me gjak, ka media që luftojnë për të vërtetën. Ndërsa shkruaja artikullin, kanë dalë lajmet për arrestimin e disa prej përgjegjësve dhe vënien në kërkim të të tjerëve. Pra, shteti me duart e përlyera, paska media që arrijnë të bëjnë presion, dhe struktura që vihen në funksion të drejtësisë.
Ndërsa epilogu i vërtetë i 21 janarit është një ditëlindje e kohëve të fundit në Gjirin e Lalzit me 600 të ftuar. Nuk do habitesha që për Ilia Karelin të vendoset drejtësia, gjë që nuk e pres për 4 të vrarët e 21 janarit. Dhe në fund të fundit, Ilia Kareli ishte një kriminel.
Një djalë kriminel
Ilia është një nga të shumtit që lindin e rriten këtej në kushtet e një arsimimi të vobektë dhe pa asnjë të ardhme, e që më pas katapultohen tek fqinjët si të ishte problem i tyri. Edhe kur janë të lindur andej, ata mbartin problemet e familjeve shqiptare ku janë lindur e rritur. Shoqëria jonë duhet të heqë dorë nga lënia e kopilit në derë të tjetërkujt. Këta kriminelë janë shqiptarë, mbartin një problem shqiptar me vete, dhe janë pjesë e secilit prej nesh. Dhe nuk mund të maskohemi pas shprehjes “nuk ka pyll pa derra”. Ata janë derrat tanë, dhe nëse janë derra, janë sepse kjo shoqëri pjell asish. Kareli ka vrarë një polic, dhe kjo nuk është gjë e vogël. Këtej nga ne qarkullojnë plot lajmet për të vrarët në përleshje me policinë, që shpesh janë ekzekutime nga ana e policëve për kriminelë që kanë vrarë policë.
Bashkëvuajtësit shqiptarë të Karelit, janë të tërë brenda për krime që shkojnë nga vjedhjet me dhunë, te plagosjet, vrasjet e kanosjet. Dënimet, mund të jenë të ekzagjeruara. Por krimet kanë ndodhur. Dhe janë krime shqiptarësh. Ne duhet të mbajmë përgjegjësi për ta, dhe ne duhet të ulim kokën të turpëruar para krimeve të tyre. Por, mbi të gjitha, duhet të kërkojmë një zgjidhje.
Që Ilia Kareli të mund të kish jetuar
Një nga nevojat më urgjente që soli në vëmendje rasti “Kareli” është nevoja për të ditur. Ne duhet të dimë ç’ndodh në burgjet greke, kush është brenda dhe për se vuan dënimin. Unë jam i bindur që të gjithë ata kanë ankesa, shumica ankohen për gjykim të padrejtë e dënime të rënduara. Shteti shqiptar e ka për detyrë t’u krijojë mundësitë e asistencën që ata të mund të verifikohen ligjërisht.
Paratë e derdhura për gjasme pensionistët grekë të lindur e rritur në Himarë e Breg mund të ishin përdorur në mënyrë më efiçente duke ndërtuar struktura që të mund t’i sillnin të burgosurit tanë në burgjet tona. Siç e thashë, ata janë së pari problem shqiptar. Por, janë dhe një problem europian. Ata gjenden të burgosur brenda kufijve të Europës së Bashkuar, dhe për më tepër trajtohen si shtazë. Dikush duhet t’i tregojë Europës që brenda kufijve të saj ka të burgosur që vriten me metodat e Gestapos, dhe këtë gjë duhet ta bëjë shteti shqiptar. Por mbi të gjitha, duhet asistencë europiane për të adresuar problemin e tyre, qoftë ky dhe një burg tjetër, por në tokë shqiptare.
Dhe, e kotë të thuhet, por mënyra më e mirë për të reduktuar numrin e Iliave është t’u krijohet mundësia për shkollim, për të bërë një jetë normale e për të pasur shanse normale për t’u realizuar. Them e kotë, sepse këto shanse nuk po u jepen më as atyre që kanë pasur një start më të favorshëm në shoqërinë shqiptare, se shokët e Ilias.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment